Përkujtohen 5 martirë dhe dy dëshmorë në fshatin Gaçkë

Qindra bashkëfshatarë, përfaqësues të organeve komunale ë Ferizajt dhe nga subjektet politike ishin mbledhur të shtunën për të përkujtuar 17 vjetorin e rënies së dy dëshmorëve dhe 5 viktimave të vrarë nga forcat serbe.

Familjarë të viktimave me dhembje kujtojnë datën 3 Prill te vitit 1999 kur fshati u sulmua nga disa anë dhe pësoi dëme të mëdha nga luftimet që zhvilloheshin.

Me këtë rast kryetari  i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa,është shprehur se përkujtimi i flijimeve të panumërta që ka bërë populli ynë për të arritur lirinë dhe pavarësinë, paraqet gjithherë një moment të rëndësishëm dhe shumëdimensional.

“Është një moment kur ne shkëputemi disa çaste nga vorbulla e punëve të përditshme dhe u kushtohemi ndjenjave më fisnike të nderimit të thellë për kapitalin e madh që na lanë jo vetëm dëshmorët dhe martirët e fshatit Gaçkës, por të gjithë ata burra e gra, djem dhe vajza që në çfarëdo mënyrë, dhanë kontributin e tyre për lirinë e vendit tonë”, tha Svarqa, duke shtuar se në një ditë si kjo na jep mundësi që të kujtojmë shëmbëlltyrën e këtyre njerëzve që u flijuan në themelet e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, që ne dhe brezat e ardhshëm, ta ndërtojmë jetën tonë sipas mundësive e nevojave tona.

“Është një shëmbëlltyrë që na mbushë plot frymëzim dhe na jep forcë në shumë aspekte: që ta duam dhe ta çmojmë më shumë lirinë e fituar, të punojmë më me përkushtim për ndërtimin e së ardhmes më të mirë për të gjithë ne”, ka thënë kryetari Svarqa.

Të pranishmit në këtë manifestim i kanë përshëndetur edhe përfaqësues të fshatit Gaçkë.

Ndërkaq nxënësit e shkollës së fshatit Gaçkë kishin përgatiture  një program të pasur kulturo artistik. Në fund u vendosën kurora të freskëta me lule në pllakën përkujtimore të këtij fshati.

Fshati Gaçkë i komunës së Ferizajt numëron rreth 300 shtëpi me rreth 2 mijë e 300 banorë te cilët përbëjnë një resurs të kënaqshëm natyror material e njerëzor për zhvillimin e komunës por sipas përgjegjësve të fshatit ende nuk ka inkuadrim të mjaftueshëm të gjithë këtij potenciali në ndërtimin e shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt akademi përkujtimore në nderim të heroit Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorëve tjerë nga Drenica

Në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në qytetin e Skenderajt është mbajtur akademi përkujtimore në …