Kriminelët serbë

Polici i MUP-it serb, Agim Sahitaj akuzohet se ka marrë pjesë në likuidimin e shqiptarëve në fshatin Sopi

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur akuzë kundër kolaboracionistit famëkeq, Agim Sahitaj  nga fshati Sopi i Therandës  (ish-Suharekë), i cili  në bashkëpunim me forcat kriminale serbe, gjatë luftës në Kosovë kreu krime lufte kundër familjes Elshani ndërsa mori pjesë edhe në dëbimin  e bashkëfshatarëve të vetë nga ky fshat. Ky kriminel në shërbim të regjimit të Milosheviqit jeton në Gjermani dhe vazhdimisht i viziton familjarët në Sopi. Prokuroria Speciale pretendon se gjatë kohës së luftës, konkretisht në prill të vitit 1999, Agim Sahitaj, i uniformuar dhe i armatosur, ka vepruar së bashku me pjesëtarët e forcave serbe ku kanë vrarë, plagosur, rrahur, maltretuar, plaçkitur dhe dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre në drejtim të Shqipërisë popullatën civile shqiptare. Prokurori i prokurorisë speciale Sylë Hoxha gjatë leximit të kërkesës mbi caktimin e masës së paraburgimit ka deklaruar se i dyshuari në bashkëkryerje ka kryer krime kundër civilëve shqiptarë.

“Gjatë vitit 1999 me datën dy prill Agim Sahitaj së bashku me pjesëtarët e forcave serbe kanë hyrë në një shtëpi në fshatin Sopi të Suharekës, ku aty edhe ka plagosur në këmbën e djathë S.E., ndërsa ka vrarë në vend A.K., pastaj i dyshuari ka shtënë në drejtim të A.E., por për fat nuk e ka qëlluar”, ka thënë prokuroi i rastit Sylë Hoxha.

Prokurori gjatë deklaratës së tij gjithashtu tregon se si po atë ditë i dyshuari Agim Sahitaj ka maltretuar, plaçkitur e dëbuar civilët shqiptarë nga fshati i tyre.

“Po ashtu në ditën kritike i njëjti në bashkëkryerje me personat e tjerë ka marrë pjesë në plaçkitje, rrahje, maltretime dhe se në të njëjtën ditë në fshatin Sopi janë vrarë 38 civilë shqiptarë. Po ashtu siç shihet nga shkresat e lëndës shihet se i dyshuari me bashkëkryerësit e tjerë i kanë dëbuar fshatarët e fshatit Sopi që të largohen në drejtim të Shqipërisë” pretendon prokuroria.

Në dosjen e lëndës nuk sqarohen arsyet pse 16 vite pasluftës prokuroria nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të hetuar këto veprime të dyshimta përderisa njëra nga arsyet kryesore të caktimit të paraburgimit është rreziku që i dyshuari të ikë nga vendi.

Sahitaj është arrestuar javën e kaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale ndërsa do qëndrojë në paraburgim për 30 ditë nëse nuk lirohet nga EULEX-i sikur zakonisht lirohen kriminelët serbë dhe ata shqipfolës që iu kanë shërbyer në vrasjen e civilëve shqiptarë. (Kallxo.com)

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata Speciale në Hagë ia ka vazhduar masën e paraburgimit, të pandehurit, Isni Kilaj

Gjykata Speciale arrestoi ish-kryetarin e komunës së Malishevës, Isni Kilaj

Gjykata Speciale ka arrestuar të enjten ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, në shtëpinë …