Qerimane Polisi: A duhet akoma të dëgjojmë vetëm për keq

Eh, çfarë kohe na erdhi. Dikur ky universitet i yni që nxori breza e breza të dijes, që i duhej aq shumë Kosovës tonë të sfilitur nga pesha e robërisë dhe e shigjetave të tiranisë, sot është bërë pre e sulmeve nga llojet e ndryshme. E çka ndodh sot në mesin tonë publik, medial apo me çfarëdo subjekti qoftë, civil, politikë, apo nuk e di nga ku.

Sot ndihet vetëm një erë që fryn, ajo e përgojimeve, egoizmit, karrigeve, pozitave, posteve, njollosjeve, fyerjeve a sharjeve e çka jo.

Ne sot jemi në gjendje të fundosim edhe anijet më të qëndrueshme, të shembim edhe aeroplanët më të sofistikuar. Bëjmë e çka nuk bëjmë në emër të fushatës, karrierizmit, hakmarrjes apo inateve personale. Ne po i afrohemi asaj thënies filozofike “njeriu për njeriun është ujk”. Tamam ashtu, ne sot do të kishim gllabëruar gjithçka pa fijen e ndërgjegjes, pa menduar e analizuar.

Nuk vlen më ajo fjalë, tri herë mendo, analizo e pastaj vepro. Po përgojojmë, njollosim e po përçmojmë vetëm se kemi dëgjuar nga goja e dikujt apo nga thashëthemet e rrethit. E nuk ka mbetur asnjë figurë publike apo intelektuale, pa iu gjetur ndonjë behane, thuajse ata që po flasin janë të porsalindur nga nëna, pa asnjë të metë. E këto figura të ngrata të mbështetura pas muri, nuk munden as të hapin gojën, se po folën, mija sulme apo plumba komentesh lëshohen mbi ta nga persona që nuk e dinë të vërtetën por që janë njoftuar përmes të dëgjuarit nga të tjerët. Po mirë, nuk mund të thuhet se nuk ka të vërteta nga këto përgojime, por jo për të gjitha. Ka shumë të vërteta bile, por mbi të gjitha që të nisesh e të flasësh për dikë, duhet ta njohësh mirë atë person.

Por ne sot nuk flasim më për punët e mira që bëhen, për të arriturat shkencore e për shumë vlera të mira që po punohen. E kjo veç pse ne nuk duam të shikojmë të mirat e të tjerëve. Ato të mira që bëhen, ne nuk na pëlqejnë, por mezi presim që të dëgjojmë diçka për keq, e pastaj ta tjerrim fijen e perit deri sa ai të këputet. Jo vetëm kështjellat e dijes sot po sulmohen, por edhe shumë sektore tjera rreth nesh. Ne kemi harruar që kemi shumë punë më të mëdha para nesh që nuk janë bërë, kemi harruar se kemi fëmijë të pastrehë që po na bredhin rrugëve duke lypur, apo po na mërdhijnë në tenda e shtëpi që janë gati t’iu bien mbi koka, apo u bredhin minë e gjarpërinj nëpër këmbë. Ne akoma kemi mungesë të të mirave elementare, kemi mungesa të punës, të punësimit. Neve rinia po na humbet rrugëve të mërgimit, kështu siç jemi, e le më nëse nuk mundet të regjistrohet apo edhe të socializohet në rreth, e shumë e shumë probleme tjera madhore. E ne vajtojmë pse kemi aq shumë shkollarë e universitarë, e nga ana tjetër, bota ec kah ardhmëria dhe zbulimet e mëdha.

Për këto probleme ne duhet të flasim e të koncentrohemi më tepër.

Deri sa ata flasin për ardhmëri, ne atyre u alarmojmë duke thënë “shihni, ju mos na qasni ne në mesin tuaj, se ne jemi të korruptuar, universitetet tona nuk vlejnë, personalitetet tona janë të dështuara, ne jemi hajna, ne vjedhim vota, ne vjedhim gjithçka”. E pra, bota dëgjon, i dëgjon klithjet tona, i mbyll dyert për ne, se frikësohet e thotë: “po ata vetë na thonë neve se Ju nuk bën të na pranoni, se ne nuk jemi të denjë për të hyrë në Evropë e botë. Ju vetë po na bëheni lajmëtar e referues”. Prandaj, mirë jemi ku jemi, se kështu duam ne vetë, të jemi të përulur, të etiketuar, të përçarë e të etur për të lënduar të tjerët, vetëm e vetëm për dëshira personale. E ky vend i bekuar lëngon, lëngojnë ata që prehen në gjirin e kësaj toke nga këto klithma tona, lëngojnë kur na dëgjojnë ata që u flijuan për këtë dhe, për ne, për një ardhmëri pa sulme, pa luftë e pa armiqësi. Po brengosemi shumë, jo pse dikush duhet mbrojtur për të këqijat apo të bëmat, por për faktin se a po ndodh kjo me të vërtetë apo vetëm për inate personale, për fushata apo për fontana dëshirash që disa i kanë si hobi e që i ushqejnë vetëm e vetëm për t’i lënduar të tjerët.

Nuk e di nëse gaboj, le të më falin.

Por dëshiroj të shoh veç lulëzim, të mira, paqe, harmoni e bashkim, prandaj kjo po më shtynë të them se mjaft na shkelen e na etiketuan të tjerët. Mjaft u bë, u bë shumë duke dëgjuar vetëm keq, se fëmijët na u rritën duke dëgjuar vetëm lajme të këqija, me plumba, me sulme, me shkolla të pushtuara e demonstrata.

Ne duam vetëm mirësi, paqe e përparim për Kosovën tonë.

 T’i lëmë anash përçarjet, fyerjet e kënaqësitë personale që e gozhdojnë me vepra të pahijshme ardhmërinë e vendit e të qytetarëve, që aq shumë janë lodhur nga fjalët ofenduese, sharjet e përçarjet. Duam vetëm paqe dhe mirësi !

 

Faton Mehmetaj: Turqia dje, sot dhe nesër

 

Turqia që dikur ishte Perandori, sot ka një standard të privilegjuar gjeostrategjik, që shtrihet në dy kontinente (në pjesën jug-lindore të Europës dhe në pjesën perëndimore të Azisë), me rrugë të rëndësishme detare (përkujto vetëm Ngushticën  e Bosforit dhe Dardanelet), me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, ku gërshetohen rrugët më të rëndësishme ndërkombëtare. Republika e Turqisë – shtet kombëtar modern, që ka dalë në skenën historike në shekullin XX, i ngritur mbi trashëgiminë e Shtetit Osman.

Që nga ajo kohë e deri më sot, Turqia ka pasur kriza, puçe ushtarake, probleme të brendshme ekonomike dhe politike, të cilat e kanë përcjellë në vazhdimësi shtetin turk, por të gjithave u ka përballuar dhe ka arritur një stabilitet të brendshëm, ekonomik e politik, që secilën ditë e më shumë ka shkuar drejt progresit dhe stabilitetit në hap me kohën.

Kriza e radhës në Turqi filloi gjatë verës së vitit të kaluar, fillimisht në sheshin Taksim të Stambollit, me kërkesa të thjeshta për ruajtjen e “Parkut Gezi”. Që nga ajo kohë, kriza në Turqi u thellua edhe më shumë, me aferat e korrupsionit të një pjese të lidershipit turk apo familjarëve të tyre, që shpërthyen muajve të fundit. Bazuar në zhvillimin e ngjarjeve të deritanishme, nuk duket se ka të bëjë thjeshtë me afera korruptive, por me sa është vërejtur gjer më tani Irani dhe shtetet që e mbështetin Iranin kanë arritur të investojnë shuma të mëdha parash në shtresat elitare të shtetit turk me qëllim të shantazhimit, presionit politik dhe ushtarak, duke e quar Turqinë në kaos dhe përmbysje të pushtetit. Edhe ashtu situata në Turqi kishte filluar përplasjen mes dy linjave politike, asaj islamike dhe asaj ateiste – besnike e idealeve të babait të shtetit të ri turk, Mustafa Kemal Ataturk, armike e përbetuar e partisë së kryeministrit Erdogan. Në këtë mes, kohë pas kohe Lëvizja “Hizmet” (Shërbimi) e kishte paralajmëruar Erdoganin për devijimet nga rruga për të cilën ishte përcaktuar kur kishte ardhur në pushtet me ndihmën dhe përkrahjen e kësaj Lëvizje.

Ditë më parë, nga Pensilvania e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, imami karizmatik dikur ish-aleati i Erdoganit, Fethullah Gylen, akuzoi kryeministrin turk se i ka braktisur idealet e demokracisë dhe rrugën e reformave për të cilat u zotua dhe erdhi në pushtet një dekadë më parë. Si pasojë e devijimit të kësaj rruge, Turqia u largua nga BE-ja dhe nuk i mbeti vend në Europë, në kuptimin e hapjes së perspektivave për anëtarësim në BE. Në një intervistë dhënë nëpërmjet postës elektronike gazetës “Ëall Street Journal”, Gylen thotë se turqit janë të zemëruar që në dy vitet e fundit progresi është shndërruar në regres. “Spastrimet në radhët e mbështetësve, bazuar në ideologji, simpati apo këndvështrimin e të tjerëve ishin një praktikë e së shkuarës, që partia që është sot në pushtet premtoi se do t’i luftojë”, tha Gylen, i cili përfaqëson lëvizjen më të madhe në mbarë botën, lëvizjen më progresive që ka dalë ndonjëherë për të mirën e njerëzimit.

Eruditi i këtij shekulli, Fethullah Gylen, është ideatori i formimit të Turqisë moderne-bashkëkohore, Turqisë europiane, Turqisë globale, i arsimimit të shëndoshë të brezave të rinj në mbarë botën, të cilët i sollën dhe vazhdojnë t’i sjellin progres e zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik Turqisë, madje jo vetëm asaj.

Nëpërmjet lëvizjes së tij “Hizmet”, me një angazhim të palodhshëm, hapi mbi tre mijë shkolla fillore, të mesme, fakultete e universitete gjigante në mbarë botën, ku mësojnë të gjitha shtresat e njerëzve, pa dallim feje, race, ngjyre a kombësie, të cilat kanë treguar suksese të jashtëzakonshme.  

Në çdo periudhë të rëndësishme të historisë botërore që ka njohur njerëzimi, fuqia e mendimit të lirë ka njohur madhështinë e njerëzve të mëdhenj. Në epokat historike më të rëndësishme që ka njohur bota, sistemet ndërkombëtare më të qëndrueshme janë ngritur prej njerëzve të ditur. I tillë është edhe Fethullah Gylen, mendimi filozofik i të cilit është shfaqur në mbi 70 libra, ku secila prej tyre është shtypur në miliona ekzemplarë, në të cilat koncepti filozofik i tij, hapë një epokë të re. Një nga parimet filozofike të Gylenit është se  çdo udhëheqës mëson nga eksperienca e popullit të vet dhe se  historia është e fuqishme pasi në të, të bën pjesë i gjithë njerëzimi, që nga lindja e tij.

Njeri me vlera njerëzore, i përkushtuar jetësisht për përparimin dhe zhvillimin e Turqisë bashkëkohore, në hap me kohën dhe me zhvillimet e botës së qytetëruar. Gylen nuk e do Turqinë e prapambetur, ai punon bashkë me Lëvizjen “Hizmet” për një Turqi bashkëkohore, të fuqishme ekonomikisht, me shtetarë e pushtetarë të shkolluar, të edukuar e të përkushtuar për popullin. Të kuptosh dhe të japësh kuptim, të shpjegosh dhe t’i bindësh të tjerët për të kuptuar janë koncepte të dialektikës zhvillimore që i orientojnë njerëzit drejt së ardhmes me vizion. T’i bësh të verbrit të shohin prapë është filozofi më vete që varet nga emancipimi dhe shkollimi personal. Nuk janë të verbër ata që nuk shohin, por ata që nuk dinë. Nuk janë jetimë ata që nuk kanë prindër, por ata që nuk kanë edukatë. Ta kuptosh botën e simboleve do të thotë t’i kuptosh fshehtësitë. Historia është lëvizje dhe lëvizja sjellë krahasimin. Njerëzit si Gyleni i japin kuptim jetës dhe shtetit, i bëjnë njerëzit ta kuptojnë shtetin, të punojnë për të dhe ta zhvillojnë në dobi të popullit të vet.

Qindra mijëra njerëz të pasur, të ndikuar nga idetë e tij, kanë hapur me mijëra institucione në më shumë se 160 shtete të botës. Horizonti i diturisë së Gylenit duket i pafund, idetë e tij po i shërbejnë njerëzimit. Kontaktet e botës së qytetëruar me këto ide kanë bërë që Turqia të shikohet ndryshe në arenën ndërkombëtare e botërore. Brezat që kanë dalë nga shkolla e Gylenit do ta bëjnë Turqinë fuqi ekonomike, shtet ku do të gërshetohen kulturat e ndryshme pa ndrojtje, shtet me një vetëdije të lartë ku nuk do të ketë kriza të kësaj natyre që po ndodhin sot, por që Turqia do ta tejkalojë pa ndonjë problem të madh. E ardhmja e Turqisë bashkëkohore është në duart e brezit që ka dalë dhe është shkolluar në shkollën e Fethullah Gylenit.

Deri më tani, brezi që ka dalë nga shkolla e Gylenit e ka menaxhuar mirë tregun e ideve, nëpërmjet të cilave i kanë dhënë hov zhvillimit  të mendimit politik, sepse sistemi liberal politik çon në zhvillimin e shpejtë të mendimit progresiv në politikë.

Gyleni në librat e tij dhe në filozofinë e mendimit, e ka idealizuar një lloj tipi të njeriut, i cili do të arrijë të hyjë në dialog me persona të konfeksioneve të ndryshme, një tip të njeriut që mund të kontaktojë me të gjitha shtresat e shoqërisë, njeriun pa urrejtje, njeriun që është në shërbim të njerëzimit, njeriun e arsimuar që do të jetë rreptësisht kundër qarqeve radikale dhe kundër terrorizmit, njeriun që e do jetën dhe është në shërbim të të tjerëve.

Cilësia dhe pjekuria e mendimit politik janë virtyte të këtij mendimtari të madh të njerëzimit. Trajtimi i problemeve në botë nëpërmjet qasjes së Gylenit, i ka dhënë përmasa gjigante, duke e shndërruar atë në një personalitet autoritativ të pakontestueshëm në skenën e mendimit filozofik botëror. Mendimet e tij gjithnjë e më shumë po shërbejnë si ide kreative për mbështetjen e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zgjidhjen e shumë problemeve në arenën politike qoftë të atyre kombëtare apo  ndërkombëtare në përgjithësi.

Gyleni simbolizon revolucionin intelektual, nëpërmjet të cilit Turqia pati kthesa të mëdha progresive. Bota në këtë fillimshekulli është duke shkuar drejt revolucionit industrial dhe teknologjik, prandaj shumica e njerëzimit po e ndjekë këtë rrugë e jo luftërat. Gylen përpiloi dhe plasoi idetë e një doktrine të re ku dominon arsyeja dhe barazia mes popujsh, mosdiskriminimi i pakicave, dhe krijimi i njeriut të ri të shkolluar, të ditur e pa ngarkesa ideologjike, i njeriut jokonfliktuoz, por që është i përkushtuar për vendin, popullin dhe shtetin e vet. 

Për ta ilustruar këtë situatë po përmendi thënien filozofike: nëse dëshiron të jetosh me vite mbjell drith, nëse dëshiron të jetosh me decenie mbjell fidane, nëse dëshiron të jetosh me shekuj arsimo popullin, e këtë rrugë e ka zgjedhur Gyleni.

Ilaçi më i mirë për të vërtetën është mbrojtja e saj, e kjo bëhet nëpërmjet arsimimit dhe edukimit. Gyleni nuk ka nevojë për pushtet, sepse është i pushtetshëm, por brezi i ri që ka dalë nga shkollat e tij do ta qeverisë Turqinë për shumë vjet. Thonë se yjet nuk kanë turp të duken si xixëllonja. Periudha e artë e Turqisë fillon me lëvizjen Gylen, e cila është rilindje e Turqisë, është e tashmja dhe e ardhmja e saj.

Përplasja e Erdoganit me ithtarët e kësaj lëvizjeje pa arsye të forta është e dëmshme dhe po i kushton shumë në karrierën e tij politike, ndaj duhet të reflektojë në këtë drejtim. Në të kundërtën duhet shikuar alternativat për renovimin e aleancave, por duhet shoshitur edhe tregu i ideve dhe i mendimeve rreth këtij konstruktiviteti si rezerva strategjike për një Turqi superfuqi ekonomike. Pa këtë nëse vazhdon dhe thellohet lufta brenda llojit,  mund ta rrënojë tërë procesin e të qenurit të Turqisë superfuqi ekonomike.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …