Brickos

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – V

-40-

Sekret

GR 200

Fm Moskë 261155z, maj ‘81

Informacion rutinë për FCO

Nr. i telegramit 295, datë 26 maj

Informacion për Beogradin

Telegrami juaj nr. 311

Kosova

 

  1. Mendoj se rusët thjesht po vëzhgojnë situatën në distancë. Vlerësimi ynë vazhdon të jetë se në aspektin afatgjatë interesi sovjetik është që të ruajë marrëdhënie korrekte me Jugosllavinë, së paku deri kur mosmarrëveshjet të fillojnë të shfaqen në radhët e udhëheqjes jugosllave mbi mënyrën se si do të përballojnë problemet e vendit. Raportimi i shtypit sovjetik mbi Kosovën ka qenë i shkurtër dhe komenti i vetëm ishte që të mohonte (gazeta “Pravda” e datës 19 prill: letra e znj. Jackson e datës 21 prill drejtuar Manning) pretendimet për ndërhyrje sovjetike, gjë që në fakt i irritoi rusët.
  2. Ambasada jugosllave këtu nuk ka shkuar më tej sesa të shprehet se rusët nuk janë “të pakënaqur” për trazirat në Kosovë. Nuk kemi të dhëna që tregojnë se shembulli jugosllav po bëhet “gjithnjë e më tërheqës” në Evropën Lindore apo se Bashkimi Sovjetik është i përfshirë në këtë rezultat. Dyshoj se situata është krejt e kundërta – shoqata “Solidariteti” është ndoshta shumë më e pavarur se sindikatat jugosllave. Mbase një ditë këto të fundit do të mësojnë prej eksperiencës së shoqatës “Solidariteti”.

Brooke Turner

                               [Ky telegram nuk është përcjellë]

 

-41-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery Esq                                                        Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                         Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                    27 maj 1981

I nderuar Alan,

Kosova: situata e brendshme politike

 

  1. Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës u mblodh në Prishtinë më 23 maj nën drejtimin e kryetarit të ri, Veli Deva. Shtypi u tregua i kujdesshëm për të njoftuar se mbledhja është ndjekur nga anëtarë të organizatave federale dhe serbe, të zgjedhura nga Kosova, dhe një përfaqësues zyrtar i Komitetit Qendror Serb. Pra, nuk mund të ketë justifikime të tjera për njerëzit në qendër që të mos e dinin se çfarë po ndodhte në Kosovë, si dhe theksimin e sovranitetit të Serbisë.
  2. Objekti i mbledhjes ishte që të diskutohej një program veprimi me objektivin për të përshpejtuar eliminimin e shkaqeve të trazirave të kohëve të fundit. Hyrja u bë nga Mustafa Pljakiç, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Ai tha se programi duhej të ishte si vetëkritik për Lidhjen e Komunistëve për të çrrënjosur dobësitë e veta, ashtu edhe fuqimisht kundërsulmues. Nuk është e vështirë që nga ky përshkrim të nxjerrim përfundimin se programi i veprimit i cili është në zhvillim e sipër prej disa javësh, nuk po shkon aq mirë sa pritej. Me të vërtetë, Pljakiç tha se “armiku” ishte ende aktiv dhe se situata politike e sigurisë mbetej e vështirë. Ende në mure shkruheshin parulla, shpërndaheshin broshura, bojkotohej mësimi në disa shkolla të mesme, dhe u kërcënuan nxënës shkollash dhe prindërit e tyre për të organizuar demonstrata, veçanërisht në ato vende ku nuk kishte pasur asnjë të tillë deri më sot. Programi aktual pretendohej që do të sillte disa rezultate, por në të njëjtën kohë ky program ishte plot me “mosmarrëveshje, pavendosmëri, pasivitet dhe oportunizëm”.
  3. Pljakiç tërhoqi vëmendjen veçanërisht në dobësitë “e panumërta dhe serioze” në zbatimin nga ana e LK të politikës për marrëdhënie në nivel komunal në Kosovë. Duhej përcaktuar vija e qartë midis afirmimit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës dhe nacionalizmit dhe irredentizmit të Shqipërisë, si dhe patriotizmit jugosllav që nevojitej të inkurajohej. Në këtë kontekst, ai theksoi nevojën për të analizuar dhe vlerësuar shkaqet e migracionit të serbëve dhe malazezëve nga Kosova.
  4. Pljakiç dha më pas një përshkrim të programit të ri të veprimit, i cili fillonte me marrëdhëniet me Shqipërinë. Pljakiç u shpreh se një nga burimet kryesore të indoktrinimit ideologjik në nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar ishte “propaganda intensive, e vazhdueshme, armiqësore dhe subversive nga Shqipëria”. Diku tjetër, ai e përshkroi këtë propagandë si “brutale, të organizuar dhe antijugosllave”. Tashmë ishte e nevojshme për të gjithë të interesuarit në Kosovë që të rishikonin në mënyrë kritike bashkëpunimin aktual me Shqipërinë, veçanërisht të gjitha marrëveshjet në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe turizmit. Shtypi më pas e citoi Pljakiçin fjalë për fjalë, si për të theksuar rëndësinë: “Të gjitha kontaktet dhe marrëdhëniet e mëtejshme midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të zhvillohen në kuadrin e marrëdhënieve ndërkombëtare të përcaktuara midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë mbi parimet e politikës sonë të jashtme”. Kështu, është e qartë që nuk do të ketë më privilegj të praktikës së kaluar të Kosovës për të lidhur marrëveshje bilaterale me Shqipërinë pak a shumë pa dijeninë e Beogradit.
  5. Pljakiç trajtoi më pas nevojën për një analizë kritike të zhvillimeve intensive aktuale të arsimit të përgjithshëm në Kosovë. Duke filluar në krye me Universitetin e Prishtinës, Pljakiç foli për pakujdesitë dhe dobësitë e politikës personale dhe theksoi se ishte e nevojshme që të thellohej spastrimi i stafit dhe të përjashtoheshin të gjithë ata që nuk kishin cilësitë e duhura morale, politike dhe akademike dhe që ishin të mbushur me qëndrime nacionaliste, irredentiste dhe të tjera armiqësore. Programi mësimor dhe tekstet shkollore duhej gjithashtu të çliroheshin nga i ashtë-quajturi “romanticizëm” dhe çdo gjë tjetër që sillte vetëdije nacionaliste dhe irredentiste.
  6. Duke iu kthyer kulturës, Pljakiç bëri thirrje për një vlerësim kritik të programeve të institucioneve kulturore, repertorëve teatralë, filmave, dhe veçanërisht, programeve të shoqërive kulturore/artistike, të cilat duhet të spastrohen nga i tërë glorifikimi i trashëgimisë kulturore, krenaria kombëtare, përjashtimësia dhe nacionalizmi. Kjo është pa dyshim e nevojshme në dritën e përvojës por do të ketë implikime të rëndësishme nëse ndiqet në mënyrë të vazhdueshme për politikën e Jugosllavisë në drejtim të nxitjes së zhvillimit të lirë të pakicave kombëtare dhe të drejtës së tyre për të gëzuar trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhësore.
  7. Pljakiç iu kthye më pas çështjes së medies dhe i bëri thirrje komunistëve që të rishqyrtonin në mënyrë kritike politikën editoriale dhe konceptet e medies në të cilën punojnë.
  8. Në përfundim, Pljakiç foli për problemet që lidhen me Kushtetutën dhe detyrat e përfshira në Planin aktual 5-vjeçar, i cili do të kërkonte, dhe përsëri këtu fjala e tij u citua tekstualisht: “harmonizimin e pikëpamjeve ndërmjet Krahinës, Republikës dhe Federatës”.
  9. Mbetet për t’u parë nëse autoritetet janë më të suksesshme, apo më të kujdesshme në zbatimin e këtij programi. Problemet e përfshira janë të konsiderueshme, veçanërisht në Universitetin e Prishtinës, i cili po del çdo ditë e më qartë se është drejtuar në vija që ishin ose politikisht naive ose qëllimisht subversive. Stafi kryesues i mësimdhënies u akuzua nga Fadil Hoxha në fillim se ishin të vonuar në deklarimin e qëndrimit të tyre. Tani, dy muaj më vonë të trembëdhjetë komunistët në Akademinë e Arteve dhe Shkencës së Kosovës kanë deklaruar mbështetjen e tyre për qëndrimin zyrtar, por nuk ishin të matur sa duhet në kritikën ndaj shtypit për raportimin e tij të supozuar tendencioz mbi Universitetin. Ata kundërshtuan veçanërisht etiketimin e tij si “bastion i nacionalizmit”. Që atëherë, Këshilli i Universitetit është mbledhur dhe, megjithëse ka pranuar dobësitë që armiku kishte shfrytëzuar, shumë nga anëtarët kanë kundërshtuar gjithashtu trajtimin e situatës nga ana e medies. Siç e theksoi me forcë në refuzimin e tij të këtij kriticizmi, shtypi kishte përdorur vetëm fjalë dhe informacion nga burime zyrtare (citimi i veçantë erdhi nga një anëtar i Komitetit Qendror të LKJ-së!). Shtypi, i nxitur nga disa politikanë, konkretisht Joze Smole i Komitetit Qendror të Sllovenisë, i cili tha në një intervistë së fundmi se duhet “të raportojë çdo gjë që sheh pa marrë parasysh nëse ndokush thotë se nuk është e lejuar”, është në ditën e tij të dëfrimit, veçanërisht me argumentet sipërfaqësore të profesorëve të Universitetit për të justifikuar politikën e tyre në drejtim të angazhimit të stafit nga Tirana.
  10. Por, edhe Universiteti po përkulet përpara presionit politik, jo pa mëri, dhe Këshilli i tij po shqyrton me autoritetet e arsimit një sërë masash që synojnë pakësimin e futjes së studentëve vitin e ardhshëm në përgjithësi dhe në veçanti jashtë Kosovës, duke i drejtuar ata në degë studimi që kanë kërkesë më të madhe në industri, duke i shpërndarë disa fakultete dhe shkolla në qytete të tjera dhe duke reduktuar dublikimin, duke lidhur stafin mësimdhënës dhe gjuhët më afër me përbërjen e organizatës studentore (4 shqiptarë me 1 folës serbo-kroat në vend të raportit aktual 3 me 1); e gjithë kjo me qëllim uljen e presionit për Prishtinën.
  11. Jashtë Universitetit ka raporte që flasin për rezistencë ndaj spastrimeve në organizata të ndryshme, veçanërisht në disa nga shkollat e mesme dhe fabrika, ku pas dy muajsh njerëzit ende refuzojnë të deklarojnë nëse kanë marrë pjesë në demonstrata apo nëse kanë dhënë ndonjë mbështetje tjetër.
  12. Ka probleme të tjera për vetë udhëheqjen, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Gazeta “NIN” e kësaj jave kishte një kryeartikull të thekshëm kritik, i cili akuzonte udhëheqjen e Kosovës së pari se i kishte hedhur hi syve gjithsecilit për gjendjen e vërtetë aktuale aty, kështu që ata i kërkonin shkaqet në vendin e gabuar, dhe së dyti se ishte përpjekur për t’i fshehur ato. Siç tha gazeta “NIN”: “Për disa qarqe në Kosovë, identifikimi i të cilave është në proces, duket se ishte me rëndësi jetësore që analiza të drejtohej në rrugën e gabuar në vend që të kërkoheshin burimet e ngjarjeve të fundit ku ishte e nevojshme dhe ku po kërkohen”. Gazeta “NIN” besonte se burimet shtriheshin në të kaluarën dhe se Kosova tani po korrte çfarë kishte mbjellë më parë, d.m.th., për vite njerëzit kishin pëshpëritur për krijimin e një “Kosove etnikisht të pastër”, për raste të shumta të tolerancës së sulmeve mbi joshqiptarët, dokumentimin e migrimit të këtyre të fundit nga Kosova, nacionalizmin në politikën kulturore, etj. Gazeta “NIN” pyeti: “Në çfarë shkalle njerëz të caktuar me emra, mbiemra, funksione të caktuara e dinë këtë dhe, nëse nuk e kanë mbështetur, të paktën e kanë toleruar dhe kanë heshtur”? Gazeta “NIN” besonte se akuzat duhej të bëheshin ndaj atyre që janë përgjegjës, përndryshe kishte rrezik që të fajësoheshin të gjitha grupet në vend të individëve dhe të përhapeshin forma të tjera nacionalizmi.
  13. Kjo temë është trajtuar në nivel federal në një diskutim për Kosovën, më 25 maj, në Komitetin Socio-Politik të Kuvendit Federal. Një deputet tha se një pjesë e madhe e përgjegjësisë duhet të bjerë mbi udhëheqjen e Kosovës dhe se nuk mund të ketë progres deri kur kjo të sqarohet. Në të njëjtën kohë ai tha se duhet të ngrihet çështja për përgjegjësinë e organeve të caktuara të Federatës për mosnjohje ose keqvlerësim të fenomeneve të ndryshme dhe për fshehje të tyre për arsye të ndjeshmërisë kombëtare. Një tjetër deputet trajtoi të njëjtën çështje dhe shtoi se deri së fundmi thuhej në mënyrë të vazhdueshme se situata e sigurisë ishte e mirë. Kjo nënkuptonte, tha ai, se duhej shqyrtuar puna e organeve federale përgjegjëse. Në intervistën e tij, Joze Smole përsëriti gjithashtu kërkesën e tij të bërë në mbledhjen e fundit të Komitetit Qendror që të botohej rezultati i vizitës së Karkelj në Kosovë, në vitin 1977. Me sa duket Karkelj e pa se çfarë po ndodhte dhe bëri rekomandime të ndryshme të cilat duket se nuk u ndoqën. Smole dhe të tjerë duan të dinë se pse këto rekomandime nuk u ndoqën.
  14. Deri tani nuk kam parë asnjë tregues të ndonjë dorëheqjeje tjetër por gjithsesi, në këtë periudhë të vitit shumë njerëz që mund të kenë qenë të implikuar po qarkullojnë në vendet e punës. Kështu, Dragosavac, sekretari i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve, është zëvendësuar nga Culafiç në fund të mandatit të tij dy-vjeçar. Në Kosovë, Azem Vllasi (shqiptar me bashkëshorte kroate dhe gjithnjë në rritje) u emërua Kryetar i Lidhjes Socialiste aty për një periudhë një-vjeçare. Por, siç raportova javën e kaluar, sekretari federal i Punëve të Brendshme është ende në vendin e tij, po ashtu si sekretarët e Zyrës së Informacionit këtu dhe në Kosovë si dhe rektori dhe stafi drejtues i Universitetit të Prishtinës. Njerëz të ndryshëm më kanë thënë se do të ketë më shumë dorëheqje, por ndërkohë, siç ka sugjeruar gazeta “NIN”, njerëzit bëjnë pyetje. Kredibiliteti i politikanëve është shtrirë më tej përmes një filmi në TV ku flitet për një mbledhje të Kryesisë së Kosovës që tregon Bakallin i cili bie shumë në sy në tryezën e diskutimit!
  15. Në këtë mënyrë, situata mbetet e paqëndrueshme dhe shumica e kontakteve tona janë të errëta për të pasur ndonjë përmirësim të hershëm. Por të paktën, gjithnjë e më shumë kjo situatë po bëhet e njohur publikisht, gjë që në vetvete, është e shëndetshme dhe e jashtëzakonshme. Gjithashtu, janë mbledhur të dhëna që flasin për një kontroll më të rreptë si nga Federata dhe Serbia në Krahinën e pabindur. Megjithatë, është ende shumë herët për të parashikuar rezultatin.

                                                                                                                                    I Juaji,

  1. J. Clark

Për dijeni: P. Rosling Esq

Zagreb

  1. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

-42-

Sekret

Fm Beograd 270720z, maj ‘81

Informacion rutinë për FCO

Telegrami nr. 074, 27 maj ‘81

RFI Moskë                                                                                                   1 qershor 1981

Telegrami juaj nr. 311

Kosova

  1. Nuk ka shenja këtu që të flasin për ndonjë ndryshim thelbësor të politikës sovjetike të periudhës post-Tito në drejtim të Jugosllavisë. Kjo situatë duket se i mban marrëdhëniet politike të qeta, bazuar në marrëveshjet e arritura me Titon që në vitin 1955, dhe sjell përqendrimin në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike të cilat po shkojnë mirë. Këto të fundit po përmirësohen në një masë të tillë sa të bëjnë që disa nga miqtë tanë jugosllavë të shqetësohen për përkeqësimin e marrëdhënieve ekonomike me KE-në.
  2. Mendoj se do të ishte e çuditshme nëse Moska do të rrezikonte këto tendenca të favorshme duke ndërhyrë në Kosovë dhe në marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë. Çdo shenjë e përfshirjes sovjetike në këto zona tepër të ndjeshme do të ringjallte armiqësinë e fshehur jugosllave në drejtim të Bashkimit Sovjetik.
  3. Në fakt kemi të dhëna për përfshirje sovjetike. Në fillim të trazirave në Kosovë, deklaratat jugosllave që i referoheshin ndërhyrjes së huaj përfshinin kominformistët. Por, kjo akuzë nuk u mbështet asnjëherë seriozisht dhe, pas artikullit kritik të gazetës “Pravda” në prill, kominformistët nuk janë përmendur në ndonjë deklaratë të rëndësishme. Nëse jugosllavët do të kishin të dhëna për ndërhyrje sovjetike apo nëse do të dëshironin të tërhiqnin vëmendjen në këtë pikë, siç sugjeron edhe Berislavjevic në deklaratën e tij, me siguri që do t’i ishin kthyer kësaj akuze.
  4. Për sa i përket përdorimit të mundshëm nga Moska të kartës së Kosovës për të ndikuar në zhvillimet në Poloni, do të mendoja se ata e kanë kuptuar që influenca e Jugosllavisë në Poloni është kaq periferike sa të mos përpiqen ta luajnë këtë rol, veçanërisht kur ajo rrezikon të shqetësojë marrëdhëniet e mira aktuale me Jugosllavinë.
  5. Gërliçkov, anëtar i Kryesisë së Partisë, e mohoi në bisedën me mua mundësinë e ndërhyrjes sovjetike në Kosovë më 6 prill (telegrami im nr. 43). Që atëherë kam folur me këshilltarin për Politikën e Jashtme të kryeministrit dhe një zyrtar të lartë të Partisë: të dy më thanë se e dinin që nuk ka të dhëna për ndërhyrje sovjetike. Megjithatë, ky i fundit shtoi se nuk mund të përjashtohet asnjëherë mundësia e përzierjes sovjetike: ata duhet të kenë lënë pas agjentë në Shqipëri.
  6. Një shpjegim i mundshëm për sugjerimet e Berislavjevic dhe drejtimin zyrtar jugosllav (që unë nuk e kam parë ende) mund të jetë që autoritetet jugosllave, të vetëdijshme për disa nga dobësitë në rastin e tyre në Kosovë (veçanërisht mosdhënien e statusit të Republikës) po përpiqen që një pjesë të përgjegjësisë për ngjarjet t’ia kalojnë agjencive të jashtme. Ata janë të shqetësuar për imazhin e tyre jashtë vendit lidhur me trajtimin që i kanë bërë shqiptarëve të Kosovës. Rusët do të shërbenin si kokë turku e vërtetë.

Bolland

                                                                                                Kopje për:

                                                                                                Stafin e Vlerësimit,

                                                                                                Zyra e Kabinetit.

[Ky telegram nuk është përcjellë]

 -43-

Konfidenciale

GR 200

Fm Moskë 261155z, maj ‘81

Informacion rutinë për FCO

Telegram nr. 295, i datës 26 maj                                                  27 maj 1981

Informacion, Beograd

Telegrami juaj nr. 311

Kosova

  1. Besoj se rusët thjesht po vëzhgojnë situatën nga larg. Vlerësimi ynë vazhdon të jetë se është në interesin afatgjatë të sovjetikëve që të ruajnë marrëdhënie korrekte me Jugosllavinë, së paku deri kur të fillojnë të shfaqen mosmarrëveshjet në radhët udhëheqjes jugosllave mbi mënyrën se si do të përballohen problemet e vendit. Raportimi nga ana e shtypit sovjetik ka qenë i shkurtër dhe i vetmi koment ishte mohimi (gazeta “Pravda” e datës 19 prill: shkresa nisur me telefaks e z. Jackson e datës 21 prill) i supozimeve për ndërhyrje sovjetike, gjë që me sa duket i acaroi rusët.
  2. Ambasada jugosllave këtu nuk ka bërë më shumë sesa të thotë që rusët nuk janë “të pakënaqur” për trazirat në Kosovë. Ne nuk kemi të dhëna se shembulli jugosllav po bëhet “gjithnjë e më shumë tërheqës” në Evropën Lindore apo se Bashkimi Sovjetik është i shqetësuar për këtë rezultat. Dyshoj se situata është krejt e kundërta – lëvizja Solidariteti është ndoshta vërtet shumë më e pavarur se sindikatat jugosllave. Mbase këto të fundit një ditë mund të tundohen të mësojnë nga përvoja e solidaritetit?

Brooke Turner

Kopje për:

Stafin e Vlerësimit,

Zyra e Kabinetit.

[Ky telegram nuk është përcjellë]

 

-44-

Konfidenciale

GRS 210

Fm moskë 280530z, maj ‘81

Prioritet i lartë

Telegram nr. 303 i datës 28 maj

Për informacion rutinë, Beograd

Telegrami juaj nr. 311 dhe telegrami im nr. 295

 

Kosova

  1. Meqenëse turneu im ishte caktuar, pata mundësinë që të diskutoja çështjen e Kosovës me ministrin në Ambasadën jugosllave këtu.
  2. Strbac e pranoi me sinqeritet se shqetësimi i takonte vetë gabimeve të kaluara të Jugosllavisë në trajtimin e pakicës shqiptare po aq sa edhe ndërhyrjes së shqiptarëve. Për shembull, numri i studentëve në Kosovë kishte arritur në 51,000 dhe ishte lejuar që Universiteti të mbante kontakte me Tiranën. Megjithëse Shqipëria i kishte shfrytëzuar mundësitë që ofronte kjo situatë, Strbac e dinte se nuk kishte të dhëna që rusët i kishin inkurajuar ato. Sipas mendimit të tij, qeveria sovjetike ishte e shqetësuar që të mos u jepte jugosllavëve asnjë arsye legjitime për ankesë për këtë rezultat dhe i ka bërë të qartë jugosllavëve mosaprovimin nga ana e tyre të terrorizmit në lidhje me incidentin e bombës në Ambasadën jugosllave në Tiranë në përvjetorin e ditëlindjes së Titos.
  3. Natyrisht kjo nuk kundërshton deklaratën e mëparshme të Ambasadës jugosllave që rusët nuk janë “të pakënaqur” për trazirat në Kosovë.

Brooker Turner

                                                            [Ky telegram nuk është përcjellë]

 

-45-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                       Ambasada britanike EESD, Beograd FCO                                                                                       2 qershor 1981

Kosova: zjarri në Patriarkanën e Pejës

 

  1. Ka patur një zhvillim të ri në historinë e zjarrit misterioz të vënë në Patriarkanën Ortodokse Serbe në Pejë, më 16 mars (referuar në letrat e Terence Clark dërguar për Ju më 22 prill dhe 11 maj).
  2. Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, më 27 maj, Prokuroria Publike bëri të ditur se janë kryer hetime zyrtare dhe se “ka shumë të ngjarë” që zjarri është shkaktuar nga një qark i shkurtër që rezultonte nga instalime të dobëta elektrike dhe izolime të pamjaftueshme. Në mënyrë alternative zjarri mund të jetë shkaktuar edhe nga një oxhak me defekte. Sidoqoftë, forcat e brendshme të sigurisë janë udhëzuar që të vazhdonin me hetimet për të hequr çdo dyshim të mbetur.
  3. Gazetarëve pjesëmarrës mesa duket nuk u bënë përshtypje këto shpjegime dhe siç raportoi gazeta “Politika”, ata bënë disa pyetje kërkimore. Përgjigjet nuk ishin të mjaftueshme. Si mund të përcaktohej se oxhaku ishte dëmtuar para vënies së zjarrit dhe jo gjatë tij? “Oxhaku ishte dërguar në Beograd për analiza që do të zgjidhnin këtë pikë”. Pse nuk ishte dhënë menjëherë informacioni për vënien e zjarrit? “Faktet nuk njiheshin dhe vetëm hetuesi ishte autorizuar që të jepte informacion”. A kanë funksionuar siç duhet pajisjet me ujë që përdoren nga makinat zjarrfikëse? “Zjarrfikësit kanë argumentuar se ishin përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për shuarjen e zjarrit”. Siç e tha edhe gazeta “Politika” (ndoshta mjaft bujarisht), “në tërësi vetëm një pjesë e pyetjeve morën përgjigje, por prokurorët ishin përpjekur në fakt që t’i përgjigjeshin çdo pyetjeje – nëse ishte brenda kompetencës së tyre”.
  4. Toni i kujdesshëm, në mos i paqartë i këtyre komenteve zyrtare, nuk do të ndikojë shumë që të largojë dyshimet e serbëve se ishin nacionalistët shqiptarë që vunë zjarrin. Nga ana tjetër, këto komente natyrisht nuk përbënin një konfirmim zyrtar të ngjarjes. Terence Clark raportoi më 11 maj se ishte vendosur në të vërtetë nga policia se bëhej fjalë për rastin e zjarr vënies së qëllimshme. Kështu, mbase nuk kemi dëgjuar lajmet më të fundit në këtë pikë.

                                                                                                       I Juaji, Charles Crawford
Oficer Informacioni

 

  

-46-

Konfidenciale

J C R Gray Esq                                                                                      Ambasada britanike

EESD, Beograd                                                                                          3 qershor 1981

FCO

Kosova: situata e brendshme politike

 

  1. Gjatë kësaj jave nuk ka ndodhur asgjë mbresëlënëse që të ndikojë në situatën e përgjithshme në Kosovë qoftë për mirë apo për keq. Fjalimet dhe deklaratat zyrtare tregojnë se autoritetet e shohin veten e tyre përballë një problemi afatgjatë dhe të vështirë në Krahinë. Thirrjet e përsëritura për më pak “takime maratonë” dhe më shumë veprim, si dhe natyra e incidenteve të reja të raportuara në shtyp, sugjerojnë që nëse nuk ka opozitë aktuale ndaj masave të autoriteteve për të shtypur ndjenjat nacionaliste-lokale, shumë njerëz do të ngurrojnë në zbatimin e tyre. Një mbledhje e Lidhjes Socialiste të Kosovës la shtegun hapur për akuza të pazakonta të paaftësisë dhe korrupsionit në jetën publike lokale.

Deklarata zyrtare

  1. Fadil Hoxha përmendi në një vizitë në Prizren, më 29 maj, disa nga temat e mësipërme. Ai tha se situata në Kosovë ishte ende “e komplikuar”. Kishte ardhur momenti për veprime praktike dhe jo për mbledhje të gjata të lodhshme për të vendosur për kursin e saj. Më shumë aktivitet nevojitej në mesin e të rinjve, veçanërisht në fshatra ku sjellja nacionaliste kishte hapësirën më të madhe (veçanërisht, pa dyshim pas vendimit për të mbyllur Universitetin më herët).
  2. Në një intervistë të gjatë të raportuar në gazetën “Politika” më 1 qershor, Dragoslav Markoviç i përsëriti këto vërejtje. “Fakt është se puna ideologjike me të rinjtë ka qenë e pamjaftueshme, e varfëruar dhe e stereotipizuar. Kjo ka pasoja me ndikim të gjerë. Është punuar me të rinjtë në Kosovë “por fatkeqësisht nuk është punuar nga ana jonë”. Parimi i centralizmit demokratik nganjëherë është keqinterpretuar plotësisht në Jugosllavi, tha Markoviç. “Ne pranojmë direktivat por nuk marrim pjesë sa duhet në procesin e marrjes së vendimeve. Rezultatet janë të dukshme – mospërputhje në zbatimin e tyre”. Duhet kohë e konsiderueshme që situata në Kosovë të stabilizohet; meqenëse përgatitjet për aktivitet kundërrevolucionar kanë ndodhur për një kohë të gjatë, po kështu në mënyrë korrespondouese nevojitet një kohë e gjatë për rikthimin e situatës. Pa dyshim ka pasur forca në Kosovë të cilat ishin në gjendje dhe të gatshme të zgjidhnin fitoren e vetëmenaxhimit socialist (e panevojshme të thuhet, vlen të përmendet se nuk ka nevojë për ta theksuar këtë). Njerëzit nuk duhet të jenë të padurueshëm me komunistët kosovarë të cilët duhej të bënin betejën kryesore.

Lidhja Socialiste e Kosovës

  1. Disa nga personat përgjegjës për zhvillimin e betejës kryesore shprehën pakënaqësi për punën e tyre gjerë më sot kur më 1 qershor u mblodh Konferenca Krahinore e Lidhjes Socialiste të Kosovës, për të shqyrtuar situatën e vitit të kaluar dhe për t’u përgatitur për vitin tjetër si dhe për të konfirmuar Azem Vllasin-kryetar. Megjithatë, mbledhja ishte kryesisht e paharrueshme për akuzat e ngritura në të nga delegatë të ndryshëm për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion. Siç raportohet në gazetën Politika, u bënë akuza, ndërmjet të tjerash, se fondet zyrtare janë shpërdorur për qëllime private, se ekzistonin ryshfeti dhe nepotizmi, se janë organizuar udhëtime të shtrenjta të panevojshme me shpenzimet publike, se makinat zyrtare janë marrë për përdorim privat, e kështu me radhë. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Kosovës, tha se akuza të ngjashme në të kaluarën “janë hedhur poshtë në disa drejtime si kritikë-nxitëse dhe për konservatizëm”.
  2. Për sa i përket masave për trajtimin e problemeve politike në Krahinë, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Socialiste, Jusuf Kelmendi, tha se duhet të ndalohen aktivitetet që ngjajnë si “forume”. Ka pasur diskutime dhe një mal me letra të pafundme, të pavlera dhe abstrakte. Nevojitej veprimi praktik. Një delegat tjetër tha se që më 11 mars ka pasur vetëm një (!) mbledhje aktive në të cilën shumë pak është vendosur në drejtim të veprimit, përveç katër mbledhjeve për të studiuar një raport mbi aktivitetin e vitit të kaluar.
  3. Nisur nga konstatimet në raportet e shtypit, edhe kjo mbledhje nuk arriti të dalë me një plan të thellë. Sidoqoftë, u theksua se çdo përpjekje për të shtrënguar serbët dhe malazezët që të largohen nga Kosova duhet trajtuar me ashpërsi dhe se duhet të analizohet çdo rast emigrimi për të parë nëse është bërë presion.

Situata lokale

  1. Këto shprehje të ndryshme të shqetësimit zyrtar janë përforcuar nga qarkullimi i vazhdueshëm i lajmeve mbi situatën lokale së cilës iu referua Terence Clark në letrën e tij të datës 17 maj drejtuar Alan Montgomery, paragrafi 15. Raportet e mbledhjeve të komiteteve krahinore të LKJ-së në Ferizaj dhe Istog e bënë të qartë se trazirat vazhdonin dhe se përpjekjet për trajtimin e tyre nuk po shkonin mirë. Kështu, në Ferizaj vazhdonin hapat intensive të LKJ-së “për t’i hequr maskën forcave armike”, por “heshtja dhe oportunizmi” ishin ende mbizotëruese; ishin shkruar parulla dhe ishin ftuar njerëzit për t’u bashkuar me demonstratat ose ishte bojkotuar mësimi. Më e rëndë kjo situatë paraqitej në një shkollë të mesme, në një qendër shëndetësore publike, në fabrikë veglash dhe punimesh druri si dhe në disa shkolla fillore. Drejtori i shkollës së mesme arriti deri aty sa tha se 80% e kuadrove nuk kishin kualifikimin e duhur për punën që bënin. Programi shkollor ishte “i ngarkuar me historicizëm, gjë që e ka lehtësuar detyrën e mësuesve që të shprehnin sjellje nacionaliste”.
  2. Më 31 maj gazeta “Borba” sulmoi ashpërsisht Komitetin Krahinor të LKJ-së të Istogut për neglizhencë në trajtimin e trazirave të rifilluara aty. Në Istog demonstratat ishin zhvilluar më 30 prill, pothuajse një muaj pas demonstratave kryesore tjetërkund në Kosovë; gazeta “Borba” pretendoi se përgatitjet për këto demonstrata ishin të njohura publikisht. Studentët kishin krijuar parulla, ndërsa aktivistët e Lidhjes Socialiste ishin sulmuar me gurë nga njerëz lokalë. Megjithatë pas demonstratave nuk u ngrit asnjë akuzë penale. Një raport i përgatitur për mbledhjen e LKJ-së të datës 20 maj thoshte se policia ishte çorganizuar. “Një numër forcash policore thjesht nuk dëshironin të ndërhynin kundër demonstruesve”. Një njësi policore nga Peja ishte e domosdoshme të kërkohej për të ndërhyrë para se të shpërndaheshin demonstruesit. Një raport i gazetës “Politika” që bënte fjalë për të njëjtën mbledhje përfshinte një mori detajesh të vogla shqetësuese dhe demaskuese. Një shembull i tillë është: Kryetari i Komitetit Krahinor tha se dy demonstrues të plagosur kishin kapërcyer radhën për vende në një qendër rehabilitimi, ishin larguar por ishin kthyer dy ditë më pas. Pas kritikave mbi mënyrën se si udhëheqësit lokalë i kishin trajtuar çështjet kohët e fundit, gazeta “Borba” tha: “Nuk mund të kërkohet dallimi ideologjiko-politik në bazë nëse në nivelet e larta duhet të lihet i paprekur”.
  3. Sidoqoftë, spastrimi kishte vazhduar. Gazeta “Politika” raportoi se midis datave 11 mars (!) dhe 20 maj, 440 njerëz ishin përjashtuar nga Partia, dhe pothuajse çdo ditë kishte raportime dëbimesh të reja apo sanksionesh të tjera. Përshkrimi i gazetës “Politika” mbi mbledhjen e Istogut përmendte se një mësues malazez ishte dënuar me 12 vjet burgim për “aktivitet armiqësor nga pozita neoinformo-zyrtare”. Ky dënim duket jashtëzakonisht i rëndë. Gazeta “Politika” komentoi në mënyrë kritike se ndërkohë që në raste të tjera nuk ishte dhënë një vendim i tillë, këtu ishte pikërisht vendimi që ai mësues meritonte. Nuk kemi informacione të tjera për këtë pikë. Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës është rihapur për periudhën e provimeve.
  4. Gazetat “NIN”, “Ilustrovana Politika”, “Duga” dhe padyshim artikuj dhe periodikë të tjerë që ne nuk i monitorojmë, i janë futur punës me shumë zell dhe po publikojnë një sasi të tërë informacionesh për rastet individuale shqetësimi apo keqtrajtimi. Kështu, gazeta “Duga” kishte një artikull të gjatë për serbët të cilët pretendonin se ishin detyruar të linin tokat dhe shtëpitë e tyre. Gazeta “NIN” raportoi se disa serbë kishin gjetur pemët e tyre frutore të prera dhe po kështu gazeta “Ilustrovana Politika”, ndoqi po të njëjtën histori plotësisht. Në këtë drejtim, akuza e sekretariatit të Seksionit të Informacionit në Kosovë se revistat nacionaliste të Beogradit kishin qenë “subjektive, negative dhe sensacionale” në raportimin e tyre të ngjarjeve në Kosovë (shih gjithashtu letrën e Terence Clark përmendur më lart, paragrafi 9) u hodh poshtë me vendosmëri nga Konferenca e Kosovës; me të vërtetë vetë Seksioni ishte paralajmëruar për mungesë vigjilence! (Meqë ra fjala, lidhur me fuqinë e saj për të mbuluar çështjet e Kosovës, qarkullimi i gazetës “NIN” ka arritur tashmë 200,000 kopje në javë dhe po i kushtohet vëmendje edhe prodhimit të kësaj gazete në shkrimin romak).

Konkluzion

  1. Masa e lajmeve dhe analizave që po shfaqen në shtyp për Kosovën padyshim bën që njeriu të pyesë se çfarë zgjidhjeje mund të gjendet për t’u marrë me armiqësitë e thella dhe të dukshme nacionaliste që kanë inkurajuar vitet e vetëkënaqësisë zyrtare. Më e pakta, autoritetet qendrore kanë nxjerrë një mësim të dhimbshëm duke lejuar Kosovën që të ndjekë njëkohësisht politikat e decentralizimit dhe autonomisë lokale dhe kontrollin e gjithanshëm të lajmeve.

I Juaji
Charles Crawford
Oficer Informacioni

Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit, FCO
P Rosling Esq,
HMC-G, ZAGREB

 

-47-

Për përdorim të kufizuar

  1. E. Montgomery Esq Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                      Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                10 qershor 1981

I nderuar Alan,

Kosova: situata e brendshme politike

  1. Siç e kam raportuar në letrën time të datës 27 maj, gjithnjë e më shumë çështje po dalin në shtyp lidhur me përgjegjësinë politike për gjendjen aktuale në Kosovë. Në veçanti, vazhdon të shfaqet kërkesa e përsëritur e Joze Smoles që të publikohet vlerësimi i Kardeljit i vitit 1977. Çështja u ngrit nga gazetarët jugosllavë në një konferencë për shtyp të dhënë nga Azem Vllasi, kryetar i Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 5 qershor; gjithashtu gazeta “NIN” këtë javë ka tërhequr përsëri vëmendjen ndaj saj, duke botuar një intervistë me Mitja Ribiçiç nën titullin: “Çfarë tha Kardelj”.
  2. Ribiçiç, kryetar i Aleancës Socialiste të Sllovenisë, ka qenë subjekt i një sërë intervistash gjatë muajve të fundit kryesisht sepse, unë dyshoj, ai e ka zakon të shprehë mendimin e tij në një gjuhë të thjeshtë, gjë për të cilin ai është kërkuar nga kolegët e tij të dëshmojë kur herë pas here e kalon masën. Me këtë rast, gazeta “NIN”, pyeti ndër të tjera nëse ai mund të jepte thelbin e asaj që Kardelj ka thënë për aktivin politik në Kosovë në vitin 1977. Përgjigja e tij ngre pyetje të tjera të vështira.
  3. Ribçiç tha se edhe një shikim i shpejtë në temën e këtij diskutimi tregon se “nuk duhet të ishim çuditur për atë që ndodhi gjatë muajve të fundit në Kosovë”. Ai besonte se Kardelj, “megjithëse pati përpjekje për ta çorientuar atë”, ka dhënë një vlerësim që edhe në ditët e sotme ishte jashtëzakonisht interesant dhe paralajmëronte për kundërrevolucionin që kishte ndodhur që atëherë. Kardelj kishte thënë se ishte e vështirë të bihej dakord që situata politike ishte aq “e mirë” sa ata thonin dhe se gjithsesi nuk do të zgjaste nëse “ata” vazhdonin siç po bënin, pra nëse ata vepronin pa pyetur për interesat më të gjera të të gjithëve dhe kërkonin zgjidhje për problemet e Kosovës vetëm përmes kërkesave për më shumë para ose, sikurse u shpreh Ribçiç, “përmes një marrëdhënieje parazitare me ata që garantonin fondet”.
  4. Kardelj paralajmëroi gjithashtu për rreziqet e politikës në drejtim të fshatrave, gjë që rezultoi në migrimin e një numri të madh të rinjsh jashtë vendit ose në qytete për të studiuar apo punuar, duke shkaktuar probleme serioze sociale dhe politike.
  5. Kardelj e pa nacionalizmin shqiptar pjesërisht si rezultat i nacionalizmit më të hershëm serb por vlerësonte se shqiptarët, si shumicë, kishin tani përgjegjësi për të drejta të barabarta të nacionaliteteve të tjera. Kishte arsye mjaft objektive për nacionalizmin shqiptar në prapambetjen e Kosovës dhe traditat e vjetruara, që mund të bëheshin shkak për kundërrevolucion pa krijuar interesa të veçanta për nacionalitetin shqiptar.
  6. Në fund, Kardelj pranoi se ekzistonte faktori i emigrantëve shqiptarë, por duket se i hoqi nga mendja duke menduar se nuk ishin në gjendje që të dëmtonin Jugosllavinë. Ai foli gjithashtu për disa manifestime ftohjeje të udhëheqjes në Kosovë nga populli, për privilegje…
  7. Me pak fjalë, Ribçiç, i cili ka ose kujtesë të jashtëzakonshme ose kopje të asaj çfarë tha Kardelj (unë dyshoj për këtë të fundit), thoshte se Kardelj kishte parë me saktësi se nga frynte era në Kosovë pikërisht katër vjet më parë. Ajo çfarë Ribçiç nuk tha, por çështja është lënë qartazi pezull, është se përse nuk është bërë asgjë për të ndrequr tendencën e dëmshme nga njerëz të cilët, përveç Bakallit, ishin në pushtet atëherë dhe janë ende sot. Vllasi tha në konferencën e tij për shtyp që ai personalisht nuk e besonte se kishte përpjekjet të qëllimshme për të zhdukur regjistrimin e diskutimit të Kardelj, por është e qartë se gazetarët dhe të tjerët pikërisht këtë mendonin. Kushdo mund të supozojë se autoritetet nuk mendojnë se do të ishte në interesat e tyre që të zbulonin çdo gjë aktualisht por sipas mendimit tim ata do të duhet që herët a vonë të nxjerrin të vërtetën, nëse vazhdon presioni i tanishëm për të kërkuar shpjegim.
  8. Me artikullin e saj të përditshëm për Kosovën, gazeta “Politika” e datës 9 qershor, të cilën Charles Crawford është duke e raportuar në hollësi, ndihmon për të ndjekur presionin me një seri pyetjesh të mprehta lidhur me përgjegjësinë për situatën. Duke renditur mangësitë e panumërta të Universitetit të Prishtinës, gazeta “Politika” pyet se çfarë kanë bërë për to 4,800 anëtarët e LK-së në radhët e studentëve dhe stafit mësimdhënës. Organizimet e LK-së të Universitetit janë të lidhura me Konferencën e LK-së të qytetit, e cila thekson gazeta “Politika”, ende nuk e ka vlerësuar situatën në Universitet, përveç disa kritikave verbale. Pyetja e papritur është – pse jo? Gazeta “Politika” vazhdon më tej duke theksuar se shumica e stafit mësimdhënës ishte emëruar “pa dijeninë dhe influencën e fakulteteve”. Askush nuk pyet pse, thotë gazeta “Politika”, e madje as Konferenca e LK-së së Prishtinës, e cila ka përgjegjësi të konsiderueshme për situatën në Universitet. Studentët mbarojnë universitetin pa ditur gjënë e parë mbi marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe Federatën. Për çfarë është stafi mësimdhënës? – pyet gazeta “Politika”. Më seriozisht, gazeta “Politika” pyet se si ka ndodhur që kjo marrëdhënie është hequr nga dokumente të ndryshme zyrtare, për të cilat organet e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës janë përgjegjëse dhe askush nuk është kërkuar ende të përgjigjet për këtë apo është përjashtuar nga LKJ-së.
  9. Objektivi kryesor i gazetës “Politika” është universiteti, ku më në fund dhe haptazi me shumë ngurrim, rektori dhe dy zëvendësrektorët paraqitën dorëheqjet e tyre javën e kaluar, të cilat u pranuan nga Këshilli i Universitetit në mbledhjen e tij të datës 9 qershor. Universiteti, vëren gazeta “Politika”, i detyrohet një përgjigje të gjithë atyre punëtorëve të cilët kanë investuar në të. Po kështu, Konferenca e LK-së së Prishtinës u detyrohet një përgjigje. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë përgjigje në të ardhmen, por të krijohet përshtypja se në qarqet politike po kuptohet shumë ngadalë se nuk është më e mundur që njerëzit në poste të larta të shmangen nga përgjegjësia për gabimet e tyre, qoftë të veprimeve a mosveprimeve. Një zëvendëssekretar i Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës dha dorëheqjen javën e kaluar. Duket e sigurt se drejtues të tjerë do të marrin tatëpjetën.

