Radio Evropa e Lirë: Flet Jetish Jashari, "ambasadori" i Kosovës në Serbi

Radio Evropa e Lirë: Flet Jetish Jashari, “ambasadori” i Kosovës në Serbi

Fakti që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kanë pranuar në Bruksel më 27 shkurt se do të punojnë për zbatimin e planit evropian, Jetish Jashari, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, e sheh si një pikë kthese në dialog. “Është thelbësore që zbatimi i propozimit të fillojë pa vonesë dhe me mirëbesim”, ka thënë Jashari në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”. Zyrat ndërlidhëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë që nga viti 2013. Zyrat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për të lehtësuar zbatimin e saj. Ato janë të vendosura në ambientet e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd dhe Prishtinë. Që nga viti 2013, Dejan Paviqeviq mban pozitën e oficerit ndërlidhës të Serbisë në Kosovë. Jetish Jashari ka vlerësuar se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve paraqet bazë solide për zgjidhjen e shumicës së çështjeve të hapura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ai pret që dialogu të përfundojë me njohje reciproke. Plani për normalizimin e marrëdhënieve njihet në publik si propozimi evropian dhe ka marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Mbretëria e Bashkuar. Ai ka përcaktuar marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011.

Beogradi zyrtar refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

“Radio Evropa e Lirë”: Si i komentoni rezultatet e takimit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 27 shkurt për negociata? A e shihni këtë si një hap për të ecur para drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi?
Jetish Jashari: Takimi i mbajtur më 27 shkurt në Bruksel mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në prani të përfaqësuesit të lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borell dhe përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, padyshim është një pikë kthese në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.
Plani i propozuar nga Bashkimi Evropian (Propozimi i Bashkimit Evropian), për të normalizuar marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili njëherësh është i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera demokratike, u pranua edhe nga Republika e Kosovës, duke e konsideruar atë si një bazë të mirë për vazhdimin e dialogut, të cilin ne presim të kompletohet me njohje reciproke. Për më tepër, kryeministri Kurti u shpreh i gatshëm për të nënshkruar dokumentin e këtij takimi, që nënkupton një tjetër konfirmim për vendosmërinë e Republikës së Kosovës rreth këtij propozimi.

“Radio Evropa e Lirë”: Sipas jush, cilat janë hapat kyç në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës?
Jetish Jashari: Ashtu siç e ceka më parë, në një fazë të tillë të ndërmjetme, propozimi i BE-së ofron një bazë të fortë për të punuar për shumicën e çështjeve që janë të pazgjidhura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku të tilla çështje mund të paraqesin pengesë për normalizimin e marrëdhënieve reciproke. Në një situatë të tillë është thelbësore që implementimi i procesit të këtij propozimi të fillojë pa vonesa dhe me vullnet të mirë. Si dhe, takimi i paralajmëruar mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq për 18 mars në Shkup, duhet të perceptohet si një hap domethënës në këtij drejtim. Natyrisht, konsiderojmë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve do të arrihet kur të realizohet njohja reciproke.
Roli i Bashkimit Evropian, i ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, në këtë proces mbetet i domosdoshëm, pasi pritet që zbatimi i detajeve të këtij propozimi të kërkojë shumë punë dhe marrje të vendimeve të vështira. Përfaqësuesit kanë paralajmëruar se do të kenë një rol aktiv në këtë proces, duke përfshirë vizita diplomatike në vendet përkatëse, gjë që është shumë e preferuar.

“Radio Evropa e Lirë”: Zyrat ndërlidhëse mes Serbisë dhe Kosovës janë themeluar në vitin 2013. Në çfarë mënyre funksionojnë sot ato?
Jetish Jashari: Që nga themelimi i saj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës me Serbinë ka punuar së bashku me Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë me Kosovën, duke vepruar si kanali kryesor i komunikimit ndërmjet qeverive të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është nënshkruar në Marrëveshjen për Zyrat Ndërlidhëse të vitit 2013 (e njohur edhe si “Përfundimi i kryesuesve, marrëveshjet ndërlidhëse”). Praktikisht, zyra është përgjegjëse për planifikimin e vizitave të zyrtarëve qeveritarë nga Serbia dhe Republika e Kosovës, duke përfshirë përfaqësues nga Qeveria e Serbisë dhe nga liderët e tjerë fetarë. Për më tepër, si shef i Zyrës Ndërlidhëse, kam punuar shumë, ashtu si edhe ish-shefat para meje, për të mbajtur kontakte dhe për të pasur komunikim me përfaqësuesit e komunitetit diplomatik në Beograd, në mënyrë që t’i mbaj të informuar për qëndrimin e Qeverisë sonë për zhvillimet në lidhje me Republikën e Kosovës.
Zyra Ndërlidhëse ka qenë, gjithashtu, aktive në ofrimin e ndihmës së nevojshme për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë hasur në probleme ligjore dhe të tjera gjatë qëndrimit në Serbi, sikurse ata që janë arrestuar nga autoritetet serbe, ata që janë në burgjet serbe, apo ata që kanë pësuar aksidente trafiku, e kështu me radhë.
Zyra Ndërlidhëse u ka kushtuar vëmendje të veçantë komuniteteve etnike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si pjesë e ndihmës së ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, para së gjithash në drejtim të ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit të tyre kombëtar. Kjo është arritur kryesisht përmes vizitave në subjekte komunale dhe politike, si dhe vizitave në rajon nga delegacionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Radio Evropa e Lirë”: Si do ta vlerësonit komunikimin tuaj si shef ndërlidhës me autoritetet serbe?
Jetish Jashari: Mënyra e vetme e komunikimit me autoritetet serbe është përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë me Kosovën dhe ky komunikim deri më tani ka qenë korrekt.

“Radio Evropa e Lirë”: Cilat janë sfidat kryesore që hasni në punën tuaj të përditshme?
Jetish Jashari: Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 parashikon që Zyra Ndërlidhëse të ketë tre anëtarë të personelit: zyrtar ndërlidhës, asistent dhe shofer. Si rezultat, statusi aktual si Zyrë Ndërlidhëse, me kufizimet e saj funksionale, dhe përmasat relativisht të vogla për sa i përket personelit, paraqesin vështirësi të konsiderueshme për arritjen e objektivave të përcaktuara për ‘ndjekjen e të gjitha çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve dhe adresimin e të gjitha problemeve të përditshme që mund të rrjedhin”, siç thuhet në preambulën e Marrëveshjes së Brukselit. Zbatimi i propozimit të Bashkimit Evropian, i cili përfshin themelimin e “misioneve të përhershme”, pritet ta vendosë Zyrën aktuale Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi në statusin e një misioni të përhershëm. Kjo do të përmirësonte padyshim shanset për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të misionit.

“Radio Evropa e Lirë”: Çfarë e vlerësoni si arritje kyçe të Zyrës Ndërlidhëse?
Jetish Jashari: Pavarësisht tensioneve të shpeshta politike që kanë formësuar marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, Zyra Ndërlidhëse i ka arritur qëllimet e saj të misionit.

“Radio Evropa e Lirë”: Në çfarë mase po e mbështet BE-ja Zyrën Ndërlidhëse? A jeni përfshirë në ndonjë mënyrë në negociatat aktuale?
Jetish Jashari: Që nga themelimi i saj, Bashkimi Evropian ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi. Marrëveshja që themeloi Zyrën Ndërlidhëse u arrit nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Si rezultat, delegacioni i BE-së në Serbi mban kontakte të rregullta me zyrën. Gjithashtu, për të cekur, Zyra Ndërlidhëse është e vendosur në ndërtesën e Delegacionit të BE-së në Beograd. Zyra Ndërlidhëse nuk është e përfshirë në procesin e negociatave.

“Radio Evropa e Lirë”: Kohët e fundit kemi parë komente negative në rrjetet sociale pas ngjarjes në Beograd me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Si i komentoni këtë?
Jetish Jashari: Fatkeqësisht, shumica në rrjetet sociale në Serbi dhe disa figura politike, reaguan ashpër për pritjen dhe festimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës që unë organizova në shtëpinë time, më 22 shkurt në Beograd. Lidhur me këtë, dua të theksoj se, ndryshe nga raportimet në media, kjo ngjarje nuk kishte për qëllim të provokojë popullin serb apo opinionin e gjerë. Ngjarja ishte pjesë e aktiviteteve festive të mbajtura nga të gjitha misionet e Republikës së Kosovës jashtë vendit në vendet e tyre pritëse, që i bie se pritja në Beograd ishte pjesë e atij programi.

 

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …