Profesori universitar Mazllum Baraliu ka deklaruar se përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e krizës institucionale dhe sigurimin e votave për presidentin mbetet te fituesi i zgjedhjeve, duke theksuar se koha për marrëveshje po mbaron. Ai vlerësoi se oferta e fundit e Albin Kurti ndaj partive opozitare ka ardhur me vonesë, por sipas tij ende duhet shfrytëzuar si mundësi për kompromis politik. Sipas Baraliut, çështja e presidentit është dashur të trajtohej menjëherë pas zgjedhjeve, pasi lidhet drejtpërdrejt me funksionalitetin e institucioneve. Baraliu e cilësoi serioze qasjen e Lidhja Demokratike e Kosovës për të propozuar kandidatë në kuadër të një marrëveshjeje politike, duke shtuar se tashmë topi ndodhet në anën e fituesit të zgjedhjeve për të siguruar 66 votat e nevojshme në Kuvend. Ai tha se nëse LDK garanton praninë dhe votat e saj, atëherë mbetet që Lëvizja Vetëvendosje të dëshmojë se i ka numrat për zgjedhjen e presidentit. Në fund, Baraliu paralajmëroi se zgjedhjet e reja nuk do ta ndryshonin dukshëm skenën politike, duke shtuar se Vetëvendosje do të mbetej forca më e madhe, ndërsa opozita do të vazhdonte e fragmentuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
