Faton Mehmetaj: Turqia dje, sot dhe nesër

Turqia që dikur ishte Perandori, sot ka një standard të privilegjuar gjeostrategjik, që shtrihet në dy kontinente (në pjesën jug-lindore të Europës dhe në pjesën perëndimore të Azisë), me rrugë të rëndësishme detare (përkujto vetëm Ngushticën  e Bosforit dhe Dardanelet), me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, ku gërshetohen rrugët më të rëndësishme ndërkombëtare. Republika e Turqisë – shtet kombëtar modern, që ka dalë në skenën historike në shekullin XX, i ngritur mbi trashëgiminë e Shtetit Osman.

Që nga ajo kohë e deri më sot, Turqia ka pasur kriza, puçe ushtarake, probleme të brendshme ekonomike dhe politike, të cilat e kanë përcjellë në vazhdimësi shtetin turk, por të gjithave u ka përballuar dhe ka arritur një stabilitet të brendshëm, ekonomik e politik, që secilën ditë e më shumë ka shkuar drejt progresit dhe stabilitetit në hap me kohën.

Kriza e radhës në Turqi filloi gjatë verës së vitit të kaluar, fillimisht në sheshin Taksim të Stambollit, me kërkesa të thjeshta për ruajtjen e “Parkut Gezi”. Që nga ajo kohë, kriza në Turqi u thellua edhe më shumë, me aferat e korrupsionit të një pjese të lidershipit turk apo familjarëve të tyre, që shpërthyen muajve të fundit. Bazuar në zhvillimin e ngjarjeve të deritanishme, nuk duket se ka të bëjë thjeshtë me afera korruptive, por me sa është vërejtur gjer më tani Irani dhe shtetet që e mbështetin Iranin kanë arritur të investojnë shuma të mëdha parash në shtresat elitare të shtetit turk me qëllim të shantazhimit, presionit politik dhe ushtarak, duke e quar Turqinë në kaos dhe përmbysje të pushtetit. Edhe ashtu situata në Turqi kishte filluar përplasjen mes dy linjave politike, asaj islamike dhe asaj ateiste – besnike e idealeve të babait të shtetit të ri turk, Mustafa Kemal Ataturk, armike e përbetuar e partisë së kryeministrit Erdogan. Në këtë mes, kohë pas kohe Lëvizja “Hizmet” (Shërbimi) e kishte paralajmëruar Erdoganin për devijimet nga rruga për të cilën ishte përcaktuar kur kishte ardhur në pushtet me ndihmën dhe përkrahjen e kësaj Lëvizje.

Ditë më parë, nga Pensilvania e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, imami karizmatik dikur ish-aleati i Erdoganit, Fethullah Gylen, akuzoi kryeministrin turk se i ka braktisur idealet e demokracisë dhe rrugën e reformave për të cilat u zotua dhe erdhi në pushtet një dekadë më parë. Si pasojë e devijimit të kësaj rruge, Turqia u largua nga BE-ja dhe nuk i mbeti vend në Europë, në kuptimin e hapjes së perspektivave për anëtarësim në BE. Në një intervistë dhënë nëpërmjet postës elektronike gazetës “Ëall Street Journal”, Gylen thotë se turqit janë të zemëruar që në dy vitet e fundit progresi është shndërruar në regres. “Spastrimet në radhët e mbështetësve, bazuar në ideologji, simpati apo këndvështrimin e të tjerëve ishin një praktikë e së shkuarës, që partia që është sot në pushtet premtoi se do t’i luftojë”, tha Gylen, i cili përfaqëson lëvizjen më të madhe në mbarë botën, lëvizjen më progresive që ka dalë ndonjëherë për të mirën e njerëzimit.

Eruditi i këtij shekulli, Fethullah Gylen, është ideatori i formimit të Turqisë moderne-bashkëkohore, Turqisë europiane, Turqisë globale, i arsimimit të shëndoshë të brezave të rinj në mbarë botën, të cilët i sollën dhe vazhdojnë t’i sjellin progres e zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik Turqisë, madje jo vetëm asaj.

Nëpërmjet lëvizjes së tij “Hizmet”, me një angazhim të palodhshëm, hapi mbi tre mijë shkolla fillore, të mesme, fakultete e universitete gjigante në mbarë botën, ku mësojnë të gjitha shtresat e njerëzve, pa dallim feje, race, ngjyre a kombësie, të cilat kanë treguar suksese të jashtëzakonshme.  

Në çdo periudhë të rëndësishme të historisë botërore që ka njohur njerëzimi, fuqia e mendimit të lirë ka njohur madhështinë e njerëzve të mëdhenj. Në epokat historike më të rëndësishme që ka njohur bota, sistemet ndërkombëtare më të qëndrueshme janë ngritur prej njerëzve të ditur. I tillë është edhe Fethullah Gylen, mendimi filozofik i të cilit është shfaqur në mbi 70 libra, ku secila prej tyre është shtypur në miliona ekzemplarë, në të cilat koncepti filozofik i tij, hapë një epokë të re. Një nga parimet filozofike të Gylenit është se  çdo udhëheqës mëson nga eksperienca e popullit të vet dhe se  historia është e fuqishme pasi në të, të bën pjesë i gjithë njerëzimi, që nga lindja e tij.

Njeri me vlera njerëzore, i përkushtuar jetësisht për përparimin dhe zhvillimin e Turqisë bashkëkohore, në hap me kohën dhe me zhvillimet e botës së qytetëruar. Gylen nuk e do Turqinë e prapambetur, ai punon bashkë me Lëvizjen “Hizmet” për një Turqi bashkëkohore, të fuqishme ekonomikisht, me shtetarë e pushtetarë të shkolluar, të edukuar e të përkushtuar për popullin. Të kuptosh dhe të japësh kuptim, të shpjegosh dhe t’i bindësh të tjerët për të kuptuar janë koncepte të dialektikës zhvillimore që i orientojnë njerëzit drejt së ardhmes me vizion. T’i bësh të verbrit të shohin prapë është filozofi më vete që varet nga emancipimi dhe shkollimi personal. Nuk janë të verbër ata që nuk shohin, por ata që nuk dinë. Nuk janë jetimë ata që nuk kanë prindër, por ata që nuk kanë edukatë. Ta kuptosh botën e simboleve do të thotë t’i kuptosh fshehtësitë. Historia është lëvizje dhe lëvizja sjellë krahasimin. Njerëzit si Gyleni i japin kuptim jetës dhe shtetit, i bëjnë njerëzit ta kuptojnë shtetin, të punojnë për të dhe ta zhvillojnë në dobi të popullit të vet.

Qindra mijëra njerëz të pasur, të ndikuar nga idetë e tij, kanë hapur me mijëra institucione në më shumë se 160 shtete të botës. Horizonti i diturisë së Gylenit duket i pafund, idetë e tij po i shërbejnë njerëzimit. Kontaktet e botës së qytetëruar me këto ide kanë bërë që Turqia të shikohet ndryshe në arenën ndërkombëtare e botërore. Brezat që kanë dalë nga shkolla e Gylenit do ta bëjnë Turqinë fuqi ekonomike, shtet ku do të gërshetohen kulturat e ndryshme pa ndrojtje, shtet me një vetëdije të lartë ku nuk do të ketë kriza të kësaj natyre që po ndodhin sot, por që Turqia do ta tejkalojë pa ndonjë problem të madh. E ardhmja e Turqisë bashkëkohore është në duart e brezit që ka dalë dhe është shkolluar në shkollën e Fethullah Gylenit.

Deri më tani, brezi që ka dalë nga shkolla e Gylenit e ka menaxhuar mirë tregun e ideve, nëpërmjet të cilave i kanë dhënë hov zhvillimit  të mendimit politik, sepse sistemi liberal politik çon në zhvillimin e shpejtë të mendimit progresiv në politikë.

Gyleni në librat e tij dhe në filozofinë e mendimit, e ka idealizuar një lloj tipi të njeriut, i cili do të arrijë të hyjë në dialog me persona të konfeksioneve të ndryshme, një tip të njeriut që mund të kontaktojë me të gjitha shtresat e shoqërisë, njeriun pa urrejtje, njeriun që është në shërbim të njerëzimit, njeriun e arsimuar që do të jetë rreptësisht kundër qarqeve radikale dhe kundër terrorizmit, njeriun që e do jetën dhe është në shërbim të të tjerëve.

Cilësia dhe pjekuria e mendimit politik janë virtyte të këtij mendimtari të madh të njerëzimit. Trajtimi i problemeve në botë nëpërmjet qasjes së Gylenit, i ka dhënë përmasa gjigante, duke e shndërruar atë në një personalitet autoritativ të pakontestueshëm në skenën e mendimit filozofik botëror. Mendimet e tij gjithnjë e më shumë po shërbejnë si ide kreative për mbështetjen e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zgjidhjen e shumë problemeve në arenën politike qoftë të atyre kombëtare apo  ndërkombëtare në përgjithësi.

Gyleni simbolizon revolucionin intelektual, nëpërmjet të cilit Turqia pati kthesa të mëdha progresive. Bota në këtë fillimshekulli është duke shkuar drejt revolucionit industrial dhe teknologjik, prandaj shumica e njerëzimit po e ndjekë këtë rrugë e jo luftërat. Gylen përpiloi dhe plasoi idetë e një doktrine të re ku dominon arsyeja dhe barazia mes popujsh, mosdiskriminimi i pakicave, dhe krijimi i njeriut të ri të shkolluar, të ditur e pa ngarkesa ideologjike, i njeriut jokonfliktuoz, por që është i përkushtuar për vendin, popullin dhe shtetin e vet. 

Për ta ilustruar këtë situatë po përmendi thënien filozofike: nëse dëshiron të jetosh me vite mbjell drith, nëse dëshiron të jetosh me decenie mbjell fidane, nëse dëshiron të jetosh me shekuj arsimo popullin, e këtë rrugë e ka zgjedhur Gyleni.

Ilaçi më i mirë për të vërtetën është mbrojtja e saj, e kjo bëhet nëpërmjet arsimimit dhe edukimit. Gyleni nuk ka nevojë për pushtet, sepse është i pushtetshëm, por brezi i ri që ka dalë nga shkollat e tij do ta qeverisë Turqinë për shumë vjet. Thonë se yjet nuk kanë turp të duken si xixëllonja. Periudha e artë e Turqisë fillon me lëvizjen Gylen, e cila është rilindje e Turqisë, është e tashmja dhe e ardhmja e saj.

Përplasja e Erdoganit me ithtarët e kësaj lëvizjeje pa arsye të forta është e dëmshme dhe po i kushton shumë në karrierën e tij politike, ndaj duhet të reflektojë në këtë drejtim. Në të kundërtën duhet shikuar alternativat për renovimin e aleancave, por duhet shoshitur edhe tregu i ideve dhe i mendimeve rreth këtij konstruktiviteti si rezerva strategjike për një Turqi superfuqi ekonomike. Pa këtë nëse vazhdon dhe thellohet lufta brenda llojit,  mund ta rrënojë tërë procesin e të qenurit të Turqisë superfuqi ekonomike.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …