leoni

Miftar Kurti

PhD (C)Miftar KURTI: PIKËPAMJET E POPPERIT PËR HISTORINË DHE POLITIKËN II

Ashtu siç nuk ka histori botërore, apo histori të njerëzimit, nuk ka as histori universale në sensin e një historie konkrete të njerëzimit, shton Popperi. Sepse, një histori konkrete e njerëzimit – po qe se do të kishte një të tillë – do të duhej të ishte historia e të gjithë njerëzve. Ajo do duhej të ishte historia e të gjitha shpresave njerëzore, e të gjitha vuajtjeve njerëzore. Sepse asnjë njeri nuk është më i rëndësishëm se tjetri. Kjo histori konkrete nuk mund të shkruhet dot… Shikuar nga ky aspekt, historia nuk ka asnjë sens, kjo është teza ime, shton më tutje ai. Megjithëse historia nuk ka asnjë qëllim final, ne prapëseprapë mund t’i ngarkojmë asaj qëllimet tona; dhe megjithëse historia nuk ka asnjë sens, ne mund t’i japim asaj një sens. (aty, f. 74).

Pikëpamja e Popperit për historinë e përgjithshme, për historinë e njerëzimit a për historinë botërore t’i kujton pikëpamjet e antipozitivistëve në teoritë letrare, të cilët e mohojnë totalisht ekzistencën e autorit në letërsi. Prandaj, kërkojnë “vdekjen e autorit”, në “këmbim” të “lindjes së lexuesit”, siç bën Rolan Barti. Për më tepër, pikëpamja e Popperit për historinë e njerëzimit, aq sa tingëllon poetike, po aq mund të konsiderohet utopike. Megjithatë, në vetvete, doemos është origjinale, por parimisht e pamundur për t’u realizuar.

Në kuadrin e pikëpamjeve të tij për politikën ai ka pikëpamjen e vet për demokracinë, komunizmin, fashizmin; Platonin, Hitlerin, Marksin, Stalinin, Saharovin etj. Demokracia dhe teoritë për të, sistemet dhe format e qeverisjes, shteti dhe partitë politike si dhe mungesa e brendshme e demokracisë; Hitleri dhe roli i tij; zgjedhësi dhe i zgjedhuri etj., krejt këto në Evropën Perëndimore, Angli, Gjermani a SHBA etj., e përbëjnë kapitullin “Për teorinë e demokracisë”. Autori nuk beson, madje është kundër konceptit për demokracinë si sundim i popullit. E konsideron si mjaft të rrezikshëm këtë koncept. Ai bën një dallim shumë interesant mes: demokracisë si sundim i popullit dhe demokracisë si gjyq i popullit. Është edhe kundër pikëpamjes së Platonit se shtetin duhet ta qeverisin, duhet ta udhëheqin filozofët. Popperi më shumë merret me atë se si duhet të mbrohemi ndaj atyre që qeverisin se sa si qeverisin ata. Por më e rëndësishmja për të është forma e qeverisjes dhe mundësia për ta shkarkuar qeverinë pa gjakderdhje.

Autori i këtij libri nuk përton t’i kthehet herë pas here konceptit të tij për lirinë. Por tash nga një këndvështrim tjetër, siç është “Liria dhe përgjegjësia intelektuale”. Me pikëpamjet e tij angazhohet që të mënjanohen dhe pengohen ngjarjet e llahtarshme, krimet dhe kriminelët, regjimet e sundimet barbare. Ai beson se intelektualët mund të bëjnë shumë në këtë aspekt. Mirëpo, sipas tij, ka raste kur intelektualët janë gjetur në anën e gabuar të historisë për shkak të ideve, teorive e shpikjeve të tyre. Sepse, sipas tij, në emër të teorive, ideologjive, feve, zbulimeve, doktrinave, nacionalizmave, klasave, racave e përparimit dhe të ardhmes, u bënë shumë krime monstruoze kundër njerëzimit. Kështu që Popperi akuzon “mësuesit e ngazëllyer” që mësuan Hitlerin për katastrofën që i ndodhi botës me Luftën e Dytë Botërore. Këtu e ka fjalën për “intelektualët e papërgjegjshëm” (f. 134).

Te “Liria dhe përgjegjësia intelektuale” Popperi ka në fokus lirinë dhe përgjegjësinë për shtetin, sundimin, të tashmen dhe të ardhmen. Prandaj, aq dendur dhe aq shpesh e shtron pyetjen se kush duhet të sundojë. Dhe jep shembuj, mendime dhe ide të filozofëve, intelektualëve e mendimtarëve të mëdhenj si Platoni, Marksi dhe teoricienë të tjerë. Përveç teoricienëve, ai veçon teori të ndryshme politike, legjitimiteti e demokracie.

Flet për sisteme qeverisjesh, për mundësinë e heqjes nga pushteti sundimtarët, ose qeverisësit pa gjakderdhje, ani se ata vijnë, ose mund të kenë ardhur në pushtet në mënyrë legjitime. Shembuj të tillë në histori përmend Hitlerin. “Diktaturën e shumicës” e konsideron të tmerrshme për pakicën. E konsideron si fatkeqësi numrin e madh të partive politike. Preferon vetëm dy parti. Të dëmshëm e konsideron edhe sistemin proporcional. Sistemi proporcional, sipas tij, çon në koalicione, por që askush nuk mban përgjegjësi për dështimet. E admiron “Demokracinë athinase” (sipas Tukididit), ai nuk lë pa përmendur krimet barbare në emër të sundimit të shumicës, pra “ka marrë vendime kriminale”. Ai e mbron “demokracinë si gjyq i popullit”. Jep edhe shembuj, që nga antikiteti se si dhe pse janë mënjanuar, janë syrgjynosur personalitete nga frika e “populizimit” të tyre, siç ishte rasti i Aristidhit, Themistokliut etj.

Pikëpamjet e Popperit në raste të caktuara janë shumë subjektive. Ai sikur himnizon e glorifikon një ideologji (demokracinë), por e përçmon dhe urren një tjetër (komunizmin). Çuditërisht, ai ka frikë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Sipas tij, kjo mund ta rrezikojë paqen në botë. E mbivlerëson “Planin Marshall”.

Në ese-në “Kundër cinizmit në interpretimin e historisë”, K. Popperi veçon “tre metoda” në interpretimin e historisë kundër të cilave ai bën luftë të pakompromis: interpretimin cinik të historisë, interpretimin marksist…dhe, interpretimin nacionalist apo racist të historisë. Duke u marrë me këto “tre metoda”, tregohet i njëanshëm, arrogant dhe i papërmbajtur në raport me ideologji a sisteme të caktuara. Ai zhvillon luftë të ashpër “kundër metodës së interpretimit të historisë marksiste” dhe gjithë komunizmit, të cilin e quan “ideologji të poshtër dhe të çmendur marksiste”.

Liria politike… është më e rëndësishmja prej të gjitha vlerave politike. Prandaj, ne, çdoherë duhet të jemi të gatshëm të luftojmë për lirinë politike, shprehet Popperi. Për regjimet despotike thotë se e dehumanizojnë njeriun. Shprehet edhe për Stalinin dhe Saharovin. Ky i fundit, sipas autorit, kur qe i ri, qe në gjendje të sillej si një kriminel sadist. Flet edhe për rolin e SHBA-së, për lirinë personale; për luftërat civile raciste, për përpjekjet për integrime të njerëzve me ngjyrë.

Pikëpamjet e tij Popperi, përveç me referate, i shpreh edhe me anë të intervistave nëpër mediume botërore, njëra prej të cilave është ajo dhënë revistës “SPIEGEL”, prill 1992. E para gjë që të bien në sy, që të tërheq vëmendjen në këtë intervistë është pikëpamja e tij se historia mbaron sot dhe tani. Edhe në këtë intervistë tregohet ekstrem kur sulmon rreptë komunizmin dhe Marksin. Në këtë kontekst flet për arsyet e rënies së Evropës Lindor. Hapja e kufijve nga Hungaria për gjermano-lindorët, reformat gjoja ekonomike të BS dhe shterpësia intelektuale, konsiderohen disa nga arsyet e rënies, siç shprehet ai, të Evropës Lindore. Ndërkohë, nga bota lindore vlerëson si pozitive Perestrojkën e Gërbaçovit, por frikësohet për rrezikun e shpërthimit të luftës mes SHBA – BS në Krizën e Raketave në Kubë. Tregohet i ashpër kundër Sadam Hyseinit dhe regjimit të tij. Është për të bërë luftëra për hir të paqes…është kundër përdorimit të bombës atomike, të cilën thotë se duhet ndaluar patjetër edhe me dhunë (f. 167-168).

Simpatinë e madhe që ka për “demokracinë liberale”, kurse urrejtjen e madhe për komunizmin, e shpërfaq edhe në një kapitull të veçantë për dështimin e komunizmit, me titull “Kolapsimi i komunizmit”. Si një nga arsyet pse ai tregohet shumë i rreptë kundër komunizmit, ai e përmend faktin e sulmit të marksizmit ndaj civilizimit tonë perëndimor (f. 177). Ai shkon aq larg sa komunizmit ja mvesh fajin për lindjen e fashizmit, duke e quajtur marksizmin të paskrupullt.

Sido që të jetë, duke lexuar faqet e këtij libri nga fillimi deri në fund, herë “entuziazmohesh” për mënyrën se si i trajton çështjet dhe informacionet që sjell, herë “trishtohesh” nga pikëpamjet ekstreme e subjektive në ndonjë rast. Në fakt, sikur dalin dy Karl R. Poppera. Ai që lufton për paqe e demokraci, në njërën anë, dhe ai që lufton gjysmën e botës tjetër (lindore) marksiste, pra ideologjinë e majtë, gati gjysmën e njerëzimit, në anën tjetër. Në fakt, lufton kundër një sistemi për t’i dhënë hapësirë një sistemi tjetër, neoliberalizmit. Megjithatë, ka raste kur Popperi është për një zbutje tensionesh mes Lindjes dhe Perëndimit, mes të majtës dhe të djathtës.

Si përfundim, duhet thënë se kemi të bëjmë me një nga librat më të veçantë, në të cilat autori jep mendime, ide, koncepte e pikëpamje nganjëherë ekstreme dhe krejt të ndryshme, që nuk jemi mësuar t’i lexojmë deri sot nga një autor tjetër. Ai pozicionohet vetëdijshëm, edhe kur të gjithë mund të jenë kundër tij. Pikëpamja e tij është origjinale, ndryshe nga shumë të tjerë. Në këtë shumësi mendimesh e pikëpamjesh për historinë dhe politikën, për ideologji e sisteme të ndryshme, ai ka mendimin e vet. Krejt në fund, mund të themi, kushtimisht, se kemi të bëjmë me një pikëpamje origjinale për historinë dhe politikën, të cilën mund ta quajmë pikëpamje poperiane.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Jam zgjuar i lodhur dhe i mërzitur tejmase. Sapo ndahem nga gjumi  dhe kontaktoj me …