Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike ku ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, duke hapur debat të ri politik dhe institucional. Vendimi vjen pasi Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim zyrtar për mënyrën e emërimeve, duke paralajmëruar se lëvizje të tilla mund të cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë. Në letrën e dërguar kryeparlamentares Albulena Haxhiu nga ushtruesja e detyrës së shefes së zyrës së BE-së, Eva Palatova, theksohet se sundimi i ligjit duhet të mbrohet nga çdo ndikim politik. Sipas BE-së, emërimi i anëtarëve të rinj nuk duhet të ndërpresë mandatin e anëtarëve aktualë para kohe, duke ngritur dilema serioze për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e këtij procesi. Kritika të ashpra ka bërë edhe Besnik Tahiri, shefi i grupit parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili tha se ekzekutivi po tenton të krijojë një komision të kontrolluar politikisht. Ai kërkoi konsultim me ekspertë juridikë dhe ndaljen e çdo veprimi që bie ndesh me Kushtetutën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
