leoni

RKL: ASHAK-u u dashka të emërtohet: Josip Broz Tito-Sinan Hasani

Nënkryetari i ASHAK-ut “akademik”, Pajazit Nushi, në përpjekje për ta ruajtur këtë institucion, gjithnjë të tillë  sikur ka qenë qysh prej themelimit nga Jugosllavia dhe institucionet e Krahinës Socialiste të Kosovë Metohisë, ka bërë të ditur se kërkesat për heqjen e titullit të akademikut –Josip Broz Titos dhe Sinan Hasanit janë pa vend, meqë Shërbimi profesional i Akademisë, në bazë të procesverbaleve të kohës, paska  saktësuar se heqja nga lista e kujtdo që është pranuar njëherë në Akademi është e kundërligjshme dhe në kundërshtim me të gjitha parimet e akademive të botës.  Ky prononcim i këtij zotëriut, akademik, zbulon më së miri jo vetëm mendjen e robëruar të këtij stuci, i cili është prototip i të gjithë akademikëve të kohës së regjimit titist-rankoviçist, të cilët, me ndonjë përjashtim të rrallë, kanë qenë anëtarë të devotshëm të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe së cilës i kanë shërbyer me besnikëri.


 


Pajazit Nushi, kuadër i lartë i ish-LKJ-së, ( më vonë i LDK-së) në qershor të vitit 1978, me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ishte edhe personi përgjegjës, i autorizuar nga “lartë”  për tërë veprimtarinë që do të zhvillohej me atë rast në Kosovë, në një shkrim të gjatë, të botuar në gazetën “Rilindja” veç tjerash ka shkruar: “…Por porositë e LSHP-së nuk mund të ringjallin shpirtrat e së kaluarës, ( është fjala për programin e bashkimit të katër Vilajeteve) meqë populli shqiptar në Kosovë gëzon maksimumin e të drejtave që ka në botë një “kombësi”- pakicë kombëtare”. Nushi, asokohe mendonte se Kosova kurrë nuk do të mund të pavarësohej dhe kurrë nuk do të mund të ndahej nga Jugosllavia e Serbia, sepse, sipas rezonimit shpirt-skllav të tij, as që ekzistonte arsyeja për një ndarje të tillë.  Sot, ky akademik, dhe e disa  akademikëve të tillë  të ASHAK-ut mendojnë se emrat e Josip Broz Titos dhe Sinan Hasanit, lakeut më  besnik  që ka pasur regjimi jugosllav nga radhët e shqipfolësve, nuk mund të shlyhen kurrë nga ASHAK-u. Ja cila është mendja e robit, ja cili  është rezonimi i njeriut që ishte përkulur deri në tokë, duke ia  shtrënguar me dy duart e tija dorën, kryexhelatit Milosheviq, në Beograd, në verë të vitit 1998, së bashku me disa akademikë të tjerë, pikërisht në kohën kur regjimi satanik dhe sodomist i Serbisë likuidonte e masakronte qindra shqiptarë të Kosovës brenda ditës, vetëm sepse kërkonin liri, drejtësi e barazi.


 


Dhe  ky akademik, gjithnjë sipas mendësisë së tij, aspak akademike, aspak realiste por në akord me  mendësinë e tij të  bunkerizuar jugosllave, sqaron se  Shërbimi profesional i Akademisë, në bazë të procesverbaleve të kohës,  paska saktësuar se heqja nga lista e kujtdo që është pranuar njëherë në Akademi qenka  e kundërligjshme dhe në kundërshtim me të gjitha parimet e akademive të botës”. Ja si arsyetohet  akademiku i ASHAK-ut. Sipas trurit të  tij, vendimi i marrë një kohë të caktuar, nuk po mund të ndryshuaka kurrë më.(!) Sipas këtij “rezoni” Jugosllavia nuk paska mundur të shpërbëhej, sepse në Kushtetutën e saj ka qenë shkruar dhe  sanksionuar çdo mundësi e shpërbërjes.


Nëse të gjithë akademikët e  ASHAK-u mendojnë njëjtë si z. Nushi, atëherë del se kjo Akademi i përket ish-Jugosllavisë, tani trashëgimtares së saj, Serbisë, e cila po ashtu në Kushtetutën e vet Kosovën e trajton si pjesë të saj. Nëse është kështu, Nushi ka të drejtë. Po a ka të drejtë të ekzistojë në Kosovë një Akademi e tillë, me një përmbajtje të tillë, me një mendësi të tillë jugosllaviste,  edhe 15 vjet pas çlirimit të Kosovës nga Jugosllavia e Serbia?


Nëse “nushi” dhe “nushët” duan me çdo kusht ta ruajnë prejardhjen e tyre shpirtërore, gjenetike, akademike, jugosllave, duke mos pranuar që të hiqen nga “lista e nderit” Josip Broz Tito e Sinan Hasani e të tillët si këta, atëherë këtu kanë punë institucionet e Kosovës së Pavarur, nëse vërtetë Kosova është e pavarur dhe pranohet si e tillë nga shumica dërrmuese shqiptare, të tillë sikur e kanë pranuar 106 shtete të botës.


Pavarësia institucionale e ASHAK-ut, nuk mund të shkel të drejtën morale të një kombi, i cili sapo ka dalë nga robëria. Dhe nëse e shkel, sikur po shihet dhe po faktohet se po e shkel, atëherë i takon popullit të vendos se, a i bëjnë  nderë Kosovës së çliruar,  emrat e Josip Broz Titos e të Sinan Hasanit, apo i konsideron si xhelatë, të tillë sikur kanë qenë për shumicën shqiptare, po jo për pakicën institucionale, e cila i ka shërbyer me besnikëri regjimit okupator jugosllav të Titos e të Milosheviqit dhe çuditërisht i shërben edhe sot, për së vdekuri.


Me vendime të tilla të kohës së bashkim vëllazërimit, qindra  shkolla e institucione në Kosovë ishin emërtuar me emrin e Josip Broz Titos, por sot me sa dimë ne, asnjë shkollë në Kosovë nuk mban emrin e xhelatit Tito, as të skribit të regjimit, Sinan Hasani, as të Milladin Popoviqit, Sava Kovaqeviqit e shumë të tillëve të kohës së Pajazit Nushit, Hivzi Islamit, të klanit të tyre tashmë edhe të matufosur.


 


ASHAK-u duhet të zgjohet nga gjumi dhe nga deliri titist, pacifist, dhe sa më parë, publikisht të heq nga “lista e nderit”, emrat e  xhelatëve të këtij populli. ASHAK-u duhet të lirohet nga ideologjia jugosllave, duhet të lirohet nga ideologjia e bashkim vëllazërimit me sllavë, sepse edhe vetë sllavët nuk po duan të jenë edhe më tej vëllezër me shqiptarët. Në të kundërtën ASHAK-u do të ballafaqohet me zemërimin e të gjithë shqiptarëve liridashës të vendit.


 


 


Halil Krasniqi: Cilën parti do ta përkrahin ndërkombëtarët gjatë zgjedhjeve të ardhshme?


 


Në zgjedhjet e pasluftës, na kujtohen ata që i humbnin ato teksa shfajësoheshin duke thënë se “ndërkombëtarët po i donë këta në pushtet”. Opozita e tanishme, ku bëjnë pjesë edhe fituesit e atëhershëm, përveç akuzave për vjedhje votash, njëjtë i arsyetojnë humbjet e tyre në këto dy palë zgjedhjet e fundit: “Ndërkombëtarët po i donë ata që t’i bëjnë lëshime Serbisë”. Me kaq përfundonte analiza e humbjes së zgjedhjeve, duke e hedhur fajin prej vetes dhe hedhur atë diku larg, sa më larg që është e mundur, diku ku s’mund të preket e kapet nga votuesi i rëndomtë, pra te bashkësia ndërkombëtare, aty ku shqiptarët nuk mund të kërkojnë llogari. E pasi mos llogaridhënia është mënyrë jona e jetës publike dhe të bërit politikë, mund të thuhet se “lënia e patates së nxehtë në dorë” bashkësisë ndërkombëtare, është gjetje strategjike e partive tona politike për mosdhënie llogari dhe për “gjetjen e arsyes së vërtetë” për mosbesimin qytetar ndaj tyre. Nga ky këndvështrim i partive, duket sikur bashkësia ndërkombëtare vendos se kush do të qeveris me ne, kurse populli duket si një instrument formal veç sa për ta marrë legjitimitetin prej tij, e jo ai që vendos. Se a është kështu, do ta detajizojmë pak më poshtë.


 


Meqenëse i kemi zgjedhjet përpara, pyetjet që mund të lindin nga këndvështrimi i ndikimit të bashkësisë ndërkombëtare në vendimet tona për të zgjedhur (duke i përfshirë aleatët dhe kundërshtarët e pavarësisë), mund të duken si:


1. Në ç’masë mund të ndikojë bashkësia ndërkombëtare në vendimin e popullit tonë për t’i zgjedhur udhëheqësit e tij dhe a mund të jetë vendimtar ky ndikim?


2. A kanë preferenca ndërkombëtarët për ndonjë parti?


Rreth pyetjes së parë, meqenëse “bota është bërë një fshat i vogël”, jo vetëm ne, por asnjë vend i botës nuk mund t’i shpëtojë një lloj ndikimi që vije nga jashtë. Ky ndikim te ne mund të na vije përmes dy formash. Një: forma indirekte përmes qëndrimeve zyrtare të shteteve dhe faktorëve të ndryshëm ndërkombëtar që e përcjellin dhe interesohen substancialisht për gjendjen dhe ecjen e Kosovës. Kuptohet se këto qëndrime, qoftë pozitive, qoftë negative për Kosovën, u faturohen partive në pushtet. Por, varësisht se nga vijnë, ashtu edhe merret vërtetësia e tyre nga elektorati. Nëse këto vijnë nga aleatët tanë, ato merren si të vërteta. E nëse vijnë nga shtetet që janë kundër pavarësisë sonë, ato ne i marrim në të kundërtën e asaj që thuhen. P.sh, nëse përmendet korrupsioni nga shtetet perëndimore, në opinionin e gjerë krijohet përshtypje negative për partitë në pushtet. E, nëse e njëjta deklaratë vije nga p.sh. Rusia, atëherë te ne përkthehet si tendencioze dhe ka shumë gjasa që të krijojë efekt të kundërt.


Nga këta shembuj, shihet qartë se çfarëdo lloj qëndrimi rreth Kosovës, qoftë nga aleatët apo kundërshtarët e pavarësisë, indirekt krijon opinion te ne. Kur jemi te krijimi i opinionit në shoqërinë tonë, mund të themi se ne edhe ashtu jemi shumë të ndjeshëm ndaj qëndrimeve që vijnë nga jashtë. Bile, në shumë raste, ne më shumë u besojmë informatave që vijnë nga jashtë sesa atyre nga brenda.


 


Forma e dytë e ndikimit, ajo direkte, është më e fuqishme dhe më e efektshme në ndikimin e saj. Kjo formë ka të bëjë me qëndrimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare rreth partive dhe personaliteteve të caktuara politike. Kjo formë është më e rrallë se e para. Ne e dimë që ka parti që injorohen nga disa ambasada të huaja, ashtu sikurse ka individë që janë pjesë e listave të zeza, qoftë të shteteve aleate, apo edhe Serbisë. Ata që ndodhen në listat e zeza të shteteve aleate nuk e kanë të lehtë të kërkojnë vota, kurse atyre në listat e zeza të Serbisë kjo edhe mund tu shërbejë. Ne gjithashtu e dimë që ka personalitete në Kosovë që u janë veshur epitete si Xhorxh Washingtoni i Kosovës, apo Nelson Mandela i Evropës. Kjo sigurisht që u shërben në ruajtjen e imazhit të tyre. Po të njëjtit, dikush po ashtu nga vendet aleate, i quan gënjeshtarë të popullit të vet (për çështjen e liberalizimit të vizave!), duke ua dëmtuar kështu imazhin politik.


 


Rreth pyetjes së dytë, se a kanë preferenca aleatët ndërkombëtarët, dhe sa e si do të duhej të trajtoheshin ato (se për kundërshtarët më të ashpër të pavarësisë, Serbinë dhe Rusinë, të gjithë ne jemi njësoj, shqiptar!), sado që mund të ketë preferenca të lehta, mendoj se ata kanë potencialin e nevojshëm diplomatik që t’i realizojnë qëllimet e tyre strategjike me cilindo parti në pushtet, pasi nga këndvështrimi ushtarak Kosova nuk është, ta zëmë Iran. Për më tepër që politika jonë është në marrëdhënie të ngushta strategjike me mbështetësit tanë.


Meqenëse forcimi i Kosovës është interes edhe i aleatëve tanë, atëherë preferenca e vetme e tyre mund të jenë partitë dhe njerëzit seriozë politikë, e jo maskarenjtë që në politikë janë vetëm për të marrë prej saj. Në këtë kuptim, më mirë se ne askush s’mund ta dijë se cilët janë njerëzit që duhet zgjedhur, pa merakun se ndonjë zgjedhje e caktuar mund të na prish më aleatët. Andaj, këshillat, qëndrimet e aleatëve duhet të jenë të mirëseardhura, por jo për ta marrë vendimin tonë, por për ta pjekur më tutje atë vendim.


Në fund, pavarësisht dashamirësisë dhe preferencave eventuale që mund të kenë aleatët tanë, ne jemi ata që e kemi në dorën tonë t’i zgjedhim udhëheqësit tanë. Besimi në partitë politike nuk është besim i shenjtë, besim hyjnor, përkundrazi, duhet të jetë besim kritik dhe i kushtëzuar me rezultate, besim që kërkon vazhdimisht. Nëse në opinionin publik ka një mendim që politika po u nënshtrohet shumë kërkesave ndërkombëtare, atëherë këtë nuk duhet ta bëjë vetë shoqëria. Shoqëria jonë duhet të ketë opinionin e saj publik të pavarur. Në fund të fundit, “zgjedhjet e lira me opinone të imponuara (jo të lira!) nuk kanë asnjë vlerë”.


 


 


 


 

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …