Brickos

RKL

RKL: A do ta sulmojnë, Grenellin, analistët “kosovarë”, sikur sulmuan e fyen Edi Ramën për nismën e “shengenit” të vdekur?

Mundësia e formimit të një minishegeni të disa shteteve të ish RSFJ-së është diçka më pak se zero, sepse banorëve të shteteve të Ballkanit, nuk iu bën fare përshtypje lëvizja e lirë në shtetin e deridjeshëm të Jugosllavisë, për faktin se jo pak prej tyre ende shërbehen me pasaportat e ish Jugosllavisë e të Serbisë. Atyre u duhet Shengeni i plotë për të lëvizur nëpër shtetet e BE-së, andaj edhe  kjo nismë është si fëmija i vdekur, i lindur para kohe. Ata edhe ashtu përditë e natë kalojnë nëpër Serbi pa asnjë pengesë, sikur venë e vinë edhe në Mal të Zi, në Bosnje, Maqedoni e gjetkë…

Shengeni, apo minishengeni ka qenë nismë edhe e disa viteve më parë, por aktualizimi i kësaj krijese të vdekur, nga Vuçiqi vetëm për qëllime të shantazhit politik, por edhe me qëllim të kundërpërgjigjes ndaj refuzimit që BE-ja i bëri Shqipërisë e Maqedonisë, i nxehu tejmase gjakrat e patriotëve të turravrapit të markës së “Saloberisha” për ta goditur Edi Ramën, për ta quajtur “sllav që po don me shitë Kosovën ashtu sikur e kishte pasë shitë, Enver Hoxha, se me minishengenin po krijohet Jugosllavia e Re e çka tjetër jo”. Kjo fushatë non sens, nxori mbi sipërfaqe “dashnorët” e Sali Berishës në Kosovë, nxori ata kosovarë të cilët mund të pranojnë gjithçka po bashkim me Shqipërinë kurrsesi. Ata madje përkujtuan  edhe qëndrimin e “merhumit” të tyre politik e ideologjik, Ibrahim Rugova i cili nuk kishte pranuar  asnjë bashkëpunim me Shqipërinë, derisa në Beograd rrinte gju më gju me Milosheviqin dhe kërkonte që NATO-ja të ndalonte bombardimin mbi caqet ushtarake e ekonomike të Serbisë, në maj të vitit 1999.

Tani kur këtë minishengen fantazmë e përkrah si mundësi, ambasadori Richard Grenell, i dërguari i kryetarit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, të gjithë jurishnikët e sulmuesit e Ramës i fusin kokat në zalle,  si struci dhe nuk del asnjë patriot që t ia përplasë hundëve Grenellit këtë ide të keqe.

Ambasadori Grenelltha se mirëpret nismën, ( është fjala për një nismë, për një propozim dhe asgjë më shumë) për “shengenin ballkanik”, duke theksuar se kjo nismë mund të jetë e suksesshme nëse përfshihen të gjithë në rajon, në mesin e tyre edhe  Kosova si shtet sovran. Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Berlin, thuhet se mirëpresim nismën për ‘minishengenin’ e Ballkanit Perëndimor si një mënyrë për të filluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës. Administrata e kryetarit Trump është e përqendruar për të ndihmuar gjithë rajonin të krijojë mundësi ekonomike dhe punë për të rinjtë”, thuhet në këtë deklaratë. Një nismë e përbashkët e udhëheqësve të tri vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për një Shengen Ballkanik, nxiti reagime dhe përplasje në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.

Mundësia e formimit të një “minishegeni” të tillë është diçka më pak se zero, sepse banorëve të  shteteve të Ballkanit, nuk iu bën fare përshtypje lëvizja e lirë në shtetin e deridjeshëm të Jugosllavisë,  për faktin se shumica ende shërbehen me pasaportat e ish Jugosllavisë e të Serbisë. Atyre u duhet Shengeni i plotë, “makroshengeni”,   për të lëvizur nëpër shtetet e BE-së, ku mendojnë të gjejnë punë, çfarëdo pune qoftë dhe dihet se çka punojnë shqiptarët e pjesëtarët e popujve të tjerë të Ballkanit nëpër shtetet e Evropës. Pikërisht për këtë  kjo nismë është si fëmija i vdekur,  i lindur para kohe.

Në rastin konkret të gjithë e dinë se një minishengen i tillë nuk është projekt sikur ishte Ballkania e viteve 90-të sikur duan ta injorojnë dhe ta deformojnë  kundërshtarët dhe sharësit e Adem Demaçit, as Union ballkanik sikur kishte propozuar Teodor Zhivkovi bullgar, as Jugosllavi e re, sikur e quajnë jugonostalgjikët, por vetëm një nismë sa për konsum ditor politik.

Liberalizimi i vizave mes shteteve të Ballkanit nuk mund të quhet Jugosllavi e re, as projekt i Rusisë, sepse nuk po kërkohet krijimi i një unioni të shteteve, por vetëm një projekt për lëvizje të lirë mes këtyre vendeve, liberalizim të vizave që vlen për këto vende dhe kurrsesi nuk vlen për makroshengenin e BE-së.

Të gjithë analistët dhe disa nga politikanë të  përfshirë në këtë aferë  e dinë mirëfilli se kështu qëndron problemi i “minishengenit”, por ata e shfrytëzuan rastin për t’i  drejtuar shpatat në erë sikur Don Kishoti dhe për të shkaktuar  një “bujë artificiale” në mënyrë për ta treguar disponimin e tyre.

Po ashtu, duke e ditur mirë se kjo nismë do të dështojë, ata këtë “mëritë” do t ia veshin vetes, duke pretenduar se ishin ata që nuk lejuan të krijohet Jugosllavia e re, ndryshe do të ishte formuar por ja që reagimet e tyre e stopuan Në këtë rast naiviteti përzihet me hipokrizi me një pamoral të dyfishtë, me një lojë intrigash, me të cilat merren djerrakohësit, parazitët  dhe shantazhuesit e të  gjitha ngjyrave.

Sot kur e gjuajti gurin në moçalishte,  Riçard Grenell, të gjitha bretkosat kërcyen  në ujë dhe nuk ka më, as një “guak e kuak”.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …