Ahmet Qeriqi: 50 pyetje të pështira të një gjeografi-demograf-demagog

Ja si e zbulon fytyrën e vërtetë  kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës!


 


Gjeografi i retarduar, kryetari aktual i ASHAK-ut, pjellë UDB-je, i cili me dy bashkëvendës të “Luginës së Preshevës” (Presevska Dolina) udhëheqë Akademinë e LDK-izuar, zbrazi nga goja e ndryrë e tij tërë mllefin e zemërimin drejtuar profesor, doktor, Rexhep Qoses, duke u shërbyer me fjalët më të pista dhe më të pandershme, që nuk i kanë hije as një bariu lopar se lërë më një pajtonxhiu të dikurshëm, apo taksisti të sotëm.


 Gjeografi me diploma nga Universitetet e Jugosllavisë, shfrytëzoi rastin për një kundërpërgjigje drejtuar, dr prof. Rexhep Qoses, me qëllim për ta derdhur mllefin e tij jetësor kundër të gjithë atyre me të cilët identifikohet profesori i respektuar, kundër UÇK-së, kundër politikanëve të krahut të luftës, kundër të përndjekurve politikë dhe kundër tërë Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të Kosovës e më gjerë.


Në mungesë të fakteve e argumenteve, Hivziu përdor sintagma kullerësh e rrugaçësh, bën pyetje koti, por duke i kallaisur sipas metodave të UDB-së, pyet e përgjigjet vetë, sipas ëndjes së tij, me qëllim për të krijuar një konfuzitet sa më të rëndë, por pa u përgjigjur në asnjë pyetje, që i kishte drejtuar, profesor Qosja, pa marrë mundin qoftë edhe vetëm për një arsyetim sa për ‘sy e faqe”.


Se kush është ky Hivziu, e njohin shokët e gjeneratës së tij jo vetëm nga “Lugina e Preshevës” por nga tërë Kosova Lindore, se cilat qenkan vlerat morale e kombëtare të këtij fatziu e di çdo kush, se si është okupuar Akademia e Shkencave  dhe Arteve të Kosovës prej vitit 1991 e deri sot nga klani famoz-mafioz: Islami, Ismajli, Daci edhe këtë e dimë fare mirë. Se çfarë kapacitetesh shkencore kanë veprat e tij për demografinë, të përkthyera nga gjuha serbe dhe të përvetësuara në gjuhën shqipe, edhe kjo dihet. Dhe, nuk ka çka të mësohet  më tepër për këtë njeri, sepse as ka bërë vepër tjetër, as i ka bërë nder kombit dhe çlirimit të Kosovës, as i ka bërë ndonjë nder më shumë  ASHAK-ut, gjithnjë   gjumash,  të LDK-së.


Hivzi Islami është një gjeograf-demograf-demagog, i cili nuk arrin dot atje ku pretendon, sepse nuk i disponon kualitetet njerëzore, kombëtare as intelektuale, sado që e ka stolisur gjoksin me tituj “shkencorë” për të  treguar më në fund me gjuhën e vet  nivelin arsimor, edukativ e pedagogjik të atyre titujve koti.


 


Liridashësit dhe liribërësit e Kosovës e më gjerë  dinë mjaft mirë cili është kontributi shkencor, politik, letrar dhe atdhetar i Rexhep Qoses. Kjo dihet botërisht me një duzinë veprash shkencore të botuara dhe që lexohen e mësohen  kudo në trojet shqiptare, dhe me një reputacion të krijuesit të njëmendtë, jo vetëm “Rilindësit të fundit shqiptar”, sikur edhe quhet,  por realisht krijuesit më të fuqishëm dhe më mendjendriturit të kohës sonë.


Aureola kombëtare, dija erudite, fuqia dhe sedra volteriane, origjinaliteti i fortë intelektual,  i profesor doktor, Rexhep Qoses,  janë vlera unike kombëtare   të këtij kolosi, i cili  u zë hijen e “diellin” mistrecave e kastravecëve si Hivizi Islami, burrecëve prepotentë si Halil Matoshi dhe kritikucëve të këtij lloji, të cilët në mos më shumë kanë mësuar të shpifin, të gënjejnë, të helmatisin opinionin, për qëllime që dihen dhe kuptohen fare lehtë.


“Shigjetat” e këtyre “Bali Katravellëve” janë prej shavari dhe nuk arrijnë dot cakun e dëshiruar nga ata dhe papagallët e tyre, të cilët në mungesë të kritikës korrekte e të faktuar, në mungesë intelekti e invencioni krijues, në mungesë të ballafaqimit me një debat të kulturuar e shkencor,  natyrisht se shërbehen me të vetmet armë, që i disponojnë, shërbehen me fyerje, me gënjeshtra, etiketime,  apostrofime, paragjykime, që i përdorin qoftë edhe si  armë,  të ndryshkëta e të ndragëta.


 


Gjeograf-demografi, Hivzi Islami, me mënyrën e formulimit të pyetjeve të tij, drejtuar Erazmit të kohës sonë, dr. Rexhep Qosja, tregon më së miri nivelin e mjerë “intelektual”, cinizmin tipik të një xhelozie të pashëruar, vulgare, pezmin e papërmbajtur, tregon mungesën elementare të sjelljes njerëzore, e lërë më akademike, tregon vanitetin e shpirtit të tij zijosh, i cili mundohet me çdo kush ta diskreditojë Rexhep Qosen, ndërsa me fjalorin dhe cinizmin e tij, para  opinionit diskrediton vetveten, klanin e tij dhe tërë atë që quhet, ASHAK.


Me sulmet kundër Qoses,  Hivzi Islami zbulon faqe botës  sëkëlldinë e tij, mllefin e egër, të cilin e dëshmon me një fjalor rrugaçësh dhe botën e tij të mjerë, e cila gufon me zemërim, pezëm, djallëzi e hipokrizi, një botë tipike qyqare, pacifiste, një botë e cila e ka gjenezën në ADN-në e shqiptarit lindor-bizantin, tipologji e cila mjerisht ende po mbahet në këmbë dhe në disa segmente pretendon të mbetet e tillë sikur ka qenë, e tillë sikur e ka përkufizuar më së miri, filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku. Ja, cili është lindori i djeshëm dhe i sotëm shqiptar, i cili nuk ka të bëjë me shqiptarët e Kosovës Lindore, as me ata që këtë pjesë të patjetërsueshme të Atdheut tonë të përbashkët e quajnë “Luginë e Preshevës” gjithnjë sipas padronëve të tyre të Beogradit, nga Preshevska Dolina, por ka të bëjë me atë pjesë të tipologjinë historike pacifiste shqiptare, e cila ka rrënjë në të kaluarën bizantine.


 


“Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Shet babë e nënë, besën e nderin e vet, për të mos  thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e për vetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vetes këto të mira ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet Lindori është kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët si ata ujqit, që shkojnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset udhës. Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek. Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është Atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi.”


 


 


Më duket se ky përkufizim gjenial, i mendjendriturit,  i Kristë Malokut i rri aq mirë Hivzi Islamit dhe klanit të tij, u rri për bukuri si vulë turpi të gjithë mendje-lindorëve, sa çdo përpjekje për të thënë edhe diçka më shumë duket e panevojshme, në mos edhe e pamundshme. Lindorzma shqiptare ka pjellë pacifizmin e gjithë shekujve të së kaluarës. Lindorët e tillë, iu kanë nënshtruar çdo pushtuesi e zaptuesi të trojeve të Atdheut. Asnjë nga lindorët e tillë, në asnjë periudhë të historisë sonë kombëtare, nuk ka ngritur kokë kundër robërisë, por në vazhdimësi iu ka përshtatur çdo regjimi, prej kohës së Bizantit e deri në ditët tona. Lindorët si Hivzi Islami dhe disa nga anëtarët e ASHAK-ut,  apo si i ndjeri, Ibrahim Rugova, Nexhat Daci e shumë të tjerë kanë bërë gjithçka kanë mundur, vetëm për t’ iu shkuar kungulli mbi ujë, për të vjelë favore e përfitime nga çdo situatë, gjithnjë mbi kurriz të popullit, sepse Atdheun e donë  vetëm për ta shfrytëzuar, madje  edhe kur Atdheu vuan nën robëri e katandisje.


Lindorët shqiptarë janë të zotët, ashtu  si kameleonët për të ndërruar ngjyrat dhe për t’ iu përshtatur çdo regjimi, vetëm për t’ i siguruar vetes dhe klanit të tyre, të mira e begati. Dikur ishin me “baba Dovletin”, pastaj me Kralin, me Titon e Rankoviqin, pastaj me Milosheviqin,  me të cilin shtrëngonin duart, buzëqeshnin, këmbenin dhurata të lidhura me kordele të kuqe, në kohën kur Kosova tërësisht e përgjakur  ndodhej buzë greminës. Pas luftës  u vunë në shërbim të UNMIK-ut, të EULEX-it dhe nesër do të hedhen në prehër të çdo të huaji nga cili do vend i botës. Hivzi Islami me klanin e vet, për t’i siguruar vetes të mira, që i sjellë posti në krye të ASHAK-ut ka përdorur dhe përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. A nuk u tregua i tillë, Hivzi Islami me pyetjet e tij cinike drejtuar Rexhep Qoses?


Ky krye-parë i akademikëve të Kosovës me gjuhën dhe mendjen e tij, me hartimin e pyetjeve drejtuar prof. dr. Rexhep Qoses më së miri ka zbuluar nivelin intelektual të vetin dhe të  këtyre akademikëve si vetë.


 


Ky nivel i shprehjes që disponon dhe afishon Hivzi Islami tregon se  Akademia  është kapur nga krimi, korrupsioni, nga klani mafioz që merret me përgojime, gënjeshtra, etiketa të ulëta e kurdisje perfide, në përpjekje për të  fshehur të palarat e veta dhe për diskredituar më meritorët e kombit. Këto janë punët me të cilat merret ASHAK-u, meqë nuk kemi parë punë apo angazhim tjetër të kësaj akademie burokratësh e demagogësh.


 


Andaj forcat përparimtare të vendit, ata që ia donë të mirën Kosovës dhe kombit në përgjithësi  nuk duhet të rrinë duarkryq.


Nëse pa pikë faji apo shkaku OJQ-të mercenare rrëzuan një rektor të Universitetit të Prishtinës, atëherë forcat e vërteta kombëtare duhet të drejtohen me protesta  te kjo Akademi, e cila edhe 15 vjet pas çlirimit nga robëria serbe e sllave mburret me xhelatin e popullit të Kosovës,  Josip Broz Tito dhe shkrimtarin e bashkim vëllazërimit, mikun e përjetshëm të Serbisë, të vdekurin në Serbi, Sinan Hasani. Ditë më parë, “akademiku” Pajazit Nushi, bëri të ditur se Akademia e tij dhe e Hivzi Islamit nuk pranon në asnjë mënyrë që Titos dhe Hasanit t’iu  merret titulli i”nderit” të ASHAK-ut, edhe pse regjimi Jugosllav dhe shërbëtorët e këtij regjimi, gjatë kohës së sundimit të tyre në Kosovë, masakruan, vranë, gjykuan, dënuan e shfarosën më shumë se  60 mijë shqiptarë, prej vitit 1945 e deri në vitin 1999.


Akademia, që nuk heq dorë nga Josip Broz Tito dhe Sinan Hasani fyen luftën fitimtare të UÇK-së, fyen dëshmorët e martirët, fyen gjakun e derdhur për liri dhe si e tillë nuk mund të ekzistojë. Kryeneqësia e kryeparëve të Akademisë për ta ruajtur me çdo kusht Titon, Sinan Hasanin, Ali Shukriun, xhelatët e popullit të Kosovës dhe mbetjet e tyre në vendin tonë, tregon vetvetiu se kush i ka shërbyer dhe kujt i shërben kjo krijesë e mjerë, e kapur keq nga lindorët bizantinë.

Kontrolloni gjithashtu

Christopher Hill

Prokuroria për krimet në fushën e teknologjisë, në Serbi, fillon hetimet për kërcënimet që iu kanë bërë, ambasadorit Hill

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi ka filluar hetimet lidhur me …