Qeveria Kurti nuk di si të veprojë, pasi ndodhet para dilemave më të kokëlavitura, të cilat i ka krijuar vetë

A kanë ngjashmëri skandalet politike të Mehmet Krajës dhe të Albin Kurtit

Për elaboratin skandaloz, antikombëtar të Mehmet Krajës, kryesia e Akademisë po i respekton përgjegjësitë e veta, po për lëvdatat që kryeministri, Albin Kurti ia bëri kriminelit shqiptarë-vrasës, Oliver Ivanoviq, cili institucion nëse jo Qeveria do të kërkojë dorëheqjen e tij, pasi opozitës po shihet mirëfilli se nuk i intereson dorëheqja, sepse  nuk është unike, as e gatshme ta marrë përsipër dhe të merret   me problemet aktuale politike, shoqërore dhe të sigurisë me të cilat po ballafaqohet vendi.

Pse opozita nuk mbështet zërat e bijve dhe bijave të dëshmorëve të kombit, të cilët më 23 janar në protestën e tyre, para ndërtesës së Qeverisë kanë kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti të kërkojë falje për deklaratën e tij skandaloze, ose të japë dorëheqje, deklaratë kjo  gjithsesi edhe antikombëtare, madje më e  dëmshme sesa ajo e Mehmet Krajës.

Pse opozita nuk kërkon shkarkimin e Albin Kurtit, me mocion mosbesimi pas deklaratës më të rrezikshme dhe më antikombëtare që rehabiliton një shqiptar-vrasës i akuzuar nga gjyqi për vrasjen e 31 civilëve shqiptarë. Pse nuk u mor fare parasysh as deklarata e disa muajve më parë kur Kurti kishte thënë se Millosheviqi nuk e ka pyetur Vuqiqin, dhe ai, po sipas Kurtit nuk paska kryer krime në Kosovë, edhe pse ishte ministër në kohë lufte i kriminelit Millosheviq, ministër i informimit i cili mes tjerash  kishte dhënë urdhër për bombardimin e selisë së Radios-Kosova e Lirë, më 27 mars të vitit 1999.

Kjo gjendej, kjo rezignatë tragjike, që po mbretëron në Kosovë tregon më së miri se vendi  nuk ka dalëzotës, se dalëzotësit e vërtetë, jo rastësisht ndodhen në Hagë, madje të akuzuar pse e kanë themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilën një pjesë e qarqeve antishqiptare, po e kualifikojnë si “Ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Qeveria Kurti tani ndodhet në pozitën “të jesh apo të mos jesh”

Qeveria Kurti tani ndodhet në pozitën më të vështirë që nga themelimi. Kokëfortësia, arroganca dhe pamundësia e tij,  për ta bindur opinionin ndërkombëtarë me mendësinë e tij njëdimensionale ka bërë që emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar ta nxjerrë jashtë loje, duke e injoruar deri në nivelin e një individi, duke e margjinalizuar në mënyrën më poshtëruese. Në vazhdën e këtij injorimi  Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  në Kosovë, ka  konfirmuar se më 31 janar do të fillojë  diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në një përgjigje për KosovaPress, Ambasada tregoi qëllimin e këtij diskutimi ndërsa nuk bëri të ditur nëse ka një ftesë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në cilësi të kryetarit të Vetëvendosjes. KosovaPress ka mësuar nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, që deri më 24 janar kryeministri Kurti nuk ka pranuar një ftesë për diskutimin e 31 janarit. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pranuar një ftesë të tillë, po ashtu edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, konfirmoi ftesën dhe pjesëmarrjen. Emisari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për refuzimin e Kurtit për të themeluar Asociacionin, tha se “një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar”. Ambasada amerikane ka bërë të ditur se diskutimi i 31 janarit është në përputhje me angazhimet e veta  dhe në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Deri te kjo e papritur erdhi pasi Serbia e pranoi planin e rishkruar franko-gjerman, i cili i jep përparësi  dhe hapësirë shumë të madhe Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke paraparë një autonomi të zgjeruar, madhe më shumë se ajo që është përkufizuar me marrëveshjen e vitit 2013, në Bruksel. Shefi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka mirëpritur qëndrimin e kryetarit  serb, Aleksandar Vuçiq, të datës 23 janar, rreth propozimit evropian, i cili parasheh rrugën përpara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Borrell iu ka  referuar deklaratave të Vuçiqit para qytetarëve të Serbisë, në të cilin ka thënë se diplomatët e huaj i kanë treguar që nëse ai nuk e pranon planin e BE-së, Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik. Vuçiq, po ashtu, ka pranuar se ky plan i BE-së, që mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, është kornizë e re negociuese për Serbinë. Propozimi i BE-së, i njohur në publik edhe si plani franko-gjerman, u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Duket se kësaj radhe kryetari i Serbisë, Aleksander Vuqiq nuk përsëriti gabimin që bëri regjimi i Millosheviqit, në mars të vitit 1999, që nuk e nënshkroi marrëveshjen e Rambujesë, fakt që çoi në bombardimin e NATO-s dhe nënshkrimin e  kapitullimit në Marrëveshjen e Kumanovës me 10 qershor të po atij viti. Kurti tani po e bën të njëjtin gabim, i cili nuk mund të jetë pa pasoja për të dhe për të gjithë ata që e përkrahin në këtë rrugë pa krye, por nuk besoj se do të ketë pasoja për Kosovën, pasi vetë emisari amerikan, Gabriel Escobar ka thënë se Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Serbe si ajo e Bosnjës, por një autonomi e zgjeruar me shumë kompetenca, të cilat i parasheh përditësimi i fundit i planit franko-gjerman.

Kryeministri dhe Qeveria ka zgjedhur heshtjen tani për tani, por kjo heshtje nuk mund të zgjasë shumë dhe sa më shumë që zgjasë, degjeneron keq e më keq.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

25.1. 2023

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …