Mandati i Gjykatës Speciale përfundon vetëm kur Këshilli i Bashkimit Evropian u bën me dije institucioneve të Kosovës

Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë, nuk zhvillon “intervista” por kryen hetime për të ashtuquajturat krime të UÇK-së

Prokuroria e Gjykatës Speciale, nuk është redaksi lajmesh, as nuk interviston të ftuar në studio. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, në rastin konkret përfaqëson Gjykatën Speciale ndërkombëtare, kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë në kuadër të sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar dhe nuk marrin në intervista njerëz të caktuar, por marrin  në hetime persona të dyshuar me pretendime se kanë kryer vepra penale, apo kundërvajtëse.

Janë hetuesit e Prokurorisë së Gjykatës Speciale, që  po marrin dhe kanë marrë në hetime, në pyetje,  deri tani rreth 200 të ftuar në cilësi të akuzuarit, apo dëshmitarit.

Komandanti i Zonës së Dukagjinit gjatë luftës, Ramush Haradinaj,  është marrë në pyetje nga hetues dhe nuk ka  dhënë intervistë për Gjykatën Speciale. Edhe ish anëtari i SHP të UÇK-së, Kadri Veseli, është ftuar në hetime dhe do të merret në pyetje nga hetuesit e Prokurorisë së Gjykatës Speciale kundër UÇK-së dhe jo në kurrëfarë  interviste, e cila do të afishohej  në ndonjë organ mediatik të Gjykatës.

Në rastin konkret, duke anashkaluar standartet logjike dhe përmbajtësore në formulimin e emërtimit konkret të fjalëve, bëhen përpjekje që të gjenden analogji, në mënyrë që emërtimi të mos jetë konkret, por i modifikuar, më i lehtë më i butë, sa më pacifist e nënshtrues. Në këtë modifikim, ndërmjetësimit pse jo edhe arbitrimit të BE-së në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, i thuhej dhe ende i thuhet, “lehtësim”, Filialeve të Gjykatës Speciale u thuhet: “Dhoma të Specializuara”, shkëmbimit të territoreve, iu thuhet, “korrigjim  kufiri”, hetimeve për  krime lufte u thuhet, “intervistë”. Në kohën e luftës, gazetaria eunuke e pacifiste krimet e ushtrisë e policisë serbe i trajtonte si krime të forcave paramilitare, dhe jo krime shtetërore të regjimit të Millosheviqit…

Me eufemizëm thuhet se “nuk po dënohet lufta e UÇK-së” por disa individë, edhe pse ata individë janë nga strukturat më të larta udhëheqëse të luftës dhe të paqes në Kosovë.

Eufemizmi në përdorim të përditshëm politik nuk është vetëm figurë stilistike, por me kohë ka zënë vend në pacifizmin e neveritshëm shqiptar, fillimisht si pasojë e frikës nga e panjohura, pastaj edhe e frikës nga pushtuesit shekullorë. I tillë eufemizmi shqiptar i ka disa karakteristike të veçanta, ende të pastudiuara.

Baza e kësaj fjale rrjedhë nga greqishtja “euphemismos”, e cila  fjalë për fjalë mund të përkthehet si,  lajm i mirë, si ogur i mirë, por tjetër është kuptimi real, esencial.

Fillimisht kjo fjalë është përdorur me qëllim për të zëvendësuar fjalët e frikshme, si për shembull emri ujk, është formësuar si “gojë-mbyllti”. Është ky një formulim shumë i goditur popullor, që përcakton njërin nga veset e ujkut, i cili zakonisht mbanë gojën mbyllur. Po ashtu ky lloj eufemizmi buron nga lashtësia, kur është besuar se po ta përmendësh fjalën Ujk, ai të gjen në moment, andaj ndryshimi i emrit bën që ujku të mos trazohet.

Janë vërejtur edhe formulime analoge me qëllim për t’i marrë me të mirë fenomenet e pashpjegueshme të natyrës, por edhe raportet ekzistuese shoqërore, politike e ideologjike. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …