Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e akuzuar se përderisa e përkujton këtë akt historik, nuk po respekton Kushtetutën aktuale të Republikës së Kosovës. Hoxhaj ka vlerësuar se Kushtetuta e Kaçanikut e vitit 1990 përfaqësonte një nga momentet themelore të rezistencës politike dhe juridike të Kosovës, ndërsa ka pretenduar se parimet e saj shtetformuese po cenohen nga qeverisja e Kurtit. Sipas tij, kryeministri në detyrë nuk mund ta nderojë këtë dokument vetëm përmes deklaratave përkujtimore, ndërkohë që, siç pretendon ai, po shkel rendin kushtetues të vendit. “36 vjet më parë, në Kaçanik u vendosën themelet juridike dhe politike të shtetit tonë, pikërisht ato themele që, 36 vjet më vonë, Albin Kurti po përpiqet t’i rrënojë”, ka shkruar Hoxhaj. D eputeti i PDK-së ka shtuar se Kushtetuta e Kaçanikut ishte shprehje e një vizioni politik që, sipas tij, kontribuoi në procesin që çoi drejt çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës. Ai ka kritikuar gjithashtu Kurtin për qëndrimet e tij politike ndër vite, duke pretenduar se tash, nga pozita e pushtetit, ai po i cenon parimet për të cilat dikur ishte deklaruar kundër. “Kushtetuta nuk nderohet me deklarata përkujtimore, por duke e respektuar dhe zbatuar atë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
