Prononcimi i drejtorit, Ahmet Qeriqi, në 22 vjetorin e përfundimit të misionit të Radios-Kosova e Lirë, në Bunkerin e Pallanikut

Prononcimi i drejtorit, Ahmet Qeriqi, në 22 vjetorin e përfundimit të misionit të Radios-Kosova e Lirë, në Bunkerin e Pallanikut

Këtu, në Majën e Pallanikut,  në fshatin Berishë të Rrafshnaltës së Drenicës, 22 vjet më parë kemi përfunduar misionin historik të transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë.

Më 21 qershor të vitit 1999, nga ky bunker, tanimë i rrënuar, kemi përhapur lajmin e dëbimit të përjetshëm nga Kosova të forcave policore e ushtarake serbe, të administratës kolonialiste dhe të gjitha strukturave kriminale të Serbisë millosheviqiane.

Sot, 22 vite më pas, bunkeri i Radios, i cili gjatë luftës i ka rezistuar tërë arsenalit të  armëve vrastare të  Serbisë, nuk po i reziston “kafshimit të kohës”, pasi politika e pas luftës, nuk tregoi interesim për ta marrë në mbrojtje këtë monument të lirisë, të fjalës së lirë, të vetmit medium informativ të kohës së luftës në Kosovë.

Për hir të së vërtetës, në vitin 2010, ministri i Kulturës, Valton Beqiri kishte nënshkruar një vendim për marrjen në mbrojtje institucionale  të objektit-Muze, në fshatin Berishë dhe në Majën e Pallanikut, të cilat i përkasin komunës së Drenasit, por komuna e Drenasit nuk e përfilli vendimin e Ministrisë dhe prej  asaj kohe ky bunker ka mbetur në këtë gjendje.

Radio-Kosova e Lirë me mjete të veta financiare dhe të disa donatorëve ka ngritur Shtëpinë Muze në fshatin Berishë, ku edhe transmetohet programi ditor, por nuk ka arritur ta rregullojë Bunkerin e Pallanikut, në mungesë të mjeteve.

Sot, mbushen 22 vjet kur nga ky bunker, ishte kumtuar çlirimi i Kosovës. Sot këtu shihet një pasqyrë e thyer keq  e realitetit të luftës në Kosovë, shihet indolenca e të gjitha qeverive e veçmas e komunës  së Drenasit, e cila për më keq është bërë edhe pengesë në renovimin  dhe ngritjen e bunkerit, pse jo edhe  injorimit institucional të historisë së informimit të luftës së UÇK-së.

Ky bunker historik i informimit të opinionit vendor e ndërkombëtar gjatë kohës së luftës, do të ngrihet doemos në monument lirie  dhe përveç historisë së lavdishme të saj, në monument do të shënohet edhe indolenca dhe shpërfillja e  institucioneve, papërgjegjësia e tyre  për ruajtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …