Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke e akuzuar se po u transferon padrejtësisht barrën financiare të procesit zgjedhor komunave. Sipas AKK-së, kërkesa që komunat të mbulojnë pagesat për stafin mbështetës përbën një devijim të qartë nga përgjegjësitë ligjore dhe një goditje direkte për buxhetet lokale, të cilat siç theksohet tashmë janë nën presion të madh financiar. Reagimi bëhet edhe më i ashpër me pretendimin se niveli qendror ende nuk ka shlyer detyrimet për pagesat e stafit të angazhuar në proceset e kaluara zgjedhore, duke e thelluar mosbesimin ndërmjet pushtetit lokal dhe institucioneve qendrore. AKK këmbëngul se organizimi dhe financimi i zgjedhjeve është kompetencë ekskluzive e KQZ-së, dhe çdo tentativë për ta zhvendosur këtë barrë te komunat cilësohet si e papranueshme dhe jashtë praktikave të deritanishme institucionale. Në fund, pushteti lokal paralajmëron kundërshtim të fortë ndaj kësaj qasjeje, duke kërkuar që KQZ të tërhiqet menjëherë nga kjo praktikë dhe të marrë përsipër të gjitha obligimet financiare që lidhen me procesin zgjedhor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
