Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar vazhdimin e seancës së Kuvendit të paralajmëruar për 9 shtator, duke pretenduar se pas skadimit të afateve kushtetuese deputetët nuk kanë më mandat për të ndërmarrë veprime institucionale. Haradinaj ka deklaruar se dështimi për konstituimin e Kuvendit ka shkaktuar pasoja edhe në mandatet e deputetëve, duke vlerësuar se çdo përpjekje për vazhdimin e punës së legjislativit në këto rrethana do të ishte jokushtetuese. “Ne nuk jemi deputetë, unë s’kam mandat më. Me shku në një seancë pa mandat kushtetues nuk lejohet. Mandati i parë është djegur, edhe mandati i dytë është djegur të shtunën më 5 shtator. Çdo veprim që marrim është jokushtetues”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka theksuar gjithashtu se, sipas interpretimit të tij, partia fituese nuk ka arritur ta përfundojë procesin e konstituimit të Kuvendit brenda afateve dhe se kjo situatë ka sjellë pasoja edhe për procesin institucional. Qëndrimi i Haradinajt e vendos AAK-në përballë një qëndrimi të ndryshëm nga PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në seancën e 9 shtatorit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
