RKL

RKL: Disa zëra të infektuar me virusin e vëllavrasjes, po kërkojnë luftë e gjak, në Kosovë

Në kohën kur Kosova, Shqipëria, rajoni dhe mbarë bota po ballafaqohet me një zezonë, një pandemi  të shfarosjes kolektive, disa zëra të infektuar me virusin e vëllavrasjes, po kërkojnë luftë, gjak, nëse rastësisht, qoftë edhe duke respektuar  Kushtetutën e vendit formohet një Qeveri e re, pa qenë në krye të saj kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, i cili është i pari në Kuvendin e Kosovës që ka përmendur gjakderdhjen, si kërcënim për të qëndruar me çdo kusht në krye të Qeverisë. Pasi me shumicën e votave në Kuvendin e Kosovës, u shkarkua nga posti, ai vazhdon të mbetet në krye të Qeverisë, si kryeministër në largim, në detyrë, në ikje dhe të gjitha këto,  por jo si kryeministër normal i një vendi normal, që respekton ligjet dhe Kushtetutën.

Kurti pretendon që ta drejtojë Qeverinë deri të shpallen zgjedhjet e reja, për të cilat nuk mund të prognozojë askush. Fjalët e papërgjegjshme të Kurtit u rritën dhe u bënë film horror, si ata të Hiçkokut nga sypërgjakuri, Haki Abazi e të tillët si ai.

Po të lexoni me kujdes një postim të Haki Abazit të Vetëvendosjes, (afishuar në “Epoka e Re”, më 21 3. 2020),  me siguri se do të zbuloni një paranojë të një të sëmuri mental, një papagjykues i cili  kurdo që përmendet emri i Hashim Thaçi ai sheh gjak. PO kështu thirrje për vëllavrasje ka bërë edhe kryesuesi i Vetëvendosjes në Tiranë, trimi, Boiken Abazi dhe tash së fundi  edhe kryetrimi i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Haki Abazi, pak para rrëzimit të Qeverisë kishte shkruar se “Drejtimi që ka marrë Mustafa, Veliu, Hyseni e dërgojnë LDK në përpirje nga Thaçi dhe Kosovën e dërgojnë në tmerrin që nuk është përjetuar asnjëherë deri më tani. Nëse LDK e rrëzon qeverinë, gjendja e jashtëzakonshme shpallet brenda një kohe të shkurtër dhe Thaçi qëron hesape. Sipas kësaj koke  paranojake,  Kosovën e rrezikojnë LDK-PDK-AAK-Nisma dhe të gjithë të tjerët që nuk mendojnë si mendon kyfarë, Haki Abazi, madje nuk e rrezikon as Lista Serbe as Vuçiqi, por vetëm Hashim Thaçi, natyrisht dhe komandantët e luftës, apo karakomandantët sikur i quan ata një paranojak e shkizofren tjetër, i sojit të tillë, “biologjik”.

Tani kur është rrëzuar Qeveria dhe nuk është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe  nuk po shihet gjaku askund, thirrjen për gjakderdhje e vëllavrasje e kumton një Agim Bahtiri i Mitrovicës, i cili votat për kryetar komune i siguroi nga AKR-ja, ndërsa pasi i humbi partia ai iu bashkua Vetëvendosjes.

Ky trim me fjalë e me fletë, i cili deri tani me nënshkrime e peticione e ka bashkuar edhe veriun e Mitrovicës, edhe pse nuk ia mbanë ta qesë një hap të vetëm në Mitrovicën e veriut,  sot kërcënon me luftë vëllavrasëse, nëse nuk zgjidhet sërish në krye të Qeverisë, Albin Kurti. Ky trim me foton e Isa Boletinit në zyre, luftën e ka parë në filma dhe në lajme, gjatë kohës kur 21 vjet më parë lufta zhvillohej në Kosovë kundër regjimit kriminal e fashist serb të Milosheviqit.

Ndërkohë, nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila krenohet se në Qeverinë e saj nuk ka “terroristë” të UÇK-së, tani  ka vendosur të ndërpresë komunikimin me deputetë të LDK-së. Ajo thotë se disa deputetë të LDK-së e kanë ofenduar kur e kanë quajtur anti-amerikane. “Pa më kërkuar falje, disa prej tyre kurrë më as mirëdita nuk do t’iu them”,  ka kërcënuar ajo, duke menduar se nëse nuk iu thotë mirëdita, ata do të ndihen të ofenduar, të prekur e të hidhëruar. Vaj halli për ta, nëse zonja e rëndë Kollçaku nuk iu thotë mirëdita. Nuk kanë pse jetojnë më.!

Kjo zonjë e madhe mendon për veten se është e një niveli superior si për nga raca, origjina  ashtu edhe aftësia,  sa as mirëdita nuk do të pranojë t’ iu thotë kolegëve të saj,  nëse ata nuk i kërkojnë falje, sepse e paskan  fyer tepër rëndë kur e paskan quajtur antiamerikane.  “Ata po e bëjnë këtë pasi ne po punojmë mirë. Ne kemi bërë projektligjin për konfiskimin e pasurisë”,  dhe sipas rezonit të saj,  kjo qenka arsyeja e rrëzimit të Qeverisë.  Ky është një shembull tipik i njerëzve njëdimensionalë, naivë, të cilët shohin, kuptojnë dhe arsyetojnë vetëm veprimet e mendimet e veta. Për veten e tyre mendojnë se i ka zgjedhur Hyji.  Ka rrezik të madh nëse krejt të tillët grumbullohen me një vend, sepse mos durimi, imponimi i mendimit, despotizmi qojnë edhe në përplasje të brendshme, ashtu sikur ka ndodhur jo vetëm njëherë, por kjo është e keqja më e vogël.

Nëntë ditë pas këtij konstatimi, po rritet numri i zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes që po paralajmërojnë luftë e gjakderdhje mes shqiptarëve në vendin tonë,  për pushtet. Deri tani përveç Albin Kurtit, Boiken Abazit, Haki Abazit, një Abrashit, edhe më trimi prej tyre, Agim Bahtiri por kërkon luftë, por duket se do të përballet me Prokurorinë, edhe pse tashmë i ka ndërruar fjalët dhe po mbrohet me kontekst e nëntekst…

Ata që kërkojnë luftë në Kosovë për pushtet janë shumë më të rrezikshëm se koronavirusi, andaj dikush duhet të japë përgjegjësi e llogari, kuptohet para ligjit, nëse ka ligj ky vend. Luftë, madje luftë vëllavrasëse po  kërkojnë ata që luftën e kanë parë nëpër filma, por nuk ua ka mbajtur të hynë në frontet e luftës sonë çlirimtare atëherë kur ishte koha. Tani shtrohet pyetja me çka do ta bëjnë luftën, me armë apo me fjalë. Me siguri se është kjo e dyta se për të parën duhet tjetër format i njerëzve. Ata janë provuar e sprovuar por jo në luftë vëllavrasëse, por në luftë kundër regjimit më vrastar dhe më kriminal e më fashist, sikur ishte regjimi serb i Milosheviqit, deri më 21 qershor të vitit 1999.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Fronti Europian stacionin e radhës e ka pasur qytetin e Kërçovës, ku para një numri …