                                                                        I Juaji, T. J. Clark

  1. Rennie Esq; P. Rosling Esq

Departamenti i Kërkimit, Zagreb

-48-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                      Ambasada britanike   

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                 Beograd         

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            10 qershor 1981

I nderuar Charles,

Kosova: një kronologji e ngjarjeve

  1. Vazhdimisht ju kemi informuar në mënyrë mjaft të plotë për ngjarjet në Kosovë, shpresoj, pa ju mbingarkuar me shumë detaje. Aq shumë ngjarje janë duke ndodhur çdo ditë në Krahinë dhe aq shumë informacione të reja filtrohen për ngjarjet e kaluara sa kemi vendosur që të mbajmë një kronologji të tyre me qëllim që të mos humbasim ndjekjen e fillit kryesor.
  2. Gazeta “Politika” dhe disa gazeta të tjera kishin të njëjtën ide. Gazeta “Politika” sapo ka publikuar kronologjinë e ngjarjeve në formë libri (një kopje e të cilit i është dërguar vetëm Departamentit të Kërkimit). Bashkangjitur po ju dërgoj kronologjinë e bërë nga Jon Ward nga data 11 mars deri më 31 maj, e cila mund të jetë e dobishme për ju. Ne do të vazhdojmë të mbajmë kronologjinë e ngjarjeve, nëse ato vazhdojnë të ndodhin me ritmin aktual.
  3. Vlen të theksojmë dy pika që dalin nga një kronologji e tillë. Së pari, ka pasur qartazi shumë më tepër punëtorë të përfshirë në demonstratat e prillit sesa ishim drejtuar për të besuar. Për më tepër, ka qenë shumë e vështirë për të bindur personat e përfshirë që të pranonin gabimet e tyre. Kjo është shqetësuese për autoritetet për të cilat “punëtorët” kanë një domethënie të veçantë ideologjike dhe shihen si tejet të pastër. Së dyti, aktiviteti antiserbo-malazez ka ndodhur gjithashtu në shkallë më të gjerë sesa autoritetet u përgatitën të pranonin fillimisht. Kjo thyerje e “vëllazërisë dhe unitetit” është veçanërisht shqetësuese për autoritetet meqenëse vë në dyshim efektivitetin e një prej pikave kryesore të politikës së brendshme të Titos. Më shumë në këtë çështje do ju njoftoj së shpejti.

I Juaji,

  1. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

 

-49-

Konfidenciale

J C R Gray Esq                                                                                       Ambasada britanike

EESD                                                                                                                  Beograd

FCO                                                                                                              10 qershor 1981                    I nderuar Charles,

 

Kosova: situata e brendshme dhe universiteti i Prishtinës

 

  1. Kjo javë ka kaluar përsëri me diskutime pa rezultat për situatën në Kosovë në një seancë të Kuvendit të Kosovës dhe një nga Konferencat Krahinore të LKJ-së së Prishtinës. Nuk ka shenja se autoritetet po ia dalin “për të diferencuar” më me efektivitet dhe mungesa e progresit në këtë drejtim në Universitetin e Prishtinës në veçanti ka shkaktuar kritika shumë të ashpra nga shtypi. Çdo ditë publikohen më shumë detajeve të incidenteve të mëparshme nacionaliste në Kosovë, duke theksuar në mënyrë dramatike shtrirjen e dallueshme të fshehjes zyrtare që ka ndodhur gjatë një periudhe të gjatë para demonstratave të fundit.

Kuvendi i Kosovës dhe Konferenca Krahinore e Prishtinës

  1. Megjithëse mbledhja e Kuvendit të Kosovës, më 3 qershor, mund të mos ketë arritur shumë sukses në propozimin e zgjidhjeve, ajo prodhoi një masë informacionesh mbi aktivitetin e vazhdueshëm nacionalist në Krahinë. Një raport i përgatitur për Kuvendin mbi situatën politike midis 24 prillit dhe fundit të majit dha një përshkrim shqetësues të aktivitetit të përhapur, megjithëse në shkallë të vogël, dhe armiqësor: fletushka dhe parulla që lavdëronin Shqipërinë dhe kërkonin lirinë dhe u shfaqën kërkesat për lirinë e të burgosurve politikë; varret serbe ishin dhunuar dhe një kopsht frutor serb ishte shkatërruar; u raportuan dy greva; bojkotet e shkollave të mesme ishin të shumta; gjithashtu u bënë përpjekje të mëtejshme për të organizuar demonstrata (megjithëse konfiskimi i aparaturave të fotokopjeve dhe makinave të shkrimit kishin ndihmuar për të penguar një lëvizje të tillë). U bënë thirrje për dorëheqje në Universitetin e Prishtinës, ku edhe kishin shpërthyer trazirat kryesore. Një delegat u ankua se spastrimi po kryhet nga vegjëlia në nivelet më të larta dhe jo anasjelltas.
  2. Siç raportoi së paku gazeta “Politika”, mbledhja e Konferencës Krahinore të LKJ-së së Prishtinës, më 6 qershor, ishte një çështje shumë më pak interesante, për të cilën u përsëritën ankesat e përbashkëta deri më tani për dobësi në LKJ-së. Asllan Fazlija, kryetar i Konferencës, tërhoqi vëmendjen në “një klasë dhe strukturë të luftës revolucionare të papërshtatshme, organizim të pamjaftueshëm, veçanërisht në zonat më të mëdha ekonomike dhe në Universitet, si dhe nivel të ulët ideologjik dhe mungesë gatishmërie për anëtarësim”. Mospërputhja dhe njëanshmëria në zbatimin praktik nga LKJ-ja të politikave në lidhje me barazinë kombëtare, “veçanërisht në politikën e punësimit dhe kuadrove”, kishte ndihmuar në krijimin e ndjenjës së pasigurisë në mesin e serbëve dhe malazezëve. Tashmë kishte më shumë kërkesa prej tyre për t’u larguar nga Prishtina. “Eksodi i kuadrove të nevojshëm për ekonominë e Prishtinës dhe Kosovës ishte veçanërisht i dëmshëm” (Kemi në plan të raportojmë më vete për problemin e emigrimit të joshqiptarëve). Më 8 qershor, gazeta “Politika” e bëri të qartë se kjo mbledhje ishte e pasuksesshme. Seanca prej tetë orësh ishte marrë me argumente të vjetra dhe jo me paraqitjen e këndvështrimit vetëkritik të përgjegjësive kolektive dhe individuale të anëtarëve, thuhej në këtë artikull. Këto ngjarje kishin rrënjë të thella. Ajo që u përmend mjaft shpesh, por që nuk u shpjegua siç duhet, ishte kalimi në heshtje i propagandës nga Shqipëria dhe politikat e kuadrove para demonstratave.

Universiteti i Prishtinës

  1. Ankesa për një kohë të gjatë se anëtarët më të lartë të Universitetit të Prishtinës i janë shmangur përgjegjësisë për trazirat e krijuara, e që u përsërit me forcë në Kuvendin e Kosovës, më në fund dha rezultate. Më 1 qershor, u njoftua ofrimi i dorëheqjes i një prej zëvendësrektorëve; ndërkohë më 5 qershor u njoftua se rektori dhe një tjetër zëvendësrektor kishin ofruar dorëheqjen e tyre. Rektori u shpreh se po jepte dorëheqjen “për arsye të ndërgjegjes dhe ndjenjës së përgjegjësisë për situatën e përgjithshme në Universitet dhe në lidhje me të”.
  2. Sidoqoftë, këto gjeste vetëdiferencimi nuk mjaftonin për të kënaqur gazetën “Politika”, e cila më 9 qershor publikoi një artikull të gjatë sulmues dhe depërtues mbi mënyrën se si ishte drejtuar Universiteti. Konkluzioni i artikullit ishte se informacionet për Universitetin dhe menaxhimin e tij ishin të paqarta ose të pakuptueshme. Vlerësimet për numrin e studentëve, për shembull, varionin nga 48,000 në 54,000 dhe në një mbledhje të vetë Rektoratit javën e kaluar ishte vënë(në mënyrë të paqartë) në dukje se “asnjë nuk e di me saktësi sa është numri i studentëve, përveç gjatë rekrutimit kur zyra e ushtrisë gjen listat e dyfishta”. Studentët diplomoheshin ndërkohë që nuk dinin asgjë për statusin e Kosovës në Serbi dhe në Federatën Jugosllave, për progresin social në Krahinë, apo për pozitën e Jugosllavisë në botë (kjo ndodhte pasi disa nga studentët kishin më shumë se nëntë vjet në Universitet!). Megjithëse kishte pretendime se doktoratat ishin marrë “menjëherë” dhe se, sado të kushtonte, po krijoheshin kuadro shqiptarë pa formimin e duhur shkencor, askush nuk i kushtoi vëmendje. “Për çfarë ishin duke i përgatitur profesorët studentët e tyre? A ishin duke i ndarë ata gradualisht nga Serbia dhe Jugosllavia duke lartësuar historinë shqiptare, duke evokuar romanticizmin dhe “faktet historike” të sapo zbuluara për historinë e Ballkanit? Vështirë të besohet se këta profesorë vepronin nga injoranca”.
  3. Duke i renditur këto defekte në punët e Universitetit, gazeta “Politika”, u shpreh se heshtja ishte gjithashtu faji i institucioneve dhe agjencive krahinore të cilat i kishin bekuar politikat e këtij Universiteti. Kështu për shembull, kryetari i Kuvendit të Kosovës kishte thënë se ata kishin mësuar për krijimin e Universitetit vetëm nga gazetat, duke shtuar se Kuvendi nuk ishte shprehur në zgjedhjen e organeve të Universitetit me gjithë faktin se vetë Kuvendi e kishte miratuar ligjin për rregullimin e tyre. Në Konferencën Krahinore të Prishtinës ishte thënë se dekanët dhe zëvendësdekanët ishin emëruar “përtej dijenisë dhe influencës së fakulteteve”. Por lind pyetja, nga kush u emëruan atëherë? “Komunistët e pranishëm, fëmijët e të cilëve ishin në Universitet, nuk kërkuan asnjë shpjegim dhe as nuk u dha ndonjë i tillë”. Stema e Serbisë ishte hequr nga dëftesat e shkollave fillore dhe simboli që tregonte pozitën e Kosovës brenda Jugosllavisë ishte zhdukur nga dyert e institucioneve krahinore, vendime këto që duhet të jenë miratuar nga Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Kosovës.
  4. Është thënë në shumë raste se “procesi i diferencimit” në Universitet kishte ecur veçanërisht ngadalë. Gazeta “Politika” raportoi se takimet e LKJ-së nuk ishin në gjendje të fitonin kuorumin e nevojshëm meqenëse studentët tani ishin në shtëpi. Në të vërtetë, Këshilli i Universitetit ishte vonuar në zhvillimin e mbledhjeve të tij për shkak të pamundësisë për të krijuar kuorumin e duhur, megjithëse takimi i radhës pritej të paraqiste një debat mbi përgjegjësinë dhe mënyrën se si Universiteti ishte bërë “një shtrat i ngrohtë i nacionalizmit”. Punëtorëve dhe njerëzve të tjerë si në Kosovë dhe në Jugosllavi në përgjithësi të cilët kishin investuar shuma të mëdha për qëllime arsimimi u duhej dhënë një përgjigje për këtë pyetje, tha gazeta “Politika”, dhe Konferenca Krahinore e Prishtinës, anëtarët e së cilës ishin gjithashtu komunistë nga Universiteti, duhej të jepnin një të tillë. “Megjithatë, fjalët e censurës të shprehura me zë të lartë dhe të përditshme, nuk mund të zëvendësojnë veprimin konkret. Shumë komunistë të Universitetit, si nga radhët e profesorëve dhe të studentëve, dështuan në këtë provim”.
  5. Megjithatë, një veprim konkret u shënua më 6 qershor. Që prej vitit të ardhshëm akademik e në vazhdim, komunitetet lokale ishin ngarkuar me përgjegjësinë për të vendosur se kush nga studentët duhet të kishte vende në konviktet për studentë, por gjithsesi, asnjë student që banonte 30-40 kilometra larg Prishtinës nuk do të përfitonte vend në konvikt meqenëse transporti në Prishtinë ishte i mirë organizuar. Kështu, 600 vende do të liheshin rezervë për studentët që vinin nga vendet e tjera në Jugosllavi.

Manifestimet nacionaliste

  1. Vlen të përmenden disa nga incidentet që shtypi i ka raportuar kohët e fundit për të treguar se çfarë lloj sjelljesh janë llogaritur për të shkaktuar shqetësime ose pakënaqësi. Kështu, dy vjet më parë në një turne ballkanik volejbolli në Prishtinë, ekipi i femrave jugosllave, me sa duket “shpërtheu në lot për shkak të fishkëllimave dhe vërshëllimave të ashpra të spektatorëve ndërkohë që shqiptarët i gëzoheshin këtyre ‘pritjeve miqësore’ ”. Profesorët ishin duartrokitur sepse kishin lavdëruar Enver Hoxhën dhe denigruar Jugosllavinë në leksionet e tyre. Për disa punë jepej pagesë ekstra për njohjen e gjuhës shqipe, por jo për njohjen e gjuhës serbe. Fotoja e Titos ishte hequr nga faqja e zakonshme në disa libra leximi për klasën e parë në shkollat për të vegjlit. Shenjat e rrugëve me emrat e heronjve kombëtarë si dhe bustet dhe statujat e tyre ishin vjedhur. Qeleshe të bardha shqiptare ishin vënë më parë dhe vazhdonin të viheshin “në mënyrë provokative” (me sa duket nga të rinj të cilit nuk do pranonin t’i mbanin veshur). Nga ana tjetër, dyqanet shqiptare gjetkë në Jugosllavi u bojkotuan nga publiku gjatë javëve të fundit. Shumë prej këtyre rasteve dhe të tjera si këto kanë shijen e veprave të këqija spontane dhe jo të “aktivitetit armiqësor” të bashkërenduar, megjithëse është e rëndësishme të kuptohet pikërisht se sa dëshpërues ka qenë dështimi i nxitjeve standarde për “vëllazëri dhe unitet” në Kosovë krahasuar me bashkekzistencën në dukje të suksesshme të nacionaliteteve të ndryshme (megjithëse në mënyrë të konsiderueshme më të sofistikuar) në Vojvodinë.

Komente

  1. Tabloja mbetet e zymtë, me gjithë kërkesën e Azem Vllasit në një konferencë për shtyp që ai mbajti për gazetarët jugosllavë sipas të cilit shtypi “injekton njëfarë optimizmi” në raportimin e tyre. “Me të vërtetë, në disa zona njeriu fiton përshtypjen se situata është e pashpresë, por duke e parë përballë në tërësinë e vet, tabloja është optimiste”. Përshkrimi i problemeve të kësaj jave në Universitetin e bujshëm zor se nxit një këndvështrim të tillë. Përshtypja e krijuar flet për një institucion të zvarritur, i cili prodhon çdo vit një numër të madh të diplomuarish të kualifikuar jo siç duhet (në mos injorantë) dhe i administruar në mënyrë joefikase në shkallë të gjerë nga shqiptarë të vrazhdë dhe evazivë. Përpjekjet e bëra deri më sot për t’u ndeshur me këtë monstër jashtëzakonisht të shtrenjtë “të ngritur përtej kërkesave të punës që lidhet me të, gjigante në madhësinë e saj, por të varfëruar në potencialin e kuadrove të vet” (siç e quajti gazeta “Politika”) ka dështuar qartazi. Në Kosovë në përgjithësi dhe në Universitet në veçanti, pulat e vetmenaxhimit janë kthyer në kotecet e tyre të decentralizuara.

                                                                                                                                I Juaji,

                                                                                                              Charles Crawford

                                                                                                            Oficer Informacioni

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …