Prof.dr. Rexhep QOSJA: Refleksione për krijimtarinë e Profesor Ago Nezhës

Prof.dr. Rexhep QOSJA: Refleksione për krijimtarinë e Profesor Ago Nezhës

Ago Nezha është profesor universiteti, por profesor i cili nuk është pajtuar që të jetë gjithnjë vetëm profesor. Dhe, nuk është pajtuar që të jetë gjithnjë vetëm profesor për shkak të bindjes se obligimet e tij shoqërore, politike, etike, më në fund kombëtare ndaj popullit të vet do t’i plotësojë më gjithanshëm në qoftë se do të merret edhe me një veprimtari tjetër: në qoftë se do të merret edhe me shkrime publicistike.

Ago Nezhën e kanë bërë publicist, madje publicist posaçërisht të angazhuar, në radhë të parë të këqijat e quajtura politike, partiake, pushtetore, vërtet të shumta dhe vërtet shumë të ndryshme, që po e shënojnë njëmendësinë e sotme shqiptare.

Me dallim prej shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, Ago Nezha nuk ka mundur të mbyllë sytë e të mos shohë dhe të mbyllë gojën e të mos flasë për ato të këqija të shumta e të shumëllojshme. Nuk ka mundur të mos flasë për to sepse duke i shikuar në vazhdimësi është bindur se sa dëmin ia sjellin jetës së popullit, jetës së atyre për të cilët edhe është krijuar organizimi shoqëror i quajtur shtet dhe për shkak të cilëve krijohen përbërësit e atij shteti të quajtur parti dhe institucione shtetërore.

Shkrimet publicistike të Ago Nezhës u krijojnë bindjen lexuesve të tyre se shumë të këqija politike në jetën tonë sot janë dhe vazhdojnë të mbahen si pasojë e heshtjes së elitës sonë mendore. Pse jo? Kur të parët e shkencës, të kulturës, të arteve, të arsimit nuk reagojnë si duhet e kur duhet më lehtë “lulëzojnë” shfytyrimet, papërgjegjësitë, keqpërdorimet në strukturat partiake dhe në institucionet shtetërore.

Në artikujt, sprovat dhe në vështrimet e tij të shumta, të botuara kryesisht në shtypin e Tiranës, Ago Nezha do të shkruajë prandaj për padrejtësitë e shumta, që e cenojnë drejtësinë, për përshtrirjen gjithnjë e më të dukshme të pabarazisë sociale, që cenon kohezionin shoqëror, për korrupsionin e pandalshëm që cenon idenë e moralit politik dhe demokracisë, për nepotizmin me të cilin favorizohen të paaftit dhe cenohen të aftit e të merituarit, për militantizmin, klientelizmin dhe popullizmin, që ia hapin rrugën autokracisë në parti e në shtet, për lokalizmat e ndryshme, që e cenojnë njësinë e përtashme dhe historike kombëtare. E të tjera e të tjera.

Nuk ka dyshim se të këqijat e sipërtreguara e kanë nxitur Ago Nezhën të thotë e të shkruajë: Ishim më mirë kur ishim më keq!

Dhe, nuk ka dyshim se të këqijat e sipërtreguara e kanë nxitur Ago Nezhën të krijojë togfjalëshin e shumëkuptimshëm kritik Shqipëria dhe krahinomania.

Prej të këqijave politike e të tjera mund të shpëtojmë vendin dukë i bërë të dukshme ato të këqija, kurse duke i bërë të dukshme nxisim njerëzit që të mos pajtohen me to, që të kërkojnë mënjanimin e tyre prej jetës dhe mënjanimin e prodhuesve të tyre prej pushtetit.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …