Qëndrim Morina, Dan Ibrahimi: Izet Shala nxori në dritë librin, “Rrëfime në kohë lufte”

Qëndrim Morina, Dan Ibrahimi: Izet Shala nxori në dritë librin, “Rrëfime në kohë lufte”

Monografia me titull “Rrëfime në kohë lufte” e autorit, Izet Shala, dëshmon se kjo përmbledhje është e bazuar në dokumente autentike- për meritat dhe të bëmat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rrafshin politik dhe gjithëkombëtar. Kjo ide, për hartimin e një monografie kaq të veçantë, e bënë edhe më të fortë, kur në vazhdën e trajtimit të temave për kohën e luftës, i dha një vend shumë të merituar UÇK-së, për punën dhe kontributin e saj gjatë kësaj periudhe. Shala, na jep çdo cep të luftës, prandaj jo rastësisht i quajta «rrëfime të gjalla». Ai asnjëherë nuk u ndalë së shkruari, madje edhe kur rrezikun e kishte afër.

Ai këtë monografi na paraqet në formën e një ditari. Këtë ditar, në formën e viteve, muajve, ditëve,  minutave, e sekondave-  gjendjen e çdo dite të asaj kohe. Ai, hartimit të këtij ditari, i qaset duke u mbështetur në dokumente familjare, njohuri personale, pranishmërisë fizike dhe ndjesisë shpirtërore, gjatë viteve 1998|99.

Ngjarjet aq mirë të përshkruara, me vlerësime përmbajtësore, data, vite, numra, fotografi, mbishkrime, nënshkrime e dokumente , qartësojnë rrugën jetësore që ka ndjekë populli shqiptar gjatë luftës, rrugë kjo, e cila ishte përplot me sfida, rreziqe dhe kontadita shoqërore.

Izeti, gjithashtu këtu tregon edhe personalitetin e tij, që nga fëmijëria e deri te profesionalizmi. Ai ishte i përkushtuar gjatë gjithë luftës, me laps në dorë. Kjo monografi, që kryesisht bazohet në përjetimet e autorit gjatë asaj periudhe, periudhës së luftës, në mënyrë të qartë  trajton temat politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe arsimore, në kontekst të kohës, kur populli shqiptar po përjetonte periudhën më të vështirë që përjeton qenia njerëzore, por që me sakrificë të madhe dhe të mundimshme, doli drita e fundtunelit. Këtë autor, e karakterizon patriotizmi, vendosshmëria dhe guximi fenomenal intelektual, të mishëruara në karakterin e tij, pothuajse në të gjitha fazat e zhvillimit dhe emancipimit të qenies njerëzore dhe vetëdijes kombëtare.

Qëndrueshmëria dhe durimi, si veti stoike dhe konstante e karakterit të tij, e bënë të pathyeshëm dhe fitimtar, parimor, konkret dhe në përputhje me standardet njerëzore, në të gjitha angazhimet dhe situatat specifike në punën e tij të palodhshme, vetëmohuese e kombëtare. Këto veti që i posedonte Shala, gjatë një kohe kaq të vështirë, që rrallëherë mund t’i gjejmë nëkarakterin dhe qasjen e të tjerëve, e bënin atë gjithnjë më të qëndrueshëm, gjithëherë më të fuqishëm, kudoherë të gatshëm për veprim dhe flijim dhe asnjëherë i dorëzuar, e i gjunjëzuar para vështirësive dhe problemeve jetësore.Në të gjitha pjesët e kësaj monografie, në frymën e autorit, u trajtua personaliteti i UshtrisëÇlirimtare të Kosovës dhe u cilësua si një vlerë kombëtare, me tipare humanitare,patriotike dhe intelektuale. Gjithë ky veprim i Izetit, me vendosshmëri dhe guxim, në situata të ndërlikuara politikisht të pakëndshme, rrezikonin jo vetëm jetën e tij, por edhe të atyre që e shoqëronin në realizimin e synimeve të tij gjithëkombëtare.

Definitivisht, asgjë nuk arriti ta mposhtë vullnetin e Shalës dhe për asnjë çast nuk arritën ta largojnë nga fronti i rezistencës aktive në dobi të çështjes kombëtare dhe shumë, më shumë se kjo.

Në fushën e gramatikës së tekstit dhe atë që përbën ‘’Analizë e diskursit’’, ku bënë pjesë edhe rrëfimi, Shala lëvizë në të, duke kaluar herë në vetën e parë(njëjës), e herë në të tretën(njëjës), duke na paraqitur këtë tekst në dy forma: aty për aty dhe në distancë.

Libri “Rrëfime në kohë lufte”, një letërnjoftim i njeriut me atdheun nën sqetull

Fillim dhe mbarim libri i autorit, Izet Shala “Rrëfime në kohë lufte” është i mbushur me të dhëna sa rrëqethëse po aq edhe të lavdishme të asaj kohe që shtronte për secilin  dilemën TË JESH A TË MOS JESHË. Izet Shala me shokët kishte zgjedhur të ishte dhe ky libër është një dëshmi e gjallë e asaj kohe që do të mbetet në biblioteka si një bar kundër harresës.

Ma. Sc. Izet Shala tashme nuk është emër i panjohur që na  shfaqet papritmas, ai ka një bagazh interesant si të krijimtarisë letrare, asaj publicistike-letrare dhe çka është edhe shumë më e rëndësishme, të veprimtarisë atdhetare. Izet Shala  i takon një gjenerate që kishte një barrë të madhe mbi supe, çlirimin përfundimtar të atdheut të pushtuar e të përdhosur nga pushtuesit serb dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ai duke pasur parasysh interesin kombëtar ka lënë të gjitha mundësitë për të ikur, krijuar jetë më komode dhe në rast të çlirimit të Kosovës kthim burracaku e mburracaku siç kanë bërë shumë të tjerë të asaj gjenerate dhe të tjerave.

Libri “Rrëfime në kohë lufte” është një letërnjoftim i vërtetë i njeriut me atdheun nën sqetull do të thosha dhe, ky njeri ishte Izet Shala me shokët anë e këndë trojeve shqiptare që iu përgjigjën me kohë sfidës së kohës për të qenë në krye të obligimit moral, material e fizik për ti dalë zot atdheut.

Fillimisht autori jep pasqyrën e rrethanave në të cilat ndodhej gjendja në rajonin e Malishevës, por me siguri kushte të përafërta ishin edhe në pjesët e tjera të Kosovë, pastaj përpjekjet vetëmohuese në të gjitha drejtimet që janë bërë për të qenë të gatshëm që të mbrohet atdheu me çdo kusht. Si kryetar politiko ushtarak për Banjën, e dihet që Banja e Malishevës por edhe tërë Llapusha ishin qendër e lëvizjes së fuqishme të armatosur kundër pushtuesit serb, Izet Shala na sjell informacione të bollshme për ta njohur gjendjen, kohën dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare në rajonin e Malishevës dhe shumë më gjerë.

Pas njësive I. II dhe III, autori shpalos edhe fletët e ditarit të mbajtur po gjatë luftës të cilat për gjeneratat e reja sidomos kanë vlerë të pashterur për disa arsye: 1. Do ta kuptojnë gjendjen mbi të cilën u ngrit dhe zhvilloj luftën ushtria jonë çlirimtare. 2. Do ta ndjenjë pulsimin e asaj kohe sa të rëndë po aq edhe të lavdishme. 3. Do të mësojnë që kishin baballarë të devotshëm që kaluan përmes tehut të ferrit dhe arritën ta shpëtojnë më në fund këtë copë të atdheut. 4. Do të mësojnë që atdheu është gjëja më e shtrenjtë sepse baballarët e tyre e kanë ujitur me gjak cep më cep.

Si dëshmitarë i një kohe dhe aq më tepër si njëri nga ndërtuesit e asaj qe ne e quajmë Ushtri Çlirimtare e Kosovës, Izet Shala na sjell të plotë panoramën e kohës sa të duket që po e përjeton gjendjen e flakëve, barotit, rënieve të mëdha, vuajtjeve të civilëve etj.

Duke filluar nga atmosfera e rëndë e luftës në Banjë, Karvansari, Senik, Kleçkë e gjetiu, si një dëshmitar i vërtetë ai na rrëfen me një gjuhë të së vërtetës, por edhe me finesa të caktuara artistike që librin e bëjnë shumë më të pranueshëm. Nga faqja në faqe na parakalojnë të rënë dhe të gjallë që i takojnë asaj kohe, emra heronjsh, vepra të lavdishme mbi të cilat u ngrit liria e Kosovës. Po ashtu aty na paraqitet krahas luftës titanike të UÇK-së edhe atmosfera e rëndë e popullatës në male që mbrohej me heroizëm nga luftëtarët e UÇK-së.

Libri i Izet Shalës është i mbushur përplot fakte si: fletët e ditarit, dokumentet dhe fotot e shumta që flasin për luftën e UÇK-së, gjendjen e civilëve, bombardimet e NATO-s, pastaj copëza të rrëfimeve nga ata që detyrimisht ishin ndjekur përtej kufirit të Kosovës nga forcat ushtarake e policore serbe.

Fillim dhe mbarim libri “Rrëfime në kohë lufte” është i mbushur me të dhëna sa rrëqethëse, po aq edhe të lavdishme, të asaj kohe që shtronte për secilin  dilemën TË JESH A TË MOS JESHË. Izet Shala me shokët kishte zgjedhur të ishte dhe ky libër është një dëshmi e gjallë e asaj kohe që do të mbetet në biblioteka si një bar kundër harresës.

Kontrolloni gjithashtu

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në …