Adil Fetahu

Adil Fetahu: Serbia vazhdon të shkelë ligjet e veta dhe ato ndërkombëtare për pensionet

1.Statusi ligjor i pensionit) – E drejta e pensionit është një nga të drejtat elementare të njeriut, e fituar me punë e kontribute të paguara, në kohëzgjatje të caktuar, e konstituar sipas kushteve dhe procedurës së caktuar me ligj dhe me vendim konkret të plotëfuqishëm të organit kompetent. E drejta e pensionit e fituar në këtë mënyrë, merr karakterin e të drejtës së pasurisë (pronës), dhe si e tillë gëzon mbrojtje juridike me ligjet e shtetit dhe me nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut:

“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtë ta gëzojë pasurinë e tij në mënyrë paqësore. Askush nuk duhet të privohet nga pasuria e tij, përveç kur kjo bëhet për interesin publik dhe në përputhje me kushtet e parashikuara me ligj dhe me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare…”. Mbrojtjen e pasurisë e garanton edhe Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (neni 17: “…Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij”.

Pensionistët e Kosovës, të nacionalitetit shqiptar, të cilët këtë të drejtë e kanë fituar në periudhën para vitit 1999, janë privuar në mënyrë arbitrare nga e drejta e tyre, të cilëve u është ndërprerë pagesa e pensioneve qe plot 17 vjet. Me nderprerjen e pagesës së pensioneve, vetëm pensionistëve shqiptarë, Serbia ka cënuar barazinë para ligjit, ka shkelë të drejtën e pronës, ka bërë diskriminim të haptë në baza nacionale dhe ka shkelë kushtetutën dhe ligjet e veta dhe ato ndërkombëtare.

  1. Ligjet serbe për pensionet

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe zbatimit të masave të dhunshme në të gjitha organet, institucionet dhe subjektet e tjera ekonomike e shoqërore, Serbia shfuqizoi ligjet e Kosovës dhe miratoi ligjet e veta, me të cilat i mori kompetencat, mjetet, të drejtat dhe obligimet e caktuara në secilin segment. Kështu ndodhi edhe me sistemin e pensioneve. Me Ligjin mbi Sigurimin Pensional dhe Invalidor (“Sluzhbeni gllasnik SRS”, nr.27/1992), Serbia e shfuqizoi Ligjin (e Kosovës) mbi Sigurimin Pensional dhe Invalidor (“Gazeta Zyrtare e KSAK”, nr.26/83 dhe 26/86), i mori kompetencat, mjetet, të drejtat dhe obligimet lidhur me të gjitha llojet e pensioneve në Kosovë. Me dispozitën e neneve 225-226 të Ligjit të Serbisë, ishte përcaktuar se: “shfrytëzuesit e të drejtave nga sigurimi pensional dhe invalidor, të cilët deri ditën e fillimit të zbatimit të këtij ligji kanë realizuar ato të drejta sipas dispozitave që kanë qenë në fuqi deri atë ditë, e të cilat janë të parapara (edhe) me këtë ligj, gëzojnë ato të drejta edhe pas asaj dite, në vëllimin dhe mënyrën e përcaktuar me këtë ligj, poqese kjo është më e favorshme për ta” (neni 225 par.1). Ndërkaq, në nenin 226 par.1 ishte përcaktuar se: “Shfrytëzuesit e të drejtës nga sigurimi pensional dhe invalidor, të cilët ato të drejta i kanë realizuar sipas dispozitave që kanë qenë në fuqi deri ditën e fillimit të zbatimit të këtij ligji, e ato të drejta nuk janë paraparë me këtë ligj, i gëzojnë ato sipas kushteve, në vëllimin dhe mënyrën e caktuar me ato dispozita”.Të drejtat nga sigurimi pensional dhe invalidor janë të drejta individuale (personale) dhe nuk mund të barten në persona tjerë (neni 16 par.1 i Ligjit të Serbisë). Po, e drejta e pensionit mund të trashëgohet e të bartet te anëtarët e ngushtë të familjes së pensionistit të vdekur (pensioni familjar).

Bazuar në dispozitat e cituara më sipër, pensionistët e Kosovës, të cilët e kishin fituar të drejtën e pensionit (të moshës, invalidor ose familjar) në bazë të Ligjit të Kosovës, e të caktuara konkretisht dhe individualisht me aktvendime të plotëfuqishme të organit kompetent, dhe ata që këto të drejta i kanë fituar më vonë, në bazë të ligjit (të Serbisë),-është dashur ato të drejta t’i gëzojnë pa kurrëfa pengese as privimi. Sepse, e drejta e pensionit e fituar në bazë të ligjit dhe e caktuar konkretisht me aktvendim të plotëqufishëm, nuk mund t’i merret askujt, përveç për shkaqe të parapara me ligj dhe të konkretizuara me aktvendim të plotëqufishëm individual, për secilin rast konkret (qoftë në procedurë të revizionit të aktvendimit, apo të përsëritjes së procedurës për shkaqet e parapara me ligj).

E drejta e fituar në pension, ka karakter të pasurisë-pronës së pensionistit, ashtu sikur e trajton neni 1 i Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe kjo dispozitë ka epërsi mbi dispozitat e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Dispozitat e cituara të ligjeve (të Serbisë) janë në harmoni me këtë, veçse ato zbatohen në mënyrë selektive dhe diskriminuese, varësisht nga përkatësia kombëtare, gjë që është diskriminim i haptë. Në Kushtetutën e Serbisë (2006), ekziston dispozita mbi ndalimin e diskriminimit (neni 21), në të cilën është përcaktuar se: “Para Kushtetutës dhe ligjit të gjithë janë të barabartë. – Secili ka të drejtë në mbrojtje të njëjtë ligjore, pa diskriminim.-Ndalohet çdo diskriminim, i drejtpërdrejt ose i tërthortë, mbi çfarëdo baze, sidomos në bazë të racës, gjinisë, përkatësisë nacionale, prejardhjes shoqërore, lindjes, besimit fetar, bindje politike ose tjetër, gjendjes pasurore, kultures, gjuhës, moshës, invaliditetit psiqik ose fizik”. (Me një formulim tjetër më të përgjithshëm e më të shkurtër, diskriminimi ishte i ndaluar edhe në Kushtetutën e vitit 1990 (neni 13).Ndërkaq, në nenin 58 të Kushtetutës së RS (2006) është përcaktuar: “Garantohet e drejta paqësore e pronës dhe të drejtave tjera pasurore të fituara në bazë të ligjit. –E drejta e pronës mund të merret ose të kufizohet vetëm për interesin publik të përcaktuar në bazë të ligjit, dhe me kompensim që nuk mund të jetë më i ulët se çmimi i tregut”.

Përkundër të gjitha këtyre “alamet” dispozitave mbi garantimin e të drejtave dhe mosdiskriminimin, Serbia prej fillimit të vitit 1999, ua ndërpreu pagesën e pensioneve të gjithë pensionistëve shqiptarë, ndërsa vazhdoi t’ua paguajë rregullisht pensionet pensionistëve serbë e malazezë.

Në fund të vitit 1998, në Kosovë ishin: 86.383 pensionistë të tri kategorive:

Pensionistë të pleqërisë        33.308

Pensionistë invalidorë (të punës)    25.042 dhe

Pensionistë familjarë            28.033

Tash ky numër i pensionistëve të cilët po i quajnë kontributpagues, është më se përgjysëm më i vogël, për shkak se shumë kanë ndërruar jetë gjatë kohës që ka kaluar. Ishin edhe 1266 shfrytëzues të kompensimit për dëmtim trupor, dhe 2.252 shfrytëzues të ndihmave dhe kujdesit. Të gjithë ata kishin aktvendimet e plotëfuqishme mbi të drejtën e fituar të kategorisë së caktuar të pensionit. Përveç shumës së pensionit, kishin edhe sigurimin shëndetësor dhe prestacione e favore tjera të caktuara me ligj.

Ndaj pensionistëve të Kosovës, ndërprerja e pagesës së pensioneve është bërë në mënyrë kolektive për të gjithë pensionistët shqiptarë. Fondi e ka arsyetuar ndërprerjen e pagesës me pamundësinë e vjeljes së kontributeve, dhe është mbështetur në dy udhëzime me shkrim, si vendime politike të ministrive të caktuara: Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, dhe Ministria e Financave të Serbisë. Kjo ndërprerje e pagesës së pensioneve, ishte në kundërshtim edhe me vet ligjin përkatës së Serbisë.

  1. Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkeljen e ligjit nacional dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërprerjen e pagesës së pensioneve Serbia e ka bërë në mënyrë arbitrare, kolektivisht për të gjithë pensionistët shqiptarë në Kosovë, pa i njohtuar ata për shkaqet e ndërprerjes, as pa zbatuar kurrëfar procedure ligjore për ndryshimin e vendimeve individuale të plotëqufiqishme që kishin pensionistët, dhe pa iu mundësuar mbrojtjen ligjore. Ndërprerjen e pagesës e ka bërë në bazë të qëndrimeve politike që kishin marrë Ministria e Punës dhe Ministria e Financave e Serbisë, gjoja për shkak të pamundësisë për vjeljen e kontributeve për sigurimin pensional dhe invalidor në Kosovë. Mirëpo, mosvjelja e kontributeve nuk parashihet si shkak ligjor për ndërprerjen e pagesës së pensioneve. Këtë fakt e kanë vërtetuar edhe instancat më të larta gjyqësore të vet Serbisë. Kështu, Gjykata Kushtetuese e Serbisë, me Vendimin IU-293/2004, dt.29 qershor 2005, dhe IU-nr.275/2009, dt. 19 nëntor 2009, ka vlerësuar se “Mendimet dhe udhëzimet e organeve të ndryshme shtetërore nuk janë ligje as akte të përgjithshme, që do të thotë se nuk mund të ndikojnë në ndërprerjen e pagesës së pensioneve”. Edhe Gjykata Supreme e Serbisë, me 15 nëntor 2005, ka publikuar një qëndrim juridik, sipas të cilit: “E drejta e pensionit nuk mund të kushtëzohet as të varet prej asaj, se a po mund të mblidhen kontributet vijuese ose jo në territorin e caktuar” (“Sudska praksa”, nr.3/2005).

Këto i ka pasë parasysh edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në vendimin e vet të rastit Grudiq kundër Serbisë (nr.31925/08, dt.17 prill 2012), duke vërtetuar se Serbia ua ka ndërprerë pagesën e pensioneve në kundërshtim me ligjet e veta dhe me instrumentet juridike ndërkombëtare, duke shkelur kështu të drejtën e pasurisë (pronës), të paraparë në nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Me aktgjykimin e cituar, që paraqet titull ekzekutiv vetëm për personat e përmendur (Grudiqi), por që është standard dhe precedent gjyqësor për raste të ngjajshme, ajo Gjykatë në një mënyrë e ka obliguar shtetin e Serbisë, që “në afat prej 6 muajve prej ditës kur aktgjykimi të bëhet i plotëfuqishëm, të ndërmerr masa adekuate për të siguruar që organet kompetente të Serbisë të zbatojnë ligjet relevante për pagesën e pensioneve të mbetura pa paguar paditësve tjerë potencialë, duke nënkuptuar se lidhur me këtë nevojitet një kohë e arsyeshme për procedurat administrative dhe vërifikimin e fakteve.” Gjykata ka vlerësuar se pensioni i fituar paraqet pronë private në kuptim të nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNj. Arsyetimet e Serbisë, se nuk po mund t’i vjelin kontributet në Kosovë, Gjykata i ka refuzuar si të pabaza, pasiqë për pagesën e pensioneve garanton shteti dhe se mosvjelja e kontributeve nuk parashihet me ligj si shkak për ndërprerjen e pagesës së pensionit, dhe se pensioni mund të ndërpritet vetëm në qoftë se vërtetohet se pensionisti nuk i plotëson kushtet sipas të cilave e ka fituar pensionin. Arsyetimi i Serbisë me atë se pensionistët nuk mund t’i marrin pensionet prej dy burimeve, është i paqëndrueshëm për shumë arsye. Së pari, deri në korrik të vitit 2002, pensionistët nuk kanë marrë kurrëfar “pensioni”. Prej gjysmës së vitit 2002, kanë marrë ndihmë sociale, duke filluar nga 28 euro në muaj, që as atëherë, as tash nuk është pension në kuptim të sistemit pensional. Pensionistët serbë e malazezë marrin edhe këtë ndihmë sociale nga buxheti i Kosovës, edhe pensionin e rregullt nga Serbia. Kurse, shfrytëzuesit e pensioneve invalidore dhe atyre familjare, të cilët nuk e kanë arritur moshën 65-vjeçe, nuk kanë mund të marrin as këtë ndihmë sociale që paguhet nga buxheti i Kosovës, as nuk marrin pensionin qe kanë pasur të caktuar me aktvendim të plotëfuqishëm. Edhe pas atij Aktgjykimi, sot e katër vjet, me pretekste e sajesa të ndryshme e arsyetime pa bazë ligjore, Serbia vazhdon të manipulojë e diskriminojë pensionistët shqiptarë, të cilëve ua ka borxh pensionet. Edhepse e drejta e pensionit nuk parashkruhet kurrë por parashkruhen pagesat mujore (vetem nëse ndërprerjen e ka shkaktuar vetë pensionisti), mospagesa e pensioneve u ka shkaktuar dëm material e moral pensionistëve, ndërsa organet qeveritare të Kosovës nuk kanë bërë asgjë për ta detyruar Serbinë me presion ndërkombëtar, që t’ua paguajë borxhin pensionistëve. Ndoshta do ishte mire të angazhohet ndonjë agjension i fortë ndërkombëtar që “t’i nxjerrë” pensionet nga Serbia. Baza ligjore ekziston, vetëm nevojitet angazhim i këmbëngulës.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …