Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke deklaruar se “mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji” përballë kryeministrit Albin Kurti, të cilin e cilëson si “populist”. Haradinaj ka pretenduar se në vend është shmangur një krizë e thellë kushtetuese, duke e interpretuar situatën si një ndalim të, siç u shpreh ai, “shkatërrimit të rendit politik dhe institucional”. Sipas tij, periudha e qeverisjes aktuale ka sjellë “gjashtë vite të humbura”, ndërsa ka akuzuar pushtetin për përqendrim të tepruar të vendimmarrjes dhe krijim të një modeli “parti-shtet”. “Ka përfunduar koncepti ku një individ tenton të bëhet mbi shtetin. Sovrani tashmë e ka fjalën”, ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se vendi po hyn në një fazë të re politike. Ai ka theksuar gjithashtu se AAK ka vepruar me përgjegjësi gjatë krizës politike, duke e akuzuar pushtetin për “dehje nga pushteti” dhe neglizhencë ndaj interesit shtetëror. Haradinaj e ka përmbyllur reagimin e tij me një mesazh politik të fortë, duke thënë se angazhimi i tij për Kosovën do të vazhdojë “deri në frymën e fundit”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
