Shumica e shteteve të botës kanë uruar Shqipërinë për 28 nëntor, në mesin e tyre edhe NATO-ja

Prof.dr. Zymer Ujkan Neziri: Shqiponja dykrenore në strukturat e trashëguara shpirtërore e materiale të popullit tonë

(Shënime për librin Flamuri i Kombit Shqiptar, të studiuesit Jaho Brahaj, SARAS, Tiranë, 2012)

 Autori Jaho Brahaj, i pranishëm që disa dekada në studimet shqiptare në fushën e gjurmimeve të heraldikës shqiptare dhe të etnokulturës, në gazeta, në revista dhe në tubime shkencore kombëtare e ndërkombëtare, është autor i pesë veprave monografike. Ai është i njohur edhe për përkushtimin e tij të madh për trashëgiminë e mbetur dorëshkrim të Shtjefën Gjeçovit. Ka botuar katër vëllime të këtij kolosi të traditës. Për përkushtimin e tij në fushën e dijes dhe për rezultatet e mbërritura, Jaho Brahaj  është fitues i çmimit të dhënë nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Kulturës (1997).

 Shqiponja dykrenore ilire është 26 shekuj e lashtë

 Shqiponja, e njohur si simbol i lirisë dhe i trimërisë, e vështruar në etnokulturën shqiptare ndër shekuj, do parë dhe do mbështetur në shtyllat kryesore mbi të cilat mund të shtrohet çështja, ku mbizotërojnë  kulti i së kaluarës dhe kulti i trashëgimisë. Autori e ka parasysh se këto dy kulte janë të pranishme gjatë gjithë shekujve në traditën tonë etnokulturore, kurse shqiponja aty zë një vend të rëndësishëm. Edhe në parathënie e studimit, Bardhosh Gaçe  vlerëson se kjo monografi është e para e këtij lloji, e mbështetur kryesisht në strukturat shpirtërore e materiale, të trashëguara, dhe se për herë të parë tregohet zanafilla e traditës mijëravjeçare e shqiponjës. Nëse mund të konstatojmë se këto rezultate janë të pamohueshme, megjithatë nuk bën pa u përmendur  edhe një e dhënë  me interes për këtë monografi:  çka ndodhi me shqiponjën nëpër shekuj, sidomos në periudhën nga viti 1444 e deri më sot, si mbijetoi dhe  pse nuk u harrua? Kjo ishte edhe  pikë nismëtare e hulumtimit të autorit.

 Studiuesi Jaho Brahaj, autori i monografisë Flamuri i kombit shqiptar. Origjina, lashtësia, me guxim ka punuar në kronologjinë e jetës së shqiponjës, si kult dhe hyjni te parailirët dhe ilirët, për të cilët thotë se ka shumë pak të dhëna të shkruara historike, dhe pohon se është mbështetur sidomos në traditën gojore, etnologjinë, ornamentikën dhe arkeologjinë. Për lexuesit tanë janë tërheqëse dhe interesante të dhënat për shqiponjën dykrenare nga shek. XII para epokës së re, e dëshmuar në periudhën e Perandorisë Hetite, shekullli XVI-XII para epokës së re (në territorin e Turqisë së sotme), po njëkohësisht ose pak më vonë edhe në Mesopotaminë e lashtë, në territorin e Iranit të sotëm.

 Shqiponja dykrenare, gjashtë shekuj më vonë, e dëshmuar edhe në Iliri, paraqet një fakt të rëndësishëm historik. Shqiponja me dy krerë, nga shek. VI para epokës së re, në Iliri, ka vazhdimësi të pandërprerë te shqiptarët e sotëm. «Shqiponja dykrenore nuk u ruajt dhe nuk u trashëgua nga hititët në vazhdimësi, as te iranianët. Ajo u ruajt që nga shekujt e mijëvjeçarit të parë para epokës së re vetëm në truallin ballkanik nga Arbërit dhe nga Bizanti. Ajo, si simbol, u përhap me shpejtësi në mbarë Europën» (f. 10), shpjegon autori i kësaj monografie.

 Te shqiptarët është më i vjetri flamur në Evropë me shqipe dykrenore

 Ky studiues ka paraqitur të dhëna edhe për fisin ilir të Japodëve, që e kishin shqiponjën dykrenore në urna (varre guri ku depozitohej hiri i të vdekurit) nga shek. VI para e. re; hajmalia të fiseve ilire të fillimit të mijëvjeçarit I para e. s., me kryeshpendin me dy koka; tokëza ilire me motive të shqiponjës me dy krerë; shqiponja në monedha ilire; mozaiku i shek. IV në Besianë (Podujevë); skenë me shqiponja; unazën me shqipen me dy koka, shek. IX, Kaninë,Vlorë (f. 25-36) etj.

Në këtë monografi autori jep të dhëna nga periudha e Mesjetës për simbolin e shqiponjës me dy krerë në Bizant, (më herët, edhe në kohën e perandorit të Romës, ilirit Konstantin), te rusët (dinastia Romanov), te austriakët (dinastia Habzburge), te serbët etj., kurse te shqiptarët, kemi vijimësi e traditës ilire, e jo të vijimësisë bizantine. Sot është më i vjetri flamur kombëtar në Evropë me shqipe dykrenore, nga 2 marsi i vitit 1444, pas Besëlidhjes së Lezhës të principatave shqiptare, në krye me Gjergj Kastriotin- Skënderbeun. Pra, konsiderohet flamur kombëtar, pasardhës i simbolit ilir nga shekulli VI para epokës së re. «Shqiponja dykrenare në stema dhe në flamuj mesjetarë tek shqiptarët është bashkëkohëse me Paleologët bizantinë, por është e sigurt se tek arbrit është shumë më përpara serbëve, rusëve, Habsburgëve të Austrisë, Perandorisë së Shejtë Romake etj.», thotë autori (f. 10).

 Në monografinë Flamuri i kombit shqiptar. Origjina, lashtësia, autori jep të dhëna të rëndësishme dhe praninë e shqiponjës në xhubletë, me një kokë e me dy koka; në djep, sepse ajo ruan derën, shtëpinë, djepin; në brez, në sixhade, xhupetë, xhybe, xhoke, pështjellak etj. (f. 35-57). Kjo vepër ka të dhëna me interes edhe për shqiponjën dykrenare në emblema: emblema e Derës shqiptare Gropa e Ohrit shek. XIII, emblema e L. Dukagjinit; emblema e Gj. Arianitit, sh. XIV; emblema e Buzezezëve, shek. XIV; shqiponja te Principata e Arbërit, te Dera e Kastriotëve etj.  Shqiponja në objektet e kultit kristian: Sarandë, me një kokë, shek. XIII; kryqi i zbuluar në Butrint, fillimi mesjetës; shqiponjë me dy krerë në Kishës së Kalkondit, Myzeqe, drugdhendje; shqiponjë me dy krerë në Kishën e Shën Kollit, Ohër etj.; shqiponja me dy krerë në Manastirin e Mbigurit, Dibër; shqiponjë me dy krerë në Kishën e Jashanicës së Epërme, Kosovë (f. 40-49).

Veçohet edhe mendimi për shqiponjën, që shkon drejt qiellit, për ta drejtuar diellin, por edhe për të ndriçuar botën e përtejme, e cila në objekte kulti e në artin popullor, te shqiptarët, është e pranishme para se të përdorej në flamurin e tyre, sipas agumenteve të autorit (f. 9). Shqiponja si kult ilir-shqiptar me koka të kundërta është simbolizim i diellit në dy lëvizjet e tij.

  1. Brahaj ka shfrytëzuar mirë edhe përrallën shqiptare Tri jetët, ku vihet në spikamë edhe roli i shqiponjës si hyjni dhe si kult. Edhe Vallja e Shqiponjës në Pukë, që vdes dhe ringjallet në valle, e luhej kur hapeshin varre simbolike (kushtimore), sipas studiuesit Ramadan Sokoli, është pjesë e vazhdimësisë së jetës së këtij shpendi simbol ndër shqiptarë, si dhe riti i bukës së re, zbukurimi i saj, në shenjë të gjallërimit të natyrës, që i këndohet edhe në Ciklin e Kreshnikëve.

 Flamuri ynë kombëtar nga viti 1444 e deri në ditët e sotme

 Nëse sipas Mark Titrës, përveç karakterit etnik, funksioni etnoveçues, etnondërgjegjesues dhe etnointegrues, shqiponja është me peshë të veçantë në studimet etnokulturore shqiptare, këtë funksion do hetuar edhe te flamuri ynë, simbol i kombit, e këtë detyrë ka bërë përpjekje që ta realizojë edhe studiuesi Jaho Brahaj në monografinë e tij Flamuri i kombit shqiptar. Origjina, lashtësia. I mbështetur në rezultatet e derisotme, e duke i pasur parasysh sidomos autorët tanë, që nga  Marin Barleti e deri te brezi i studiuesve të sotëm, ai përsëri e vërteton tezën e tij për vazhdimësinë e këtij simboli kombëtar të shqiptarëve.

 Në vijim janë me interes të dhënat dhe publikimi i flamurit të Lidhjes së Lezhës, të vizatuar në një hartë të vitit 1459, kohë kur jetonte Skënderbeu; shqiponja heraldike e Kastriotëve, e shek. XIV-XV, në afreskun e Kishës së Rodonit; një vepër përkujtimore e vitit 1500 me shqiponjën e Kastriotëve, në Napoli, për peshkopin Konstandin Kastrioti (f. 82); shqiponja dykrenore e veprës së Barletit 1508; shqiponja dykrenore në vulën e Pleqësisë së Arbrit, më 1593; kapedanët arbër me flamur në Evropë, ku do ta veçoja rastin e përdorimit të flamurit në shek. XVI nga Pal Gjini, kapedan në shërbim të Venedikut; dëshmi për përdorimin e flamurit në shek. XIX; flamuri në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; flamuri i vitit 1899, i qëndisur nga Seid Najdeni (Hoxhë Voka); flamuri më 1900-1908; skicë e flamurit të arbëreshëve të Sicilisë, më 1910; flamuri më 28.11.1912; sopatat e Liktorit dhe ylli mbi flamur në vitet ‘40 etj.

 Përdorimi i flamurit në viset shqiptare të mbetura dhunshëm jashtë Shqipërisë

 Në këtë vepër ka peshë edhe paraqitja kronologjike për përdorimin e flamurit në viset shqiptare të mbetura dhunshëm jashtë kufijve, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi: përdorimi i tij më 28 nëntor  1944 dhe kremtimi i lirë në tërë Kosovën; ndalimi i tij në janar 1945 nga KQ i PKJ dhe nga Shtabi Suprem (f. 166); përdorimi i flamurit të ndaluar më 11 mars 1945 në demonstratën e Gjakovës, organizuar nga organizata NDSH. Autori pohon se kjo demonstratë shënon edhe manifestimin e parë publik kundërpushtues të Jugosllavisë me simbol kombëtar (f. 167);  Kosova 1947-1967, pas prishjes së marrëdhënieve politike me Tiranën; ndalimi me ligj i flamurit shqiptar në Jugosllavi dhe dënimi me burg për vepër penale, si dhe përdorimi i tij i fshehtë; demonstrimi me flamur kombëtar më 6 tetori 1968 në Prizren, për të drejta kombëtare, për Kosovën Republikë, për vetëvendosje, si dhe në demonstratat vijuese në Therandë, Pejë, Prishtinë etj., janë një pasqyrë kronologjike e jetës në robëri dhe të flamurit tonë të ndaluar, për të cilën mund të shkruhet një monografi e veçantë.

 Rezultatet e deritashme të studiuesit Jaho Brahaj dhe monografia e tij e fundit, për flamurin tonë kombëtar, na bindin se nuk mund të shkruhet për përpjekjet dhe sukseset e mbërritura ndër ne në fushën e haraldikës, të etnokulturës, të studimeve historike mesjetare, po as për dorëshkrimet e Shtjefën Gjeçovit, pa e përmendur edhe punën e përkushtimin e Jaho Brahajt, studiues që ka punuar dhe punon me shumë zell e vullnet në biblioteka, në arkiva e në terren dhe prej tij, natyrisht, presim edhe rezultate të reja, që i çojnë përpara studimet albanologjike. (Teksti ribotohet i rishikuar nga autori)

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …