Përçarje diplomatike nga brenda: deklaratat e Slaven Radunoviç ndezin tensione me Kosovën

Deklaratat e fundit të ministrit malazez Slaven Radunoviç kanë hapur një përplasje të re diplomatike mes Malit të Zi dhe Kosovës, duke nxitur reagime të forta edhe brenda vetë skenës politike malazeze. Ish-kryediplomati Miodrag Vlahoviç ka kërkuar publikisht që Podgorica zyrtare t’i kërkojë falje Kosovës për deklaratat që ai i cilëson si të pabaza dhe të rrezikshme. Sipas tij, këto qëndrime nuk janë thjesht retorikë individuale, por përpjekje e qëllimshme për të dëmtuar raportet ndërshtetërore. Vlahoviç ka vënë në shënjestër edhe institucionet përgjegjëse, duke kërkuar reagim nga ministri i jashtëm Ervin Ibrahimoviç, e në mungesë të tij, nga Filip Ivanoviç, për të distancuar shtetin nga deklaratat e kolegut të tyre në qeveri. Ai ka sugjeruar se retorika e Radunoviçit i shërben agjendave më të gjera rajonale, duke lënë të kuptohet për ndikime politike që shkojnë përtej kufijve të Malit të Zi. Në këtë kontekst, rasti po shihet si një sinjal shqetësues për drejtimin e politikës së jashtme të Podgoricës dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërkohë, mungesa e një reagimi të menjëhershëm institucional e thellon dilemën nëse bëhet fjalë për një incident të izoluar apo për një qasje të re politike që rrezikon të rikthejë tensione të panevojshme në rajon.

Kontrolloni gjithashtu

PDK-ja të shtunën përmbyll fushatën në sheshin ‘Skënderbeu’, Hamza: Ejani të gjithë, bashkë ta ndryshojmë Kosovën

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të shtunën do ta përmbyll fushatën elektorale për zgjedhjet e …