Edi Rama

RKL: Edi Rama po tërhiqet sepse nuk është format i shqiptarit që ia nxjerrë sytë kundërshtarit

Tërheqja e parë serioze e Edi Ramës për mos-mbajtjen e zgjedhjeve vendore në Kavajë,  tregon se ai ka filluar të dorëzohet, të frikësohet  sepse nuk është format i shqiptarit që kundërshtarit ia nxjerrë sytë, ashtu sikur bëjnë Berisha e Basha. Pikërisht, duke e ditur se Rama lodhet dhe frikësohet nga hallakatjet e pushtetit dhe kthimi i anarkisë, ashtu sikur ndodhi në vitin 1997, Basha e Berisha atij ia kanë marrë anën me paralajmërime serioze se do ta linçojnë edhe fizikisht, sepse, sipas logjikës së tyre, ai qenka kriminel.

Nga kjo frikë dhe në mungesë të përkrahjes serioze nga partneri LSI, që luan djathtas-majtas sipas interesit të vet dhe nuk mendon fare për  fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve përgjithësisht në rajon, Ramës nuk i mbetet tjetër, por të lëshojë pe. Ndoshta do të lëshojë pe edhe për qeverinë teknike dhe Shqipërinë t’ ua dorëzojë politikanëve të Sali Berishës për ta qeverisur si në kohën e baba Dovletit. Duket se shqiptarët në Shqipëri, një pjesë jo të vogël të tyre  më shumë i josh anarkia sesa demokracia e vërtetë. Kërcënimet dhe sharjet e fyerjet  e Sali Berishës i aprovojnë shumë shqiptarë që pretendojnë të jetë klasë me famë e demokracisë. Kundruar realisht, po të mos ekzistonte një “xhemat” i tillë politik, mercenar i të gjithë të huajve prej Athinës e në Beograd, nuk do të mund të merrte besimin e qytetarëve të ndershëm  e atdhetarëve që e duan me mendje e zemër Shqipërinë.

Ky është vendi ku, mjerisht  atdhetarit i thuhet tradhtar, ku mizorit i thuhet deli-burrë, bajraktar,  ku të devotshmit e të butit i thuhet kriminel. Dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm njëherë në Shqipëri, pavarësisht se nuk na bën nder ta përmendim.

Edi Rama është tepër i butë, tepër inteligjent dhe intelektual për një dyluftim me të hapareshurit e Sali Berishës, të cilët kanë treguar me vepër se dinë ta djegin Shqipërinë për ta marrë pushtetin.

Pikërisht në këtë mënyrë  ishte tërhequr dhunshëm nga pushteti edhe i madhi, Fan Nol në kohën e tij, sepse nuk e bënte zap miletin me kamxhik dhe nuk kishte pretendime të tilla, edhe pse ishte i vetëdijshëm se kundërshtari ishte satrap dhe i pashpirtë

Ja si e ka përjetuar dhe si e ka spikatur në poezi, katrahurën politike të dhjetorit të vitit 1924, kur shteti i parë demokratik i Shqipërisë, që e kishte themeluar vegjëlia shqiptare në krye me idealistët e demokracisë në krye me Fan Nolin. i pari dhe i vetmi shtet në Ballkanin e asaj kohe, i cili ra në kthetrat e mercenarëve dhe tempullarëve të babëzisë e ulokësisë:

Krishti Me Kamxhikun

Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë

Janë shtruar sarafët’) pa shpirt e pa besë,

Tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë,

Thon’ ashtu Israelin e mbrojn’ e shpëtojnë.

Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,

Dhe shkëlqejnë në kish’ e në fron me kurorë,

Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten

Dhe kështu parazitët gjakpirës po rriten.

Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar

Na u ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar;

Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë,

Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.

Çdo i shenjt’ ideal, çdo shtëpi Perëndie

Ishte bërë dyqan dhe pazar tregtie:

Kush fitonte më tepër, ai ishte usta,

Dhe kush nuk plaçkitte ish krejt budalla.

Kur e pa këtë zi dhe këtë errësirë,

Krisht’ i ëmbël u-ndes dhe u-bë i vështirë:

Me kamçik e me fshikull sarafët i dboj,

Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.

Dhe Shën Pjetr’ i gëzuar ahere i tha:

“Ja tani e ke nisur tamam, or usta!

Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro,

Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.”

“Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,

Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar;

Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin.

Se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin.”

Jesu Krishti s’ dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun.

Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,

Dhe i tha: “S’e ka fajin kurrizi, po truri,

Se lirin’ e sjell drita e mëndjes, jo druri.”

“Merr-e prapë kamçikun, Shën Pjetri u- përgjiq,

Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.

Përkëdhel’ u kurrizin dhe do t’të besojnë,

Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t’adhurojnë”.

Jesu Krishti s’dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun.

Dhe s’u-unj përsëri që ta merrte kamçikun:

Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,

Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen’ e atdhenë.

Kjo poezi antologjike e Fan Nolit, e shkruar 90 vjet më parë tingëllon sikur të jetë shkruar sot, për luftën e pa kompromis për pushtet që po e bëjnë shqiptarët, si gjithnjë të ndarë në dy tabore, në pesë shtete, me perspektivë të zymtë e ardhmëri të rrethuar nga mujsharët e sundimtarët e botës. Tradita e urtisë shqiptare thotë se i mençuri i lëshon rrugë budallait. Për këtë traditë kishte shkruar edhe Noli në poezinë, Krishti me kamxhikun. Po a do të përsëritet edhe kësaj radhe ky mësim i pamësuar si duhet  i historisë, mësimi i keq i tërheqjes para atyre që jo vetëm njëherë e kanë rrezikuar shtetin mbetet të shihet.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …