Roli dhe ndikimi në aspektin ndërkombëtar Roli i shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës, për zbardhjen e të vërtetës për atë se çfarë në të vërtetë ndodhi në mars dhe prill të vitit 1981 në Kosovë, ishte tepër i madh. Udhëheqja politike shtetërore e Tiranës u orientua edhe nga opinioni publik ndërkombëtar, në mënyrë që ajo të ishte në favor të çështjes së Kosovës. Me këtë çështje u rekomandua, sidomos Ministria e Punëve të Jashtme e cila duhej t’u epte ambasadorëve që kishte të akredituar në vende të ndryshme të botes, udhëzime se si e çfarë të bisedohet me personalitete të ndryshme duke u shpjeguar atyre problemet dhe qëndrimet politike të Qeverisë shqiptare për çështje të përgjithshme ndërkombëtare apo të çështjeve konkrete të politikës së jashtme, me theks të veçantë ndaj Jugosllavisë dhe Kosovës. Lidhur me këtë çështje ambasadorët duhej që t’ua ekspozonin qëndrimet politike të Shqipërisë lidhur me demonstratat e zhvilluara në Kosovë dhe çështjen e Jugosllavisë në mënyrë që të influencohet pro një qëndrimi të tillë të Shqipërisë dhe Kosovës edhe nga vendet e tjera evropiane e botërore. Kështu, diplomatët shqiptarë të akredituar në vende të ndryshme të botës duhej që t’i informonin dhe të ndikonin të kolegët e tyre ndërkombëtarë, për avancimin e çështjes së Kosovës. Madje për mes ndërlidhjeve të ndryshme diplomatike shikohej alternativa që të ndikohej edhe tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës28. Ndërmarrja e një veprimi të tillë diplomatik nënkuptonte që çështja të zgjidhej në favor të qëndrimit të shtetit shqiptar mbajtur ndaj Kosovës e realizimi i kërkesave të demonstruesve për statusin e tyre politik. Tirana zyrtare, duke përfshirë shtypin dhe kanalet e veta diplomatike, duke angazhuar dhe mobilizuar edhe mërgatën me qëllim të demaskimit të propagandës jugosllave, madje edhe evrolindore, bëri punë kolosale në ndihmë të vëllezërve të vetë, në ndihmë të gjysmës së kombit shqiptar nën robërinë jugosllave, duke i dalë krah me qëllim që hap pas hapi të shkohet në drejtim të zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare shqiptare. Me fjalë të tjera, zyrtarët e ambasadave shqiptare nëpër botë bënë të pamundurën që të shpalosin të vërtetën për ngjarjet në Kosovë. Shtypi, diplomacia, shoqata, personalitete vepruan fuqishëm, bindshëm, sipas planeve konkrete në mbrojtje të demonstruesve dhe të drejtave dhe synimeve të tyre. Në baze të planeve të veçanta operative që u bënë nga shteti shqiptar pati kontakte më diplomatë, autoritete vendas përfaqësues të shtypit e propagandës, miq e dashamirës, aktivistë e shoqata. Artikujt e botuar në gazetën shqiptare “Zëri i Popullit”, të 8 dhe 23 prillit e 17 majit, të transmetuara nga ATSH që paraqitnin edhe qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar, qenë shpërndarë midis diplomatëve në vende të ndryshme evropiane e botërore nga përfaqësitë diplomatike shqiptare ku qenë të akredituara. Artikujt patën një jehonë të madhe në botë kishin ngjallur interes në trupin diplomatik në Beograd e qenë pritur me interesim edhe nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë e që mjaft diplomatë qenë shprehur pro ose indirekt kundër tyre. Në Greqi u bë shumëfishimi i materialit dhe filloi shpërndarja në mjetet e informacionit masiv, në Radiotelevizion, në Agjencinë e Lajmeve të Athinës e në redaksitë e gazetave e revistave të Athinës. U morën kontakte me kryeredaktorë, redaktorë e gazetarë. U fol për përmbajtjen e artikullit si dhe materiali u shpërnda në gazetat e revistat e periferisë në rrethet diplomatike etj29. Në Turqi, për të gjetur një jehonë sa më të gjerë artikulli i 8 prillit, u morën të gjitha masat për një shpërndarje të gjithanshme dhe meqenëse pjesa dërmuese e emigracionit të hershem shqiptar nga Kosova nuk dininë të lexonin shqip e përkthye në gjuhën turke. Në të njëjtën kohë në bazë të një plani të hartuar, u morën kontakte me shqiptarët duke ju folur atyre mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare si dhe duke ju shpjeguar ndonjë problem që e kishin të pa qartë. Nga ana tjetër, u organizuan filma-koktej ose darka për disa familje nga Kosova30. Nga ana e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Austri, qenë marrë të gjitha masat për shpërndarje sa më të gjerë të materialeve e broshurave, duke shfrytëzuar njëkohësisht njohjet me gazetarë e korrespodentë të huaj për të shpejtuar në çështjen e pasqyrimit të qëndrimeve të mbajtura nga Tirana e për të shtrirë materialet në një masë sa më të gjerë në shtresat intelektuale politike e diplomatike31. Ambasada e Shqipërisë në Stokholm, që mbulonte vendet skandinave që kur shpërthyen demonstratat në Kosovë në bazë të udhëzimeve të marra nga Ministria e Jashtme e Tiranës, mobilizoi të gjitha forcat e saj në këto drejtime kryesore; a) Të shpërndante sa me shpejt materialet e artikujt e Tiranës; b) Të kontaktonte gazetarë e publicistë për t’i nxitur, shkruar e folur për demonstratat duke i ndihmuar ata me material e sqarime; c) Të aktivizonte shokët diplomatë në mënyrë të veçantë për takime me autoritete vendase e diplomatë të huaj për t’u folur mbi ngjarjet e për të mësuar qëndrimet e mendimet e tyre, etj32. Te gjitha këto masa do të kenë efektet e duhura. Duhet vene në dukje faktin se, shtypi suedez fillimisht në shkrimet e tij paraqet pikëpamjet jugosllave në lidhje me ngjarjet në Kosovë, ku burim kryesor ishte TANJUG. Por sa filluan të botohen e përhapen njoftimet e artikujt e shtypit shqiptar edhe mjetet e propagandës se këtyre vendeve filluan t’i japin publikut më shumë të dhëna mbi demonstratat duke venë në dukje dhe kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës, duke hedhur dritë edhe mbi masat e egra që u morën për shtypjen e demonstratave dhe persekutimin e popullsisë shqiptarë në Kosovë dhe duke bërë të njohur në një fare mase dhe qëndrimet e Shqipërisë në mbështetje të kërkesave të drejta të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë. Mobilizimi i shtetit shqiptar, ndikoi shumë në plasimin e të vërtetës për Kosovën, duke qene një grusht i fortë kundër propagandës jugosllave në botën nordike, në paraqitjen e ngjarjeve në shtypin nordik sa më objektivisht për Pranverën e vitit 1981. Në ketë shtyp u shkruan rreth 70 artikuj që në përgjithësi paraqitën në mënyrë objektive kërkesat e drejta të shqiptarëve nga Kosova dhe mbështetjen e këtyre kërkesave nga ana e Shqipërisë, duke hedhur njëkohësisht poshtë shpifjet e trillimet e propagandës jugosllave për ndërhyrje të Shqipërisë në punët e brendshme të Jugosllavisë etj. Ambasada e Shqipërisë në Argjentinë, në bazë të udhëzimit që kishte marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme, tre artikujt e gazetës së “Zërit të Popullit” për Kosovën, me gjithsej rreth 1600 broshura në spanjisht dhe shqip shpërndau në trupin diplomatik në Buenos Aires dhe Peru, autoriteteve të Ministrisë së Jashtme, Lëvizjes marksiste leniniste të Amerikës Latine, shoqatave të miqësisë me Shqipërinë, organizatave të majta në Amerikën Latine, bibliotekave, organeve të shtypit dhe propagandës, miqve të veçantë etj.33 Artikujt e gazetës “Zëri i Popullit”, iu qenë dërguar edhe përfaqësive diplomatike shqiptare në Algjer e Dar Es Salam, si dhe udhëzimet përkatëse me radiogram, qarkore dhe porosi të veçanta, materiale të cilat nga përfaqësia qenë shumëfishuar e shpërndarë në vendas, gazetarë, miq dhe diplomatë, si në Algjeri e 14 vende të zonës, në: Marok, Tunizi, Mauritani, Guine, Mali, Niger, Nigeri, Senegal, Benin, Togo, Çad, Guine-Bisao e Ganë34. Edhe përfaqësia në Meksikë, materialet i kishte përkthyer në gjuhën spanjolle e riprodhuar në 500 e 600 copë secilin artikull. Si këta artikuj ashtu edhe broshurën përmbledhëse për këtë çështje, menjëherë e kishte shpërndarë dorazi dhe me postë autoriteteve të vendit, funksionarëve të dikastereve të ndryshme, organeve të shtypit, radiove, televizionit, shoqatave e grupeve, Partive dhe Lëvizjeve marksiste-leniniste, trupit diplomatik, agjencive të lajmeve, punonjësve e studentëve të ndryshëm, njerëzve të artit e kulturës si në Meksikë ashtu edhe në vendet e zonës që mbulonte35. Artikujt e Tiranës për demonstratat e zhvilluara në Kosovë të cilat qenë shpërndarë edhe midis diplomatëve të vendeve evropiane-lindore nga përfaqësitë diplomatik në shtete të ndryshme ku qenë të akredituara, ato qenë pranuar dhe nuk janë kthyer mbrapsht. Në mjaft raste kishte pasur kërkesa edhe për ekzemplarë të tjerë, të cilat u janë plotësuar. Vetëm, në një rast, ambasadori polak në Budapest i kishte kthyer Ambasadës së Shqipërisë artikullin e “Zërit të Popullit”, të datës 23 prill 198136. Kurse, Vietnamezet i kishin kërkuar edhe zyrtarisht Ambasadës së Shqipërisë që të mos e shpërndajnë artikullin e datës 23 prill në vendas37. As, koreanët nuk kishin mbështetur qëndrimin e Shqipërisë. Ndërkohë, për të çuar tek emigrantët shqiptar, qëndrimin e Shqipërisë ndaj demonstratave u intensifikua dukshëm puna propagandistike. Përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës shpërndanë rreth 15 000 kopje broshurash, të cilat përmbanin artikuj e datave 8 e 23 prill dhe 17 maj 1981, të botuar në gazetën “Zëri i Popullit”. Përveç kësaj forme u dërguan 200-300 copë gazetash shqiptare, me shkrime kushtuar ngjarjeve për Kosovën. Revista “Shqipëria e Re” në gjuhen shqipe e rriti tirazhin në 5 000 kopje dhe ju shtua një separat i veçantë kushtuar problemeve konkrete të viseve shqiptare. Edhe gazeta “Shqipëria sot” botoi shkrimet që flisnin për ngjarjet në Kosovë38. Në një informacion të Drejtorisë së IV, i titulluar “Emigracionin Kosovar në Evropën Perëndimore”, i hartuar më 7 shtator 1981 shkruante: “Nga ana jonë në këto vende janë shpërndarë 6 836 copë broshura që u botuan në vendin tonë rreth ngjarjeve në Kosovë, pa llogaritur disa mijëra kopje të artikujve të botuar në “Zëri i Popullit” dhe në shtypin tjetër periodik të cilat u shpërndanë në momentin e daljes nga shtypi”39. Në këtë veprimtari propagandistike dhe njohëse për shqiptarët e emigracionit u aktivizuan edhe shoqatat e miqësisë, si: shoqata Peru-Shqipëri e Brazil-Shqipëri, të cilat kishin botuar në formë broshure artikullin e “Zërit të Popullit” të datës 8 prill dhe kishin organizuar aktivitete masive lidhur me ngjarjet në Kosovë40. Ndërsa në radhët e shqiptarëve dhe arbëreshëve me banim në Argjentinë, ishte shpërndarë i gjithë kontingjenti i broshurave dhe gazetave të “Zërit të Popullit”41. Shoqatat e miqësisë në vendet skandinave gjithashtu u mobilizuan për të shpërndarë informacion në lidhje me ngjarjet në Kosovë dhe për drejtësinë e kërkesave të tyre. Rol të rëndësishëm luajtën sidomos përfaqësitë shqiptare në Suedi, Finlandë e Danimarkë, të cilat shpërndanin revista dhe materiale të tjera për atë që kishte ndodhur në Kosovë. Nga anëtarët e këtyre shoqatave u shkruan disa artikuj. Në Suedi përmes një letre të hapur i bëhej i njohur opinionit suedez e drejta e shqiptarëve të Kosovës. Shoqatat e miqësisë në vendet skandinave kishin zhvilluar shumë aktivitet, aq sa në Finlandë ambasadori jugosllav protestoi në Ministrine e Puneve te Jashtme42 e në Helsinki kërkoi që të mbahej qëndrim ndaj shoqatës së miqësisë Finlandë-Shqipëri e cila kishte botuar një broshurë mbi ngjarjet në Kosovë. Qeveria finlandeze nuk kishte marrë parasysh atë kërkesë e asnjë mase për ndalimin e broshurës në fjalë, por vetëm kishte njoftuar kryesinë e shoqatës që ajo të vazhdojë botimin e njohurive mbi Shqipërinë e të qëndrimeve shqiptare, por me kujdes që të mos prekeshin vende të tjera që kishin marrëdhënie me Finlandën43. Ndërkohë, Shoqata e Miqësisë Danimarkë-Shqipëri, kishte lëshuar edhe një “Komunikatë mbi masakrat në Kosovë-Jugosllavi”44. Në këtë Komunikatë ndër të tjera, përshkruhej shtetrrethimi në Kosovë nga organet qeveritare jugosllave, bllokadat e krijuara nga organet qeveritare që gjërat mos të merren vesh, masakrat e organizuara në Kosovë gjatë LDB e gjatë demonstratave të zhvilluara, gjendja e vështirë ekonomike në Kosovë krahasuar me vendet e tjera të federatës jugosllave, qëndrimi i drejtë i Shqipërisë ndaj ngjarjeve të zhvilluara duke mos u cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë e përkrahur me të drejtë kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për të shpallur krahinën republikë në vehte nën kuadrin federatës jugosllave etj. Edhe shoqata e miqësisë Spanjë-Shqipëri, loboi për ngjarjet e zhvilluara në Kosovë dhe qëndrimet e shtetit shqiptar45. Qëndrimet e Shqipërisë bënë efektin e tyre në Kosovë, influencuan pozitivisht, sadopak penguan vrullin gjakatar të ushtrisë jugosllave dhe të UDB-së (Unutrasnje Drzavna Bezbednost-Sherbimi i brendshem shtetror), si dhe në një masë bënë që edhe opinioni e diplomacia botërore të dënonin qëndrimet politike dhe veprimet barbare të jugosllavëve në Kosovë. Në këtë kontekst u bëhej e ditur jugosllavëve e më gjerë se shqiptarët janë një komb. Goditja e shtetit shqiptar kundër regjimit jugosllavë ndihmonte aspiratat e ligjshme të popullit shqiptar. Qëndrimi i mbajtur ndaj ngjarjeve në Kosovë ka pasur rezultate pozitive në shumë drejtime të përgjithshme kombëtare e ndërkombëtare. Tirana rikujtonte botërisht ndarjen e padrejtë të Kosovës nga Shqipëria më 1913, duke iu bërë krah Lëvizjes Kombëtare dhe perspektivës së saj. Kosova e ndarë në tri republika të Federatës jugosllave, pak e njohur nga gazetarët e nga opinioni publik ndërkombëtare, arriti të bëhej si një çështje e njohur botërisht, krahas faktorëve të tjerë edhe në saje të Qeverise shqiptare. Tirana duke demaskuar politiken shoviniste serbe, goditi rendë prestigjin e Jugosllavisë, brenda për brenda saj dhe në arenën ndërkombëtare. Kërkesa e popullit të Kosovës për Republikë e mbështetur fuqimisht nga Shqipëria u bë problem i shtruar për zgjidhje. Qëndrimi i Shqipërisë në përkrahje të kërkesave të popullit të Kosovës u bë një faktor i rëndësishëm inkurajimi për gjithë popullin shqiptar nën Jugosllavi për të forcuar luftën e vendosmërinë drejtë aspiratave të tyre për çlirim kombëtar. Në të njëjtën kohë u rritë edhe prestigji i shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke krijuar kushte për një zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve me vende të ndryshme evropiane e botërore.

Prof.asoc.dr. Sabit SYLA: Qëndrimi i Republikës së Shqipërisë ndaj demonstratave në Kosovë me 1981 III

  1. 3. Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro – jugosllave

Përkrahja e demonstruesve dhe e kërkesës së tyre Kosova Republikë e demaskimi i politikes jugosllave për politiken skllavëruese ndaj shqiptarëve ne Jugosllavi, u prit me zemërim në qarqet jugosllave. Në Jugosllavi, mendohej se Shqipëria do të heshte, duke pasur në konsideratë rrethanat konkrete të zhvillimit të atyre ngjarjeve, që kishin të bënin me vendin dhe rolin e Jugosllavisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetjen e saj pa aleat të madh pas prishjes se marrëdhënieve me Kinën etj. Megjithatë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe46. Udhëheqja shqiptare jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre.

Udhëheqja politike jugosllave fillimisht nuk akuzoi Shqipërinë për demonstratat e zhvilluara, nëse mbështetemi në një intervistë në Rilindje me 07 prill 1981, por edhe në një konferencë shtypi, nga Stane Dollanc*. Ky përjashtoi mundësinë që shteti shqiptar të kishte gisht në ngjarjet e zhvilluara. Dollanci përkujtoi deklaratën e mëhershme të Enver Hoxhës, në të cilën pati thënë se, Shqipëria është shumë e interesuar për pavarësinë, ruajtjen e integritetit dhe pacenueshmërinë e kufijve të Jugosllavisë dhe se Shqipëria është e gatshme të luftojë kundër çdokujt që do të rrezikonte pavarësinë e Jugosllavisë. “Ne shpresojmë se Shqipëria edhe më tutje qëndron në këto pozita. Sepse nëse diçka është e qartë atëherë është e qartë se çdo sulm, çdo rrezikim i Jugosllavisë në çfarëdo mënyre do të dëmtonte po ashtu edhe Shqipërinë, pra edhe kjo në Kosovë dëmton interesat e Shqipërisë”, kishte thënë Dollanci duke shtuar se: “Jugosllavia nuk ka marrë kurrfarë note nga Shqipëria as që mund të thotë se prapa kësaj qëndron qeveria shqiptare”47.

Me 9 prill agjencia jugosllave e lajmeve Tanjug, reagoi ashpër ndaj artikullit, te shkruar me 8 prill ne gazetën “Zëri i Popullit”48, e te emituar nga Radio Tirana, duke e cilësuar atë si sulm flagrant ne punët e brendshme te Jugosllavisë, nxitëse të tendencave armiqësore, etj49. Sipas organeve jugosllave, ishte Shqipëria ajo që qëndronte mbrapa ngjarjeve në Kosovë, qe nxit luftën në Kosovë, për t’i hapur rrugën asaj për t’u bashkuar me Shqipërinë. Llazar Kolishevski, anëtar i Presidencës së RSF të Jugosllavisë, ndër të tjera ishte shprehur: “…Politika e Shqipërisë dhe veprimtaria e saj propagandistike ndaj Kosovës janë një nga burimet e rëndësishme të euforisë nacionaliste… Në materialet e këshillit të përgatitur për Presidencën janë paraqitur mjaft fakte mbi atë se çfarë veprimtarie propagandistike-subversive ka bërë dhe bënë Shqipëria ndaj Jugosllavisë, e veçanërisht ndaj Kosovës. Artikujt më të fundit në gazetën “Zëri i Popullit” tregojnë qartë se prapa çdo gjëje qëndron qeveria shqiptare dhe Partia e Punës së Shqipërisë…”50. Dobrivoje Vidiç, po ashtu akuzoi organet zyrtare të Shqipërisë, për punë informative e ideopolitike lidhur me aktivitetin dhe propagandën politike armiqësore që është bërë nga Tirana, ndaj Jugosllavisë51. Ndërkohë, më 8 maj 1981, këshilltari i ambasadës së Jugosllavisë në Tiranë, Spasoje Tuniq gjatë bisedës që kishte pasur me Jovan Antonin, në pritjen e dhënë nga ambasada çekosllovake, kishte thënë se: “Autoritetet jugosllave janë të bindura se në Lëvizjen e Kosovës kanë dorë reaksionarët ballistë e zogistë, që janë njëkohësisht edhe armiq të Shqipërisë. Ata, shtoi ai, nuk janë enveristë, për këtë jemi të sigurt, sepse kemi kapur programin e tyre ku del e qartë lidhja qe ata kanë me reaksionin”52.

Sekretariati Federativ për Punë të Jashtme i RSF të Jugosllavisë, përmes një Promemorie i tërhoqi vëmendjen Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë për propagandë dhe aktivitete të tjera nga Shqipëria dhe përfaqësitë e saja diplomatike në lidhje me ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë, që pala jugosllave i çmonte si mbështetje direkte dhe publike të forcave irredentiste, që drejtoheshin kundër integritetit dhe rendit kushtetues të RSF të Jugosllavisë dhe që përfaqësonin akte armiqësore e ndërhyrje të palejueshme në punët e brendshme të saj53. Lidhur me këtë çështje, zëvendëssekretari federativ Milorad Peshiq, më 14 maj ftoi ambasadorin shqiptar Sokrat Plaka dhe gjatë bisedës që zhvilluan, i dorëzoi Promemorien e lartpërmendur, duke e porositur që pala shqiptare të vlerësojë me kujdes atë dhe duke i tërhequr vërejtjen edhe gojarisht ambasadorit shqiptar54.

Sekretari federativ i Punëve të Brendshme, Franjo Hërleviç, po ashtu akuzoi Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ambasadën e saj në Beograd dhe në vende të tjera të botës, si nxitëse të ngjarjeve në Kosovë.55 Sekretari ne fjale, më 09 qershor 1981 në mbledhjen e Këshillit Federativ të Kuvendit të RSF të Jugosllavisë raportoi mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë. Sipas raportit të tij: “Në KSA të Kosovës është zbuluar organizata ilegale irredentiste e njohur me emrin “Lëvizja kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare”. Kjo organizatë vepron me platformën e Partisë së Punës të Shqipërisë…, një numër i caktuar anëtarësh të “lëvizjes”, janë larguar gjatë viteve në botën e jashtme dhe kanë formuar një organizatë, që mban emrin “Fronti i kuq popullor”…, Në demonstrata dhe në aktivitetet e tjera armiqësore të këtij Fronti, marrin pjesë edhe disa anëtarë të fraksioneve marksiste-leniniste të partive komuniste evropianoperëndimore, të cilët shkojnë herë pas here në Shqipëri, madje qenë të ftuar edhe në kongresin e fundit të Partisë së Punës të Shqipërisë.

Përveç “lëvizjes” së lartpërmendur, vazhdonte Hërleviç, gjatë viteve 1979, 1980 e 1981 është zbuluar edhe ekzistenca e një organizate ilegale që e quan veten “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”. Fjala është për një organizatë, e cila ka të njëjtin qëllim, si edhe “lëvizja” e lartpërmendur-bashkimin e të ashtuquajturave krahina shqiptare në Jugosllavi dhe krijimin e një “Shqipërie të madhe”. Sipas tij, ishin identifikuar 137 vetë. Hërleviç, më tej kishte shtuar se: “Faktorët zyrtarë të Shqipërisë, shtypi dhe radiotelevizioni i përkrahin dhe i nxisin irredentistët për aksione të reja armiqësore…”56. Ndërkohë, bëri të ditur se 154 vetë presin të dalin në gjyq lidhur me demonstratat e vitit 1981 prej të cilëve 29 janë organizatorë të trazirave dhe njerëz të akuzuar se kanë lidhje me shërbimet e zbulimit të Shqipërisë staliniste fqinjë. Më tej në Kuvend tha se autorë të parullave armiqësore janë 46-vetë e 104 vetë janë për qëndrime publike armiqësore ndërsa 506 vetë janë ndëshkuar, rreth 1700 janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje nga policia mbas demonstratave, ku u vranë nëntë vetë dhe disa dhjetëra u plagosën57.

Akuza dhe kritika të ashpra, u adresuan ndaj profesorëve nga Tirana që kishin ligjëruar në Fakultetet e Prishtinës gjate viteve 70-ta, duke ushtruar ndikimet e tyre politike, si të papenguar nga askush. Po ashtu, përdorimi i literaturës së ardhur nga Shqipëria e cila nuk ishte mbikëqyrur më parë, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të ndryshme të të dy vendeve shqiptare, etj. Në fund të qershorit, gazeta Rilindja e Prishtinës botoi pjesë nga konferenca e shtypit e Milosh Miniçit, sipas Tanjugu-t, duke e titulluar “Shqipëria zhvilloi politikë të dyfishtë ndaj Jugosllavisë”58. Ashtu si më parë u dhanë pjesë ku akuzohej Shqipëria si shkaktar i keqësimit të marrëdhënieve, se Shqipëria është përzier në punët e Jugosllavisë, se ka shfaqur pretendime territoriale, se ka sulmuar rendin kushtetues etj.  Më 22 nëntor 1981, në mbledhjen e KQ të LKJ-së, u aprovua Platforma për Kosovën. Në Platformë, krahas çështjeve të ndryshme të trajtuara për Kosovën, vend të veçantë zuri edhe analiza e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Shqipëria u akuzua përsëri për ndërhyrje në punët e brendshme të RSF të Jugosllavisë e për pretendimet e saja territoriale59.

Edhe, udhëheqja politike e Kosovës sulmoi ashpër për intriga djallëzore Tiranën60. Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës, ne mbledhjen e vet te mbajtur (një dite para deklaratës se S. Dolancit), me 06 prill61, ndër të tjera u ndal edhe të veprimtaria dhe ndikimi i shërbimit informativ dhe propagandës së përgjithshme nga  RP e Shqipërisë, që kishte ndikim tek nacionalistët e irredentistët në vend, si dhe në grupin e “Frontit të Kuqë”. Sipas kësaj mbledhjeje, bindshëm mund të konstatohej që Shqipëria bashkëpunimin e kishte shfrytëzuar për veprimtari subversive e propagandistike e orientuar në nxitjen e nacionalizmit e shovinizmit, shkatërrimin e vëllazërim – bashkimit e nxitjen e irredentizmit… Me koncept të përgjithshëm e parulla që janë shërbyer bartësit e kësaj veprimtarie,  “Një komb –  një shtet” ata kanë shkruar shumë materiale për gjoja se “për shkëputjen e padrejtë të popullit shqiptar nga shteti amë, për okupimin e Kosovës, për situatën e rëndë ekonomike të popullit shqiptar në RSFJ, për padrejtësitë ekonomike, politike e sociale, e shpeshherë me propagandën e tyre e kanë thirrur popullin që të përgatitet për “momentin e duhur dhe vendimtar”, për bashkimin e Kosovës Shqipërisë, duke theksuar se deri te kjo patjetër duhet me ardh. Ky aktivitet subversiv-propagandistik nga RP e Shqipërisë, vlerësohej se përveç mjeteve të saja të informimit, është zhvilluar nga përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në disa vende perëndimore, nga ambasada e Shqipërisë në Beograd etj.

Në mbledhjen e 99 te Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, të mbajtur me 13 qershor 1981, ne fjalën hyrëse lidhur me vlerësimin e situatës politike dhe të sigurisë në krahinë – Ali Shukrija62, për rolin dhe ndikimin e shtetit shqiptar ndër të tjera kishte thënë: “…Nga ana e Shqipërisë zhvillohet në mënyrë sistematike dhe intensive propagande armiqësore, përmes shtypit, radios e televizionit, të cilat në Kosovë kanë një shikueshmëri dhe dëgjueshmëri të jashtëzakonshme… Është shumë e intensifikuar propaganda shqiptare sidomos nga përfaqësitë diplomatike në Evropë dhe SHBA e sidomos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

Në përgjigje të akuzave nga Beogradi dhe Prishtina, Organi i Komitetit Qendror të PPSH-së theksonte se: “Shqipëria nuk kishte ndërhyrë dhe nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të Jugosllavisë”, se nuk kishte bërë kurrë rivendikime territoriale”, se “populli shqiptar nuk ishte për minimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe se do të luftonte krah për krah me popujt e Jugosllavisë, në qoftë se këta atakoheshin, nga kushdo qoftë”63.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …