Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve dhe protesta nëse vazhdon të zvarritet procesi i plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në reagimin e saj, OVL-UÇK u ka bërë thirrje partive parlamentare që të mos e shndërrojnë këtë çështje në mjet për interesa partiake, duke kërkuar që vendimmarrja të udhëhiqet nga përgjegjësia politike dhe interesi i vendit. Organizata e konsideron këtë ligj të rëndësishëm për luftën çlirimtare dhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë. Ajo ka shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj dënimit të shqiptuar në shkallën e parë, të cilin e cilëson të padrejtë dhe politik. Sipas OVL-UÇK-së, ekspertët juridikë që e mbështesin organizatën vlerësojnë se nuk ekzistojnë pengesa juridike për miratimin e ndryshimeve të propozuara dhe se çështja varet kryesisht nga vullneti politik i deputetëve. Organizata ka kundërshtuar edhe pretendimet se përfshirja e çështjes së faljes për krime lufte do të ishte antikushtetuese. Sipas saj, legjislacioni aktual për Dhomat e Specializuara e rregullon mundësinë e faljes dhe zbutjes së dënimit, duke ia atribuar këtë kompetencë kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova. OVL-UÇK vlerëson se, meqë një numër i konsiderueshëm deputetësh kanë shprehur gatishmëri për ta mbështetur ligjin, propozimet për dispozita shtesë nuk duhet të shërbejnë si arsye për pengimin apo shtyrjen e procesit. Për këtë arsye, organizata kërkon që, nëse ligji rikthehet në Kuvend, plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme të shqyrtohen dhe të miratohen me procedurë të përshpejtuar, pa vonesa të mëtejshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
