Prof. Dr. Zymer U. Neziri: "Ali Kelmendi, E vërteta për kufirin e vjetër Çakorr-Hajlë- Kullë"

Prof. Dr. Zymer U. Neziri: “Ali Kelmendi, E vërteta për kufirin e vjetër Çakorr-Hajlë- Kullë”

Ali Kelmendi, një zë serioz nga Cyrihu se Kosova humb territor me Marrëveshjen e Vjenës (Ali Kelmendi, E vërteta për kufirin e vjetër Çakorr-Hajlë- Kullë, shtëpia botuese ”Rugova Art”, Prishtinë, 2018. Fjalë përuruese në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 9 mars 2018)                      

Të nderuar të pranishëm, të nderuar profesorë Hakif Bajrami, Shpejtim Bulliqi, Liman Rushiti, profesorë të fakulteteve e të instituteve, Gani Krasniqi dhe brezi ’68, brezi ’81 dhe brezi i UÇK-së, ju përshëndes të gjithëve!

Dy pikat më të njohura në këtë 100-vjeçar të  Çakorrit, mal simbol i krenarisë dhe i dhembjes rugovase, janë mbrojtja dhe pushtimi i tij, që janë edhe tema shqyrtimi në librin që po e përurojmë sot, E vërteta për kufirin e vjetër  Çakorr-Hajlë- Kullë, i autorit Ali Kelmendi. Aty është e vërteta se kufiri i vitit 1945 ndërmjet Kosovës e Malit të Zi përfundon në Çakorr, pra aty ku përfundon krahina e Rugovës, por duke lënë jashtë në atë krah krahinat e tjera të pushtuara të Kosovës më 1912. Aty janë vënë në pah mbrojtja dhe pushtimi i Çakorrit nga Mali i Zi, në prag të Luftës së Parë Botërore, më 1912, si dhe mbrojtja e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1941-1944, deri në ripushtimin e tij të tretë dhe të fundit, më 1944. Dhe, aty, pra në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit, pushtuesit, Serbia e Mali i Zi, vendosin kufirin më 1945-46, që sot pranohet ndërkombëtarisht. Ai kufi nuk ka ndryshuar deri në fundin e Jugosllavisë së dytë, e jo si thuhet në Marrëveshjen e Vjenës 2015 se kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Kuqishtë e te Kroni i Sokolit, sepse kështu Kosova humb mbi tetë mijë hektarë tokë.

Autori i librit dhe brezi i tij rugovas janë të lindur pas ripushtimit të Kosovës dhe të viseve tona të tjera, më 1944, pas kryengritjes, burgosjeve e pushktimeve, në kohën e mbledhjes së tepricave e të punës detyrimore. Ai e kaloi fëmijërinë e hershme në kohën e aksionit të armëve dhe të shpërnguljes për Turqi. Por, në ato vite, Rugova, që nga Çakorri e deri në Pejë, mbeti pjesë e Kosovës, sipas Komisionit Federativ për caktimin e kufinjve, më 1945-46. Nga libri E vërteta për kufirin e vjetër  Çakorr-Hajlë-Kullë shihet se Ali Kelmendi ka gjetur dokumente dhe harta në Zvicër, që dëshmojnë kufirin e Komisionit Federativ, më 1945-46: Qafa e Çakorrit- Moknat-Smilevica-Hajla-Kulla e Zhlebit, i pandryshuar në nivel federativ deri në fundin e asaj federate. Ai sjell edhe të dhëna nga enciklopeditë e librat e ndryshëm për kufirin e vitit 1945-46.

Autori është pasues i brezave paraardhës rugovas, në krye me komandantët Salih Jaha, Çelë Shabani e Kadri Bajri, dhe pasardhës i atyre që luftuan rreth dyqind vjet për tokën e vet, po edhe të atyre që mbrojtën Rugovën nga Mali i Zi në Çakorr gjatë krejt Luftës së Dytë Botërore, në periudhën ’41-’44, në krye me komandantin Zhukë Haxhia. Edhe të parët e Ali Kelmendit kanë qenë luftëtarë të dalluar. Ata kanë mbrojtur Çakorrin në tetor 1912, i cili ra pas një lufte heroike të 9 mijë mbrojtësve shqiptarë kundër sulmit të ushtrisë së Malit të Zi, e komanduar nga gjenerali Janko Vukotiq. Ata luftuan me armë e pa to, me pushkë e me sopata, luftë që zgjati rreth dy ditë e net. I përmendur është edhe gjyshi i autorit, Zhiti i Kadri Sokolit, hero epik i traditës gojore.

Në vijim, ai tërheq vërejtjen për udhëheqjen e sotme të Kosovës dhe për rrezikun nëse ratifikohet Marrëveshja e Vjenës, e nënshkruar më 2015. Ai sjell argumente se kufiri, së fundit, është saktësuar para 70 vjetësh, nga Serbia e Mali i Zi, aty ku përfundon krahina e Rugovës, por duke lënë jashtë pjesë të mëdha të Kosovës: Plava, Gucia, Berana, Rozhaja, Sanxhaku i Pazarit, si dhe vise të tjera shqiptare, deri në Ulqin e Tivar.

Autori përmend edhe emra nga kreu i Kosovës se ky është kapitullim i tyre para rugovasve dhe është mashtrim për liberalizimin e vizave, si dhe thotë se demarkacioni kurrë nuk do të kalojë pa pëlqimin e banorëve të Rugovës dhe përfundon se udhëheqësit ”po rrëshqasin në grackën e tradhtisë kombëtare me faljen-shitjen e 8 230 hektarëve të tokave tona.”

Ali Kelmendi ka përkrahur intelektualët tanë, profesorët Shpejtim Bulliqi, Zejnullah Gruda, Riza Smaka, Muharrem Carabregu, Florim Isufi, Muhamet Sadiku, Sylë Osmanaj, Zymer Neziri  etj., që në pranverë 2015, para se të nënshkruhej Marrëveshja e Vjenës, i thanë ish-Komisionit Shtetëror të Kosovës, të kryesuar nga M. Meha, se po gabon, kurse kumtesat i botuan në një libër të veçantë. Dihet, ai libër u shtyp tri herë brenda gjashtë muajsh, por, Qeveria e Kosovës kreu punën si e kreu dhe Marrëveshja u nënshkrua në Vjenë, kurse tash po kërkohet që ajo edhe të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës!

Autori ka përkrahur protestat e banorëve të Rugovës, të Pejës e të Rrafshit të Dukagjinit, si dhe të Prishtinës e të viseve të tjera dhe ka përkrahur peticionin e mbi 200 mijë nënshkruesve kundër Marrëveshjes së Vjenës; Ai ka përkrahur veprimet e Klubit të Intelektualëve Universitarë të Rugovës kundër Marrëveshjes së Vjenës, si dhe shkresat e tyre drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të dy presidentëve, në Tiranë e në Prishtinë, të dy kryetarëve të dy kuvendeve dhe të dy kryeministrave. Tash, Ali Kelmendi, që del para lexuesve me këtë libër për kufirin e vjetër Çakorr-Hajlë-Zhleb, të vitit 1945-46, përkrah Raportin e Komisionit Shtetëtor për kufirin, të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, që me dëshmi të pakontestueshme e kundërshton Marrëveshjen e Vjenës.

Nga leximi i librit E vërteta për kufirin e vjetër Çakorr-Hajlë- Kullë mund të nxjerrim disa përfundime dhe një pasqyrë historike të pushtimit e të ripushtimit të trefishtë të Çakorrit, brenda gjysmë shekulli: në vitet 1912, 1919, 1944, kurse në vitet 2012-2015 Çakorri bashkë me Kullën e Zhlebit i dhurohen Malit të Zi! Këtë e kanë bërë disa udhëheqës të lartë të Kosovës, thotë ai. Këtij dhurimi i ka prirë ish-Komisioni Shtetëror për kufirin, i drejtuar nga Murat Meha. Fatkeqësisht, Marrëveshjen e nënshkroi Kosova më 26 gusht 2015 dhe kufiri, sipas saj, është te Kroni i Sokolit (Savina Voda) e jo në Kullë të Zhlebit, dhe është edhe në katundin Kuqishtë, e jo në Qafë të Çakorrit, pra për rreth 8 200 hektarë dëmtohen pronat e katundeve të Rugovës së Sipërme, por edhe vendbanimet e tjera të Rugovës së Poshtme humbin tokë. Gjithashtu, me atë marrëveshje janë dëmtuar rëndë edhe banorët e shumë katundeve të anës së sipërme të Rrafshit të Dukagjinit. Pra, kjo ka ndodhur aty ku popullsia është etnikisht shqiptare, aty ku ka vetëm shqiptarë dhe nuk ka fare popullsi sllave, ku flitet vetëm shqip, ku veshja, kënga e vallja janë vetëm shqiptare, ku ruhen edhe doket, ritet e mitet që nga lashtësia ilire.

\ Në fund, në kuadër të këtyre shqyrtimeve të librit të Ali Kelmendit, për këtë 100-vjeçar të Çakorrit dhe të fatit të tij, sa krenar aq edhe tragjik, shihet se në caktimin e këtyre kufijve pas LBD-së, më 1945, nga Jugosllavia II, ashtu edhe si edhe përpara, shqiptarët nuk kanë marrë pjesë. Ata ishin të ripushtuar nga Serbia e Mali i Zi, kurse këto të dyja vetë kishin vendosur kufirin në Qafë të Çakorrit e në Kullë të Zhlebit, më 1945, e jo në Kuqishtë e te Kroni i Sokolit. Por, më 1999, Çakorri e krejt Rugova çlirohen pas luftës çlirimtare të UÇK-së, kurse Serbia e Mali i Zi e humbin luftën me shqiptarët dhe Kosova bëhet e lirë me ndihmën e NATO-s e sidomos të SHBA-ve. Por, sot, Kosova duhet të flasë edhe me zërin e historisë dhe të etnisë, sepse është shtet i pavarur dhe sovran, ashtu si edhe Mali i Zi, por jo ashtu siç veproi ish-Komisioni dhe ish-Qeveria, në vitet 2012-2015, madje, ashtu si po veprohet edhe sot, pa e dëgjuar zërin e popullit të vet e as zërin e historisë.

Krejt në fund, nga ky tubim përurues iu bë apel edhe tash Kuvendit dhe deputetëve të tij që të marrin parasysh Raportin e 4 dhjetorit 2017 të Komisionit të tashëm, të kryesuar nga prof. Bulliqi, të votojnë kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Vjenës, sepse kështu është mirë edhe për Malin e Zi, edhe për miqtë tanë në botë, po edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

Prof. Dr. Zymer U. Neziri: "Ali Kelmendi, E vërteta për kufirin e vjetër Çakorr-Hajlë- Kullë"

Kontrolloni gjithashtu

Afrim Hysenaj: Ka dalë nga shtypi monografia: “Shtëpia me gjak në mure”

Të dashur miq, ka dalë nga shtypi monografia ime “Shtëpia me gjak në mure” e …