leoni

Prof. dr. Sabit Syla: DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHQIPËRISË - I

Prof. dr. Sabit Syla: DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHQIPËRISË – I

Një interes të veçantë në opinion publik shqiptar, paraqet qëndrimi i shtetit shqiptar i kohës së komunizmit ndaj çështjes së Kosovës. Hapja e arkivave shqiptare, ka sjellë një bollëk dokumentesh, një pjesë e mirë të panjohura më parë. Dokumentet e viteve ’50 dhe ’60 të shek. XX që po i ofrojmë lexuesit, pasqyrojnë në mënyrë të plotë dinamikën e qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, gjatë viteve në fjalë. Shteti shqiptar ka ndjekur në vazhdimësi politikën jugosllave në të gjitha drejtimet e saj karshi shqiptarëve e gjendjen e këtyre të fundit në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike. Këto dokumente janë përzgjedhur nga mijëra dokumente të hulumtuara në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme dhe dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 2008 – 2023. Për të ruajtur origjinalitetin e dokumenteve nuk kemi ndërhyrë.

 

                                                                  Pjesa e parë

-1-

Presion mbi shqiptarët në Jugosllavi për të ndërruar nënshtetësinë

  Tiranë, më 13.06.1950

Banda e spiunëve dhe e vrasësve të Beogradit e tërbuar nga dështimi i planeve të saj për të transformuar Republikën Popullore të Shqipërisë, ashtu sikundër bëri për Jugosllavinë, në një kryeurë dhe në bazë të agresioni të imperializmit amerikan për luftë kundër Bashkimit Sovjetik dhe demokracive popullore, nuk lënë gjë pa përdorur kundër popullit shqiptar dhe pushtetit të tij popullor për ta penguar atë në rrugën e shenjtë

 të ndërtimit paqësor të socializmit në vendin e tij. Programi politik i kësaj bande i diktuar nga qëllimet luftëdashëse të Departamentit të Shtetit, është të nxisë e të provokojë një luftë të re kundër Bashkimit Sovjetik e demokracive popullore duke shkelur për këtë qëllim të gjitha rregullat e marrëveshjet ndërkombëtare ose bilaterale. Në bashkëpunim me monarko-fashistët e Athinës dhe neofashistët e Romës, kjo klikë e degjeneruar dhe e urryer, me anë provokacionesh të armatosura në kufijtë e atdheut tonë, me anë shpifjesh, presionesh, spiunazh dhe aktesh diversioni të ngjashme me metodat e tipit hitlerian, përpiqet të vërë në jetë urdhëratë e padroneve të saj amerikanë. Por, kur shohin se edhe këto metoda fashiste provokuese dështojnë përpara vigjilencës së popullit tonë dhe forcës së pushtetit popullor, kriminelët titistë ashtu si i mbyturi që kapet pas gjarprit për të shpëtuar, përpiqen të sigurojnë njëfarë “suksesi” të çfarëdo lloji qoftë, edhe nga më të ulëtit, në favor të bankierëve të Well-Strelit për të justifikuar përpara këtyre milionat e dollarëve për armatime që këta u japin.

I tillë është suksesi që përpiqen të arrijnë terroristët e Beogradit me anën e presioneve që ata u bëjnë shtetasve shqiptarë në Jugosllavi për ta ndërruar nënshtetësinë. Që pas tradhtisë së klikës fashiste të Titos, atëherë kur politika e tyre armiqësore kundrejt popullit shqiptar u bë më e egër, një numër shtetas shqiptarë, shumica e të cilëve ishin instaluar në Jugosllavi përpara Luftës së Dytë Botërore, kërkuan të riatdhesohen në vendin e tyre të lindjes, në mëmën Shqipëri, e cila, e udhëhequr nga Partia dhe marksisti i shquar i saj, shoku Enver, i qëndroi besnik fitoreve të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, duke goditur ashpër ndërhyrjen trockiste jugosllave në punët e shtetit e të Partisë sonë me anën e agjentëve e titistëve të kryesuar nga kryebanditi, Koci Xoxe.

Kërkesave të shtetasve shqiptarë për t’u riatdhesuar banditët e Beogradit, agjentët e UDB-së, u janë përgjigjur me presione, shantazhe e masa diskriminuese nga më çnjerëzoret. Metodat e tyre për të mos i lejuar të riatdhesohen dhe për t’i bërë të merrnin nënshtetësinë jugosllave, janë të shumëllojshme. Ndërsa, pjesën më të madhe të kërkesave për lejekalimi, kriminelët titistë nuk u përgjigjen, ndërkohë ata thërrisnin shtetasit shqiptarë në seksionet e UDB-së, ku në qelitë e vdekjes i shtrëngojnë të pranojnë nënshtetësinë jugosllave. Dhe kur me gjithë presionet e kërcënimet e mercenarëve të Rankoviqit, shtetasit shqiptarë nuk pranojnë të marrin nënshtetësinë jugosllave, atëherë me pretekstin më qesharak aq sa edhe të turpshëm, të akuzuar “për spekulim”, këtyre shtetasve u konfiskohen edhe mjetet më të thjeshta të punës që u nevojiten për jetesë, i ndalojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit, i akuzojnë për “ta papunë e parazitë”, dhe iu tërheqin triakat e ushqimit, veshmbathjes e të bukës, duke i lënë me gjithë fëmijë në mes të katër udhëve. Por, ka edhe metoda më të perfeksionuara, në praktikë dhe të lehta për t’u aplikuar nga këta banditë në saje të të cilave ata shpërblehen si novatorë. Ja p.sh. agjentët e UDB-së duke njohur mirë se cilët janë shtetas shqiptarë, iu kërkojnë kartën e identitetit dhe në vërejtje iu shënojnë “mori nënshtetësinë jugosllave”. Por, në zbatimin e kësaj praktike të poshtër e të pashembullt, përveç se në shtetet krejt fashiste, këta hajdutë me lëkurë njeriu që kërkojnë të vjedhin edhe njerëzit, kanë gjetur përgjigjen e merituar të shtetasve shqiptarë të cilët duke mos harruar për asnjë çast mëmën e tyre që i lindi dhe i rriti, kanë deklaruar: “Ne jemi shqiptarë dhe duam të vdesim shqiptarë”. Më kot klika fashiste e Beogradit përpiqet të shndërrojë nënshtetësinë e shqiptarëve në Jugosllavi. Presionet dhe shantazhet e kësaj klike nuk mund të trembin shtetasit shqiptarë të cilët të Tito shohin armikun më të egër e më të betuar të popullit shqiptar dhe të popujve vëllezër të Jugosllavisë.

Qëndrimi i shtetasve shqiptarë përpara metodave më të egra të bandës së Titos për të ndërruar nënshtetësinë e tyre, tregon se sa e zjarrtë është ndjenja e atdhedashurisë e këtyre shtetasve dhe dëshira e tyre për t’u riatdhesuar sa më shpejt, tregon shtypjen dhe kërcënimet e padurueshme që u bëhen atyre nga spiunët e katilit Rankoviq. Por, dëshira e tyre e zjarrtë për t’u riatdhesuar në vendin e tyre të lirë e të lumtur tregon edhe gjendjen e mjerueshme ekonomike në të cilën e ka katandisur sot Jugosllavinë klika trockiste e Beogradit, duke i vënë gjithë pasurit e nëntokës në duart e trusteve dhe monopoleve kapitaliste amerikane dhe duke e kthyer Jugosllavinë në një koloni të Shteteve të Bashkuara. Kjo gjendje territori dhe shfrytëzimi të pa fre që ushtrohet sot nga gjakpirësit më të egër të popujve të Jugosllavisë po e shton çdo ditë urrejtjen e masave të gjëra punonjëse të popujve jugosllavë, kundër kësaj klike dhe me luftën e tyre të organizuar që po vjen çdo ditë duke marrë proporcione të gjëra dhe ato do të mundin ta bëjnë copë e thërrime këtë qen të imperializmit në Ballkan e në Evropë dhe ta kthejnë përsëri Jugosllavinë në kampin e paqes e të socializmit, në kampin e vëllazërimit midis popujve. Shtetasit shqiptarë në Jugosllavi që shohin dhe vuajnë metodat më të egra të këtij terrori dhe shfrytëzimi të pa fre, nuk do të përulen kurrë përpara kërcënimeve dhe nënshtrimeve të satrapëve të Rankoviqit për të ndërruar nënshtetësinë e tyre. Nuk do të jetë e largët dita kur xhelatët titistë do të japin llogari para popujve të Jugosllavisë dhe të drejtat e shtetasve të huaj të marra nëpër këmbë do të rivendosen.

14/06/1950                                                                                                       Meleq Babani

-2-

 

Projekt note verbale, sekretariatit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Nju Jork[1]

                                                                                                                    

            Me urdhër të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, kam nderin të vë në dijeninë tuaj për sa më poshtë vijon: Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë është vënë në dijeni se në kohët e fundit, klika fashiste e Beogradit, po i shton gjithnjë e më shumë masat e saja terroriste kundrejt popullit shqiptar të Kosovës, Metohisë dhe Maqedonisë. Qeveria Jugosllave e frymëzuar nga ndjenjat nacionaliste dhe shoviniste të përdoruesit, ka vazhduar të përdor humbjet e popullit shqiptar të Kosovës e Metohisë, e Maqedonisë, një politikë terrori dhe shfarosjeje që ia ka kaluar edhe asaj të dinastisë së krajlëve serbë. Me shekuj organet e UDB-së jugosllave ushtrojnë një terror dhe masakrime të pashembullta mbi popullatën liridashëse shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, që i a kalojnë edhe barbarizmave më të mëdha që kryheshin nga Gestapoja gjatë okupatorit fashist. Me mijëra shqiptarë të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, burgosen për as më të voglën arsye.

            Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë e indinjuar thellësisht, konstaton se kjo politikë terrori, masakrash, burgosjes dhe vrasjesh që ushtrohet nga ana e Qeverisë jugosllave dhe organeve të saj kundër popullsisë shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe të Maqedonisë, kryhet në bazë të një plani të parapërgatitur që ka për qëllim shkombëtarizimin dhe zhdukjen e kësaj popullsie shqiptare. Plani për shkombëtarizimin dhe zhdukjen e popullsisë shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, i është besuar një grupi xhelatësh që sot janë në krye të Qeverisë jugosllave, si p.sh. Vukmanoviç Tempo, Llazar Kolishevski, gjenerallejtënant Svetko Uzmanovski, Sava Jaksimoviqit, etj. Kjo politikë terrori, masakrash, persekutimesh dhe vrasjesh, përbën shkeljen më brutale të të drejtave themelore të minoritetit kombëtar shqiptar që banon në Kosovë e Metohi dhe Maqedoni, dhe është në kundërshtim flagrant me politikën nacionale, me të drejta ndërkombëtare, si edhe me frymën dhe qëllimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Të gjithë popujt e qytetëruar të botës, kanë dënuar këto akte dhe metoda të paprecedentë, kur Gjermania naziste gjatë Luftës II Botërore i aplikonte të njëjtat akte dhe metoda kundrejt minoriteteve nacionale në vendin e saj.

            Qeveria jugosllave me qëllim që të shkombëtarizojë dhe të zhduki popullsinë shqiptare të Kosovës, Metohisë dhe Maqedonisë ka përdorur të gjitha format dhe metodat më të poshtra dhe antinjerëzore të cilat konsistojnë, më sa më poshtë vijon:

  1. Qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, udhëheqja jugosllave me qëllim që të realizonte planet e saja kriminale në shkombëtarizimin dhe zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, e largoi popullin shqiptar të këtyre krahinave që të merrte pjesë totalisht në luftën e përbashkët kundër okupatorëve nazifashistë. Politika e udhëheqjes jugosllave kundrejt shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, predominohej nga ndjenja nacionaliste karshi shqiptarëve. Udhëheqja jugosllave i shikonte masat shqiptare me armiqësinë e shovinistëve serbomedhenj. Politika e udhëheqjes jugosllave nuk bëri asgjë për të zhdukur divergjencat dhe armiqësitë e vjetra të nxitura nga regjimet e vjetra, kurse në të kundërtën me qëllim i shtoi dhe i thelloi akoma më tepër këto armiqësi, duke propaganduar në popullatën malazeze që jetojnë në Kosovë, se shqiptarët e Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, janë reaksionarë. Në kundërshtim sa më sipër, pjesa e serbo-malazezve që jetojnë në Kosovë, konsiderohej nga udhëheqja jugosllave e gjitha e lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, pa bërë dallime ndërmjet pjesës së këtyre që ishin agjent dhe çetnikëve të okupatorëve fashist italianë dhe gjermanë si edhe të Drazha Mihajloviqit që luftojnë kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare Jugosllave si rrjedhim i kësaj politike kriminale, elementi serbo-malazez vazhdoi edhe në këtë kohë hakmarrjet dhe masakrat dhe krimet karshi popullatës shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe të Maqedonisë. E njëjta politikë, terrori dhe shfarosje, u zbatua nga udhëheqja jugosllave edhe kundrejt elementit shqiptar të Kosovës e Metohisë dhe Jugosllavisë që bënte pjesë në njësitet Nacionalçlirimtare Jugosllave, dhe që luftuan me armë në dorë kundrejt okupatorëve fashistë italianë dhe gjermanë, bënë pretekste të ndryshme false, si p.sh. se “derisa të vritnin komandantin e njësisë ushtarake” etj., etj., vrasjet e masakrat vazhdojnë edhe në ushtrinë kundrejt shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe të Maqedonisë. Udhëheqja jugosllave për t’ia arritur sa më mirë qëllimeve të saja antinjerëzore në zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe të Maqedonisë, përdori më në fund taktikën e largimit të njësive ushtarake të përbëra prej shqiptarëve për në frontet e tjera, si në Banat, Srem e Baçka, në mënyrë që të mos ishin në Kosovë e Metohi dhe Maqedoni, me qëllim që do të mbeten njësit serbo-malazez në Kosovë e Metohi dhe Maqedoni, çdo eliminim i shqiptarëve do të ishte më i lehtë, dhe nga ana tjetër, vrasjet e masakrat ndaj elementit shqiptar që bënte pjesë në njësitet e Ushtrisë Nacionalçlirimtar Jugosllave do të kryheshin më lehtë me largimin e tyre nga Kosova e Metohia dhe Maqedonia.

            Politika nacionaliste-shoviniste e klikës së Titos, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ndaj elementit shqiptar të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë nuk ishte gjë tjetër veçse vazhdimi i politikës së regjimeve të kaluar të krajlëve Karagjorgjeviq, e mbuluar me maskën e Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

  1. Politika nacionaliste-borgjeze ­­­­­­­­­­­­­e grupit Tito për zhdukjen në masë e më se 800 000 shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, vazhdoi me një ritëm akoma më të madh në periudhën e pas çlirimit. Plani i tyre nga një anë përfshinte, zhdukjen e popullsisë shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, dhe nga ana tjetër kthimin e RP të Shqipërisë në një koloni jugosllave. Klika nacionaliste-shoviniste e grupit për arritjen e qëllimeve të saja ka përdorur dhe po vazhdon të përdor format e metodave dhe mjetet më të poshtra të luajtura nga nazistët gjermanë në zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës e Metohisë e Maqedonisë. Me mijëra shqiptarë të Kosovës e Metohisë, e Maqedonisë, të pafajshëm janë pushkatuar në masë ilegalisht pa gjyq nga organet e UDB-së të Qeverisë jugosllave. Qysh në fillim të tetorit 1944, dhe në muajt e ardhshëm, reparte të veçanta të UDB-së jugosllave, hynin nëpër fshatrat me popullsi shqiptare dhe vritnin me qindra shqiptarë të këtyre krahinave. Kështu p.sh. në rrethinën e Gostivarit vranë përmbi 150 veta, 80 veta në rrethin e Tetovës, 100 veta në krahinën e Kërçovës, 800 veta në Derven të Shkupit, 200 veta u pushkatuan afër Prishtinës në vendin e quajtur Tomboce, 2 000 veta u pushkatuan nga qyteti i Mitrovicës dhe katundet përreth, në qytetin e Vuçitërnës u vranë 400 vetë etj., etj. Në këto masakra të pashembullta të popullsisë shqiptare të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë ka marrë pjesë edhe agjenti i Qeverisë së Jugosllavisë në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhtari Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945. Kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së jugosllave që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq në token shqiptare, më tepër se 1 000 shqiptarë të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, të pafajshëm. Metodat e përdorura në vrasjen e elementit shqiptar, janë nga më të poshtrat dhe më kriminalet. Shumë njerëz që i merrnin për të pushkatuar, i kanë futur të gjallë nëpër gropa, i kanë therur me bajoneta dhe i kanë fshehur nëpër gropa të ndryshme dhe plehra, u kanë prerë njerëzve pjesë të trupit derisa u ka dalë shpirti, i kanë djegur për së gjalli, i kanë përvëluar me ujë të nxehtë kokat e të vrarëve, i kanë përshkruar, nëpër hunj dhe i kanë vënë në gardhe për të terrorizuar popullin etj., e krime të këtij lloji.
  2. Banda fashiste Tito-Rankoviq, si agjenturë e vjetër e imperializmit dhe e fashizmit, për zhdukjen ne masë të shqiptarëve të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, ka përdor edhe sëmundjet bakteriologjike, të ndaluara kryekëput nga Konventa dhe marrëveshje ndërkombëtare. Nëpër kampet e përqendrimit, dhe nëpër burgjet, ku organet e UDB-së jugosllave kishin mbyllur shqiptarët e Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, me qëllim që të shfarosnin sa më parë, kanë përhapur sëmundje bakteriologjike, si: tifoja e morrit, (tifo ekzantematik) etj. Kapiteni i OZNAS (UDB) jugosllave, Pepe Jovanovski, kishte krijuar në zonat e banuar nga shqiptarët një burg special me sëmundje të tifos së morrit. Vetëm nga ky burg kanë gjetur vdekjen përmbi 300 shqiptarë, dhe me qindra të tjerë të infektuar nga këto baktere të hedhura dhe të përhapura me qëllim, kanë gjetur vdekjen nëpër kampet e përqendrimit dhe nëpër burgjet e tjera.

            Jeniçerët e Rankoviqit, për të përmbushur si më parë fillimet e tyre çnjerëzore në zhdukjen e elementit shqiptar të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë, nuk u mjaftuan me përhapjen e këtyre sëmundjeve bakteriologjike vetëm nëpër kampe dhe nëpër burgje, por ata, me qëllim që nga kjo sëmundje të përfshihen sa më shumë nga popullsia shqiptare e Kosovës e Metohisë e Maqedonisë, lironin nga burgu me qëllim njerëz të prekur nga kjo sëmundje dhe i dërgonin nëpër fshatrat e tyre të banuar krejtësisht nga elementi shqiptar. Si rezultat, me qindra shqiptarë të pafajshëm, gjetën vdekjen të infektuar nga sëmundja e tifos së morrit.

-3-

 

Ministria e P. Brendshme                                                   V.F.L.P

Drejtoria e Sig. Shtetit                                            Tiranë, më 11/II/52

Reparti 2001

Relacion

Mbi arsyet që neve mendojmë të kemi punëtorë operativë të Degës tonë për degët dhe seksionet buzë kufitare[2]

 

Nga eksperienca e deritanishme mbi drejtimin e gjithë punës nga qendra, neve nuk kemi mundur të shfrytëzojmë pothuajse fare kanalet kundërzbulimit të organeve buzëkufitare e për interes të informacionit, kanale këto që mund të na japin shumë përfitime.

  1. Siç dihet, agjenturat jugosllave dhe greke kanë përdorur dhe përdorin vazhdimisht një shumicë të konsiderueshme emigrante shqiptare që ndodhen në vendet e tyre, me qëllim për të shfrytëzuar rrethin familjar dhe shoqëror të këtyre emigrantëve dhe t’i vënë në shërbim të agjenturës së tyre, si në rrethet buzëkufitare dhe në thellësi të Shqipërisë. Mirëpo, nga të dhënat që kemi neve deri më sot, rezulton se pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve që përdorën kundër vendit tonë, jo vetëm që nuk janë të vendosur t’ju shërbejnë agjendave të mësipërm, porse shumë prej tyre kërkojnë shpeshherë mënyra për t’u larguar nga ajo punë dhe kur gjejnë rast kërkojnë t’u dorëzohen organeve tona.

 Këto lëkundje dhe pavendosmëri të këtyre emigrantëve, përfaqësojnë një bazë mjaft me rendësi për punën tonë dhe na japin neve mundësi të rekrutojmë nga këta njerëz dhe t’i përdorim kundër armikut në interes të punës tonë e cila është shumë e vlefshme dhe frytdhënës. Me një punë të këtillë, neve do të jemi në gjendje, jo vetëm të marrim informatat që na interesojnë mbi shtetet armiq rreth nesh, por do të zbulojmë metodat e organeve agjenturiale të këtyre vendeve, synimet e tyre për të ngritur agjenturën në vendin tonë dhe agjentët që ata kanë në vendin tonë aktualisht.

Si shembull për këtë, shënojmë grupin “Sharri” të cilët ishin arratisur në Jugosllavi qysh nga 1948-1949 dhe që UDB-ja i përdorte kundër vendit tonë në drejtim të Kukësit. Por mbasi qenë të penduar, marrim lidhje me këta të cilët rekrutuan. Ata punuan sinqerisht për ne dhe na dhanë mjaft material të çmueshëm mbi situatën në Jugosllavi e sidomos për punën e komitetit të kriminelëve dhe organizimin e këtyre. Siç shihet më sipër, këta “emigrantë” janë burim mjaft i mirë për punën tonë, por që t’i shfrytëzosh këto, duhet që t’i kesh oficerët operativë poshtë, të cilët studiojnë bazat e këtyre, lidhjet me rrethin familjar, e kështu të krijohen konditat për të marr lidhje me ata dhe për t’i venë në shërbimin tonë.

Për më tepër, kemi pasur raste, kur kanë dashur të dorëzohen njerëz që përdor UDB-ja kundër nesh dhe që kanë pasur kredi të madhe te armiku, sikurse që është rasti i grupit prej tre vetash: Taip Shiroka, Ernest Kraja e Musa Rexhepi, të cilët i kishte rekomanduar kryeministri i Malit të Zi, Bllazho Jovanoviq, si besnikët e tij që i kishin shpëtuar jetën dhe iu kishte dhënë nga 10 000 dinarë. Kur këta tentuan të dorëzoheshin, megjithëse i kishin të gjitha mundësitë të mbaheshin sekret e të viheshin në shërbimin tonë, Dega e Shkodrës pa menduar fare për punën tonë i mori në Shkodër duke i djegur për neve. Ky rast i krijuar vet, për të cilin neve punojmë me muaj të tërë, u prish vetëm nga pakujdesia e kryetarit të Degës dhe për arsye se mungojnë shokët tonë poshtë.

  1. Nga eksperienca që kemi, vërtetohet se rreth buzës së kufirit, si nga Jugu ashtu edhe nga Veriu, ka shumë njerëz që kanë lidhje familjare dhe rrethe shoqërore përtej kufirit në Jugosllavi dhe në Greqi. Ka nga këta persona që po të gjenden e të studiohen mirë, shumë kollaj mund të merret lidhja me njerëzit e tyre përtej kufirit dhe të vihen në shërbimin tonë dhe sidomos gjenden njerëz që jo vetëm të punojnë me ne, por dhe të vijnë në tokën tonë për të sjellë informata në mënyrë të atillë që lidhjet të bëhen në tokën tonë dhe mos të jetë nevoja më vonë për t’i dërguar grupet tona për të marrë lidhje me këta njerëz. Nga ana tjetër, nga ky lloj elementi i buzëkufirit që kanë lidhje përtej, mund të gjenden shumë veta që të dërgohen andej në mënyrë legale (për të qëndruar në tokat dhe për të bërë punën tonë).

***

Prandaj, krahas me punën kryesore të qendrës, është i domosdoshme shfrytëzimi i mundësive që ekzistojnë në periferi. Nga sipër neve e shohim të nevojshme që për të kryer detyrat si duhet dhe për t’i shfrytëzuar mundësitë për punën tonë buzëkufirit, vendosin punëtorët tonë operativë nëpër degët dhe seksionet buzëkufitare nën vartësinë direkte të kryetarit të Degës ose shefit të Seksionit, si më poshtë.

Për Sektorin e Veriut 6 (gjashtë) veta: një (1) në Shkodër, një (1) në Tropojë e kemi, një (1) në Kukës, një (1) në Peshkopi, një (1) në Librazhd nën vartësinë e Elbasanit, një (1) në Pogradec. Për Sektorin e Jugut 6 (gjashtë) veta: një (1) në Korҫë, një (1) në Kolonjë, një (1) në Përmet, dy (2) në Gjirokastër, një (1) në Sarandë. Për plotësimin e kuadrove që shënuam më sipër, neve do të dërgojmë 8 (tetë) nga këta kuadro që kemi në qendër, kështu që do të duhen vetëm 4 (katër) veta.

Detyra e punëtorëve operativë

Punëtorët tonë operativë që do të jenë vartës nëpër degë ose seksionet buzëkufitare, do të veprojnë në bazë të këtyre dispozitave:

  1. Në organizimi sistematik dhe të thellë kundër Jugosllavisë dhe Greqisë nga ana e degëve ose seksioneve buzëkufitare, të përfshihen në organikën e këtyre (degëve ose seksioneve) edhe punëtorët tanë operativë, të cilët varen nga kryetari ose shefi i seksionit në këtë vend.
  2. Kryetari ose shefi i seksionit MPB (në periferi), mbanë përgjegjësinë personale për organizimin dhe kryerjen e punës së çlirimit në rrethin kufitar në zonën e tyre.
  3. Kryetari ose shefi i seksionit, detyrohet të drejtojë e organizojë punën operative të punëtorit operativ të Drejtorisë I në përputhje të udhëzimeve të degëve përkatëse.
  4. Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë në Degën I (d.m.th. të informacionit) do të kryhen vetëm me pëlqimin e kryetarit të degës dhe me sanksionimin e udhëheqjes së Ministrisë.
  5. Kryetari ose shefat e seksioneve, detyrohen të japin llogari herë pas here mbikëqyrjes së Ministrisë nëpërmjet Degës I, për punën e kryer në drejtim të zhvillimit.
  6. Detyrat e punëtorëve operativë konsistojnë: Në gjetjen, studimin dhe krijim e aparatit agjenturial të aftë, të pretendojnë në aparatin qeveritar të partive, ushtrisë, ministrive të p. brendshme, në qendrat me rendësi sekrete dhe në komitetet e qendrat e emigracionit shqiptar që ndodhet në këto vende, me qëllim për t’i zbuluar planet e tyre dhe për të marrë informata sa më të sakta, për të gjitha qëllimet armiqësore dhe përgatitjet ushtarake të Qeverisë jugosllave e greke dhe të partnerëve të tyre amerikano-anglezë që përgatisin kundër Shqipërisë dhe vendeve të tjera të socializmit. Për këtë qëllim punëtori operativ duhet t’i kryej këto detyra:
  7. Të studiojë dhe të zbulojë pareshtur mundësit reale për organizimin e punës së zhvillimit në drejtimin që ai ngarkohet. a) Për t’ia arritur këtij qëllimi duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që ekzistojnë në rreth me ndihmën konkrete të kryetarit të degës ose shefit të seksionit. b) Në bazë të mundësive të zbuluara, të realizojë një varg rekrutimesh për agjentë rekrutues, ndërlidhës dhe të thjeshtë, të bëjë edukimin dhe drejtimin e tyre që kanë mundësi për zbulim dhe aftësi për këto punë dhe të arrijë ngritjen e agjenturës tonë në tokën jugosllave dhe greke. c) Të organizojë punën sistematike dhe të thellë në agjentin që ka rekrutuar, duke krijuar për këtë qëllim baza të përgatitura mirë dhe shumë sekrete në të dy anët e kufirit (si në tokën tonë e në atë të armikut). ҫ) Të organizohet puna sistematike për të gjithë personat që vijnë nga toka e shteteve fqinjë, që kapen ose dorëzohen, për procedimin sa më të mirë të tyre në mënyrë që t’u merren informata të vlefshme mbi çdo gjë që ata janë në dijeni. d) Me qëllim të kompensimit dhe organizimit të punës sa më të mirë, punëtori operativ i Degës I, duhet t’i zgjidh të gjitha punët që i dalin përpara, vetëm me kryetarin e degës ose shefin e seksionit. Në rast mungese të këtyre (kryetarit ose shefit), punëtori operativ kërkon udhëzime dhe zgjidh çdo problem duke marr udhëzime drejtpërdrejt nga kryetari i Degës I në qendër. dh) Të gjitha dokumentet e punës mbi Degën I do të kryhen veçmas nga sektorët e tjerë të degës ose seksionit dhe do të përpilohen vetëm nga punëtori operativ i këtij sektori. Për këtë, punëtori operativ poshtë do të ketë një zyre krejt në vete nga sektorët tjerë etj.

Shënim: Këtyre punëtorëve operativë që do të shkojnë poshtë nuk do t’u jepet asnjë punë që është ngritur deri tani, e cila do të drejtohet si deri më sot drejtpërdrejt nga qendra.

Komandanti i Repartit 2001

    Nënkolonel

       (Zoi Themeli)

 

-4-

Republika P. e Shqipërisë                                                                             V. F. L. P

Ministria e Punëve të Brendshme                                                       Tiranë, më 19/II/1952

Drejtoria e Sig. Shtetit

Reparti Nr. 2001

Nr. 7

 

Buletin i përditshëm informativ

Seksioni: Jugosllavi

Grupi “8 Nëntori”, që kaloi në drejtim të Gjakovës u kthye më datën 17.02.1952, dhe na informoi për sa më poshtë: Në Kosovë nuk është vërtetuar asnjë lëvizje ushtarake, përveç forcave që kanë qenë gjatë periudhës së verës. Në qytetin e Prizrenit e të Gjakovës ka një numër të vogël të arratisurish nga ata që UDB-ja përdor kundër vendit tonë. Me këto nuk është konstatuar që UDB-ja të bëjë ndonjë të organizuar politik dhe organizativ.

            Në janar të vitit 1952 në një ditë feste në katundin Irsniq të rrethit të Pejës, ka ardhur një i arratisur shqiptar, i cili në mes tjerash, ka thënë: “Populli shqiptar po vuan nën regjimin e sotshëm dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar ndihmën e popullit kosovar për çlirimin e Shqipërisë”. Kjo mbledhje ka qenë spontane, gjithashtu dhe shprehjet e të sipërmit.

            Informatat e sipërme i kemi nga agjentët “Lushja dhe Rapi”, të cilëve mund t’u besohet plotësisht.

U shtyp në katër kopje, prej të                              Komandanti i Repartit Nr. 2001

cilave e para i dërgohet komandantit,                          Nënkolonel, Zoi Themeli

e dyta gjenerallejtënantit M. Shehut,

e treta kol. Kadri Hazbiut,

e katërta ngelet në Arkivin e kësaj Dege.

Konc. XH. Krifos. Dakt. N. Shehu

 

-5-

 

Drejtorisë së Sigurimit Shtetit

                                             Kolonel (Kadri Hazbiut)

Sektori III i Shkodrës na njofton se më datën 17.03.1952, në orën 05:00 (të mëngjesit), u vra nga forcat jugosllave zbuluesi civil i këtij sektori, Veli Telaj, nga katundi Goric e lokalitetit Muriqan, i cili së bashku me një grup zbulues shkonte me detyrën tonë në tokën jugosllave. Pjesa tjetër e grupit, nuk ka pësuar gjë.

Me sa informohemi, familja e ka marrë vesh vrasjen e tij, por nga ana jonë nuk është thënë gjë. Mendojmë që t’i thuhet familjes së tij, se ajo ka kuptuar se ku nisej matanë me shërbim.

Presim si të veprojmë.

Tiranë, më 18/III/952                                  Shef i Degës së Zbulimit të Kufirit

Kapiteni I                                                   Raqi Zavalani

 

-6-

 

Nr. 1555/953

Notë verbale

Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë në Budapest, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë, ka nderin t’i komunikojë Legatës së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë në Budapest sa vijon, për t’ia transmetuar Qeverisë së Republikës Federative të Jugosllavisë.

            Duke ndjekur politikën e saj paqedashëse dhe të relatave së fqinjësisë së mirë dhe me qëllim që të kontribuojë në ruajtjen dhe forcimin e paqes në Ballkan, si dhe në uljen e tensionit ndërkombëtare, Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë e gjen me vend t’i propozojë Qeverisë së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë rifillimin e marrëdhënieve diplomatike normale midis dy vendeve të ndërprera me iniciativën e Qeverisë jugosllave me notën Nr. 421209, datë 11 nëntor 1950.

            Në rast se Qeveria jugosllave është dakord me këtë propozim, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë është e gatshme të marrë në shqyrtim çështjen mbi çeljen e përfaqësive diplomatike respektive në Beograd dhe Tiranë.

            Legata e Republikës Popullore e Shqipërisë përfiton nga rasti t’i përsërisë Legatës së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë sigurimet e konsideratës së saj.

Budapest, më 5 nëntor 1953

 

 

-7-

 

Republika Popullore e Shqipërisë

Tiranë, më 4/1/1955

Ministria e P. Brendshme

Sekretarit I të Komitetit Qendror R. P. Shqipërisë, shokut Enver Hoxha

Relacion

 

Mbi politikën e shkombëtarizimit të Qeverisë jugosllave në minoritetin shqiptar në Jugosllavi

Nga të dhënat që kemi prej agjenturës, nga deponimet e thyesave të kufirit, nga shtypi dhe kontrolli i korrespondencës, rezulton se Qeveria jugosllave po ushtron në minoritetin shqiptar një politikë shkombëtarizimi e cila konsiston:

  1. Në shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia për në Turqi. Qeveria jugosllave që nga viti 1953 me anën e agjenturës dhe formave të tjera ka detyruar deri tani një pjesë të minoritetit shqiptar për ta shpërngulur atë për në Turqi. Si rezultat i kësaj pune gjatë viteve 1953/1954, janë larguar për në Turqi, nga rrethet e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Tetovës, Gostivarit, si dhe nga fshatrat e Zhupës së Sipërme e të Koxhaxhikut të Dibrës së Madhe, rreth 5 000 vetë, kurse nga fshati Elefc i Dibrës, i cili përbëhet prej 170 shtëpish, kanë ikur 40 familje dhe 20 të tjerë janë përgatitur për të ikur. Gjithashtu, me mijëra persona kanë ikur edhe nga Manastiri, Prilepi, Resnja etj. Së bashku me shqiptarët e shpërngulur, janë larguar edhe persona të tjerë që kanë qenë të turqizuar. Ndërsa, nga Kosova largimet janë të kufizuara. Familjet që kërkojnë të largohen për në Turqi, më parë shkojnë në Maqedoni dhe prej këndej kalojnë për në Turqi. Por, ka pasur raste që kanë shkuar edhe drejt për në Turqi, si p.sh. nga Kaçaniku.

            Për largimin e shqiptarëve nga Jugosllavia, del edhe nga kontrolli i korrespondencës, p.sh.: Nasuf Mustafa në letrën që i drejton mikut të tij në Shqipëri shkruan: “… Për një kohë shumë të shkurtër s’ka për të mbetur asnjë shqiptar këtu, do të shkojnë që të gjithë në Turqi. Në bazë të lejeve që u lëshon Qeveria e këtushme, Turqia i pranon. Këto kohët e fundit janë shpërngulur rreth 40 familje”. Në një letër që vinte nga Maqedonia për në Shqipëri thuhej se: “…deri tani kanë ikur 2 000 familje dhe në lagjen tonë nuk ka mbetur asnjë njeri, dhe unë së shpejti do iki për në Turqi”. Të tilla letra ka shumë që flasin për largimin e shqiptarëve për në Turqi.

Arsyet që i detyrojnë shqiptarët për t’u larguar në Turqi janë: a) Shtypja nacionale, grabitja e tokave, taksat e rënda dhe papunësia. b) Propaganda se gjoja myslimanët janë turq dhe si të tillë më mirë të shkojnë në Turqi. c) Në Turqi rrohet shumë mirë etj. Këtë propagandë e bëjnë delegacionet që shkojnë e vijnë për vizitë në Turqi. ç) Në këtë drejtim po zhvillon një punë të madhe edhe konsullata turke në Shkup. d) Rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë, nga papjekuria politike e popullsisë shqiptare, nuk e kanë pritur mirë për shkak se e shohin të largët dhe me pesimizëm zgjidhjen e tyre nacionale.

  1. Në fillim të vitit 1953, me rastin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë e Maqedoni, shumë familje kundër dëshirës së tyre dhe të mashtruar nga nëpunësit jugosllavë janë regjistruar me kombësi turke. Familje të tjera që mbajnë kombësinë shqiptare, që imponohen nga konditat e sipërme për të shkuar në Turqi, janë të detyruar më parë të marrin kombësinë turke, për të cilën mjaftojnë dy dëshmitarë për të deklaruar se personi është turk. Për heqjen e nënshtetësisë jugosllave paguajnë 20 000 dinarë.
  2. Po për këtë qëllim, Qeveria jugosllave që nga viti 1951/52 ka hapur shkolla turke, të cilave u ka kushtuar kujdes të veçantë për të grumbulluar sa më shumë nxënës nga minoriteti shqiptar. Të tilla shkolla janë hapur në: Shkup, Manastir, Tetovë, Prizren, Prishtinë e gjetkë. Ndërsa, për shkollat shqipe jo vetëm që nuk ka asnjë interesim, por punohet për eliminimin e tyre. Shkollat janë të pamjaftueshme, arsimtarët me eksperiencë me pretekste të ndryshme i kanë larguar duke i zëvendësuar me persona që nuk kanë mbaruar shkollën fillore, nuk zhvillohen lëndë mbi gjeografinë dhe historinë e Shqipërisë. Nga statistikat e nxjerra prej shtypit, rezulton se vetëm në Kosovë ka 303 mijë analfabetë, ndërsa në rrethin e Ferizajt 1 500 nxënës nuk kanë ndjekur fare shkollat dhe nga ata që kanë ndjekur këto 1 450 nuk kanë kaluar klasën (kjo për vitin 1954).
  3. Terrori ka qenë një masë tjetër që Qeveria jugosllave ka marrë në këtë drejtim. Kjo karakterizohet nga numri i madh i njerëzve që janë në burgje si dhe vrasjet p.sh.: në gushtin e vitit 1954 UDB-ja vrau katër arsimtarë në afërsi të kufirit tonë, për të cilët ekzistonin mundësi të plota për t’i kapur. Në burgun e Prishtinës në fillim të vitit 1954 ka pasur rreth 500 të burgosur, nga të cilët vetëm 10 kanë qenë serbë e malazezë, kurse të tjerët shqiptarë. Në burgun e Indrizoves në Shkup, nga 3 000 të burgosur më se gjysma kanë qenë shqiptarë.
  4. Për sa sipër, influencon edhe gjendja e keqe ekonomike e popullsisë shqiptare. Bujqësia vazhdon të jetë në gjendje primitive, kështu që krahina e Kosovës ka prodhuar në vitin 1954 vetëm 25% të nevojave të saja në drithë. Disproporcioni midis çmimeve bujqësore që janë shumë të lira në krahasim me ato industrialet, taksat e rënda, kanë bërë që fshatari shqiptar të shes kaun e parmendës për t’u ushqyer. Një numër i madh nga këta, kanë braktisur fshatin e bredhin nëpër qytete të ndryshme të Jugosllavisë për të gjetur çfarëdo pune.

Si rrjedhim i kësaj, në popullsinë shqiptare gjendja shëndetësore është keqësuar mjaft p.sh. në qytetin e rrethin e Prizrenit, nga 521 persona të vdekur në gjashtëmujorin e parë të vitit 1954, 214 kanë qenë fëmijë. Po kështu, nga 1 609 fëmijë të lindur gjatë vitit 1954 në Prizren 1956 (shihe edhe njëherë numrin) kanë lindur pa ndihmën e mjekut. Në Gjakovë ka një mjek për 3 000 punëtorë e nëpunës të siguruar. Nga të dhënat që disponojmë kohët e fundit, rezulton se edhe nga të arratisurit shqiptarë që janë në Jugosllavi, po përgatiten të shkojnë në Turqi. Aktiviteti i Qeverisë jugosllave në drejtim të shkombëtarizimit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, kohët e fundit ka marrë përpjesëtime të gjera dhe organet tona të zbulimit politik kanë mundësi të bëjnë një punë sqaruese në radhët e tyre për të penguar emigrimet për në Turqi.

Ministri i Punëve Brendshme

Gjeneralmajor, Kadri Hazbiu

 

-8-

 

Legation

De La Republique Populaire D’Albanie                           Beograd, më 17/4/1955

Belgrad

N 78                                                                                         Ministrisë së Punëve të Jashtme

                                                                                                       Degës II, Tiranë

Mbi minoritetin shqiptar në Jugosllavi

Përveç sa ju kemi njoftuar me relacione e njoftime të ndryshme mbi minoritetin shqiptar në Jugosllavi, nëpërmjet shtypit e literaturës jugosllave, personave të ndryshëm që kanë frekuentuar këtë Legatë si dhe konstatimeve tona personale, kemi mundur të mësojmë edhe sendet e më poshtme mbi këtë minoritet:

  1. Mbi ndarjen administrative: Siç dihet minoriteti shqiptar në Jugosllavi që banon në Kosovë, përbën Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë brenda në Republikën e Serbisë, kurse pjesa tjetër e këtij minoriteti është në përbërjen e Maqedonisë e Malit të Zi. Në baze të të dhënave statistikore jugosllave, në Jugosllavi gjithsej minoriteti shqiptar merr numrin 750 483, nga të cilët në Kosovë e Metohi banojnë 532 011 shqiptarë, në Maqedoni 197 413 dhe në Mal të Zi 19 425. Sipas këtyre të dhënave, shqiptarë ka edhe në Kroaci, Slloveni dhe Bosnje e Hercegovinë, që marrin numrin 1 634. Statistikat e më sipërme mund të jenë të vërteta vetëm pjesërisht, pasi numri i minoritetit shqiptar në Jugosllavi, sigurisht është shumë më i madh, duke ditur që: a) Shumë shqiptarë të shtyrë nga gjendja e keqe ekonomike janë detyruar të shpërndahen nëpër qytetet e fshatra të Serbisë dhe në të gjithë Jugosllavinë, ku merren me punë të ndryshme krahu, si: punëtorë të thjeshtë, druvarë, sheqerxhinj etj., që sigurisht nuk futen në statistikat e më sipërme dhe; b) Si rezultat i politikës armiqësore që është ndjekur e ndiqet ndaj minoritetit shqiptar në Jugosllavi për shkombëtarizim si në regjimet e mëparshme, ashtu edhe në regjimin e Jugosllavisë së sotme, shumë shqiptarë janë cilësuar si turq, të themi vetëm për atë se janë myslimanë. Kështu që, nga të 98 001 turq që sot numërohen në Jugosllavi (nga këta 959 877 në Maqedoni), një pjesë e mirë e tyre janë shqiptarë.

Karakteristikë është për t’i treguar opinionit publik, se shqiptarët që banojnë në Jugosllavi janë diçka tjetër si komb nga ata që banojnë në Republikën Popullore të Shqipërisë. Në literaturën jugosllave, p.sh.: në librin “Pakicat nacionale në Jugosllavi”, nuk përmenden terma, si “albanac”, kurse kur flitet për Republikën tonë Popullore, kurdoherë përdoret vetëm termi “albanac”. Karakteristikë është edhe ajo se kur kemi pyetur kosovarë, që mbajnë shtetësinë jugosllave se ç’kombësi kanë, na janë përgjigjur se janë myslimanë dhe jo të thonë se janë shqiptarë, mbasi kështu u kanë thënë jugosllavët.

Krahina Autonome e Kosovës e Metohisë është formuar qysh në vitin 1946. Qyteti kryesor i saj është Prishtina. Territori i saj i sotëm sipas ndarjes jugosllave, është 10 689 km katrorë. Në këtë krahinë banojnë 809 234 veta, nga të cilët 413 789 janë burra dhe 395 445 gra. Të gjithë këta banorë përbëjnë 127 223 ekonomi shtëpiake (familje). Në çdo km katror i bie 757 banorë. Përveç shqiptarëve, në këtë krahinë ka edhe serbë, malazezë dhe kombësi të tjera të Jugosllavisë, që sipas statistikave jugosllave përbëjnë 29.6% të gjithë popullsisë së Kosovës (70.4% janë shqiptarë). Organi më i madh i pushtetit në Kosovë e Metohi është Këshilli Popullor i Krahinës, i cili zgjidhet në tre vjet. Ky Këshill ka gjithsej 208 anëtarë, nga të cilët 131 janë shqiptarë. Këshilli përbëhet nga dy dhoma: Dhoma Krahinore dhe Dhoma e Prodhuesve. Funksionet dhe detyrat e çdo dhome janë si ato të skupshtinës federale dhe të republikave, me të vetmin ndryshim që këto ushtrohen nga ky këshillë vetëm në krahinë. Kryetari i të dy dhomave është Gjoko Pajkoviq, që është njëkohësisht dhe sekretar i Partisë për krahinën, kurse sekretar është Hivzi Sulejmani. Si organ ekzekutiv të përditshëm, Këshilli Popullor i Krahinës ka Këshillin Ekzekutiv të Krahinës. Si kryetar i këtij Këshilli është _[3] dhe nënkryetar Xhavit Nimani. Mbas Këshillit Krahinor vinë këshillat e rretheve, qyteteve me rang rrethi, komunat dhe komunat e qytetit.

Gjithsej në Kosovë e Metohi janë 18 rrethe. Nga këto një është qytet, Prishtina. Komuna gjithsej janë 201, nga të cilat 6 janë komuna qyteti. Rrethet e Kosovës e Metohisë janë: 1) Rrethi i Drenicës me qendër në Serbicë, ka: 11 komuna, 76 vende të banuara (fshatra, etj.), territori 546 km katrorë, 37 296 banorë (68.3 për çdo një km katror), 4 982 ekonomi shtëpi-jake (familje). 2) Rrethi i Gjakovës me qendër në Gjakovë, ka: 10 komuna fshati dhe një qyteti, 104 vende të banueshëm, territori 872 km katrorë, 61 639 banorë (70.7 për çdo një km katror), 9 264 ekonomi shtëpiake. 3) Rrethi i Gjilanit me qendër në Gjilan, ka: 13 komuna fshati, një komunë qyteti, 69 vende të banueshme, territori 580 km katrorë, 48 835 banorë (84.2 për çdo një km katror), 7 739 ekonomi shtëpiake. 4) Rrethi i Moravës së Sipërme me qendër në Viti, ka: 10 komunë, 42 vende të banueshme, territori 281 km katrorë, 30 633 banorë (109 për çdo një km katror), 4 679 ekonomi shtëpiake. 5) Rrethi i Gorskit me qendër në Dragash, ka: 5 komuna, 37 vende të banueshme, territori 432 km katrorë, 20 420 banorë (47.2 për çdo një km katror) 3 351 ekonomi shtëpiake. 6) Rrethi i Graçanicës, me qendër në Prishtinë, ka: 12 komuna, 79 vende të banueshme, territori 734 km katrorë, 45 747 banorë (62.3 për çdo një km katror), 6 908 ekonomi shtëpiake. 7) Rrethi i Istogut me qendër në Gjurakoc, ka: 14 komuna, 88 vende të banueshme, territori 708 km katrorë, 44 608 banorë (63 për çdo një km katror), 6 247 ekonomi shtëpiake. 8) Rrethi i Kamenicës me qendër në Kamenicën e Kosovës, ka: 13 komuna, 78 vende të banueshme, territori 562 km katrorë, 43 032 banorë (76.5 për çdo një km katror), 6 218 ekonomi shtëpiake. 9) Rrethi i Lapskit, me qendër në Podujevë, ka: 13 komuna, 78 vende të banueshme, territori 645 km katrorë, 47 033 banorë (72.9 për çdo një km katror), 6 881 ekonomi shtëpiake. 10) Rrethi i Nerodimskit, me qendër në Uroshevac (Ferizaj), ka: 14 komuna fshati dhe një qyteti, 97 vende të banueshme, territori 860 km katrorë, 60 283 banorë (70.1 për çdo një km katror), 9 556 ekonomi familjare. 11) Rrethi i Pejës, me qendër në Pejë, ka: 14 komuna fshati dhe një qyteti, 94 vende të banueshme, territori 738 km katrorë, 64 391 banorë (87.3 për çdo një km katror), 10 797 ekonomi shtëpiake. 12) Rrethi i Podrimskit me qendër në Orahovac, ka: 12 komuna, 73 vende të banueshme, territori 581 km katrorë, 39 351 banorë (67.7 për çdo një km katror), 5 516 ekonomi shtëpiake. 13) Qyteti i Prishtinës, komunë nuk ka asnjë, vend të banueshme ka vetëm 2, territori 29 km katrorë, 24 199 banorë (834.4 për çdo një km katror), 5 752 ekonomi shtëpiake. 14) Rrethi i Stiniҫkes me qendër në Lipjan, ka: 10 komuna, 93 vende të banueshme, territori 561 km katrorë, 46 890 banorë (83.6 për çdo një km katror) 7 167 ekonomi shtëpiake. 15) Rrethi i Suharekës me qendër në Suharekë, ka: 8 komuna, 48 vende të banueshme, territori 418 km katrorë, 29 578 banorë (70.8 për çdo një km katror), 4 129 ekonomi shtëpiake. 16) Rrethi i Shar-Pllanines, me qendër në Prizren, ka: 10 komuna fshati dhe një komunë qyteti, 77 vende të banueshme, territori 632 km katrorë, 61 576 banorë (97.4 për çdo një km katror), 10 322 ekonomi shtëpiake. 17) Rrethi i Vuçitërnës me qendër në Vuçitërnë, ka: 13 komuna, 75 vende të banueshme, territori 394 km katrorë, 39 529 banorë (100.3 për çdo një km katror), 5 975 ekonomi shtëpia; dhe, 18) Rrethi i Zveҫanakes, me qendër në Mitrovicën e Kosovës, ka: 13 komuna fshati dhe një qyteti, 185 vende të banueshme, territori 1 116 km katrorë, 64 202 banorë (57.5 për çdo një km katror) 11 741 ekonomi shtëpiake.

Në bazë të statistikave jugosllave, këshillat e organeve lokale në Kosovë e Metohi (të rretheve e komunave) përbëhen prej 6 976 vetash, nga të cilët 4 690 janë shqiptarë (këshillat e rretheve përbëhen prej 1 580 vetash, nga të cilët 1 007 janë shqiptarë).

  1. Mbi disa çështje politike: Qeveria e sotme jugosllave dhe njerëzit e saj, nëpërmjet propagandës së tyre, përveç tjerash, trumbetojnë se Jugosllavia është vendi “më demokratik” ku është “zgjidhur më së miri” çështja nacionale dhe e pakicave nacionale në Jugosllavi, ku ka “barazi” , “liri” etj., të cilat i përmendim edhe në kushtetutën dhe ligjet e tyre: por me sa kemi konstatuar gjatë kësaj kohe, mund të themi se nuk është kështu, në praktikë ndodh krejt ndryshe dhe është vetëm propagandë që ka për qëllim të gënjejë opinionin publik jugosllav e të jashtëm. Në lidhje me këtë, për sa i përket minoritetit shqiptar, me sa kemi konstatuar, mund të themi si më poshtë:
  2. Në organet e pushtetit ku është i përqendruar minoriteti shqiptar si në Këshillin e Krahinës, në këshillat e rretheve, komunave, fshatrave etj., pavarësisht se pjesa dërmuese janë shqiptarë, më tepër ka serbë se sa shqiptarë, me gjithë se statistikat që kanë publikuar këta tregojnë të kundërtën. Por, edhe sikur të jenë të sakta e të vërteta këto statistika, kjo mund të ndodhë vetëm në disa fshatra, ku nuk ka fare serbë, ose ata janë shumë pak. Por, edhe këtu kryetarët janë serbë dhe se shqiptarët në krye të tyre gjen vetëm të atillë që jugosllavët i kanë bërë për vete dhe tek të cilët kanë besim të plotë. Ndërsa, në organet e pushtetit të fshatit mund të jenë më shumë shqiptarë, por në ato të komunave e sidomos të rretheve e krahinave, janë jugosllavë. Edhe ata shqiptarë që janë nuk kanë pozita ose përgjegjësi kyçe, por, janë të themi si anëtarë të thjeshtë që nuk kanë asgjë në dorë. Edhe ata pak shqiptarë që kanë pozita të “rëndësishme” në këshillat krahinore, në radhë të parë janë besnikë qorra të jugosllavëve dhe të kompromentuar në luftë kundër minoritetit shqiptar, por megjithëkëtë, në fakt, politikën në këtë krahinë nuk e bëjnë këta, por krerët më të mëdhenj se ta në krahinë, jugosllavët si, Gjoko Pajkoviq-kryetar i Këshillit Krahinor dhe sekretar i Partisë për Kosovën, Dushan Mugosha, që është si këshilltar i Këshillit etj.
  3. E drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në organet zyrtare politike, ekonomike, shoqërore, është formale, mbasi gjithë korrespodenca e ndryshme që del nga organet e pushtetit të krahinës së Kosovës e Metohisë bëhen në gjuhën serbe. Në shumë vende të Kosovës dhe gjetkë ku banojnë vetëm shqiptarë, me përjashtime shumë të mëdha, tabelat e institucioneve e ndërmarrjeve të ndryshme, dyqaneve, rrugëve, lajmërime të ndryshme që nxjerrin organet e pushtetit etj., janë vetëm në gjuhën serbe.
  4. Nëpër shkollat e ndryshme shqipe dhe institucionet arsimore, kulturore etj., flitet vetëm për Jugosllavinë dhe asgjë për Shqipërinë, për të kaluarën e të tashmen historike, për kulturën, artin shqiptar etj., që çdo ditë lulëzojnë e përparojnë më shumë në vendin tonë, sepse sipas politikës armiqësore jugosllave që është e ndjekur e ndiqet ndaj këtij minoriteti, shqiptarët në Jugosllavi janë diçka tjetër nga ata të Republikës Popullore të Shqipërisë, janë “arnautë”, “myslimanë”, “shqiptarë”, ose, “turq”. Në udhëheqje superiore dalin kurdoherë serbët edhe pse niveli kultural i masave shqiptare është shumë i ulët në krahasim me masat e kombësive të tjera dhe kjo për shkak të diskriminimit që i është bërë pakicës shqiptare në regjimet e mëparshme, metodë të cilën deri në një far shkalle e ka përdorur dhe e përdor edhe regjimi i sotshëm. Edhe shtypi që del në gjuhën shqipe, si gazetat: “Rilindja”, “Flaka e vllaznimit”, “Zëri i rinisë” (organi studentëve shqiptarë në Beograd) dhe revista “Jeta e re”, trajtojnë e flasin për “rezultate” e arritura nën regjimin e Titos.
  5. Në përgjithësi shqiptarët, e kanë shumë vështirë të gjejnë punë pak a shumë të mira dhe kjo për arsye se janë shqiptarë, tek të cilët jugosllavët mund të themi se nuk kanë besim. Edhe ata që kanë qenë në punë të ndryshme në pushtet, tani janë shumë më pak nga që jugosllavët kanë spastruar aparatin e tyre nga këto elemente, duke mbajtur ata tek të cilët kanë besim se janë besnikët e tyre. Në masë për shqiptarët në Jugosllavi nuk ka as punë pak a shumë të thjeshta, kështu që përveç pjesës që merret në vendet e tyre me bujqësi, një pjesë e mirë bredh nëpër vendet e ndryshme të Jugosllavisë për të gjetur ndonjë punë, që edhe këtu është vështirë mbasi në të gjithë Jugosllavinë ka papunësi, kështu që detyrohen të punojnë në këto vende, si: druvar, hamall, sheqerxhinj, e të tjera punë të këtij lloji. Ekonomikisht minoriteti shqiptar në Jugosllavi është më i varfër e veshur keq.
  6. Politika dhe qëllimet e krajlëve të Serbisë për të shkombëtarizuar minoritetin shqiptar është ndjekur e ndiqet edhe nga Qeveria e sotme jugosllave. Siç dihet, jugosllavët kur kanë bërë regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, me mënyra të ndryshme janë munduar që shqiptarët t’i quajnë e regjistrojnë si me kombësi turke, dhe këtu sidomos kanë shfrytëzuar injorancën e shqiptarëve të Maqedonisë, në të cilin i kanë lënë, se që janë myslimanë janë turq, kështu p.sh.: para ca dite erdhi në Legatë për të kërkuar vizë që të shkojë për disa ditë në Shqipëri e të kthehet përsëri në Jugosllavi, së bashku me shoqen e tij, Xhezair Memisheviqi, nga katundi Podgoricë i Strugës. E pyetem çfarë shtetësie ka dhe na u përgjigj se është jugosllav, por kur e pyetëm për kombësinë, na tha se jam mysliman e jo të thotë se jam shqiptar, që në realitet është “mysliman”, jo “kaur”, por “turk”. Po në këtë mënyrë e ka shënuar edhe në formularët që ka plotësuar. Jugosllavët kanë inkurajuar dhe inkurajojnë shkuarjen e shqiptarëve në Turqi. Përveç sa ju kemi njoftuar me relacionin tonë nr. 51, datë 21.10.1954, kur kemi qenë nga fillimi i këtij viti në Kosovë e Maqedoni, kemi mësuar se shkuarja e tyre në Turqi po vazhdon. Në këtë kohë ka pasur shpërngulje nga Shkupi, Tetova, Manastiri dhe sidomos Prilepi, ku ishin në pritje për t’u nisur 70 familje, kurse në Shkup 50. Këta shesin gjithë pasurinë e paluajtshme dhe marrin me vete atë që mundin. Shkuarja e tyre në Turqi bëhet nga që janë në gjendje të keqe ekonomike dhe se mendojnë se atje do rrojnë më mirë.

Konsullata turke në Shkup zhvillon një aktivitet të mirë në këtë drejtim, duke inkurajuar shkuarjen e tyre në Turqi. Turqit qenkan duke hapur toka të reja, siç kemi mësuar kur ishim në Maqedoni, nga të cilat u falin pjesë shqiptarëve të vajtur rishtas. Aktiviteti i saj gjen mbështetje në injorancën e shqiptarëve të Maqedonisë, se duke qenë myslimanë, konsiderojnë veten e tyre turq. Na kanë thënë se edhe sikur këta shqiptarë të mos figurojnë si shtetas turq, puna rregullohet shpejt sa për t’u bërë turq, sepse jugosllavët e jepnin pëlqimin menjëherë edhe pse mjafton që njerëzve të konsullatës turke atje t’ju jepet ndonjë gjë në dorë dhe çdo gjë është e rregulluar. Në këtë mënyrë kanë vepruar shumë shqiptarë që kanë ikur për në Turqi.

Përveç kësaj, turqit kanë organizuar nëpërmjet shqiptarëve që kanë shkuar atje, dërgimin e letrave prej këtyre të fundit, miqve dhe shokëve të tyre që banojnë në Maqedoni ose Kosovë, ku shkruajnë për “parajsen” e Turqisë, i thërrisnin që edhe ata të shkojnë dhe të rrojnë në “lumturi”, “begati” etj., por, në një bisedim që patëm me një kosovar, na tha se atje nuk rrojnë mirë, bile na solli një shembull konkret si i trajtojnë dhe tha se kur vajzën e një shqiptari, që ka shkuar në Turqi, e morën xhandarët turq, e mbajtën për disa ditë me radhë dhe mbasi e çnderuan, e lëshuan për të shkuar në familjen e saj?! Shpërnguljet më të mëdha deri më sot janë bërë nga shqiptarët e Maqedonisë, kurse nga Kosova ka shumë pak dhe kjo pse kosovarët janë pak më të zhvilluar dhe se janë më patriotë. Lidhur me shpërnguljet në Turqi, dy kosovarë të ndryshëm na kanë thënë se kohët e fundit jugosllavët kanë nxjerrë një ligj që ndalon shpërnguljet nga Jugosllavia dhe se për t’i shpëtuar këtij ligji, shqiptarët që dëshirojnë të shkojnë në Turqi, marrin shpërnguljet nga Kosova për në Shkup dhe atje e rregullojnë çështjen e shkuarjes së tyre në Turqi me anë të ryshfetit dhe mjeteve të tjera në konsultën turke. Të dhënat e tyre në këtë drejtim ne nuk i kemi vërtetuar akoma dhe se as ligjin deri më sot nuk e kemi gjetur. E kemi parasysh për të ardhmen.

  1. Qeveria jugosllave për të ngjallur besimin dhe simpatinë e minoritetit shqiptar dhe te ngjallë urrejtje kundër vendit tonë, nëpërmjet propagandës së saj, të shoqëruara me terror, emigrantëve tradhtarë shqiptarë të shpërndarë në këto vende etj., ka zhvilluar një aktivitet të madh në ketë drejtim. Lidhur me normalizimin ky aktivitet ka rënë, por prapë ata e bëjnë punën e tyre me mënyra e metoda të tjera. Por, me gjithë punën që jugosllavët kanë bërë dhe e bëjnë në këtë drejtim, minoriteti shqiptar në Jugosllavi dhe sidomos ai i Kosovës, ushqen një dashuri e simpati të madhe për vendin tonë , për Shqipërinë e vjetër, siç thonë ata dhe urrejtje për Qeverinë jugosllave, për Serbinë. Siç dihet ata janë patriotë të kombit e vendit të tyre dhe se përveç shtypjes në përgjithësi, kanë edhe shtypjen nacionale. Si shembull në këtë drejtim mund të shfaqim rastin që na tregoi shtetasi shqiptar, Rustem Gjota, student i kursit të Institutit të Drejtësisë në Beograd, i cili ka plotësuar dokumentet për riatdhesim:

Nga fillimi i muajit mars të këtij viti, artistët e “Beogradska komedija” (Komedia e Beogradit), dhanë një shfaqje para studentëve të shkollave të larta të Beogradit që banojnë afër Zemunit, në “Beogradin e Ri” siç e quajnë këta. Midis këtyre studentëve ka edhe disa shqiptarë nga Kosova. Në këtë komedi paraqitnin policët gjatë kryerjes së shërbimit të tyre, të cilët rregullojnë lëvizjen e transportit automobilistik nëpër qytete të disa vendeve të botës si të Jugosllavisë, Ingliteres, Francës, Shqipërisë etj. Policin jugosllav në rrugë, e paraqitnin të veshur mirë dhe korrekt në çdo drejtim, me një fjalë në lartësinë e detyrës së tij. Po në këtë mënyrë paraqitej edhe polici francez e anglez, me të vetmin ndryshim që ky i fundit, mbasi i dha drejtimin e makinave, fillon e bën dashuri me vajza, megjithëse në shërbim, kurse, policin shqiptar e parqet në Tiranë, kur rregullon lëvizjen automobilistike atje. Ishte i veshur keq dhe në mes të rrugës kryq priste mos vinte ndonjë makinë, por gjatë nuk ka. Më në fund mezi kaloi një makinë dhe në mënyrë ofenduese e qesharake ky i jep drejtimin. Me të kaluar kjo makinë, hedh dorën në gji (trup), nxjerr një morr dhe e thyen, kurse nga ana tjetër i vareshin qurrat.                                                                                                                                       Me pozat që artisti bënte, i paraqiste ata si budallenj e injorant, pa kurrfarë kulture, por të pa pastër e bashibozuk. Kjo i preku thellë dhe i zemëroi shumë studentët shqiptarë. Përshtypjen e tyre dhe urrejtjen ndaj jugosllavëve, ata e shprehen në bisedime njeri me tjetrin, bile edhe të nesërmen gjithë ditën.

III.       Mbi disa çështje të arsimit: Me sa kemi mësuar në drejtim nga shtetasi shqiptar, Rrustem Gjota, që e përmendëm më lart dhe nga të tjera, në Kosovë ka këto shkolla të mesme: Në Pejë:

  1. a) Ka një gjimnaz shqip me rreth 1 200-1 300 nxënës. Krahas me këtë është edhe gjimnazi tjetër për serbë, i cili pothuajse po këtë numër nxënësish ka; b) Një shkollë normale me katër klasa, e cila nxjerr mësimdhënës për shkolla fillore shqipe. Në këtë shkollë futen nxënësit që kanë mbaruar tetëvjeçaren; c) Një shkollë e mesëm bujqësore, që quhet “Akademia Bujqësore”. Kjo shkollë nxjerr teknikë të mesëm bujqësorë dhe studiojnë, si kosovarë ashtu dhe serbë. Në Prishtinë: a) Një gjimnaz shqip dhe një tjetër për serbë; b) Një gjimnaz për mësues të shkollave shqipe; c) Një shkollë teknike, që nxjerr teknikë të ndryshëm të mesëm, në gjuhën serbe. Ka edhe serbë edhe shqiptarë. Përveç këtyre, në Prishtinë është edhe Instituti i Albanologjisë që merret me kërkime e shqyrtime në drejtim të albanologjisë. Gjimnaze shqipe ka edhe në Mitrovicë, Prizren e Tetovë, kurse në Gjakovë është një Normale. Këto janë shkollat e mesme të Kosovës. Numrin e nxënësve të tyre, përveçse treguam për të Pejës, nuk e dimë akoma. Në këto shkolla bëjnë lëndë të ndryshme, si: gjeografi, histori, fizikë etj. Në klasën e parafundit dhe të fundit të shkollave të mesme kanë si lëndë edhe nga historia e lidhjes së “komunistëve” jugosllavë deri në kohën e sotshme. Si gjuhë të huaj nëpër gjimnaze e normale, për ato që janë shqipe, është frëngjishtja, kurse për ato që janë serbisht, rusishtja ose frëngjishtja, sipas dëshirës së nxënësve. Të drejtën për të zgjedhur nuk e kanë nxënësit e shkollave shqipe, por iu është caktuar, siç e cekem, frëngjishtja.

Profesorët e gjimnazeve e normaleve shqipe, në shumicën e tyre nuk kanë mbaruar institutin, por shkollën e mesme, dhe se njëkohësisht vazhdojnë fakultete të ndryshme me korrespodencë, duke ndjekur njeri kursin e dytë, tjetri të tretin etj. Kështu p. sh.: në Pejë, vetëm një profesor është që e ka mbaruar albanologjinë dhe se të tjerët vazhdojnë me korrespodencë. Përveç shkollave të mesme, janë edhe shkollat fillore dhe tetëvjeçare. Shkolla fillore ka si në qytete, ashtu edhe në fshatra dhe janë me katër klasa, kurse tetëvjeçare që është semimaturë, përveç qyteteve, ka edhe në 5-6 copë fshatra një të tillë. Atje ku përveç shqiptarëve, ka edhe serbë, krahas me shkollat shqipe, janë edhe shkollat serbe, që zakonisht të dyja ndodhen në një godinë. Frekuentimi nga ana e nxënësve dhe sidomos femrave në shkollat e mesme ato fillore e tetëvjeçare është shumë i ulët dhe me mungesa të mëdha prej 35-45% nga të regjistruarit, pa marrë parasysh numrin tjetër shumë të madh, që për njërën ose tjetrën arsyeje, nuk është regjistruar fare dhe kjo për arsye të gjendjes së keqe në të cilën ndodhet minoriteti shqiptar, për çështje fanatizmi etj., dhe se dhe jugosllavëve iu intereson ta mbajnë atë në injorancë. Përveç kësaj edhe numri i atyre që përsërisin klasën është shumë i madh.

Në Jugosllavi është i detyruar me ligj arsimi tetëvjeçar, por në vendet me popullatë shqiptare, siç folëm edhe më lart, ky ligj është formalisht. Numrit shumë të madh të analfabetëve në moshë madhore i shtohet çdo ditë edhe numri tjetër i analfabetëve të rinj. Për ata që nuk venë në shkollë, marrin masa të lehta, si gjoba në pare dhe po qe në gjendje ta paguajë atë, me kaq merr fund puna dhe as njeri nuk i thotë gjë pse fëmija e tij nuk shkon në shkollë. Edhe statistikat e publikuara nga vetë jugosllavët, flasin mbi lejen në errësirë të minoritetit shqiptar, megjithëse ato e zbusin pak një gjendje të tillë. Kështu p.sh.: në librin “Të dhënat statistikore për gjithë Jugosllavinë, viti 1954”, midis të tjerave jepen edhe këto statistika në përqindje për analfabetët të minoriteti shqiptar të ndara në mosha të ndryshme: deri në 9 vjeç janë 73.7% analfabetë; prej 10-14 vjeç 42.8%; prej 15-19 vjeç 42.8%; prej 20-24 vjeç 28.7%; prej 25-29 vjeç 32.7%; prej 30 -34 vjeç 71.3%; prej 35-39 vjeç 78.3%; prej 40-44 vjeç 82.7%; prej 45-49 vjeç janë 88.7% analfabetë; prej 50-54 vjeç 91.5%; prej 55-59 vjeç 95 %; prej 60-64 vjeç 96 %; prej 65 vjeç e lartë 97.7 analfabetë.

Për sa iu përket shkollave të larta, në Kosovë nuk ka asnjë të tillë. Dimë se në Beograd, ashtu siç ju kemi njoftuar, në Institutin Filozofik është Fakulteti i Albanologjisë, i cili ka katër kurse, në të cilin mësojnë rreth 40 veta. Një fakultet tjetër i albanologjisë është edhe në Shkup, që nuk dimë akoma numrin e nxënësve, profesorëve etj. Në albanologji mësojnë kosovarë të ndryshëm, të cilët pasi e mbarojnë atë, shkojnë si mësues të shkollave të mesme shqipe. Tek-tuk, shqiptarë ka edhe në fakultete të tjera, si: drejtësi, inxhinieri etj., por shumë pak, që mund të numërohen, prej një deri në pesë apo dhjetë. Këto janë çështje dhe gjërat që kemi mundur të mësojmë rreth minoritetit shqiptar në Jugosllavi. Në të ardhmen, do të vazhdojmë ta ndjekim me kujdesin e duhur dhe herë pas here do t’ju mbajmë në korrent. Për bërjen e këtij relacioni është përdorur material dhe nga librat “Të dhëna statistikore për gjithë Jugosllavinë, viti 1954” dhe libri, “Pakicat nacionale në Jugosllavi”, të cilat iu a kemi dërguar me postat e mëparshme.

Ky relacion siç shihet është një informacion nga të dhënat që është mundur të sigurohen dhe ka shumë gjëra që duhen zhvilluar e sqaruar më mirë, të cilat do të sigurohen më tepër duke vajtur më poshtë.

 

K.M.S

D.M.S                                                                                                         Ministri Bato, Karafili

2.K                                                                                                                    09.04.1955

-9-

 

De La Republique Populaire D”Albanie

Belgrade

Nr. 59. Sekret

Ministrisë së Punëve të Jashtme, (Degës së Dytë)                                 Tiranë

Udhëtimi në Maqedoni dhe Kosovë

Udhëtimin në Maqedoni dhe Kosovë ne e bëmë pasi bëmë vizitën në Krahinën Autonome të Vojvodinës, siç udhëzoi ajo Ministri. U nisem, më 22 dhe u kthyem më 28 prill. Qëllimi i udhëtimit në këto krahina ishte që të vërtetonim ne, sa nga minoriteti shqiptar largohet për në Turqi, të njiheshim më mirë mbi gjendjen e minoritetit shqiptar që jetonin në Krahinë Autonome të Kosovës e Metohisë, të shikonim si reagojnë të arratisurit shqiptarë në Jugosllavi pas shpalljes së amnistisë dhe të interesoheshim për riatdhesimin e tyre. Gjatë udhëtimit që bënim dhe vizitat protokollare e presidentit të Maqedonisë dhe kryetarit të Këshillit të Kosovës, gjithashtu në këtë udhëtim të vizitonim edhe disa qendra të ndryshme ekonomike, kulturale edhe nga kuriozitetet e ndryshme në këto vende.

Në këtë relacion do flasim mbi vizitat protokollare, objektet e ndryshme që vizituam dhe si u pritem, do flasim edhe mbi largimin e njerëzve nga minoriteti shqiptar për në Turqi. Për sa i përket çështjeve të tjera, ne kemi folur në tre relacione të veçanta, si p.sh.: në një relacion flasim mbi sektorët ekonomikë në Kosovë e Metohi, në një mbi arsimin dhe kulturën në krahinën e Kosovës, dhe tjetri mbi të arratisurit shqiptarë në Jugosllavi. Në këto relacione, ne jemi munduar të flasim dhe të jemi sa më objektivë, duke shfrytëzuar konstatimet tona në vend, bisedimet me personalitetet jugosllave dhe gjithë materialin që dispononim.

Gjatë udhëtimit dhe në gjithë vizitat e ndryshme titullari është i shoqëruar nga sekretari i dytë Myslim Sinoimeri. Më 24 prill, ne i bëmë vizitën protokollare presidentit të Maqedonisë, Kolishevskit. Na priti në zyrë, na afroi pije dhe u tregua i gatshëm për të na dhënë mundësi të njiheshin sa më tepër me rezultatet e arritura në Maqedoni. Na ftoi të vizitonim ndonjë fabrikë si atë të sheqerit në Tetovë, fabrikën e lëkurave në Bitol, një kooperativë bujqësore të cilën e konsideroi më të mirën në Jugosllavi etj., dhe ngarkoi zv. sekretarin e Veces ekzekutive të Maqedonisë si dhe një përkthyes që të na shoqëronte gjatë vizitave në qytet. Gjithashtu mur masa për të na pritur dhe shoqëruar në Bitol. Kolishevski u interesua për disa problem konkrete siç janë:

1)         Për shfrytëzimin e ujërave të liqenit të Pogradecit. Për këtë ai u tregua i pakënaqur nga përgjigja e Qeverisë tonë d.m.th. kërkonte përgjigje konkrete për liqenin e Pogradecit duke e justifikuar këtë, se për atë interesohej ai, qëndrimi i tij është në kundërshtim me atë të Ministrisë së Jashtme jugosllave, e cila kërkon që më përpara të përfundojmë konventën e pastaj të kalohet në çështjet konkrete. Kolishevski shfrytëzimin e fuqisë energjetike të liqenit të Pogradecit e lidhë edhe me evitimin e inondimeve që sot sjellë lumi i Drinit në Strugë etj. Aty tha se bërja e hidrocentralit në lumin e Drinit nuk e ndryshon nivelin e liqenit të Pogradecit, kështu që edhe pala shqiptare mund të marrë ujin e nevojshme nga ky liqen, e me këtë ai la të kuptohet se këta duan të ndërtojnë nga ana e tyre hidrocentralin dhe vetëm për interesat e tyre. Ne i thamë se në lidhje me propozimin e Qeverisë jugosllave, Qeveria jonë e dha përgjigjen e sajë dhe presim nga ju për fillimin e bisedimeve. Për sa i përket mënyrës së shfrytëzimit Komisioni me specialistët e të dy vendeve tona do ta studiojnë dhe propozimet e tyre do t’ia paraqesin qeverive përkatëse.

2)         Së dyti, Kolishevski u interesua për shfrytëzimin e ujërave vaditëse në fshatrat kufitare dhe solli si shembull ujin në fshatin e Banishtës dhe Ostenit të Vogël. Për këtë i thash: “Nuk më kujtohen vendet konkretisht, por dy ujëra që ka propozuar Komisioni i përbashkët Shqiptaro-Jugosllav, Qeveria jonë ka qenë dakord një vit më parë dhe mua sekretarit, më ka thënë që edhe pala jugosllave është dakord. Mendimi im është se në parim ne jemi dakord për shfrytëzimin e këtyre ujërave nga të dyja vendet”. Ai shtoi se nga ujërat vaditëse ne kemi shumë të ardhura, sepse, fshatari i paguan shtetit taksën e cila për vitin 1956 është rritur mjaft.

3)         Së treti, ai u interesua për dy shkollat në gjuhën maqedonase që arsimtarët maqedonas për shkak të prishjes së marrëdhënieve u larguan. Këtë – tha ai – e kam ngritur edhe në Qeverinë Federale (Beograd). Pastaj na foli për shkollat shqipe duke treguar se në fillim kanë pasur vështirësi për arsimtarë, tekste etj. Por, tani e kanë zgjedhur edhe vendin mirë dhe nuk është çudi që insistimi i kryetarit të Këshillit të Bitolit për të na vizituar neve shkollën 8-vjeçare shqip në Bitol, të jetë bërë me urdhër nga lart. Por, siç do të flasim me poshtë, ajo shkollë nuk ishte aspak e mirë. Pas kësaj, Kolishevski, u interesua për ndërtimet dhe bujqësinë në Shqipëri dhe ne i treguam mbi zhvillimin e vendit tonë në përgjithësi. E pyetem si duket bujqësia në Maqedoni, i cili e paraqiti të mirë gjendjen, i them ç’bëhet për kolektivizimet, na tha se kemi 700 kooperativa bujqësore, kur i them sa kooperativa janë ndërtuar vitin e kaluar, ai u përgjigj: “Neve nuk e ndjekim bujqësinë me statistika, qeveria nuk ndjek si përpara bujqësinë, të them të drejtën kemi shpëtuar nga kokëçarja”.

            Me sistemin që kemi neve sot në ekonomi, fshatari po fiton më tepër nga periudha kur ne e udhëhiqnim me plane tjera. Në fakt ata nuk po tregojnë kujdes për këtë sektor të rëndësishëm. Në udhëtimin Nish deri në Shkup, Shkup-Bitol-Prishtinë, pamë vetëm dy traktorë në fusha, ishte faza e zjarrit e punës për mbjelljet pranverore dhe kudo punohej me plugje që tërhiqen prej kafshëve.

            Kolishevski na foli për shokun Enver se e njihte, se e ka pritur kur ka udhëtuar për në Beograd. Na foli për shoqen Nexhmije se u lind në Bitol etj. Pas kësaj ai kaloi në marrëdhëniet midis dy vendeve. Duke paraqitur mendimin e tij se Shqipëria si Republikë është mbrapa, dhe se marrëdhëniet midis dy vendeve po zhvillohen. Deri më sot janë përfunduar një seri çështjesh të tjera, kemi ngritur dhe zgjidhja e tyre kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve tona. Mbas takimit me Kolishevskin ne vizituam disa kuriozitete të qytetit të Shkupit, një muze dhe një kish te vjetër e cila mbahet si muze për arkitekturën e saj të vjetër.

            Më 25 prill, ne vizituam Bitolin. Atje na priti kryetari i Këshillit të qytetit Bitol, i cili u tregua i afruar. Në Bitol ne vizituam fabrikën e lëkurave e cila është me makineri moderne. Këtu përpunohej lëkura dhe dilte prodhimi i gatshëm për këpucë, kishte gjithashtu repartin e gëzofëve, repartin e qepjes së palltove të gjata, bluza etj., prej lëkure, prodhimin e nxirrte me kualitet të mirë. Kjo fabrikë ka të drejta për zhvillimin e tregtisë me shtetet e tjera dhe eksporton në: Poloni, Gjermanin Federale etj. Në Bitol gjithashtu pamë një kooperativë bujqësore e cila nuk ishte shumë e pasur. Ekonomia e kësaj përbëhej prej blegtorisë, frutikulturës dhe barishtes. Organizimi i punës dhe bazat në të cilën është ngritur ajo, janë të njëllojta në ato të Vojvodinës për të cilën kemi folur. Drejtori i kooperativës bujqësore dhe disa anëtarë, na priten mjaft mirë, na shpjeguan gjendjen ekonomike të kooperativës, pyeten shumë dhe dëgjuan me kujdes mbi ngritjen e kooperativave ndër ne, mbi organizimin e punës dhe shpërblimin në kooperativat bujqësore në Shqipëri. Mbasi u larguam nga kooperativa, kryetari i Këshillit të qytetit të Bitolit na u lut shumë të vizitonim shkollën 8-vjeçare shqipe, e cila ishte para nesh, dhe ne vendosem ta vizitojmë. Ishte koha kur nxënësit ishin larguar. Aty gjetëm drejtoreshën e shkollës, Shaje Sulejmani, nga Dibra, e cila ka studiuar në Shqipëri. Ishte gjithashtu inspektori i arsimit, kryetari i Këshillit të qytetit së bashku me përkthyesin e tij nga maqedonishtja në shqip, dhe ne. Kryetari mbasi na prezantoi me drejtoreshën, i tha asaj të na flas si vetë shkolla. Drejtoresha duke na folur për shkollën, na tha: “Kemi 8 klasa 350 nxënës. Ndërtesën e kemi siç e shihni të vjetër, por kemi oborr të gjerë. Në edukimin e fëmijëve bëhen pra përpjekje, por kemi pasur vështirësi sepse së pari na kanë ikur nxënës gjatë vitit arsimor dhe aq më shumë arsimtarë për në Turqi”. Ne pyetëm drejtoreshën se kur kanë ikur për në Turqi nxënësit dhe arsimtarët, ajo tha se gjatë këtij viti arsimor dhe se vazhdojnë të ikin. Drejtoresha na tregoi mbi lëndët që bëjnë në shkollë e pastaj vizituam disa klasa në të cilat ka mungesë pastërtie të madhe prej asaj që ndërtesa është mjaft e vjetër dhe asnjë meremetim nuk ishte bërë. Në Bitol ne pamë gjithashtu kamionët dhe rimorkiot të cilat qëndronin në fushë ku dielli dhe shiu i dëmton. Kryetari i qytetit tha, po të dëshironi, ne kemi shoferë që t’ua sjellin deri në kufirin tuaj dhe atje t’i marrin shoferët tonë. Në të ikur, kryetari na tha se kemi kërkuar që skuadra e futbollit të Bitolit të lozi me Korçën dhe Tiranën. Nga Shqipëria na erdhi përgjigja pozitive, por, tashti nuk po na jap pëlqimin qendra jonë sportive nga Beogradi.

Një rast si ky qe iniciativa dhe dëshira që është për aktivitet sportivë dhe kultural e që pengohet nga qendra, është edhe propozimi që i bëri kësaj Legate drejtori i Teatrit të Prishtinës nëpërmjet Myrteza Pezës, i cili ftonte Teatrin e Tiranës për të ardhur në Prishtinë. Më vonë, udhëheqja e Prishtinës ndërhyn dhe drejtori i Teatrit të Prishtinës e anuloi propozimin duke thënë se gjoja nuk është situata etj.

            Më 26 prill vizituam Fabrikën e Fijes së Pambukut në Prishtinë, Muzeun e Qytetit të Prishtinës dhe një kishë të vjetër e cila ishte si muze. Më 27 prill vizituam Kombinatin Metalurgjik të Trepçës e pastaj qytetin e Pejës, kurse më 28 udhëtuam dhe arritëm në Beograd. Më 27 prill, para se të vizitonim Trepçën, i bëmë vizitë protokollare kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Krahinës, i cili insistoi dhe na priti për darkë. Për sa i përket gjendjes ekonomike dhe kulturale që ne konstatuam gjatë udhëtimit në këtë krahinë, çfarë pamë në objektet ekonomike si dhe ç’na tha Fadil Hoxha në lidhje me këto gjëra, kemi folur në relacionet e veçanta.

Fadil Hoxha na priti në zyrën e Këshillit, na afroi pije dhe kafe. Në zyrë Fadili u tregua i ndrojtur në bisedime. Ai shfaqi kënaqësi në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për ftesën e dy arsimtarëve për në Shqipëri, për aktivitetet sportive etj. Fadili tha unë i di këto gjëra, por do t’u lutesha që aktiviteti kulturor, sportiv etj., të fillojë më përpara me vendet e tjera të Jugosllavisë dhe më vonë me Kosovën. Mirë është – tha ai – edhe materiali si revista “Nova Albania” t’u dërgohet shtëpive të kulturës në krahinën tonë. I them – ne nuk kuptojmë, shkëmbimi i aktivitetit kulturor midis vendeve tona nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi ndihmon, gjithashtu revista që u kemi dërguar ne u dërgojmë shumë instituteve kulturore tjera dhe ata na kanë falënderuar për këtë. Fadili tha se mirë është që me krahinën tonë aktiviteti të fillojë më vonë, sepse, nuk është situata. Në drekë pastaj, Fadili pasi duhet të ishte takuar e biseduar me Mugoshen dhe Ajticin, kishte marrë gjithashtu edhe anëtarin e Këshillit që merret me arsimin në Kosovë. Ai kaloi me tej duke nxjerr se Jugosllavia ka qenë e pafajshme, se BRSS-ja dhe demokracitë popullore likuiduan gjithë akuzat kundër Jugosllavisë, u rehabilitua Rajku, Kostovi etj. Në Shqipëri,- tha ai, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim dhe procesi i Kocit akoma qëndron etj. Mbas Kongresit të 20-të, tha ai – ne kemi pritur, tani presim nga Kongresi i Tetë i Partisë. Duke iu përgjigjur, ne i themi – ju po të keni ndjekur Radio Tiranën dhe shtypin tonë, do të kishit tjetër mendim mbi marrëdhëniet midis vendeve tona, mbi gjendjen në vendin tonë etj., sepse më duket nuk u kanë informuar mirë dhe ashtu siç është. Duke vazhduar, unë i thashë: “Partia dhe Qeveria jonë kanë aprovuar plotësisht deklaratën e Beogradit dhe në përputhje me këtë deklaratë, Qeveria jonë ka zhvilluar dhe po zhvillon marrëdhëniet me Jugosllavinë, deri më sot një sërë çështjesh janë zgjidhur. Vendimet e Kongresit të Partisë së BRSS-së, Partia dhe populli ynë i ka çmuar pa masë dhe i konsideron shumë të rëndësishme. Mësimet e Kongresit të 20-të e ndihmojnë shumë Partinë dhe popullin tonë në rrugën për arritjen e fitoreve më të mëdha. Kongresi i Tretë i Partisë tonë, gjithashtu është i rëndësishëm për neve, sepse ai do të aprovojë direktivat për planin e dytë pesëvjeçar, do të dëgjojë raportin mbi aktivitetin e KQ-së, do të aprovojë ndryshimet në statusin e Partisë dhe pikërisht pse ka rëndësi populli ynë është mobilizuar për ta pritur me duar plot. Ne nuk kuptojmë ç’prisni juve. Politika e Partisë dhe Qeverisë tonë është e qartë, shumë deklarata kanë bërë udhëheqësit tonë mbi marrëdhënien me Jugosllavinë, edhe ato, sa më kanë thënë shokët e sekretariatit, i kanë çmuar. Nuk kuptojmë pse përmendet Koci Xoxi, ai ka të drejtë të përzihet. Pra, bisedimi me Fadilin kaloi, që mbronim tonën dhe ata të tyre, dhe për këtë i thashë, është bërë ç’është bërë, më mirë të mbetet, tashti të punojmë për të zhvilluar marrëdhëniet e dy vendeve”.

            Gjatë udhëtimit për të vizituar qendrat e ndryshme ata na dhanë për të na shoqëruar Ali Mulën si funksionar i Këshillit Ekzekutiv, në fakt ai ishte gazetar në Prishtinë, dinte shqip dhe është vëllai i Avni Mulës. Në bisedim me të tregohej shumë i ftohët. Gjatë rrugës prej Peje në Mitrovicë, na u lut një fshatar për ta marrë me makinë, dhe pasi e pyetem Avni Mulën, e morëm. Fshatari pasi mori vesh se ishim të Legatës Shqiptare, u gëzua shumë dhe filloi të fliste me simpati për Brigadën III Sulmuese. Gjithashtu, shprehu kënaqësi për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, por prapë nxori frikën nga autoritetet jugosllave, e ai tha: “Ta heq qeleshen se po më panë do të më thërras UDB-ja dhe kam për ta pirë ca kohë”. Ne i thamë mos ke frikë, me Jugosllavinë jemi miq etj. Ai vazhdoi: “Ashtu është, por, UDB-ja nuk pyet për këtë”. Pa i thënë gjë fshatarit, ai na tha: “More shokë, shumë po kërkojnë për të shkuar”. Ne i thamë se nuk kanë ikur dhe ne e dimë se e pyetem Avni Mulën nëse është e vërtetë kjo, dhe ai na tha se pak kanë ikur, por e di që ka shumë kërkesa si nga turqit ashtu dhe nga shqiptarët për të shkuar në Turqi, ne i thamë a i lënë të ikin, Mula u përgjigj, – se tek neve në Jugosllavi ekziston e drejta e njeriut dhe çdo qytetar vendos vetë, shteti nuk e ndalon, por e lejon të vejë në vendet kapitaliste e të tjera. Mula tha, – parimisht nuk është, por shteti nuk mund të pengojë për arsye se është dhënë e drejta që të vendosin vetë.

Si në Maqedoni ashtu dhe në Prishtinë, pritja nga ana formale protokollare, ka qenë e mirë. Në Maqedoni ne jemi pritur më mirë dhe janë treguar më të afërt, vizitat tona i publikoi shtypi maqedonas si dhe Birba me politikën. Në Kosovë pritja ka qenë e ftohët dhe nuk u publikua, pra atyre as nuk u pëlqen udhëtimi jonë në këtë krahinë. Gjatë udhëtimit në Maqedoni dhe Kosovë ne pamë mirë që organet jugosllave na kanë ndjekur në disa qytete, kështu p.sh.: një shtetas shqiptar që ka kërkuar riatdhesim njoftoi shoferin e Legatës dhe e pyeti se me kë ka ardhur në Legatë. Kur erdhi në hotel të pyeste, e mbërthyen tre veta të UDB-së dhe i bënë presion mbi të që të mos takohej me diplomatët shqiptarë. Po kështu, ne konstatuam në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë.

Siç ju kemi njoftuar dhe më parë, nga Maqedonia dhe më pak nga Kosova, akoma largohen nga minoriteti shqiptar për Turqi dhe këtë e kemi vërtetuar jo vetëm nga vizitorët e kësaj Legate, por edhe nga udhëtimi jonë që bëmë në muajin prill të këtij viti në Maqedoni dhe Kosovë. Një gjë e tillë pak a shumë del edhe nga gazeta “Nova Makedonia”. Të dhënat tona në këtë drejtim janë:

  1. Nga vizitorë të ndryshëm që gjatë këtij viti kanë vizituar këtë Legatë ka dalë se nga Maqedonia vazhdimisht ka pasur dhe ka, largim për në Turqi, ku midis të larguarve ka edhe turq, por shumica e tyre janë shqiptarë me shtetësi jugosllave. Një sheqerxhi në Beograd, duke qenë në Legatë, më17 prill 1956, midis të tjerave, tha: “Nga Maqedonia vazhdimisht ka shpërngulje për në Turqi. Ju këtë duhet ta keni parë edhe nga gazeta “Nova Makedonia”, e cila mund të themi se nuk ka mundur që të mos ketë të publikuar emrat e atyre që u është aprovuar lënia e shtetësisë jugosllave. Të gjithë këta janë për në Turqi. Pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë, por kanë mundur ta ndërrojnë atë në mënyra të ndryshme dhe janë konsideruar si turq. Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit, nga Gostivari janë larguar për në Turqi rreth 200 familje. Nga Tetova janë larguar më shumë dhe numri i tyre arrin deri në 300 familje. Më poshtë, vazhdoi ai: “Më parë ka qenë më lehtë për të shkuar në Turqi, me gjithë se edhe tani nuk është shumë e vështirë për ta bërë këtë. Para tre muajve çdo shqiptar që ka dashur të shkonte në Turqi është paraqitur para organeve të Punëve të Brendshme, të cilat menjëherë në letrat e njoftimit të tyre dhe konkretisht në rubrikat “ndryshime të ngjarjeve” me kërkesa të para kanë bërë ndryshime se janë turq, kjo gjë i është dhënë kujtdo. Ata të Ministrisë së Brendshme u thoshim se çfarë doni të thoni jeni të lirë, po deshët mund t’ju bëjmë edhe egjiptianë. Tani një vendim i tillë është ndërmarr, megjithatë prapë nuk është vështirë nga që me dy dëshmitarë, gjyqi merr vendim se është turk dhe këtë vendim ia paraqesin organeve të Punëve të Brendshme, të cilat menjëherë e vlerësojnë si turk dhe e lejojnë të largohet për në Turqi. Të dhënat e këtij vizitori janë të ngjashme me ato që Legata ka pasur me parë dhe se një pjesë të mirë të këtyre të dhënave i kemi vërtetuar edhe me vizitorë të tjerë. Kështu, p.sh.: shtetasi shqiptar, Halil Bejta, sot arsimtar në një katund afër Kumanovës, për të cilin kemi bërë veprimet e nevojshme për nënshtetësinë kur ka qenë para disa ditëve në Legatë, na tha gjithashtu se nga Maqedonia ka shumë shqiptarë që janë kthyer tani si turq, por ka edhe shumë shqiptarë që janë kthyer në turq. Përveç kësaj, vazhdoi Halil Bejta, edhe ata që janë turq shumica e tyre kanë qenë në Shqipëri, por që me regjistrimet e ndryshme të popullsisë që janë bërë në Jugosllavi gjatë luftës dhe deri në vitin 1953 janë regjistruar në kombësi turke, pa qenë nevoja e paraqitjes të ndonjë dokumenti. Ka pasur raste të ndryshme kur shqiptarë e kanë humbur letërnjoftimin e ri, kombësinë e kanë deklaruar si turke. Ka pasur edhe vizitorë të tjerë që kanë thënë rreth shkuarjes në Turqi.
  2. Gjatë udhëtimit në muajin prill në Maqedoni dhe Kosovë, nga fshatra të ndryshme kemi mësuar gjithashtu se më shumë shkojnë në Turqi nga Maqedonia, por ka edhe nga Kosova. Gjithashtu shtetasi shqiptar Arif Hajri, kur ishim në Shkup na tha se, shumë shqiptarë shkojnë në Turqi, kryesisht na tregojnë rreshtin e madh që qëndronte para konsullatës turke në Shkup, duke pritur që të hapeshin zyrat dhe po deshët tha, shkoni dhe pyetni. Me të vërtetë ne banuam në Hotelin “Arapsha Kuca” në Shkup që është përballë konsullatës turke. Kur u hap dera, të gjithë njëherësh u futen në shoqërinë e konsullatës dhe që andej me radhë futeshin brenda. Para se të futeshin në oborr, Çaushi duke parkuar makinën para hotelit pyeti disa prej tyre që qëndronin në rresht, dhe iu përgjigjen – turq, kur Çaushi iu tha, ju flisni shqip, ata iu përgjigjen – ne shqiptarë jemi po duam të shkojmë në Turqi. Një tjetër që e pyeti Nyslini, se ç’kombësi kishte, ai iu përgjigj se jam turk, por kur Myslimi iu tha “turce bilersum”, ai iu përgjigj: “jo bre, unë nuk di turqisht, por shkoj në Turqi se kam dëgjuar se atje është më mirë dhe se atje kam edhe nga farefisi im”.

            Siç kemi folur edhe kur vizituan shkollën 8-vjeçare shqip në Bitol, drejtoresha e kësaj shkolle Shaje Sylejmani nga Dibra, në prezencën e kryetarit të Këshillit të Qytetit, Bitol, Geogevski George dhe të nëpunësit të Këshillit të Qytetit, që kryetari e kishte marrë si përkthyes sepse dinte shqip, duke folur në lidhje me shkollën përveç të tjerash tha se: “kemi pasur vështirësi, së pari na kanë ikur nxënës për në Turqi gjatë vitit arsimor 1955-1956, kështu që është pakësuar numri i nxënësve, së dyti kemi pasur largime bile dhe gjatë këtij viti për në Turqi nga radhët e arsimtarëve të shkollës tonë”. Pasi e pyetem se nxënësit dhe arsimtarët ç’kombësi kanë pasur, ajo u përgjigj se në këtë shkollë mësojnë vetëm shqiptarë dhe mësuesit janë shqiptarë. Kryetari i Këshillit që e dëgjojë bisedën e bërë, nuk tha asnjë fjalë.

            Kur kemi qenë në Kosovë siç flitet më lart, kemi qenë të shoqëruar nga Ali Mula. Në bisedën më të rreth shkuarjeve në Turqi, na tha se edhe nga Kosova kanë ikur për në Turqi dhe se ka shumë kërkesa të tjera. Shumica e këtyre janë nga Prishtina dhe Mitrovica. Këta janë turq, por ka edhe shqiptarë. Kur pyetem se a lejohen të shkojnë shqiptarët, ai na tha se tek neve populli ka një demokraci të gjerë dhe është i lirë të shkojë ku të dojë, shteti nuk e ndalon. Një fshatar nga rrethi i Pejës, i cili na u lut ta merrnim në makinë deri në Mitrovicë, ashtu siç folëm më lart, vërtetoi largimin nga Kosova për në Turqi. Këtë, ai e tha në prezencën e shoqëruesit, i cili e aprovoi dhe i bëri komentin duke e konsideruar të drejtë.

  1. Në shtypin e Maqedonisë “Nova Makedonia”, shpeshherë publikohen emrat e personave që u është aprovuar lënia e shtetësisë jugosllave. Në masë, emrat e këtyre personave janë myslimanë. Sigurisht midis tyre mund të ketë turq, por duhet të ketë dhe shumë shqiptarë. Për të mos i vënë të gjithë numrat e gazetave që publikojnë këto të dhëna, theksojmë se është e vazhdueshme.
  2. Konsullata turke në Shkup zhvillon një aktivitet të gjerë në këtë drejtim. Vetë fakti i rreshtave të mëdha që presin pranë saj tregon këtë. Konsullata turke nuk pengon shkuarjen për në Turqi, bile as që na kanë thënë se ajo u lëshon shqiptarëve të ndryshëm me kërkesën e tyre vërtetime se figuron i regjistruar si turk dhe në bazë të kësaj, organet jugosllave japin menjëherë shtetësinë turke.

Këto janë të dhënat e fundit që ka kjo Legatë në lidhje me shkuarjen në Turqi. Të dhëna zyrtare ne nuk kemi.

                                                                       

                                                                                                         Ministri, Bato Karafili

 

_________________________________________________________

[1] Dokumenti nuk ka datë dhe as firm.

[2] Dokumentit i mungon faqja e dytë.

[3] Mungon emri i kryetarit të Këshillit.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …