leoni

Nusret Pllana

Prof. dr. Nusret Pllana: Roman për përmasën e krimit serb në Kosovë II

(Bardhyl Mahmuti, Eskadronët e vdekjes, roman, Prishtinë, 2022)

Roman që shpalon veprimin e mekanizmit nëntokësor të shtetit nazist

 

Pasi e gjithë struktura e rrëfimit ndërtohet përmes jetës dhe veprimtarisë së  Mifi L., në njërën anë, si e kundërta e politikës së shtetit që kishte kryer gjenocid në Kosovë, si dhe organeve të atij shteti, të cilët asgjë nuk i tmerron më shumë se kur e vërteta që është e kundërt me ideologjinë e tyre naziste, bëhet publike në organet e shtypit të huaj, të vendeve që, sipas gjuhës së atyre organeve torturuese, e kishin bombarduar shtetin e tyre dhe kishin vrarë njerëz të pafajshëm.

Askund nuk përmenden ushtarët, eprorët ushtarak, që kishin udhëhequr eskadronët e vdekjes, askund nuk zihen në gojë shtabet komanduese për shkatërrimin e një populli, siç ishin shqiptarët, rasti i dytë në Evropën demokratike pas hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Qoftë edhe vetëm për këtë rrafsh krahasimi që është shtresuar në strukturën e rrëfimit të romanit krejt të veçantë Eskadronët e vdekjes, gjë që autorit Bardhyl Mahmuti, i ka dhënë dorë për të shpaluar psikologjinë e frikës tmerruese të masës së njerëzve në qytetet dhe fshatrat serbe, ku secili njeri ishte i dyshimtë, si dhe ku në secilin rast e kishin jetën të rrezikuar.

Në literaturën e popujve që kishin qenë viktima të luftës pushtuese, edhe mund të konceptohet drejtë, psikologjia e tillë e tmerrit masiv, por te një popull që e konsideronte veten popull hyjnor, si dhe luftën që kishte bërë për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë, e kishte shpallur luftë të drejtë për shenjtërinë e Kosovës së tyre, ajo gjendje e tmerrit, kur secili ishte kundër secilit, në të parë duket e pakuptueshme.

Por, kur lexuesi shpalos, edhe përmes rrëfimit në deklaratat e hetuesisë policore, e ka të qartë gjithë përmasën e gjenocidit që ia kanë shkaktuar një populli, në njërën anë, si dhe gjithë shtresimin e pasigurisë jetësore të qytetarëve të atij shteti me ideologji naziste, kur dihej se nazizmi kishte mbyllur kapitullin historik të ekzistencës, në Luftën e Dytë Botërore.

Në planin e rrëfimit të ngjarjeve dhe të pjesëmarrësve në ato ngjarje, në përgjithësi të atyre që kryenin vepra gjenocidi, autori ka krijuar atmosferën e atyre ngjarjeve, qoftë edhe vetëm përmes një fjalie të vetme:

‘‘Po shoh se ti nuk e di se çfarë janë në gjendje të bëjnë’’. (Po aty, fq. 79). Një përkufizim të këtillë e gjen në të gjithë galerinë e personazheve të autorit të këtij romani, e gjen te ushtarët e thjeshtë që duhet të zbatojnë urdhrat e eprorëve, e gjen te eprorët e njësive vdekjeprurëse kudo nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës, e gjen në urdhërat që u jepen njësive ushtarake për pastrimin e vendeve të krimit, duke bartur kufomat e të vrarëve, e gjen në shtabet komanduese të ushtrisë dhe formacioneve të tjera kriminele, e gjen në strukturat e shërbimit sekret serb, që marrin në pyetje dhe torturojnë, jo vetëm shqiptarët e burgosur, por edhe qytetarët serbë, doemos, ndonjë intelektualë aty-këtu, siç është rasti i Mifi L, të romanit të Bardhyl Mahmutit Eskadronët e vdekjes.

 

Atmosfera e rrëfimit të ngjarjeve dhe vërtetësia historike e tyre

 

Romani Eskadronët e vdekjes, përkundër pranisë së dokumentit, pra është një vepër me karakter dokumentar, ka ruajtur cilësinë e rrëfimit artistik, andaj ka arritur të krijojë atmosferën e ngjarjeve, pa e tjetërsuar vërtetësinë historike të tyre.

Kjo, mendoj, është vlera themelore e romanit. Përkundër faktit se në roman janë ruajtur gjithmonë kufijtë e asaj që quhet përjetim i realitetit, në njërën anë, si dhe ndjeshmëria e rrëfimit artistik, në anën tjetër, autori Bardhyl Mahmuti, duke rrëfyer, si dhe duke dhënë dëshmi para organeve të ndjekjes së sigurimit të shtetit serb të kohës së luftës në Kosovë, i ka afruar lexuesit fakte që dihen botërisht, por tashti ato i rrëfejnë njerëz që janë ngritur kundër sistemit të shtetit të tyre.

Si të tillë, këta njerëz, janë akuzuar për tradhti kombëtare. Në deklarimin e Mifit L., para organeve të hetuesisë serbe, që e zhvillonin organet ushtarake dhe sigurimi i tyre, duke dëshmuar me shkrim se çka i kishin treguar shokët dhe miqtë e tij, ai shpalon ecurinë e zbulimit të krimeve serbe ndaj shqiptarëve, me përmasë gjenocidi.

Mënyra e deklarimit për gjetjen e dy kamionëve në dy anë të ndryshme të Serbisë së asaj kohe, flet në radhë të parë për vetëdijen e atyre ushtarëve, që ishin ngarkuar të bartnin kufoma të shqiptarëve, pa e ditur se çka kishte në ata kamionë, si dhe duke besuar se bartnin mish për kuzhinat e ushtarakëve.

‘‘Dhe ashtu kishin vepruar: mbi pedalin e gazit të kamionit, me të cilin kishin pasur telashe gjatë rrugës, kishin vendosur një gur përafërsisht 5 kg dhe i kishin dhënë  tatëpjetën. Përkundër asaj që vendi kishte një pjerrtësi më të vogël, përplasja e kamionit me sipërfaqen e ujit ishte shpërndarë si bubullimë. Pastaj kishin vazhduar rrugën në drejtim të Beogradit, të Uzhicës dhe rreth orës 2 pas mesnatës kishin mbërritur te liqeni i Peruqacit, në kufi me Bosnjën. Ishin larguar disa kilometra nga diga e hidrocentralit ‘‘Bajna Bashta’’, dhe e kishin lëshuar kamionin në  tatëpjetën e lumit Drina, e kishin kaluar në këmbë në Republikën Serbe të Bosnjës...’’. (Bardhyl M., po aty, fq. 113).

Për daljen e kufomave të shqiptarëve të vrarë, në të dy liqenet, di i gjithë opinioni botërorë, përveç atij të qeverisë serbe, që nuk ka gjetur forcë morale për ta pranuar krimin dhe për të kërkuar falje.

 

Jeta e burgut dhe gjuha e rrëfimit në roman

 

Përmes personazhit të tij, Mifi L., autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, me gjuhën e rrëfimit, qoftë si  dialog me bashkëvuajtësit e dhomës, ku kishte edhe shqiptarë, qoftë përmes shkrimeve që përcillte shtypi i kohës, ka shpaluar gjendjen e të burgosurve, ka prekur anë të ndryshme të raporteve, pushteti dhe njerëz që kanë humbur lirinë, ka rrëfyer gjendjen e tyre psikologjike, por edhe anët e karakterit të të burgosurve, që dallonin aq shumë, sa ndonjëherë, vetëm me një fjali është thënë e gjithë përmasa e drejtësisë serbe, në njërën anë, si dhe gjithë qëndresa shekullore e të burgosurve shqiptarë, në anën tjetër:

‘‘Monotoninë e jetës në burg e thyenin letrat që merrja dhe ato që shkruaja. Ndodhte të merrja dy-tri letra përnjëherësh, në varësi të kohës kur u kishin dhënë leje hetuesit. (…), ndërkaq për Sadikun dhe Bekimin as letra, as vizita, as numërim pakosh dhe asgjë tjetër nuk e prishnin monotoninë e ‘‘rendit shtëpiak’’! Ishin pengje të rrëmbyera nga pushteti dhe askush nuk dinte çmimin që u kishin vënë kusarët’’! (Bardhyl M. Po aty, fq. 359)

Autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, ngjarjet i ka shtrirë brenda një periudhe kohore shumë të veçantë. Në Kosovë kishte përfunduar përgjakja dhe spastrimit etnik. Forcat ndërkombëtare të NATO-s kishin hyrë në Kosovë, mirëpo forcat ushtarake dhe policore serbe, duke u tërhequr nga Kosova, kishin marrë pengje, si mburojë, siç thotë autori, aq shumë të burgosur politikë, sa thuajse askush nuk kujtohej për ta, përveç të tjerash, edhe pse nuk kishin asnjë të drejtë.

Prandaj, rrëfimi i ngjarjeve, tashti vetëm herë pas here ka për temë Kosovën dhe tragjedinë e saj.

Vetëm kur të burgosurit Sadiku dhe Bekimi, ndonjëherë ndërhynin në bisedat me Mifin L., qoftë duke komentuar ngjarje të caktuar që rridhnin, thuajse si me skenarë në politikën e Beogradit, ku në radhë të parë ishte zhdukja e njerëzve që shprehnin hapur mendimin kundër nga qeveria e Millosheviqit.

Gjatë shtjellimit të ngjarjeve, të kësaj periudhe kohore, qershor 1999, fund viti 2000, kur bie nga pushteti sistemi i Millosheviqit, Mifi L., në strukturën e rrëfimit të tij, ka sjellë një dorë personalitetesh, që kanë bërë dhe kanë zbatuar politikën e gjenocidit serb edhe në Kosovë,  duke paralajmëruar shenjat e para, se pushtetarët edhe mund të ndërrohen, por logjika pushtuese do të vazhdojë edhe për shumë kohë.

Andaj, kur lirohet nga burgu, pasi është ndërruar pushteti, atij i vjen keq që bashkëvuajtësit e tij, Sadiku dhe Bekimi, kishin mbetur në qelitë e burgut, pa pasur asnjë të drejtë, as të shkruajnë e të marrin letra, as t’i vizitojë kush nga familjarët, si dhe, as të të dihej se cila do të ishte dita e nesërme e tyre.

 

Përfundim

 

Shtresimi i të dhënave të shumta për gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë, për mënyrën e kryerjes së tij, për urdhrat që ishin dhënë, për zbatuesit e atyre urdhrave, për lëvdata që kishin marrë nga eprorët e tyre, por edhe për gjendjen e tyre psikologjike, pasi ishin liruar nga detyra, sa nuk bënin gjumë të qetë natën, dëshmon se edhe në qendrën serbe të qeverisjes së asaj kohe, kishte njerëz, edhe intelektualë, që ishin kundër politikës zyrtare të Serbisë naziste.

Po ashtu, autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, ka arritur përmes gjuhës së rrëfimit në roman, që të krijojë atmosferën e ngjarje, që është vlera themelore e një vepre artistike, sa lexuesi e ka përshtypjen se është edhe vetë pjesëmarrës në ato ngjarje.

Romani i Bardhyl Mahmuti, Eskadronët e vdekjes, përmbush mrekullueshëm atë mësimin madh në teorinë e shkrimit të romanit, siç e ka përkufizuar edhe Ernesto Sabato, sa i bën nder letërsisë shqipe, jo vetëm për temën e zgjedhur, jo vetëm për ngjeshjen e strukturës së romanit me aq shumë të dhëna, edhe të burimeve të huaja, por edhe për zhdërvjelltësinë e gjuhës së rrëfimit në punët e ndërtimit të karaktereve të bartësve të ngjarjeve, andaj edhe është një vepër e veçantë me temën që ka sjellë në letërsinë tonë.

 

Prishtinë, qershor-korrik 2022

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Vazhdimisht po na përcjellë një mot i lig me të reshura shiu dhe me ndërrime …