Rahoveci po përballet me zbrazje alarmante – Depopullimi po sfidon zhvillimin ekonomik të komunës

Depopullimi, emigrimi dhe mungesa e fuqisë punëtore ishin temat kryesore të Forumit Ekonomik Rahovec 2026, ku u prezantuan rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë 2024 dhe ndikimi i tyre në zhvillimin e ardhshëm të komunës. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ulja e numrit të banorëve nga mbi 56 mijë në rreth 41 mijë banorë rezidentë përbën një nga sfidat më serioze për komunën. Sipas tij, ky ndryshim demografik prek drejtpërdrejt tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e të rinjve. Latifi theksoi se përgjigjja ndaj këtij fenomeni duhet të jetë krijimi i vendeve të reja të punës, mbështetja e biznesit vendor dhe investimi në sektorët me potencial si bujqësia, vreshtaria, verëtaria, industria përpunuese, agroturizmi dhe energjia e ripërtëritshme. Nga ana tjetër, eksperti i ASK-së, Idriz Shala, prezantoi të dhëna që tregojnë ulje të papunësisë, rritje të popullsisë urbane dhe shtim të banesave, por edhe plakje të popullsisë, pasi përqindja e qytetarëve mbi 65 vjeç është rritur ndjeshëm. Edhe pse treguesit ekonomikë kanë shënuar përmirësim, emigrimi vazhdon të mbetet sfida më e madhe për zhvillimin afatgjatë të Rahovecit.

Kontrolloni gjithashtu

Lahi Brahimaj: Sakrifica e Nënës Azë është pjesë e çmimit të lirisë që gëzon sot Kosova

Lahi Brahimaj ka përkujtuar 28-vjetorin e rënies së Nënës Azë Brahimaj, duke e cilësuar atë …