Ahmet Qeriqi

Radio-Kosova e Lirë më 4 janar 2024 mbush 25 vjet të jetës, gjashtë muaj të kohës së luftës dhe 24 vjet e gjysmë të pas luftës

Kush janë ata që po pretendojnë  ta promovojnë vetveten, madje edhe si themelues të Radios dhe “kuadro të jashtëzakonshëm”,  pa të cilët nuk do të kishte funksionuar Radio Kosova e Lirë, ndërsa në Radio kanë punuar nga gjashtë muaj e jo  25 vite. Duke shfrytëzuar refuzimin e pronësisë  së Radios Kosova e Lirë nga Drejtoria e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës  një segment i stafit të kohës së luftës, ka ndërhyrë pa lejen e Drejtorisë dhe e ka përvetësuar Bunkerin, pastaj në bashkëpunim me Agjencinë  për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, e ka ngritur “Bunkerin”, në Majen e Pallanikut mbi fshatin Kizharekë. Është në rregull ngritja e “Bunkerit”, por është e dënueshme e paligjshme, e papranueshme   që ajo të ndahet nga Radio Kosova e Lirë, e cila punon dhe transmeton program qe 25 vjet dhe nuk do të ndalet, pavarësisht si mendojnë “themeluesit” që e kishin gjetur të gatshme Radion më 4 janar të vitit 1999 dhe kishin punuar  deri më 21 qershor të atij viti…

Në prag të këtij çerek-shekulli jubilar, Radio Kosova e Lirë po përballet me vështirësi, si gjithherë, por ende funksionon, tani duke çaluar më shumë se në vitet paraprake. Ky zë i lirisë së Kosovës ka qenë dhe ka mbetur në shënjestër  të forcave të territ, si në kohën e luftës, (Janar-Qershor 1999) kur sulmohej e bombardohej nga ushtria e kryekriminelit serb, Millosheviq, por edhe pas luftës  nga mbetjet e ish regjimeve dhe nga injorimi që iu bë, nga ata që do të duhej ta kishin ndihmuar më së shumti.

Megjithatë falë qytetarëve liridashës, donatorëve, firmave të ndryshme dhe një segmenti të zyrtarëve me prejardhje nga lufta e UÇK-së, zëri jehonë i krismave të Legjendarit Adem Jashari dhe i çlirimtarëve të Kosovës, vazhdon të transmetojë program ditor informativ, tematik, kulturor me përmbajtje të mirëfillta kombëtare, ashtu sikur në ditën e parë të transmetimit.

Në dy vitet e fundit, Radio-Kosova e Lirë është përballur edhe me probleme të “trashëgimisë” së saj, të cilën nuk e njohin institucionet e sotme të Kosovës. Kërkesa e ligjshme e Drejtorisë  së Radios për ta marrë në përkujdesje “Bunkerin” në Majën e Pallanikut, duke i kërkuar fillimisht komunës së Drenasit të na japë në shfrytëzim 15 ari tokë gurinore, e refuzua me arsyetimin  se prona i takon Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.

Kërkesa jonë drejtuar kësaj Agjencie u refuzua me “arsyetimin” absurd se vendi në Majën e Pallanikut qenka Zonë e veçantë e luftës, pikërisht sepse aty ka transmetuar program Radio-Kosova e lirë. Agjencia e pyjeve e njeh Bunkerin si  Zonë të veten, por nuk e njeh Radion-Kosova e lirë si pronare,  trashëguese legjitime.

Kjo është njësoj sikur ta njohësh UÇK-në por jo TMK-në e FSK-së si trashëgimtare të saj.

Të përkujtojmë edhe me këtë rast se Radio-Kosova e Lirë është themeluar me vendim të SHP të UÇK-së, qysh në nëntor të vitit 1998 dhe statusi i saj nuk  është vënë në dyshim, as është marrë vendim për abrogim.

Komuna e Drenasit, në kohën e Qeverisë së Përkohshme, Radios-Kosova e Lirë ia ndarë 5 ari tokë, në fshatin Berishë, ku tani është Shtëpia-Muze e Radios, Po ashtu, edhe komuna e Lypjanit, në parim ka pranuar ta marrë në mbrojtje selinë e parë të Radios, në fshatin Krojmir…

Duke shfrytëzuar këtë refuzim pronësie të Radios Kosova e Lirë nga Drejtoria e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës  një segment i stafit të kohës së luftës, ka ndërhyrë pa lejen e Drejtorisë dhe e ka përvetësuar Bunkerin, pastaj në bashkëpunim me Agjencinë  për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, e ka ngritur “Bunkerin”, të cilin mbase edhe e merr në mbrojtje.

Kjo ndodhi, jo rastësisht  pikërisht në kohën kur u sëmura dhe u diagnostifikova nga mjekët  me një sëmundje të pashërueshme.

 

Tani ky segment i ish-stafit,  që në Radion Kosova e lirë kanë punuar vetëm  nga gjashtë muaj dhe pas luftës janë larguar,  sepse nuk u ka mjaftuar paga, 300 marka në muaj, por kanë punuar  atje ku i kanë marrë dhe i marrin  nga 3000 e më shumë, para disa medieve  po pretendojnë  ta promovojë vetveten madje edhe si themelues të Radios dhe “kuadro të jashtëzakonshëm”,  pa të cilët nuk do të kishte funksionuar Radio Kosova e Lirë.

Kjo paraqitje para opinionit, madje edhe në mediet që luftën e UÇK-së e kanë quajtur fashiste, ndërsa Radion-Kosova e Lirë e kanë halë në sy, nuk është vetëm për krekosje, për rrahje gjoksi, për të treguar se kush ka qenë kryesori  në të vërtetë, e kush i emëruari,  por pretendon të lë për t u nënkuptuar se ata e njohin vetëm Radion Kosova e Lirë janar-qershor 1999, sa paskan qenë jo vetëm kryesorët, por edhe më meritorët. 25 vjet të tjera nuk po ekzistuakan edhe pse  kanë vjelë favore e favore për vetet e tyre, në emër të Radios, të cilës nuk i kanë dhënë asgjë prej gjëje, por kanë rrëmbyer në emër të saj pa u kursyer, në asnjë segment përfitimi.

Pse aq shumë rrahin gjoks disa ish anëtarë të stafit të RKL-së, për të treguar vetëm veprat e tyre dhe në përpjekje për të përvetësuar meritat e gjithë të tjerëve?

Me qëllim për të parë se kush ku ka qenë dhe çka ka bërë gjatë luftës në Radi0n Kosova e Lirë,  prej  një Janarit  të vitit 2024 do të botohet në vazhdime vepra ime dokumentare,  “Kronikë lufte”, pjesa e dytë 1 Janar-21 qershor 1999. Në këtë kronikë dokumentare, të cilën e kam  shkruar natë për natë në 400 ditët e lutës së UÇK-së, ku unë kam qenë i pranishëm, faktohen e dokumentohen  të gjitha ndodhitë e dëshmitë ditore, puna dhe aktiviteti i gjithsecilit, përpjekjet për sabotim, sikur është rasti i prishjes me qëllim të telefonit satelitor, nga dy anëtarë të Kosovapresit, vetëm të mos e  marrë në shërbim Radioja, deri te përpjekja për dezertim e ndodhi të tjera, jo vetëm të lavdishme, sikur tani ia veshin  vetes, ata që flasin për meritat e tyre, për gjashtë muaj të kohës së luftës.

Kjo është arsyeja që të botohet pjesa e dytë e  Kronikës sime të luftës, (para pjesës së parë)  në faqen zyrtare të RKL-së, prej 1 janarit deri më 21 qershor 1999. Secili nga këta që sot rrahin gjoks dhe përditë  përpiqen  ta promovojnë vetveten, do të përballen me realitetin e ndodhur dhe të regjistruar, jo vetëm si fotografi, por si përshkrim besnik, real, faktik, dokumentar, i të gjitha atyre që kanë ndodhur dhe  që nuk mund të kundërshtohen me asnjë mënyrë, mund, vetëm të injorohen nga mëria, xhelozia dhe egoja e sëmurë për promovim të vetvetes.

Meqë, as pas 25 viteve, nga anëtarë të caktuar të ish stafit, nuk po ndalen përpjekjet për përvetësim, manipulim, keqinterpretim, gënjeshtra e mashtrime të opinionit, lidhur me funksionimin e Radios Kosova e Lirë, gjatë luftës,  dhe,  duke i injoruar 25 vitet e saj të pas luftës, në Kronikë së shpejti të gjithë të interesuarit do të njihen me  ngjarjet e çdo dite ashtu sikur kanë ndodhur.

Pres të dëshmohet e kundërta nëse ka fakte të shkruara e të dokumentuara  të kohës, e jo vetëm mburrje, iluzione, imagjinatë, eufori e egocentrizëm pa kuptim e pa mbarim.

Ahmet Qeriqi

  1. 12. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: POLITIKA – INDUSTRIA E PRODHIMIT TË KRIMIT NË VENDIN TONË

POLITIKA – INDUSTRIA E PRODHIMIT TË KRIMIT NË VENDIN TONË Nuk ka ndodhur kurrë gjatë …