Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur dyshime të forta ndaj premtimeve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti për mbrojtjen e qytetarëve nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore. Pas deklaratës së Kurtit në fushatën zgjedhore se do të funksionalizohet sistemi i paralajmërimit në kohë reale, do të ripyllëzohen brigjet e lumenjve dhe do të ndihmohen komunat në pastrimin e kanaleve kulluese, Lladrovci tha se realiteti në terren tregon krejt tjetër situatë. “Është një fjalë e urtë që e ilustron këtë deklaratë: ‘Nga e thëna në të bërë, është një det i tërë me rërë”, ka deklaruar ai. Sipas Lladrovcit, përvoja e viteve të fundit me dëmet nga vërshimet dhe mungesa e mbështetjes institucionale nuk i lë komunës shumë arsye për optimizëm. Ai përmendi lumin Drenica si një nga shembujt më problematikë, duke thënë se një pjesë e projektit për pastrimin e tij nuk është realizuar asnjëherë dhe pikërisht ajo zonë, sipas tij, shkaktoi vërshimet e fundit me dëme rreth 1.6 milion euro. Kreu i Drenasit ngriti shqetësime edhe për mungesën e kapaciteteve kundër zjarreve, duke thënë se komunat po përballen me mungesë të automjeteve, personelit dhe infrastrukturës në pyje. “Zjarret po bëjnë kërdi çdo verë”, ka paralajmëruar ai, duke shtuar se sipas statistikave, rreth 26 mijë hektarë pyje preken çdo vit në Kosovë. Lladrovci ka kritikuar edhe mungesën e mbështetjes financiare nga niveli qendror, duke përmendur rastin e Urës së Shtrubullovës, e dëmtuar nga vërshimet, për të cilën, sipas tij, Ministria e Infrastrukturës refuzoi financimin. “Na thanë: ‘Pse nuk i keni planifikuar vërshimet?’”, ka deklaruar ai, duke shtuar se në këto rrethana “fjalët dhe veprat kanë mospërputhje tejet të madhe”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
