Pesë ditë më parë më befasove, Sabahajdin, sot më pikëllove...

Pesë ditë më parë më befasove, Sabahajdin, sot më pikëllove…

 Pesë ditë më parë, më more në telefon, Sabahajdin, dhe pas përshëndetjes së rëndomtë më the: “Desha edhe njëherë të ta dëgjoj zërin”. Nuk e mora fare seriozisht kumtin dhe t’ u përgjigja se zëri ka kohë që më është prishur dhe mezi po komunikoj, por me shëndet, po mbahem. Pastaj, me një komunikim tejet të sinqertë e vëllazëror, por si gjithnjë edhe  me nuanca humori më the: “O profesor  sigurisht se do të shihemi, por në botën tjetër!”.

Fjalinë e fundit nuk e mora fare me seriozitet.

Kurrë nuk do të më kishte shkuar në mend se ishte me të vërtetë fjala e fundit,  që ta dëgjova zërin përmes telefonit.

Sot e mora kumtin e pikëllimit, Sabahajdin, dhe e kuptova paralajmërimin…

Ti gjete aq forcë shpirtërore për të më thënë lamtumirë, ndërsa unë shpresoja se shpejt do të shiheshim, për të biseduar lidhur me botimin e vëllimit të 19-të, të “Feniksëve të lirisë”, po ja që ti ike bashkë me feniksët, duke u bërë edhe fizikisht pjesë e tyre.

Sot në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Rahavec, të cilin e kishte emërtuar vetë, hyre i qetë në botën e amshimit, bashkë me ata që aq shumë të deshën, të nderuan e të respektuan për së gjalli, ashtu sikur të deshëm, të nderuam e të respektuam ne, që sot ta dhamë edhe lamtumirën e fundit.

Ishim me mijëra, Sabahajdin, nisur nga familja jote e nderuar dhe e respektuar dhe  sa e sa bashkëluftëtarë, bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë, miq e studentë, veteranë e invalidë, familjarë dëshmorësh e liridashës nga mbarë vendi, nga mbarë trojet.

Edhe dita ishte plot me rreze dielli, Sabahajdin, edhe pse jemi në janarin e njohur të acarit.

Sot na bërë bashkë  te “Kopshti i Dëshmorëve”.

Të përcollëm me dhembje e me dinjitet, pa lot e vaje, por jo edhe pa pikëllim e përdëllim.

Jeta, vepra dhe tërë puna  jote në shërbim të kombit e Atdheut, kurrë nuk do të harrohet, sepse ajo është e veçantë, e bujshme e madhështore, krenare dhe e dinjitetshme, sepse është pjesa më e ndritshme e historisë sonë më të re, e historisë së luftës së Ushtrisë tonë Çlirimtare dhe Fitimtare, me të cilën ishe i lidhur si mishi me thoin…

Sot ishte dita jote e fillimit të amshimit, Sabahajdin Cena  i dashur dhe i paharruar!

 

Ahmet Qeriqi

  1. 1. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …