Përparim  Gruda akuzon Kurtin për “lojë politike”: Pretendon se synimi është posti i presidentit ose zgjedhjet e reja

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kritikuar takimet e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me partitë politike, duke i cilësuar ato si një proces pa qëllim real për arritjen e një marrëveshjeje politike. Gruda ka deklaruar se, sipas tij, synimi kryesor i Kurtit është sigurimi i pozitës së presidentit, duke pretenduar se një marrëveshje e tillë do t’i jepte LVV-së kontroll më të madh institucional. “Kurti ka për qëllim ta marrë presidentin, që të vendosë pushtet të plotë. Asnjë parti nuk duhet ta lejojë këtë”, ka thënë Gruda. Ai ka shtuar se në rast se nuk arrihet një marrëveshje për këtë çështje, Kurti mund të zgjedhë rrugën e zgjedhjeve të reja. “Është totalisht improvizim. Nëse nuk e arrin këtë, do ta çojë vendin në zgjedhje”, ka deklaruar deputeti i zgjedhur i PDK-së. Sipas tij, PDK-ja ka vendosur të mos marrë pjesë në takimet e thirrura nga lideri i LVV-së, pasi i konsideron ato si pjesë të një strategjie politike dhe jo si përpjekje për zgjidhjen e situatës institucionale. Deklaratat e Grudës vijnë në një kohë kur partitë politike janë në negociata për krijimin e institucioneve të reja pas procesit zgjedhor, ndërsa çështja e zgjedhjes së presidentit mbetet një nga pikat më të ndjeshme të përbërjes së ardhshme politike.

Kontrolloni gjithashtu

Rigjykimi i katërt Ahmeti dhe Vllasaliu dënohen me nga 17 vjet burgim për vrasjen e N.S.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Arlind Ahmetit dhe Agron Vllasaliut në …