Prof. h.c. Max Brym: Koço Tashko, (1899- 1984) një jetë politike në Shqipëri

Prof. h.c. Max Brym: Koço Tashko, (1899- 1984) një jetë politike në Shqipëri

 Prof. Ervin Levin nga Berlini para pak kohësh ka publikuar një biografi për komunistin, patriotin dhe intelektualin shqiptar – Koço Tashko. Libri është një kontribut shumë i rëndësishëm, nëse duam ta kuptojmë historinë e re shqiptare. Biografia shpërfaq jetën dhe personalitetin e pakorruptueshëm të Tashkos, i lindur në vitin 1899 në Egjipt. Koço Tashko në vitet njëzeta të shek. XX-të, ka studiuar ekonomi dhe administrim publik në SHBA, ndërkaq për shkak të qëndrimit të tij, si i pakorruptueshëm, Ai do të bëhej viktimë e regjimit komunist shqiptar të kohës.

Autori na e ka sjell një biografi shkencore, ku nuk ia thotë “këngës për heroin”, por na e sjell jetën dhe portretin e një patrioti dhe komunisti progresiv dhe të pakorruptueshëm. Si djalosh, Koço Tashko, mbështeste plotësisht, si edhe shumë të tjerë në SHBA, Revolucionin Demokratik të Fan Nolit.

Qevria e Fan Nolit mori pushtetin në Shqipëri pas vrasjes së patriotit Avni Rrustemi në pjesën e parë të vitit 1924. Kjo Qeveri, të cilën Koço Tashko i ri, i angazhuar në përfaqësinë diplomatike shqiptare në SHBA faktikisht  në cilësinë e zëvendës-ambasadorit,  ishte pozicionuar për thyerjen e strukturave dominuese feudale në Shqipëri.

Ishte përgatitur reforma agrare në dobi të bujqve të varur dhe  fshatarësisë së varfër. Kundërrevolucioni i organizuar dhe udhëhequr nga Ahmet Zogu shçnjonte fundin e vitit 1924, por edhe fundin e reformave demokratike në Shqipëri. Me ndihmën e qeverisë së atëhershme jugosllave, me ushtarë serb dhe ushtarë tjerë të cilët në Rusi atëbotë kishin qenë në anën e “Të bardhëve” ( Armata e Vrangel-it), qe rrëzuar qeveria legjitime demokratike e Fan Nolit.

Koço Tashko në fillim, me të drejtë, nuk ishte angazhuar në kuadër të emigracionit të majtë shqiptar në SHBA. Profesor Ervin Levin na e paraqet plot plasticitet se si i talentuari Koço Tashko nga një demokrat revolucionar ecë drejt transformimit në një komunist. Në mënyrë shumë precize dhe me saktësi të veçantë, autori na i prezanton përpjekjet e “Internacionales Komuniste” të asaj kohe, për ta krijuar në Shqipëri një parti të organizuar komuniste. Por ky qëllim, për shkak të prapambetjes së theksuar ku ishte Shqipëria dhe natyrisht një shtrese të hollë të klasës punëtore që kishte atëbotë – edhe pse kishte greva, sidomos në sektorin e nxjerrjes së naftës dhe gazit – ishte vështirë i realizueshëm.

Koço Tashko, ngjashëm si edhe “Internacionalja komuniste” që nga themelimi i saj, ishte angazhuar për një lidhje të luftës për çlirim social e nacional njëkohësisht. Për Koço tashkon njëra betejë pa tjetrën nuk mund të fitohej. Folësi i disa gjuhëve – arabishtes, gjermanishtes, frëngjishtes, anglishtes dhe rusishtes – Koço Tashko, ishte shnëdrruar ndërkohë në njërën prej figurave qendrore në orientimin e së majtës brenda emigracionit shqiptar. Prej vitit 1930 deri në vitin 1932, kishte ndjekur kurse studimi për kuadrin politik në Rusi. Më pas ai jeton pjesërisht në Francë – punonte për “Ndihma e Kuqe Ndërkombëtare” (organizatë ndërkombëtare me karakter humanitar) – dhe provonte prej andej të ndikojë në bashkimin e grupeve të përçara komuniste në vend.

Në vitin 1937 Koço Tashko ia arrin që të kthehet në Shqipëri. Atje, ai do të ketë përballjet e njëpasnjëshme me përfaqësuesit e rrymave të ndryshme të kësaj lëvizjeje, sidomos në Korçë, Shkodër, por edhe gjetkë; natyrisht të kësaj kohe janë edhe takimet e tij me figurën drejtuese prej komunisti të Ali Kelmendit. Në raport me këto ballafaqime nuk është e thënë që të ndajmë gjithmonë mendimet e autorit, që shkojnë në dobi të Koço Tashkos. Sidoqoftë, në këtë libër, ka mundësi të mësojmë shumë për orientimet e ndryshme që ekzistonin  tek grupet e ndryshme komuniste në Shqipëri, e që vazhdonin të ishin ende të pabashkuar.

Koço Tashko do të përshkruhet e paraqitet këtu edhe si njeri praktik,  i cili, për shembull, këmbënguli për faktin që  zyra, e cila udhëhiqte me komunistët në Shqipëri, të bartej nga Franca në Greqi. Koço Tashko e arsyetonte këtë edhe me nevojën për komunikime më të shpejta, por edhe me nxitjen për shpërnadrjen e literaturës së nevojshme që do të ishte investim kundër diktaturës autoritare në Shqipëri, e cila bashkë me  mbretin Zog, ishte arratisur. Koço Tashko gjykonte se kryengritja kundër fashizmit dhe pushtuesve duhej të kishte një përfshirje të gjerë, por për këtë ajo duhej ta kishte një bazë aktive. Përherë e më shumë ai përballej me faktin se, fashizmi italian në vitin 1941 kishte manipuluar me zëvendësimin e çizmes serbe në Kosovë, duke e cilësuar pushtetin fashist si çlirimtar.

Koço Tashku e kishte të qartë se ku bazohej propaganda fashiste në Kosovë, prandaj angazhohej për adresimin e saj të mirëfilltë. Ai kërkonte që komunistët të shprehen dhe angazhohen pa ekuivoke për unitetin e Kombit shqiptar në dy rrafshe: në atë social dhe demokratik. Përherë ai paralajmëronte për dëmet e mundshme nga internacionalizmi abstrakt. Në nëntor të vitit 1941 qe bërë i njohur akti i formimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në realitet ky akt, është një fakt historik dhe ironik, për faktin që pikërisht Koço Tashko do të angazhohej që Enver Hoxha të zgjidhej në Politbyro personi, e që më pas do të shndërrohet në një diktator tipik ala Stalin i Shqipërisë.

Koço Tashko gjithashtu do të angazhohej për një udhëheqje të re, me qëllim që “klika e vjetër” që i kishte mbajtur të mbyllur dhe përçarë grupet komuniste, të merrte fund. Megjithatë askush nuk e shihte tek figura e Enver Hoxhës liderin e ardhshëm të Partisë Komuniste Shqiptare. Koço Tashko do të zgjidhej në Komitetin Qendror. Ai ishte i ngarkuar special për të mbajtur lidhje me forcat nacionaliste që po dëshmonin rezistencë antifashiste. Në këtë kuadër, gjithnjë e  më shumë, Koço Tashkos i binte puna të kishte komunikim me Miladin Popoviqin, i cili zyrtarisht ishte këshilltar për komunistët shqiptar.

Në dokumentet që i janë bashkuar librit si shtojcë më vete, është një raport i gjatë i Koço Tashkos që pasqyron përplasjet e tij me Miladin Popoviqin. Koço Tashko e akuzon aty Miladin Popoviqin se, nuk është angazhuar sa duhet në bashkimin, respektivisht unifikimin  e kombit shqiptar në kuadër të luftës antifashiste. Në fakt, deri nga fundi i vitit 1943, Kosova ishte bazë e kolaboratorëve fashistë, që mblidheshin rreth Mustafa Krujës. Kjo ndodhte meqë në Kosovë nuk ishte ngritur organizata e pavarur e komunistëve shqiptar me sqarim të qartë që nënkuptonte rrugën që do të ndiqej për bashkimin me Shqipërinë. Kjo gjendje kishte marrë fund tek atëherë kur, qe organizuar Konferenca e Bujanit në fund të vitit 1943 dhe fillim të atij 1944.

Rol të ndjeshëm luante Koço Tashko edhe në Këshillat e Luftës Antifashiste deri në çlirimin e vendit në nëntor 1944. Pastaj, ai ishte anëtarë i Komitetit Qendror të Partisë, anëtarë i Parlamentit dhe anëtar i Kryesisë së tij.

