Adem Demaçi

Para 34 viteve Parlamenti Evropian nderoi Adem Demaçin me Çmimin ‘Saharov’

Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i ndau Çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit veprimtarit Adem Demaçi, duke e vlerësuar si një luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe si mbrojtës të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në fjalën e tij, Demaçi e cilësoi këtë çmim si homazh për popullin e Kosovës, duke theksuar se “liria e fjalës është hapi i parë, vendimtar drejt demokracisë”. Përveç Çmimit Saharov, Demaçi gjatë viteve u nderua edhe me çmime e nominime të tjera ndërkombëtare: në vitin 1993 ai mori Çmimin Special për Paqe nga Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid, ndërsa në vitet 1994 u kandidua fillimisht për Çmimin Nobel për Letërsi dhe më pas për atë të Paqes. Në dhjetor 1995, Universiteti i Oslos i akordoi Çmimin për të Drejtat e Njeriut. I lindur më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, me prejardhje nga Lupçi i Besianës, Adem Demaçi u bë një prej figurave qendrore të përpjekjeve paqësore për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Qysh herët i njohur për qëndrimet e tij kundër padrejtësive, ai u dënua disa herë nga regjimi jugosllav për bindjet dhe aktivitetin e tij politik, duke kaluar gjithsej rreth 28 vjet në burg. Në vitet 1998–1999 Demaçi shërbeu si zëdhënës politik i UÇK-së, ndërsa pas luftës u angazhua për të drejtat e komuniteteve joshqiptare dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. Në vitin 2010 u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”. Ai ishte gjithashtu autor i një sërë veprash letrare e publicistike, duke lënë një trashëgimi të rëndësishme kulturore dhe historike. Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018, duke mbetur një simbol i rezistencës dhe përkushtimit ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …