Brickos

Kadri Veseli ka dorëzuar kërkesën për themelimin e Komisionit që heton Listat e Veteranëve

Përpjekja për ta ulur trefish numrin e veteranëve të UÇK-së është përpjekje antikombëtare dhe kurrë nuk do të kalojë

Lufta, që ka filluar Qeveria Kurti, kundër veteranëve është fundi me turp i saj. Përpjekjet për ta minimizuar luftën, për t’ i  mohuar pjesëtarët e saj dhe kontributin që ata kanë dhënë për çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal serb i Millosheviqit, përpjekjet  për ta mohuar punën e Komisionit Qeveritar  për kategoritë e luftës  e bashkë me te edhe të ish qeverive, pikërisht në kohën kur kjo Qeveri ka izoluar veten duke i injoruar aleatët dhe duke u zhytur deri në fyt në skandale korruptive dhe skandale të përditshme, e tërë kjo pasqyron më së miri se në çfarë situate e ka sjellë vendin Qeveria më e papërgjegjshme, më arrogante dhe më e dështuara nga të gjitha qeveritë e pas luftës.

Duke mohuar Qeveritë paraprake dhe duke mos e pranuar Komisionin Qeveritar për  kategoritë e luftës,  kryeministri Kurti, ka bërë thirrje që çështja e veteranëve të luftës të zgjidhet me gjuhen e fakteve dhe dialogut, e jo me kërcënime brenda e jashtë kuvendit. Zgjidhja mund të gjendet, por nevojitet konstruktivitet e bashkëbisedim…

Cila qenka gjuha e fakteve sipas Kurtit?

Në mesin e premtimeve elektorale, Albin Kurti kishte vënë theksin edhe te veteranët e luftës së UÇK-së, duke  pretenduar se  kundërshtarët e tij politikë, po shpallnin veteranë në këmbim të votave, se po trefishohej numri, edhe pse krejt procesi ka qenë transparent, sepse në bazë të vendimit të Qeverisë ishte formuar Komisioni Qeveritar që kishte për detyrë të kategorizonte, veteranët, pjesëtarët e luftës dhe kontribut-dhënësit.

Derisa Qeveria ishte legjitime, kishte të drejtë të vepronte, ashtu sikur edhe veproi, ashtu sikur veprojnë sot Komisionet e Qeverisë Kurti. Mohimi i atyre qeverive është çështje e moralit politik të Albin Kurtit, por mohimi i numrit  të veteranëve, është çështje që prek fondamentin e kombit.  Tani doli sheshit se eksponentë e militantë të këtij pushteti, kanë kërkuar ndihmë  nga Lista serbe për të mos e votuar ligjin për Pagën Minimale, ku do të përfshiheshin veteranët, sikur kishte kërkuar  e para e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari. Ky pushtet ka në kreun e vet urrejtës  të papërmbajtur të veteranëve dhe luftës së tyre, madje edhe vetë “trojken” shtetërore: Osmani, Kurti, Konjufca, që përditë i mbushin bateritë patriotike duke marrë pjesë në përvjetorët e rënies së dëshmorëve, sidomos në përvjetorët e masakrave, që kanë kryer serbët në Kosovë. E di krejt Kosova se ku ka qenë kjo trojkë, me familjet të afërmit e akrabatë në kohën e luftës

Në Qeverinë Kurti, ka dëshmitarë të hapur kundër krerëve të luftës së UÇK-së, që po gjykohen në Hagë, sikur është  ministrja e Jashtme, Donika Shvarc, e cila ka treguar edhe gatishmëri për të paraqitur akuza kundër UÇK-së, për gjoja krime lufte. Flitet se ka edhe deputetë, dëshmitarë të mbrojtur, dhe kjo të dalë qind për qind e vërtetë. Kjo Qeveri ka një ministër të Financave që Buxhetin e Kosovës e llogarit  sikur ta kishte të babait e apo të mixhës. Qeveria ka një ministër, sikur Hekuran Murati  i cili mendon se ka qenë më mirë që Kosova të kishte blerë lirinë me  mercenarë e vrastarë, për ta çliruar vendin, sesa me këta veteranë, që marrin nga 170 euro në muaj për veten dhe familjet e tyre dhe që po e dëmtuakan aq rëndë buxhetin e Kosovës.

Kjo është Qeveria e parë, në Kosovë e cila nuk ka asnjë ministër që ka marrë pjesë në luftën e UÇK-së, por ka një dezertor sikur është, Xhelal Sveçla.  Kjo Qeveri ka një ministër  kulture  si Hajrullah Çeku, që i ka  ndarë mirënjohje për vepër jetësore, “glumacit”, Enver Petrovci, i cili ka deklaruar në intervistat e tij se shqiptarët  në Kosovë kanë jetuar më mirë në kohën e Millosheviqit, sesa në qeverisjen e  Hashim Thaçit. Po ashtu ka treguar se e donte  dhe e respektonte Millosheviqin  aq shumë, sa edhe e mbante foton e tij te shtrati ku flinte, dhe zihej me gruan, serbe,  ku ajo ia hiqte.

Për deputetët e Vetëvendosjes  nuk po shkruajmë kësaj radhe, sepse të gjithë unanimisht kanë votuar përjashtimin e  veteranëve nga Paga Minimale, madje edhe dy tre syresh që e llogarisin veten veteranë, por edhe dy tre ish të burgosur politikë.

Kjo është një pjesë e gjuhës së fakteve, që tregon se cili është disponimi dhe qëndrimi i regjimit aktual kundër vlerave të luftës së UÇK-së, kundër vlerës primare, sikur janë veteranët. të cilët marrin nga Buxhet i Shtetit nga 170 euro në muaj, as sa shpenzon për një drekë apo darkë një ministër i Qeverisë Kurti. Madje edhe kjo iu duket shumë.

Kurti iu përkujton veteranëve se seancat e kuvendit janë seanca për përfaqësuesit e popullit dhe populli i vetëvendosjes, sipas tij paska folur më 14 shkurt 2021 dhe po ai popull  do të flasë sërish në zgjedhjet e ardhshme. Paralelisht me këtë, ta kemi një spastrim të listave sepse nuk mund të lejojmë deformimin e rrëfimit të lavdishëm të luftës çlirimtare duke e konsideruar që ka pasur afër 60 mijë veteranë të UÇK-së, tha Kurti para medieve, në Gjilan. Ai nuk e ka përmendur Komisionin Qeveritar, sepse nuk e njeh atë, ashtu sikur as qeveritë e 23 viteve të kaluara.

 

Pse qenka  deformim numri pre 60 mijë veteranësh që i duket aq i madh Albin Kurtit, kur Kosova kishte afër 2 milionë banorë?

Pse po u deformuaka “rrëfimi i lavdishëm i luftës” me numrin e veteranëve aq të madh të veteranëve?

Ja cili është qëndrimi  i Albin Kurtit në minimizimin e luftës. Nuk është në pyetje mbrojtja e Buxhetit, por në radhë të parë  koka e tij dhe e të gjithëve që mendojnë si ai, nuk mund ta pranojë të ketë pasur aq shumë veteranë. Po të kishin qenë vetëm 15 mijë veteranë, atëherë do të kishim të bënim me grupe guerilësh, pa struktura të caktuara ushtarake, pa SHP të UÇK-së, pa Zonat Operative të luftës, pa logjistikë, pa kazermat  stërvitore në Shqipëri,  pa Divizionin e Kuksit, pa mediet e luftës, pa spitale, pa vija të fronteve, pa beteja  dhe pa mobilizim të përgjithshëm dhe qind për qind edhe pa intervenim të NATO-s.

UÇK-ja ka pasur shtatë zona Operative, 31 Brigada dhe rreth 145 batalione. Numri i saktë i luftëtarëve gjatë luftës, në kushte de rrethana sikur kemi vepruar, nuk ka qenë i mundshëm të evidentohet, sepse ka pasur lëvizje të pandërprera të luftëtarëve nga njëra zonë të tjetrën, ka pasur rrugëtim të pandërprerë për asnjë ditë të vetme  drejt Shqipërisë, me qëllim  për të marrë armë e municion. Ka pasur edhe dezertime, dhe ikje në Shqipëri e Mal të Zi nga Brigada e Tahir Zemës, në verë të viti 1998, por shumica dërmuese e  ushtarëve sërish janë kthyer në vijat e frontit të Dukagjin dhe kanë luftuar deri në fund të luftës, ndërsa  kolonel Zemaj  kishte formuar Brigadën “Mërgimi”, në mërgim…

Nuk janë shpallur veteranë mijëra pjesëtarë të popullatës civile në zonat e luftës, të cilët kishin hapur trashe, kishin hapur bunkerë, kishin ndihmuar të plagosurit me rastin e dërgimit të tyre për shërim në Shqipëri, kishin vëzhguar lëvizjet e forcave armike, kishin ushtruar roje gjatë natës në zonat malore, ku ishte zhvendosur popullata civile, që  ishte vënë në logjistikë të UÇK-së dhe nuk donte të ikte, pa marrë parasysh pasojat. Nuk janë shpallur veteranë  as qindra pjesëmarrës të cilët në maj të vitit 1999 kishin depërtuar në kazermën ushtarake serbe në Magurë ku morën më shumë se  60o mina anti-tank e municion tjetër luftarak.

 

Duke u mbështetur në fakte e të dhëna të kohës së luftës, duke qenë se kam shënuar rreth 400 kronika lufte, material ende në dorëshkrim, e them me përgjegjësi se në luftën e UÇK-në, përveç luftëtarëve të rregullt me armë e municion dhe të sistemuar  në vendet përkatëse, mijëra të tjerë kanë shërbyer në Logjistikë dhe më shumë se 200 mijë  drejtpërdrejt kanë qenë në shërbim të luftës, sidomos në zonat ku ndodhej popullata e zhvendosur.

Pretendimet për ta përjashtuar tërë këtë masë luftëtarësh, pjesëtarësh dhe pjesëmarrësish në luftën e UÇK-së, përveç se janë të kota dhe të pamundshme, në esencë janë pretendime për devalvimin, minimizimin dhe injorimin e luftës së UÇK-së.

Këto pretendime nuk mund të kalojnë derisa janë gjallë vetë veteranët, pjesëmarrësit dhe pjesëtarët e luftës, derisa janë gjallë komandantët e zonave, të brigadave, të batalioneve. Këtë farsë për qëllime politike të Albin Kurtit nuk do ta pranojnë kurrë, në radhë të parë nuk do ta pranojnë krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, as  Komandanti i SHP të UÇK-së Azem Syla e më vonë Sylejman Selimi, as Shefi i SHP të UÇK-së, Agim Çeku, as Komandanti i  Dukagjinit, Ramush Haradinaj, as  Sami Lushtaku i Drenicës,  as Sadik Halitjaha i Zonës Operative të Pashtrikut as zëvendës-komandanti i Zonës së Neredimës, Hajrush Kurtaj, as Rrestem Mustafa e Adem Shehu të  Zonës së Llapit, as Shukri Buja, as Rrahman Rama  i Zonës së Shalës, as Ahmet Isufi i Zonës së Karadakut. Asnjë prej këtyre komandantëve nuk i bindet kërkesave të Albin Kurtit, sepse Albini nuk ka qenë pjesëtar, as pjesëmarrës as luftëtar  i lirisë, por një kohë ka qenë përkthyes në Zyrën e Adem Demaçit në Prishtinë, i shpallur veteran. Albin Kurtit kurrë  nuk iu kanë bindur as i bindet asnjë  nga krerët organizatave të dala nga lufta e UÇK-së

Asnjëri prej këtyre komandantëve, me sa kam njohuri nuk është pjesëtar i Vetëvendosjes, as zyrtar i Qeverisë as deputet, as ministër…

Andaj, Albini sheh ëndrra syhapur

Por është edhe ana tjetër e medaljes, gjuha tjetër e fakteve, ndryshe nga ajo e Albin Kurtit

 

Veteranët, ashtu sikur kanë luftuar regjimin e Millosheviqit, pa u kujtuar as edhe një çast të vetëm se cila do të jetë gjendja e tyre sociale  pas luftës, ata kanë ditur dhe do të dinë të mbrohen edhe nga këto padrejtësi. Nëse nuk mbrohen, nëse i nënshtrohen fatit për hir të situatës politike, nëse dorëzohen, ata duhet t’ i dorëzojnë edhe triskat dhe të pushojnë veprimtarinë e shoqatës, për t i hapur rrugë riorganizimit, edhe pse nuk besoj se do të ndodh kjo

Rrugë tjetër nuk ka, jo vetëm për shkak të pagave, por për shkak të tendencës  së  hapur për ta minimizuar luftën dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve liridashës në të. Nuk janë veteranë vetëm ata që kanë pasur uniformë, armë dhe kanë luftuar përballë armikut. Dihet dhe dëshmohet me gjuhën e fakteve se po të kishte armë të mjaftueshme gjatë luftës së UÇK-së, numri i luftëtarëve të lirisë do të dhjetëfishohej.

Në fund-korrikun e vitit 1998, në brezin e kufirit në Dukagjin ishin tubuar rreth  3 mijë vullnetarë që bënin përpjekje ta kalonin kufirin e rrezikshëm dhe të minuar nga serbët, me qëllim për të shkuar në Shqipëri dhe për t’ u pajisur me armatim e për t u kthyer në frontet e luftës. UÇK-ja humbjet më të mëdha i ka pasur pikërisht duke kaluar kufirin, nëpër pritat dhe fushat e minuara të ushtarëve të regjimit kriminal të Beogradit.

Ata që kanë rënë i kemi shpallë dëshmorë, po ata që nuk arrinin ta kalonin kufirin për në destimin, nuk qenkan veteranë, nuk paskan qenë, as edhe pjesëtarë të UÇK-së, sipas vlerësimit të Albin Kurtit, tash, 25 vjet pas luftës. Kjo është e tmerrshme, e pafalshme, e papërgjegjshme, e turpshme, sepse pikërisht mbi atë gjak, plagë e djersë të derdhur për çlirim, sot qeverisin Kosovën ata nuk kanë fare merita të luftës, por mund të kenë “merita”, që kanë  marrë pushtetin  me kauza mashtruese dhe që kanë luftuar kundër institucioneve të Kosovës. Pasi u kanë ikur rasteve për tu përleshur e për t iu kundërvënë policisë së Serbisë, iu kanë kundërvënë Policisë së Kosovës, pas luftës.  Për protesta të tilla të dhunshme ende po përballen më drejtësinë shumë zyrtarë të lartë të pushtetit dhe pikërisht për këtë ministria e Drejtësisë dhe regjimi i Kurtit po ushtrojnë presion mbi organet legjitime dhe të pavarura të drejtësisë.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 7. 2023

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …