Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë quajtur qeverinë Kurti si më të dobëtën në historinë e vendit. Sipas tyre, ekzekutivin në këto tri vite e gjysmë e ka karakterizuar prishja e raporteve me aleatë, vendimmarrja e dobët, antikushtetushmëria dhe popullizmi. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefat e tri partive parlamentare thanë se do të angazhohen që në sesionin vjeshtor të legjislativit të shpërfaqin dështimet e qeverisë para qytetarëve. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të angazhohen aktivisht që vendit t’i japin një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai theksoi se Kosova s’ka qenë asnjëherë në pozicion më të pavolitshëm me aleatët ndërkombëtarë. Kritika ndaj qeverisë Kurti adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Ai e konsideroi këtë legjislaturë të Kuvendit por edhe ekzekutivin si më të dobët në histori të Kosovës. Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Kosova ka pësuar dobësim serioz në temat e brendshme ashtu edhe në raportet ndërkombëtare. Kuvendi të enjten më 12 shtator do të mbajë seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor.
Kontrolloni gjithashtu
Armë, fishekë dhe pajisje teknologjike, janë gjetur nga aksioni i policisë në ministrinë e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor të Liburn Aliut
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, është zhvilluar një aksion në Ministrinë e Mjedisit, …