Shumë prej ligjeve, posaçërisht ai që kishte të bënte me reformën e tokës, pastaj ai për shpronësimin e bashkëpunëtorëve të nazifashisëtve dhe ai për  investitorët e huaj, mbajnë firmën e Koço Tashkos.

Në mënyrë të veçantë Tashko angazhohej për alfabetizimin e popullsisë në gjithë Shqipërinë. Që para thyerjeve me jugosllavët (1948) Koço Tashko ishte kundër vasalitetit të Shqipërisë në raport me Beogradin. Deri në vitin 1948 monedha shqiptare – Leku, pothuajse ishte i lidhur dhe në varësi të plotë ndaj dinarit jugosllav. Pa pëlqimin e këshilltarëve jugosllavë, nuk mund të bëheshin as investime të mëdha në Shqipëri. Koço Tashko qortonte ashpër këtë varësi të plotë ndaj jugosllavëve dhe angazhohej për zhvillim vetanak të ekonomisë shqiptare, për bashkëpunim me shtetet tjera, mbi parimet e barazisë së plotë. Atë e kishte goditur keq vetëvrasja e mikut të tij, ministrit të ekonomisë, Nako Spiro, në vitin 1947.

Nako Spiro ishte akuzuar nga ministri i brendshëm, Koçi Xoxe, si antijugosllav, ndërkaq Enver Hoxha nuk qe solidarizuar me Nako Spiron. Liri Belishova, një funksionare  shumëvjeçare e lartë e partisë dhe gruaja e Nako Spiros, të cilën e kishte pyetur autori i librit në Tiranë, gjykonte se  Enver Hoxha ishte bashkëpërgjegjës i drejtpërdrejtë për vetëvrasjen e burrit të saj.

Pas thyerrjes me Jugosllavinë, më 1948, Koço Tashko për kohë të gjatë ishte zëvendësministër për Punë të Jashtme dhe një kohë ambasador në Moskë dhe në Sofi. Dëshmitarët e kohës, sjellin kujtimet e tyre në këtë libër dhe pohojnë se, Koço Tashko kurrë nuk shpërfaqte ndjesitë prej arrivisti për ngjitje në karrierë. Përkundrazi, ai mbeti deri në fund një njeri i ndershëm dhe intelektual me karakter dhe se ai gjithmonë i bazonte vlerat tek mendimii tij.

Ky karakter dhe ky qëndrim, nga fundi i viteve pesëdhjeta, e solli atë në kundërthënie me njerëz në Politbyro, por edhe me Enver Hoxhën.

Koço Tashko ishte drejtues i Komisionit të Kontrollit dhe Revizionimit. Në Komitetin Qendror ai refuzoi ndarjen me Bashkimin Sovjetik. Në shtator 1960 ai humbet të gjitha funksionet në parti. Pak kohë më pas i ishte anuluar edhe mandati i deputetit. Opozitari do të shtrëngohet deri në vitin 1969  të kalojë një jetë prej të internuari në skajet e Shqipërisë dhe në punë fizike të rënda. Edhe familja e tij qe internuar, respektivisht qenë larguar nga puna që bënin më heret. Kjo procedurë që ndiqej brenda Partisë së Punës pasqyrohet si një  “Maskaradë komuniste”, e gërshetuar edhe me traditat arkaike të vendit. Pjesërisht, ajo doli në ndjekje të kundërshtarëve politikë, persekutimin e komunistëve, siç veprohej nën Mbretin Zog.

Familjet e komunistëve u thirrën në përgjegjësi kolektive. Në vitin 1969 Koço Tashko denohet me dënim të rëndë shumëvjeçar. Ai mbeti në burg deri në vitin 1980. Në burg qe maltretuar rëndë. Megjithatë ai mbeti i palëkundur. Koço Tashko e dekaronte dhe e njihte veten tutje si komunist. Në vitin 1980 qe liruar si personi më i vjetër në burgjet e Shqipërisë; ai vdiq në vitin 1984.

Biografia e autorit Prof. Ervin Levin, i cili flet jashtëzakonisht mirë gjuhën shqipe, ka shumë vlera dhe shkon përtej gjakimit për një lexim të rëndomtë.  Monografia nuk na rrëfen vetëm për personin e Koço Tashkos, por edhe për një pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare, ashtu si edhe për atë se ç’tragjedi ishte stalinizmi për Lëvizjen punëtore në rrafshin ndërkombëtar.

Prof. h.c. Max Brym: Koço Tashko, (1899- 1984) një jetë politike në Shqipëri

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …