Pashk Quni: NJËRA NGA LETRAT QË M'I KA DËRGUAR VAJZA

Pashk Quni: NJËRA NGA LETRAT QË M’I KA DËRGUAR VAJZA

Letër nga vajza,      Maj  2000

Babi im i dashur!

Në këtë  periudhë shumë të gjatë  dhe të rëndë pa ty, ndjehemi si familja më e varfër  dhe më e mjerë në  rruzullin tokësor,  sepse na mungon Ti – drita e dashurisë  dhe kujdesit prindor,  me të cilin na ke mësuar dhe edukuar në jetë.    

Por ndjehemi edhe si njëra nga familjet shpirtërisht më të pasura, sepse të kemi Ty, thesarin e botës,  që dergjesh i burgosur  i ndërgjegjes. 

Babi, ne jemi me ty dhe të ruajmë me lutjet tona fëmijërore, me mallin dhe me dashurinë tonë. 

Babi im,  ti  nuk je me ne që të na ledhatosh e të na përqafosh, por edhe pse na  ndajnë  largësi  të mëdha, edhe pse na  ndajnë fusha dhe male, edhe pse na  ndajnë ushtri e kufij, ti je me ne,  me mua, me motrat që po rriten si lulet, me nënën dhe me gjyshen malësore  që po kujdesen për ne,  e që po mundohen që  të mos e ndjejmë mungesën tënde. Nëna është e fortë si shkëmbi. Ajo na jep zemër ne  dhe gjyshes. Nëna përherë  na thotë:  “Babi do vijë e do  qëndroi  gjithherë me ne”.  

Gjyshja, edhe pse e kërrusur nga pesha e moteve të saja,  po mbahet e fortë dhe mjaft mirë. Ajo krenohet shumë  me ty dhe  na thotë se duhet të jemi gjithashtu krenare me babin tonë, njëjtë sikurse krenohet ajo me  birin e  saj.

Motra e vogël, Miranda,  ka filluar ta kuptojë se ku gjendesh e që ti  vuan për ne.  Ajo çdo ditë  kujdeset për  lulet  që do  t’i  dhurojë kur të lirohesh ( po i ujit kohë  e pa kohë). 

 I dashur babi, ne jemi  mirë, asgjë nuk  na mungon, përveç teje. Për ne po kujdesen xhaxhallarët dhe të gjithë të afërmit. 

Axha Agim është kthyer nga Zvicra, është kthyer së bashku me Luzin.  Ata janë kthyer  burrërisht, ashtu siç u ka hije burrave, me  ballin lartë.*

Agimi tash është përherë me ne, ai është engjëlli ynë i mbrojtjes. Na i plotëson të gjitha dëshirat, madje edhe nëse ndonjëherë e teprojmë me kërkesat dhe çapkënëritë  tona fëmijërore.

Babi, ne jemi duke i vijuar  mësimet. Shkolla  ka shpëtuar, nuk është   djegur  dhe nuk është dëmtuar nga lufta, sikur të kam shkruar  edhe më parë, madje tash  edhe e kanë rregulluar dhe duket si të ishte e re fare!  Këtë po ta them që të gëzohesh,  duke e ditur se si mësues që je, sa e do  shkollën. 

Babi, ne kemi një det të tërë  me dëshira e ëndrra që i shohim syhapur sesi e sa të gëzuara do të jemi kur Ti të na kthehesh, e që edhe ne do të jetojmë  shumë të lumtur, do të jemi familja më e lumtur e botës, sepse do të kemi  Ty dhe të gjitha ato që nuk i patëm deri me tash.

Do të përjetësohen ëndrrat tona! 

Babi, natën e mirë, ne të ruajmë me ëndrrat tona dhe lutemi për ty dhe për  të gjithë  shokët tu atje!

Të përqafoj me mallë, për së largu. Rozalina ( Qupa e babit)!

*(-Në këtë letër dhe në shumë letra të tjera vajza shkruante shumë qartë,  por me shumë kujdes që të lexohet mes rreshtash e  që të tjerët të mos e kuptojnë thelbin- si p.sh. Ata janë kthyer  burrërisht, ashtu siç u ka hije burrave, me  ballin lartë;  ose,  Sepse do të kemi  ty dhe të gjitha ato që nuk i patëm deri me tash, d.m.th. lirinë ).

 P. S. (Vëllai im  Agim ( Prenk)  Quni  dhe kushëriri Luz (Alfred) Quni ishin kthyer nga Zvicra në luftë dhe kanë qenë luftëtarë në Betejën e Koshares ).  

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …