Rilind Gërvalla

Rilind Gërvalla: Kush janë dhe cilët ishin: Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq?

Ka filluar fushata zgjedhore e Republikës së Serbisë në Kosovë. Nuk është që po ndodh për herë të parë që nga paslufta, por që këtë herë, përkundër promovimit të bisedimeve të Brukselit nga të dyja Qeveritë, po del të jetë ndër më të zëshmet dhe të asistuara edhe nga Qeveria e Kosovës. Një i interesuar rreth çështjes së Kosovës e që nuk e ka jetuar e ndjerë se çfarë ka ngjarë që nga 90-ta në Kosovë dhe në Serbi do habitej nëse një shtet që ishte okupator e ka vrarë e dhunuar e dëbuar një popull tjetër do mbante zgjedhje e do bënte fushatë mu aty ku ka ushtruar dhunë. Dhe kush, të njëjtit zyrtarë e aktorë të një regjimi sikurse ishte ai i Sllobodan Milloshevicit.

Kush ishte dhe është Aleksandër Vuçiçi që erdhi të kërkojë votën në Republikën e Kosovës për subjektin e tij politik, Partia Përparimtare Serbe. Vuçiçi për 14 vite ka qene sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale serbe te Vojisllav Sheshelit, i njohur me deklaratat dhe mbështetjen e operacioneve gjenocidale të Policisë dhe Ushtrisë serbe kundër boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve. Vojisllav Shesheli që u shpall i pafajshëm nga Haga dhe që të martën zhvilloi fushatë në Mitrovicën e ndarë, ka pasur projektin për dëbimin e shqiptarëve “preko prokletije”, që në shqip do të thotë “përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe kanë qenë më të zëshmit kundër shqiptarëve, duke i trajtuar si emigrantë në Kosovë dhe për planin kolonizues nëpërmes refugjatëve serb nga “Krajina” e Kroacisë dhe Bosnjes, e edhe nga Serbia.

Ky subjekt politik në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi ka themeluar edhe organizatën e vullnetarëve serbë”Belli Orllovi” për të luftuar në Kroaci e Bosnje dhe së fundi në Kosovë e kanë quajtur veten si trashëgimtar të çetnikeve të kriminelit Drazha Mihajlovic. Vuçiç nga gazetar i lajmeve ndërkombëtare në një medium të Republikës Serbe në Bosnje që mbulonte atë territor për mediat e huaja me raporte të njëanshme, në kohën kur po ndodhnin masakrat mbi boshnjakët, arriti që më pas të jetë Ministër i informacionit i Qeverisë së Bashkuar Kombëtare serbe së bashku me SPS-in e themeluar nga Millosheviçit dhe JUL -i gruas së Milloshevicit, Mirjana Markoviç, e që në këtë kohë Vuçiçi njihet si nismëtar dhe promovues i ligjit famëkeq të medias në kohën e luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s, që burgos, vret dhe kërcënon gazetarët që shkruanin kundër regjimit. Në atë kohë vritet gazetari dhe kolumnisti serb Sllavko Çuruvija. Aleksandër Vuçiçi që nga 93-ta është zgjedhur tri herë si deputet nga Partia Radikale ka ushtruar ndikimin e tij edhe në Universitetin e Beogradit, si pjesë e rektoratit e edhe si zëvëndës kryetar i sektorit qeveritar për Kosovë, deri në konfliktim e Vojisllav Sheshelit me Tomisllav Nikoliçin, ku në këtë rast Vuçiç anon nga Nikoliçi dhe zgjidhet nënkryetar i Partisë Përparimtare serbe, SNS, subjekt ky që e emëron në krye të grupit kombëtar për sigurinë e Serbisë dhe si Ministër i Mbrojtjes.

Në zgjedhjet e Serbisë, që gjithashtu mbahen edhe në Kosovë e të asistuara nga OSBE-ja, Aleksandër Vuçiç zgjidhet Zëvendës i parë i Qeverisë serbe e pas riorganizimeve mes SPS dhe Partisë Përparimtare serbe, ai tash ka postin e kryeministrit të Serbisë. Në tërë karrierën e tij politike shquhet për deklarata antishqiptare, për mbrojtje të preambulës së Kushtetutës së Serbisë ku thuhet decidivisht se Kosova është pjesë e Serbisë, mbi këtë bazë edhe organizon zgjedhjet serbe edhe në Kosovë me ndihmesën edhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Koalicioni qeveritar në Serbi përbehet edhe nga një subjekt tjetër, SPS, Partia Socialiste Serbe, Kryetar i së cilës është Ivica Dacici që filloi fushatën zgjedhorë të Serbisë në Graçanicë të Kosovës. SPS, ky organizim i serbëve në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë ka qene motori i shovinizmit dhe hegjemonisë serbe të viteve të 90-ta ndaj shqiptarëve dhe jo-serbëve nëpër ish Republikat e Jugosllavisë me kryetar Sllobodan Millosheviçin i cili njëherësh ishte edhe kryetar i Jugosllavisë.

Ivica Daçiçi karrierën e tij politike e ka nisur në Partinë e Sllobodan Millosheviqit, në viti 1990 si Kryetar i të rinjve, e në të njëjtën kohë mediat e paraqisnin edhe si personi kyç i lidhur me narkobosin ballkanik, serbin Darko Shariç. Zëdhënësi i SPS-it Ivica Daçiçi ka punuar si zëdhënës deri në përfundimin e luftës në Kosovë. E që nga 92-ta, kur Serbia luftonte e vriste në Bosnje e Kroaci, e deri në 2004-tën është zgjedhur si deputet në Kuvendin e Serbisë. Në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë, në 2008-tën, Daçiç ishte Ministër i Informimit deri në 2012-tën kur edhe zgjidhet Kryeministër i Serbisë, dhe Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë të njohur për shqiptarët në Kosovë si MUP-i famëkeq. Ivica Daçiç tani është Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. E një i ri, i lindur pak para, gjatë dhe pas luftës 98-99 në Kosovë mund edhe të ketë mijëra pyetje, me informacionin e parë që i transmetohet nga media.

Por, çdo krim ndaj shqiptarëve është bërë në mënyrë sistematike nga këta dy persona kyç të politikës serbe që nga 90-ta. Përkundër që udhëhiqte dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Ivica Daçiç në mars të vitit 2012, si ministër i punëve të brendshme mban konferencë për media dhe shpalos disa foto të arrestimeve të dy policëve të Kosovës, Sh.B dhe S.B. Katër vite më pas shihet në mediat rajonale e disa ndërkombëtare duke deklaruar se Kosova nuk duhet të pranohet në UNESCO sepse shqiptarët janë si ISIS. Së fundmi i ardhur në Kosovë në kundërshtim të plotë me rendin kushtetues të Kosovës por me një leje pro forma të Qeverisë Mustafa deklaron se ai nuk ka asnjë lidhje me Millosheviçin dhe se nuk ka qenë ministër i tij.

Nuk ka më keq se pika ku është mbërritur dhe kjo falë një Gjykata pa drejtësi si Haga. Kur Shesheli shpallet i pafajshëm sigurisht që Daçiçi, Vuçiçi e me radhë do ta paraqesin veten si turist në raport me kasaphanën që shkaktoi regjimi i  Millosheviçit në Ballkan.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …