Helikë e thyer - Bajram Bekteshi

Përmbledhja poetike e Bajram Bekteshit: “Helikë e thyer”

             Poeti, veprimtari dhe ushtaraku, Bajram Bekteshi ka nxjerrë në dritë përmbledhjen poetike: “Helikë e thyer”. Ashtu sikur edhe në përmbledhjet e botuara më herët, poeti vazhdon të shpreh botën e tij të pasur krijuese, duke e pasuruar në brendi me tema e imazhe nga aktualiteti, me kujtime nga e kaluara dhe aspirata për të ardhmen. Duke ngarendur për ta zënë frymëzimin në kalim, në fluturim e sipër, vazhdimisht e mbanë të zgjuar imagjinatën dhe arrin ta fokusojë motivin, ngjarjen, skicën, informatën, të cilën pastaj e kumton me vargje poetike, të skalitura artistikisht dhe të kuptueshme për lexuesit.

            Bajram Bekteshi është i dashuruar përjetësisht me fjalën poetike. Ai tashmë është njëzuar me të dhe nuk shqitet dot nga ajo, sepse e ka zbuluar mënyrën më të pëlqyeshme për komunikimin me veten dhe lexuesin. Në pamundësi për ta “ndrequr” botën, ashtu sikur rëndom pretendojnë veçmas poetët, Bajram Bekteshi është prore në luftë kundër antivlerave dhe atdhemohuesve, në luftë me mbetjet e rrezikshme të së kaluarës, që herë-herë ngrehin kokën, në luftë për të mbrojtur me çdo kusht gjakun e derdhur për liri, sepse edhe vetë është me mesin e atyre që kanë skuqur me gjak tokën e atdheut, gjatë kohës së pushtimit. Andaj, ai ka shqetësime më shumë se të tjerët, andaj edhe i jep të drejtë vetes të godasë, ashtu sikur ka goditur armikun, në front, me bashkëluftëtarët, me ata që sot janë dëshmorë, invalidë e veteranë të vërtetë. Ai ka qenë dhe mbetet i vetëdijshëm se liria fitohet me gjak, por lirinë duhet mbrojtur me punë, djersë e po të jetë nevoja, sërish edhe me gjak.

            Pavarësisht çasteve pesimiste, pavarësisht shqetësimeve gjithnjë të pranishme, realiste dhe të përfillshme lidhur me harresën dhe kujtesën e dobët të bashkatdhetarëve e të disa prej bashkëluftëtarëve, poeti ka besim të patundur në moton mobilizuese të luftës së UÇK-së, “Ecim para vëlla, kthim prapa s’ ka”.

            Poezia e Bajram Bekteshit vazhdon të jetë poezi e angazhuar, në shërbim të lexuesve,  në shërbim të liridashësve dhe atdhetarëve, në shërbim të brezave, që kurdoherë do të shprehin nderim dhe respekt për të rënët, për heronjtë e luftës dhe të punës, për ata, pa gjakun e djersën e të cilëve nuk do të kishim korrur fitoren vendimtare kundër të keqes shekullore.

           Me përmbledhjen “Helikë e thyer”, poeti deri tani ka nxjerrë në dritë 10 libra me poezi, të cilat tashmë janë pjesë e poezisë shqiptare të kohës dhe shquhen për origjinalitet, stil autentik dhe shprehje të një botë të pasur të meditimit, vrojtimit dhe komunikimit të çiltër e të dashur me lexuesit…

Libri ka 114 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi StarGraf, Ferizaj. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …