Prof. dr. Nusret Pllana: Qoftë edhe një fëmijë i vetëm i vrarë është tragjedi

          (Fjala e mbajtur  para Komisionit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Kosovës)

E nderuara Duda Balje, Kryetare e Komisionit për të Drejtat

e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur,

Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione!

Të nderuara anëtare dhe anëtarë  të këtij Komisioni Parlamentar!

Të respektuara mjete të informimit publik!

E nderuara dhe shumë e respektuara Duda Balje, të falënderoj në emrin tim dhe në emrin e Familjarëve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës gjenocidiale në Kosovë 1998/1999, që më keni mundësuar( sot, më 16 qershor 2023),  të shpreh disa qëndrime të ditura botërisht, të argumentuara publikisht dhe të dëshmuara  shkenctarisht për numrin e fëmijëve shqiptarë të Kosovës, që i janë nënshtruar gjenocidit serb në Kosovë gjatë vitit 1981 deri në vitin 1999, kur me Luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me ndihmën e Aleancës më të madhe botërore ushtarake të NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bërë e mundur të çlirohet Kosova. 

Meqenëse librin që tashmë e keni në duar është promovuar në shumë qendra evropiane e botërore, e në prill të këtij viti edhe në: New York, Washington, Huoston, Dallas, Detroit e Çikago, duke iu falënderuar në veçanti mikut të presidentit amerikan, z.Biden dhe mikut të bashkëshortëve Josepf dhe Shirley DioGuardi, shqiptaro – amerikanit, z.Agim Aliçkaj, që është njeriu më meritor i promovimit të veprave tona gjithandej Amerikës mike, edhe të librit të vrasjes së fëmijëve shqiptarë,  i cili është promovuar edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington, por është arkivuar edhe zyrtarisht, në formë fizike dhe elektronike edhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, prandaj ju lus për mirëkuptim ta dëgjojmë pak më tepër se dy minuta një fjalim të shkëputur të Ambasadorit legjendar amerikan, z.William Walker, i cili mori pjesë edhe vet në promovimin e këtij libri në Washington, më 26 prill të këtij viti, duke e vlerësuar lartë rëndësinë shkencore dhe historike të tij. 

Të nderuar të pranishëm, 

Nuk ka njeri që nuk e di se lufta sjellë vetëm dëme, vrasje, tragjedi familjare dhe kombëtare. Mirëpo, kur një pushtues vret fëmijët e një populli tjetër, vret edhe fëmijët e vet( siç është botërisht i njohur rasti “Panda” në Pejë, kur policia fashiste serbe i vret 6 të rinjë serbë, 5 prej tyre të moshës adoloshente, vetëm e vetëm për t’ua lënë fajin shqiptarëve,  atëherë kjo kapërcen ato marrëveshjet ndërkombëtare për civilët dhe fëmijët e pambrojtur  dhe quhet gjenocid

Por, unë këtu para jush, nuk e kam fjalën se a kishte bërë Serbia pushtuese gjenocid, apo jo, sepse këtë fakt nuk mund ta mohoj askush në botë. 

Por, e kam fjalën, se duke filluar nga shkrues të ndryshëm, publicistë, gazetarë, historianë, e deri te organet më të larta të shtetit të Kosovës, të dhënat për fëmijët e vrarë nga gjenocidi serb, i thonë të pasakta, i publikojnë me hamendje, i flasin nëpër tubime përkujtimore, nëpër konferenca shtypi, nëpër mbledhje me delegacione ndërkombëtare, thuajse nuk dihet asgjë për vrasjen e tyre, sepse edhe kur përmenden,  për fat të keq përmenden vetëm si shifra.  

Tragjedia e një populli nuk vërtetohet vetëm me përmasën e gjenocidit që ka bërë pushtuesi, por në radhë të parë me fëmijët e vrarë. 

Pse mund të thuhet kështu? 

Mund të thuhet për disa arsye elementare të secilit njeri të vdekshëm! 

Së pari, në Kosovë janë vrarë 1432 fëmijë që dihen deri tashti. Sepse, fjala vjen, janë shumë  gra që janë vrarë kur ishin shtatzëna, edhe në muajin e tetë e të nëntë, që nuk është folur kurrë për fëmijët e tyre të vrarë në barkun e nënës shqiptare. 

Po ashtu, përkundër këmbënguljes sonë, për të pasur një statistikë të saktë, e cila është përmbledhur në këtë botim publicistik anglisht – shqip(autorë: Hanëmshahe Ilazi e Nusret Pllana), që ua dhurova sot, ka mundësi që të mos janë përfshirë të gjithë fëmijët e vrarë në Kosovë nga viti 1981 deri më 1999. Në këtë libër i keni me datë, me ditë e me fotografi, vrasjen e 1392 fëmijëve shqiptarë gjatë viteve 1998/1999, dhe vrasjen e 40 fëmijëve shqiptarë gjatë viteve 1981/1997, po nga ushtria dhe policia barbare serbe.

Së dyti, ata nuk janë vetëm numra, nuk janë vetëm 1432 fëmijë të vrarë. 

Janë 1432 familje të së ardhmes sonë. Janë 1432 familje më pak në këtë Kosovën tonë, për lirinë e së cilës është derdhur aq shumë gjak, sa asnjë popull tjetër në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej.    

Së treti, ata 1432 fëmijë nuk janë të zhdukur, siç thuhet herë pas here, edhe në Akademi përkujtimore, edhe në raste të takimeve me familjet e Dëshmorëve të Kombit. 

Ata janë 1432 fëmijë të vrarë, sepse fëmijë të zhdukur është diçka tjetër, si dukuri, por edhe si argument për të cilin nuk kemi mundur të gjejmë të dhëna të verifikueshme. 

Për 1432 fëmijë shqiptarë të Kosovës të vrarë, të dhënat janë të sakta, me emër e mbiemër, me datën e lindjes dhe datën e vrasjes, si dhe për pjesën më të madhe të tyre me fotografi. Nga 30 Komuna të Kosovës, vetëm në Artanë(ish Novo Bërdë) nuk ka fëmijë të vrarë nga ushtria dhe policia gjakatare serbe, për të cilët fëmijë nuk ka funksionuar asnjëherë drejtësia ndërkombëtare, sepse qe 25 vite, le që nuk është dënuar asnjë kriminel serb, por as që është akuzuar ndonjëri prej tyre deri më sot, edhe pse emrat e tyre i keni një nga një në libri tim “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”, libër ky i përkthyer në 9 gjuhë botërore, dhe më i promovuari në botë në 100 vjetshin e fundit, dhe i cili është fut zyrtarisht edhe në Parlamentin evropian në Bruksel në vitin 2018(dhuratë 751 deputetëve të Parlamentit Evropian, por edhe Papa Françesku e ka pranuar dhuratë,  më 25 maj 2022, vjet pra, e për fat të keq ende nuk ka arritë  të futet në Parlamentin e Kosovës në Prishtinë, e as në atë të Shqipërise londineze në Tiranë. 

Nëse i shikoni me vëmendje fotot e këtyre fëmijëve të vrarë, njeriu e ka vështirë të jetë indiferent, edhe sot e gjithë ditën, kur kanë kaluar 24 vjet nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Nuk ka asgjë më tragjike, se kur njeriu shikon buzëqeshjet e tyre, dhe për një çast vetëdijësohet se ata nuk janë më, se ata nuk janë rritur me lirinë e Kosovës, se ata nuk janë më pjesë e familjeve të tyre, se ata nuk janë më pjesë e rinisë dhe e popullit të Kosovës. 

E nuk janë pak, janë 1432 fëmijë të vrarë nga pushtuesi serb.   

Së katërti, kanë kaluar 24 vjet që kur Kosova e gëzon lirinë e saj. Por, në këto 24 vjet, askujt nuk i ra ndërmend, që në formë përjetësie t’iu ngritet një shenjë e kujtesës historike, një lapidar a një obelisk në kujtim të këtyre 1432 fëmijëve shqiptarë të vrarë. 

Një shenjë, që jo vetëm familjarët e tyre të kenë ku të çmallen për dhembjen e tyre, por edhe për të krijuar një vlerë kulturore kombëtare në kujtim të atyre që lufta kundër robërisë, nuk i kishte lënë të rriten në atdheun e tyre. 

Një shenjë, edhe për ata dashamirës të Kosovës, qoftë kur vijnë si zyrtarë shtetesh, apo vizitorë kureshtarë, apo turistë të ditës, të kenë mundësi të shohin një pjesë të tragjedisë sonë që këtij populli aq shumë të përgjakur ia ka sjellë pushtuesi serb.

Cila është kërkesa jonë, jo vetëm si individ, por si pjesë e gjenocidit që u është bërë fëmijëve shqiptarë, pra si zë i njerëzve të Kosovës, i atyre që nuk mund të flasin më…?!! 

Që me angazhimin tuaj, të ndërhyni te pjesëtarët e secilit subjekt politik, te anëtarët e secilit organ qeveritar, te secili deputet i Kuvendit të Republikës Kosovës, të thuhet numri i saktë i fëmijëve të vrarë në Kosovë. 

Jo vetëm pse kështu bëhemi korrekt, por kur thuhet numri i saktë që dihet deri tashti i fëmijëve të vrarë të Kosovës, nuk fyhen ato familje, që mund të mendojnë se nuk u është përmendur emri i fëmijës së tyre, që të mos krijohet përshtypja se disa nga këta fëmijë janë harruar. 

Duke pasur parasysh peshën e madhe të dhembjes së këtyre familjeve, sepse ka familje që ju kanë vrarë dhjetra fëmijë, si ata të Familjes Muqolli nga Pokleku, prandaj me një respekt të veçantë e përshëndesim prezencën e njërit prej familjarëve të tyre,  Ing.Xhavit Muqollin, të cilit i janë vrarë bashkëshortja dhe të dy fëmijët, të cilës Familje i janë vrarë dhe bërë shkrumb e hi 54 anëtarë, në mesin e tyre 26 fëmijë, prej të cilëve 23 të Familjes Muqolli, 19 fëmijë të Familjes Berisha të Suharekës, 13 fëmijë të Familjes legjendare Jashari të Prekazit, 9 fëmijë të Familjes Deliu të Drenasit,  8 fëmijë të Familjes Gërxhaliu të Vushtrrisë, 5 fëmijë të Familjes Vejsa, tre fëmijë të Familjes Caka dhe 4 fëmijë të Familjes Rracaj nga Gjakova, 5 të Familjes Balaj nga Peja, 4 të Famijes Duriçi, 3 të Familjes Xhemaili  dhe 3 të Familjes Bogujevci nga Podujeva, 6 fëmijë të Familjes Imeraj dhe 4 të Familjes Lipaj të Istogut, atëherë është obligim i secilit institucion të ketë parasysh se numri i fëmijëve të vrarë në Kosovë është 1432. 

Jam këtu sot duke ju falënderuar Juve, që keni pasur mirëkuptimin dhe më keni ftuar, që të gjejmë mënyrën e duhur, dhe këta 1432 fëmijë të vrarë t’i nderojmë edhe me ngritjen e OBELISKUT për ta.

Mos harroni, se Suedia gjatë vitit 1999, në mes të sheshit në një qytet të saj, ka ngritur bustin e një fëmije shqiptar nga Kosova, të cilin pushtuesi serb e kishte përzënë me dhunë nga atdheu i tij. 

Siç ka shkruar shtypi suedez, por edhe ai shqiptar, edhe i atyre viteve, ai bust vizitohet edhe sot e gjithë ditën.  

Kërkesa ime, andaj edhe kërkesa e familjeve të këtyre 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga gjenocidi serb, është që të përjetësohen në Kompleksin Memorial në formë OBELISKU, në mënyrë që të kemi ku të vëmë një buqetë me lule në kujtim të fëmijërisë së tyre, të kenë ku të çmallen familjarët e tyre. Kosova të ketë një shenjë si argument për gjenocidin serb edhe mbi fëmijët shqiptarë të Kosovës dhe të gjithë fëmijët e komuniteteve tjera, të cilët nuk i ka kursyer barbaria dhe mizoria serbe, e të cilët i keni një nga një në librin që tashmë e keni në dorë të gjthë ju të pranishëm të nderuar. 

Dikush nga ju mund ta dijë, dikush nga ju ka mundur të ketë dëgjuar, sepse këto përpjekje i kemi bërë me vite, se afër Aeroportit ndërkombëtar ‘‘Adem Jashari’’, të Prishtinës, është caktuar vendi prej një hektarësh(dhuratë nga Komuna e Lipjanit) është vënë maskota e një OBELISKU që t’i bënte respekt kujtimit të 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës. Donator është Liga Shqiptaro – Amerikane, prandaj edhe nga ky takim i rëndësishëm zyrtar kërkojmë lejen e ndërtimit të këtij Obelisku, që të fillojmë sa më parë që të jetë e mundur, dhe ta përfundojmë më 20 nëntor (Ditën Botërore të të drejtave të fëmijëve). 

Pra, kjo është një kërkesë krejt legjitime, që përmes Jush të mbërrijë në veshët e atyre që vendosin, në mënyrë që të mos e harrojmë këtë përmasë tragjike të gjenocidit serb mbi fëmijët shqiptarë të Kosovës, dhe jo vetëm…!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!

Ju faleminderit shumë për vëmendjen Tuaj!

16 qershor 2023, Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …