Rilind Gërvalla: Propaganda politike e mediale kundër turizmit në bregdetin e Shqipërisë

Ditëve të fundit dhe jo rastësisht ka filluar një agjendë mediatike kundër turizmit në bregdetin shqiptar. Kjo agjendë mediesh s portalesh kundër turizmit në Republikën e Shqipërisë në titujt e saj vë theksin tek mashtrimi, ushqimi, çmimet, “racizmi”. Për ne që kemi përcjellë zhvillimet në Republikën e Shqipërisë kjo nuk është diçka e re. Po kjo ka lidhje edhe me pushtetin në Kosovë, të udhëhequr nga dy subjektet politike, PDK dhe LDK, që kanë bërë edhe diktaturë numrash.

 

Pse?

 

Përkundër që mediet nuk kanë funksionuar në vitet ’90-a, thashethemet kanë qarkulluar gjithandej. Nuk ka shqiptar nga Kosova që nuk i ka dëgjuar të përsëritura tregimet e tregtarëve (që punonin kryesisht me Serbinë) sipas të cilëve nëpër kafenetë e Tiranës në rast se i ka lëvizur tavolina ata nën këmbën e tavolinës e kanë futur 100-markëshin gjerman për drejtpeshim. Po ashtu kemi dëgjuar shpesh edhe diskutimet se si ata andej janë “ndryshe nga ne”. Ka pasur shkrime e studime rreth këtij fenomeni “të tjetërsisë”, madje duket se ndonjëherë ka pasur edhe fushata të mirëfillta për ta bindur opinionin e Kosovës për këtë, dhe mediet dhe specialistët e marrëdhënieve me publikun këtë gjë e dinë.

 

Po pse flitet e përflitet sot e kësaj dite, vazhdimisht e me kaq ngulm për varfërinë e tyre, për shqiptarët e Republikës së Shqipërisë si të ndryshëm (thuajse etni tjetër, madje, ndonjëherë si të jenë edhe racë tjetër), pse theksohet krahinizmi, pse përgjithësohet një popull i tërë duke u nisur nga ndonjë rast individual, siç ndodh p.sh. kur flitet për ndonjë person atje diku që na paska thënë se ju nga Kosova që i keni të gjitha kushtet ekonomike, nuk keni arsye që të ngriheni kundër Millosheviqit.

Nëse i hyjmë analizës sadopak, vëmë re se sot në pushtet në Kosovë janë personat e njëjtë që ushtronin “pushtet” edhe në kohën e ekzilit, e besa edhe ata që mbanin një pjesë kontrolli të po këtyre tregtarëve të identiteteve që kishin mundësinë të qarkullonin më shpesh viteve të 90-ta.

 

Në koalicionin që është në pushtet tash në Republikën e Kosovës mund të bëjmë një ndarje në vija të trasha mes atyre që sot si edhe atëherë duan me çdo kush të kenë “çifligun” e vet, e që vazhdimisht janë investuar në krahinarizëm e në një identitet të themeluar mbi poshtërimin e Shqipërisë, gjë që e kanë bërë edhe baballarët edhe gjyshërit e tyre (ideologjikë, por që shpesh rastis edhe biologjikë, duke qenë se ideologjia në një shoqëri jo shumë të zhvilluar është riprodhuar në familje), dhe atyre të grupit tjetër, që dikur është betuar për bashkimin e tokave të okupuara me Shqipërinë, por sot e ka braktisur këtë betim. Pra, në betejën mes dy grupeve që formojnë Qeverinë aktuale, ndoshta peshën më të madhe elektorale e ka PDK-ja, por fitorja ideologjike i takon kosovarëve krahinaristë të LDK-së. PDK-ja, për të ruajtur pushtetin, është transformuar në LDK.

 

LDK-ja dhe PDK-ja e shndërruar në LDK janë forcat që ushqejnë fushatën anti-Shqipëri, pasi krahinarizmi i tyre nuk kërcënohet nga askush tjetër përveç Shqipërisë. Ata nuk shohin si problem Serbinë apo Maqedoninë, pasi e dinë që asnjëherë shqiptari i Kosovës nuk do të ndihet i joshur prej atyre vendeve. Por, e shohin si armik direkt Shqipërinë, sepse e shohin se shqiptarët në Kosovë e duan atë, i ndjekin mediet e saj, i zgjedhin produktet e saj në treg sa herë që është e mundur, shkojnë masivisht për pushime atje dhe e dëshirojnë bashkimin, siç edhe është normale për një komb si yni.

 

Nuk është pra vetëm argumenti që ndonjëri nga pushtetarët ka interes ta promovojë ndonjë plazh tjetër, duke aluduar në ndonjë shtet fqinj, por te vetë agjenda politike dhe implikimi i saj mediatik. Tek e fundit, çfarë të keqe ka nëse promovohet i gjithë bregdeti ku jetojnë shqiptarët, por fushatën e fundit nuk mund ta lexojmë kështu, sepse për vetë Ulqinin befasisht po kujtohen vetëm kur duhet sharë Shqipëria. Sepse çfarë kanë bërë këta pushtetarë për 20 vjet që ta promovojnë Ulqinin apo fshatrat turistike malore dhe që t’i ndihmojnë politikisht shqiptarëve në Mal të Zi?! Asnjë gjë! Kurrë më rëndë se sot shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë jetuar e nuk janë diskriminuar.

 

E pra, ç’janë këta tituj të përditshëm: “Shqipëria vendi më i rrezikuar nga katastrofat në Evropë”; “Stuhi në Dhërmi”; “Peshkaqeni…”; “Në bregdetin shqiptar po shërbehet peshku që shkakton paralizë”; “Zjarre në Kukës”; “Në Durrës kosovarët paguajnë dyfish më shtrenjtë”; “Faturat e shtrenjta të bregdetit shqiptar”; etj?

Kjo agjendë perfide ndërlidhet direkt me politikën kundër bashkimit kombëtar apo bashkimit të dy republikave sovrane si fazë e parë e tij, gjë për të cilat edhe është luftuar e kanë rënë dëshmorët. Jo vetëm që janë kundër bashkimit, me çdo çmim e me çdo kusht, por janë kundër çdo lloj bashkëpunimi pozitiv, kundër çdo ndjenje kombëtare sado romantike, gjer edhe kundër turizmit. E kjo ndodh sepse kjo Qeveri është Qeveri kundër UÇK-së, Qeveri që brenda saj ka zyrtarë që kanë dalë hapur në deklarata, duke thënë se edhe kanë luftuar kundër UÇK-se. Ishte vetë ministri i larguar me protesta, Jabllanoviçi, i cili e tha që në Listën Serbe ka luftëtarë që kanë mbrojtur kufirin (e Serbisë) në Koshare.

 

Kjo agjendë anti-Shqipëri ndërlidhet edhe me Gjykatën Speciale që mund ta risjellin në votim javën që vjen.

 

Janë mu këto dy grupacione politike PDK-LDK që dikur ishin të kundërtat e njëra-tjetrës e që sot nga shantazhet e kriminaliteti janë bërë së bashkë kundër vetë idesë së shekullit të UÇK-së. Por ky joni, për ne shqiptarët e Kosovës, është shekulli i UÇK-së, si ide që e prodhuam si komb, bazuar në traditën e gjatë të projektit politik kombëtar, i cili gjithnjë e ka gjetur veten të tradhtuar mes kozmopolitësh e folkloristësh.

Njerëzit e angazhuar në fushatën anti-Shqipëri ndoshta nuk e kanë parashikuar se kjo fushatë do t’i kthehej kundër vetë atyre. Ndërkohë që ata përkthejnë lajmet që portalet serbe i shkruajnë kundër turizmit në Kroaci dhe i përdorin fjalë për fjalë për të penguar turizmin në Shqipëri, me dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës shkojnë në Shqipëri verë e dimër, sepse atje shkojnë si në vend të vet.

 

Është një vend i cili po përparon më shpejt se ne dhe një vend i cili gjithnjë e më shumë po vetëdijesohet për rëndësinë e veçantë që ka për Kosovën, e që ka Kosova për të. E këtë fakt nuk mund ta përbaltë dot mendësia LDK-iste që qeveris në PDK e LDK. Dikush mund të thotë se këto janë thjesht spekulime e realiteti nuk është kështu, duke më nxjerrë si provë ndonjë faturë që dëshmon se kamerieri diku ka vjedhur. Por kamerierët vjedhin kudo në botë. E nuk konsideroj si ndihmë të Shqipërisë për Kosovën çmimin e ulët për shërbime turistike, por solidaritetin e bashkëndjenjën e shumicës së shqiptarëve nga Shqipëria që takoj kur shkoj atje, gjëra për të cilat nuk shkruhet kurrë në medie, edhe pse sigurisht që ka të ndryshëm edhe prej tyre, sipas shkollimit, shtresës, predispozitave etj.

Po ashtu, konsideroj ndihmë shumë më të madhe se turizmin, faktin se në Shqipëri një qytetar i Kosovës mund të punojë ligjërisht pa regjistruar leje pune. Ndërkohë që e anasjellta nuk është e vërtetë. Pse? PDK-ja thotë për faj të ministrive të LDK-së. LDK-ja thotë për faj të ministrive të PDK-së. Por ne e dimë se për faj të kujt. ( Pashtriku org)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …