Pren Zef Lleshi (19.3.1964 - 28.1.1999)

Pren Zef Lleshi (19.3.1964 – 28.1.1999)

Prerja e aksit të magjistrales Prizren – Gjakovë më 26 prill të vitit 1998 te “Fatoni”, lëvizjet e shpeshta në kufirin shqiptaro -shqiptar deri më 8 qershor të atij viti kur merr Përjetësinë Haxhi Hoti – Lleshi, “Beteja e Gardhishtit”, më 14 maj, “Beteja e Vraniqit”, më 7 gusht, rënia e Xhelal Hajdës me 4 bashkëluftëtarë në nëntor, rënia e Muhamet Malësorit, me shtatë shokë në Garazhup, e Mujë Krasniqit, me 34 luftëtarë, në “Lugun e Zi” të Pashtrikut dhe thyerjet e shumta të forcave kufitare serbo-çetnike gjatë janarit të vitit 1999, u bënë parametra të saktë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është prezente në Pashtrik e rrëzë Pashtrikut prej Garazhupi e deri në Goden e buzë Drinit të Bardhë; në fshatrat e Lugut të Drinit, në Rrafshin e Dukagjinit, në lugjet e Kodrat e Anadrinit dhe në Malësinë e Vrrinit.

Vlerësimi dhe pranimi i këtij fakti, e i kësaj situate në terren detyron ushtrinë, policinë, paramilitarët dhe “satelitët shqipfolës” që ta dendësojnë gardhin rrëzë Pashtrikut, ndërsa edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Pashtrik e Dukagjin që ta forcojë korridorin logjistik të Hasit pasi që luftimet prej 24 marsit kur “Në Gllogjan u dha kushtrimi” e paten lodhur në rrafshin logjistik, operativ e informativ Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, veçanërisht Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit pas luftimeve në Rekë e Malësi, Dushkajë e Shqiponjë.

Kështu, kah 26 – 27 janari, prej Shqiponje, nën komandën e Agim Zenelit – Lahit, nisen luftëtarët e lirisë drejt rrugës së zjarrit: nga Shqiponja, Smolica, Rashiqi, Lubizhda e Llapushës, Drenja e Burimit,Trubohoci, Ratisha, Kleçka e Lypjanit, Gjurgjeviku i Klinës, Prigoda e Burimit, Buçani, Drenoci i Klinës e Drinasi i Rahavecit të prirë prej vëllezërve Lleshëve nëpër Vraniq, Doblibar, Bardhasan, Rrezinë, “Ura e Terzisë” afër fshatit Bishtagjin. Thyerja e “Pritës te Ura e Terzisë” u kurorëzua me depërtimin e suksesshëm në drejtim të fshatit Goden, por krushqit e Agim Zenelit mbeten pa dy djem të Ruhotit; Kasim Shalën me vetëm shtatëmbëdhjetë pranvera e Hamdi Berishën, e në analet më të ndritshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbeti “Beteja te Ura e Terzisë” ku u shpartalluan forcat serbe.

Vetëm pak më larg, serbët kurthojnë “Pritën e Godenit” ku marrin Përjetësinë Vëllezërit Lleshi, Preni e Mema ndërsa plagoset rëndë luani i Smolicës, Sejdi Rama – Cia e Sahit Krasniqi i Drinasit por luftëtarët e lirisë nuk i theu as acari i janarit e as artileria e Slobodanit.

Dëshmori i kombit Pren Lleshi është i lindur më 19 mars 1964 në fshatin Vraniq të Gjakovës, Famullia e Doblibarit. I ati Zef Tunë Lleshi, i martuar me Hanën, bijë e Krasniqëve të Meqes, kishte nëntë fëmijë; 6 djem e tri vajza: Prenin, Gegën, Nikën, Memën, Tomën, Dedën e vajzat Janën e Tonën pasi që pa Gjanën nëna Hanë kishte mbetur më herët.

Shkollën Fillore, edhe Preni si të gjithë fëmijët e Markalleshëve e mbaron në Vraniq e Doblibar, ndërsa mësimet e mesme i mori në Teknikumin e Gjakovës dhe punësohet si teknik i bujqësisë në Thertoren e Becit. Shërbimi Ushtarak në Banjallukë, kontrollet e përditshme nëpër fshatrat e Famullive Doblibar e Bishtagjin, veçanërisht pas vitit 1981, kur policia serbe u kishte rënë në gjurmë veprimtarëve; Ton Marku, Martin Çuni e Gaspër Karaqi dhe përpjekjet për të shpëtuar prej kthetrave policore e detyruan Prenin që ta braktis vatrën familjare të Markalleshëve, ta braktis zonjën Tone, bijë të Nikollbibajve të Brekocit me katër çupa e të lundrojë me ëndrra e shpresa nëpër “Detin e Kurbetit”. Kështu, më 1986, Preni vendoset në Zvicër. Edhe gjatë ditëve të kurbetit, i ati i katër zanave të Dukagjinit (Teutës, Shpresës, Besës e Pranverës) i rreket aktivitetit për formimin e bazës logjistike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fondit “Vendlindja thërret”.

Më 22 dhjetor të vitit 1998, tri ditë para Krishtlindjeve arrin në Kosovë. Dashuria për Lirinë e Kosovës ishte më e madhe se dëshira, që t’u gjendet pranë Markalleshëve për Krishtlindjet e para pa Markun e Kolën, dëshmorë të “Ofensivës mbi Markalleshët”, më 7 gusht të vitit 1998, kur përveç “Djemve të Markalleshëve” shkëlqyen edhe bijat e kësaj vatre patriotike. Zoja, Drania e Pashkja dukeshin si sopotaret e Gjorgj Golemit në “Betejën e Sopotit”.

E, Preni pati dëgjuar dhe lexuar për këtë betejë, si për Jasharët e për Haradinajt. Arritja e Prenit në Vraniq në ditën kur Rrethohet Zahaqi i Dukagjinit, sajon edhe një krah më shumë për “Djemtë e Vraniqit” por edhe një segment më të fortë në logjistikën e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Forcohet furnizimi sa me armatim aq edhe me veshmbathje, material sanitar e me karburante, sepse kishte ndikim permanent në familjet e mërgimtarëve në famullitë: Doblibar, Bishtagjin e Velezhë, por edhe në fshatrat e Rekës së Keqe, të Dushkajës e të Anadrinit. Por, menjëherë aktivizohet edhe në operativë, madje në çdo betejë, aksion dhe depërtim të vendosur deri në sakrificë nëpër arealet që gjendeshin nën kontrollin e forcave serbo-çetnike. Shquhet në “Betejën e Ratishit të Epërm” më 9 janar 1999 dhe në hapjet kah Dashinoci e Lumbardhi, shkëlqen te “Ura e Pozharit” dhe nuk thyhet as me rënien e Çel Sokol Ukajt, Zef Gjokajt, me vetëm nëntëmbëdhjetë pranvera, e të Nikë Hajdarit. Kishte në zemër idealin e lartë, luftën për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve të Fishtës e të Naimit sepse në Kosovë gjeti Tahir Sinanin e Tropojës, Halit Cokën e Kukësit, Astrit Sulin e Beratit e Indrit Carën e Kavajës.

Me të mbaruar “Beteja e Ratishit”, Preni kalon në luftimet përreth Llugaxhisë, aty ku i printe i vëllai Mema, dëshmor i kombit, i lidhur ngusht me Haradinajt dhe nyje kryesore ku lidhej Hasi i Zonës Operative të Pashtrikut me Gllogjanin dhe Shqiponjën e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, nëpërmjet Gaspër Karaqit kah Hasi e Sahit Krasniqit, kah Anadrini, të dytë dëshmorë të kombit.

Edhe në luftimet e Kralanit, Preni ishte në harqet më të zjarrta, i gatshëm për çdo ndërmarrje që u zhvillua deri më 25 janar kur pritej që prej Shqiponje të nisej një eshalon luftëtarësh të shumë rajoneve e zonave. Nisja ishte më se e vështirësuar pasi që korridori logjistik kalonte edhe nëpër pikat e kontrolluara nga ushtria dhe policia serbe; Rakovinë, Kodrali, Doblibar, Bardhasan, Marmull, Rrezinë, “Ura e Terzisë”, Bishtagjin, Smaq, Blinisht, “Guri i Madh” e deri në Goden, të ndihmuar edhe prej “satelitëve shqipfolës” të evoluar në të ashtuquajturën “Policia lokale”.

Itinerarin e përmendur e njihte mirë grupi i “Djemve të Vraniqit”: Gega me vëllezërit: Tomën, Nikën, Memën dhe Prenin, grupi i Drinasit: Sokol Morina e Sahit Krasniqi, Grupi i Smolicës me në krye Agron Ramën e Sejdinë dhe komandant Agim Zeneli -Lahi. Dhe shumë shtigje theu Preni në krye të kolonës deri te “Ura e Terzisë” ku thyhen forcat serbe kurse luftëtarët e Agim Zenelit mbeten pa dy shokë Kasim Shalën e Hamdi Berishën nga Brigada 133 “Adrian Krasniqi” e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, e me dy të plagosur, Gani Shala e Nexhat Berisha, por kolona shpërthen Bishtagjinin me synim që t’I qaset shtegut kah “Guri i Madh” e Godeni pasi që Pashtriku ishte bërë gardh forcash serbo-çetnike.

Sërish një betejë e përgjakshme, riplagoset komandant Agim Zeneli, ndërsa qëndrojnë deri në fishekun e fundit të bijtë e Zefit të Markalleshëve; Preni e Mema, por në shpërthim plagoset rëndë edhe Sejdi Rama, kushëri i komandant Agronit. Shokët e Prenit arrijnë për ta tërhequr Sejdën (Cijën) e plagosur në krahun e djathtë dhe Sahit Krasniqin e Drinasit, por stuhia e madhe, bora dhe acari i atij fundjanari i pengon në konsolidim, prandaj Preni me të vëllanë Memën u mbeten në Përjetësi, diku prapa “Gurit të Madh”, prapa thepave prej 996 metrash kah Golemi. Dhe kështu 28 janari shënon “Betejën e Godenit”, të njohur e të regjistruar me kohë si “Stuhia e Godenit”.

Agim Zeneli, komandant i plagosur shumë herë kërkon që të braktiset Godeni e të lëshohen në të majtë përreth Gërçinës e Demjanit, kah “Kodra e Pulës” deri në Rogovë, për të shpërthyer kah Krusha e Madhe. Edhe në fshatin Rogovë, tani më të bllokuar kah “Ura e Rogovës”, në oborrin e shtëpisë së Beqë Demirit, bëhet rethimi i hekurt në të cilin marrin përjetësinë luftëtarët: Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Gëzim Ademaj, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Luan Smajli, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi, Sejdi Rama, Valon Gashi, Vesel Abdyli e kah “Guri i Gardhishtit”, edhe Gaspër Karaqi, aty ku sot i shkëlqen lapidari.

Po në këto luftime ranë edhe hasjanët e Rogovës; Rrustem Morina me të bijtë: Nysretin, Selmanin e Muhametin, Ibrahim Kryeziu, Ademi, Rifati e Zyber Shala dhe pronari i shtëpisë e i “Furgonit”, Xhevdet Berisha, mirëpo po në këtë oborr mbetën edhe shumë policë të vrarë të forcave armike serbe. Rezistenca e “Djemëve të Dukagjinit” prej “Urës së Terzisë” deri te “Ura e Rogovës” është shembull i qëndresës më heroike në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmorëve të familjes Lleshi, të njohur në historinë tonë kombëtare si Markalleshët e fshatit Vraniq të Gjakovës, u është ngritur Kompleksi Memorial i Rezistencës. Sot emrat e dëshmorëve të kësaj çerdheje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Dukagjin e Anadrini, Has dhe Vrri, shkëlqejnë në të djathtë të rrugës rajonale Gjakovë – Klinë , në një vetull kodre pranë Vraniqit. Edhe vocërrakët e shkollave fillore të Famullisë së Doblibarit, me vargjet e tyre ngrehin lart në piedestalin meritor emrat e Markut, të Prenit, të Memës e të Kolës, veçanërisht nipi Fatosi dhe e bija Teuta, talentë të penës, ndër Markalleshët e gishtit e të qarkut. Edhe rapsodët Bajrush Doda, Zekë Lushi me djalë, rapsodët e Gërgocit dhe Hysni Kelmendi, luftëtar i lirisë këndon për rezistencën e Markalleshëve duke plotësuar ciklin e rapsodive për qëndresën heroike të Markalleshëve. Me shkrime biografike e ese mbi Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Markalleshët i nderuan: Fitnete Ramosaj, Hasan Hasani, Martin Quni, Besim Muhadri e Nexhat Çoçaj. Pritet që të dalë në dritë monografia “Saga e Markalleshëve”. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 - 28.9.1998)

Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 – 28.9.1998)

Lulëzim Guta u lind më 28 mars të vitit 1980, në Therandë (ish-Suharekë), në një …