Vetëvendosja: Është me rëndësi që kryetari Hashim Thaçi të mos jetë në krye të Grupit të Unitetit

RKL: Kah po zhvendoset, Vetëvendosja?

Treshja: Konjufca, Molliqaj, Krasniqi e ndonjë tjetër i këtij formati, do të mbahen mend për pasojat që do t ia sjellin Lëvizjes, ashtu sikur ia kanë sjellë Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, Lulzim Basha, Azem Hajdari e të tjerë dhe PDK-së: Adem Grabovci, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje, më saktësisht, disa nga krerët e saj me shumë ndikim, qysh prej shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017,  ende po e manifestojnë delirin dhe dalldinë e fitores, madje disave duket se “fitorja” po ua errëson dhe sytë edhe gjykimin. Nëse  Vetëvendosja tërë  fitoren e interpreton vetëm si luftë të fituar kundër PDK-së, atëherë të tillët e zbulojnë naivitetin e tyre dhe kurrsesi emancipimin politik, aq shumë të domosdoshëm kur një forcë politike me kredibiltet e merr besimin e elektoratit. Një perceptim realist, në akord me situatën po shihet se iu mungon  disa krerëve me mendësi “bajraktare” të kësaj partie.

Fitorja, e cila po manifestohet me kërcënimin sa sapo të vinë në pushtet, (edhe pse ende nuk dihet kush do të vijë apo nuk do të vijë fare në pushtet), do t’iu tërheqim zhag, kjo del krejtësisht jashtë binarëve të gjykimit dhe deklarimit të drejtë politik në kushte dhe rrethana të caktuara. Një pjesë e njerëzve,  këtë e sheh vetëm si luftë klasash. Kjo formë e keqpërdorimit të fitores mund t’ iu  kthehet bumerang, jo vetëm atyre që i shprehin por krejt partisë. Por nuk duam të besojmë se ky është qëndrimi unik i Vetëvendosjes.

Ka kohë që brenda kësaj partie është diferencuar një tresh “jeniçerësh”, të cilët  me paraqitjet dhe qëndrimet e tyre krejtësisht pa kontroll, dëmin më të madh dhe të riparueshëm do t’ i sjellin vetëvendosjes dhe dëmi do të jetë fatal nëse të tillët lejohen ta fundosin atë që anëtarësia dhe simpatizantët e kësaj partie e  kanë arritur për shumë vjet.

Treshja: Konjufca, Molliqaj, Krasniqi e ndonjë tjetër i këtij formati, do të mbahen mend për pasojat që do t ia sjellin Lëvizjes, ashtu sikur ia kanë sjellë Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, Lulzim Basha, Azem Hajdari e të tjerë dhe PDK-së: Adem Grabovci, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.

Të kapluar nga “nami” i papritur, sepse vetë krerët më të lartë të Vetëvendosjes  kanë deklaruar publikisht se nuk kishin pritur  një fitore të tillë, ata po synojnë ta marrin pushtetin, në Kosovë duke i kamufluar  qëllimet me fraza të zgjedhura lakonike dhe me konotime mjaft të sofistikuara. Një segment i kësaj Partie që ende vazhdon të vetëquhet Lëvizje, (edhe pse ka paralajmëruar se së shpejti do të regjistrohet si parti politike), ka filluar një luftë të hapur kundër partive “të krahut të luftës”,  kundër PDK-së të humbur e të trullosur në zgjedhjet e fundit, në radhë të parë  me faj të Kadri Veselit dhe sekserëve të tij politikë, e në veçanti kundër kreut të kësaj partie, ekskluzivisht kundër asaj që ata e quajnë SHIK dhe klani Pronto.

E tërë platforma deklarative e Vetëvendosjes kundër PDK-së, është e ndërtuar mbi dosjet e shërbimeve sekrete për SHIK-un dhe atyre që pretendohet se kanë qenë dhe ende qenkan në krye të kësaj organizate më shumë virtuale sesa reale. E tërë lufta është verbale, e paragjykuar dhe ajo nuk mund të dëshmohet me asnjë të dhënë faktike, dokumentare, gjyqësore, përveç nëse mbështeten në të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë së kohës së regjimit të Milosheviqit për 156 pjesëtarët e luftës së UÇK-së, të cilët ata  i konsiderojnë “terroristë shqiptarë”, material që është publikuar nga shërbimet sekrete serbe qysh në vitet 1999-2000 dhe është shpërndarë kudo në botë. Ai material i sajuar me gënjeshtra, të pavërtete, me inskenime e fabrikime ndër më të ndryshme, në vazhdimësi vazhdon të jetë material me prioritet  për botim nga jugo-mediet në Kosovë.  Ato dosje me mijëra faqe kanë qenë lënda akuzuese  të cilën e ka marrë në konsideratë, në radhë të parë Carla del Ponte, Gjykatat e Hagës, gjykatat e UNMIK-ut, të EULEX-it dhe tani do të mbetet po ashtu lëndë bazë e Gjykatës Speciale, në duar të  krye-inkuizitores së kohës sonë,  bullgares, Ekaterina Trendafilova. Po këto dosje po iu shërbejnë kundërshtarëve politikë të “krahut të luftës”, me qëllim të legjitimimit të akuzave të Serbisë.

Nga ata 156 emra të prezantuar në dosjet, diku më shumë e diku më pak, shumica prej tyre ose janë dënuar dhe i kanë vuajtur dënimet, ose nuk janë më, ose janë liruar nga dy e tri herë të pafajshëm. Gjykatat kanë vepruar dhe kanë dënuar luftëtarë të lirisë së Kosovës nuk kanë dështuar në këtë segment.

Ekziston edhe një dosje tjetër sekrete serbe, me të cilën, në gjykatat e Beogradit  janë dënuar në mungesë pjesa dërrmuese e “të inkriminuarve”. Dokumenti nuk është publikuar në internet, por del në sipërfaqe gjatë kalimit në kufi të Kosovës, kur me urdhër të Interpolit serb-francez ndalohen të apostrofuarit, madje shumica syresh janë ndaluar dhe ndalohen sidomos në kufirin me Shqipërinë, meqë asnjë prej tyre, përveç ndonjë mendjelehti nuk  ndan mendjen për të udhëtuar nëpër Serbi, Maqedoni apo Mal të Zi.

Shërbimi me këto dosje, pastaj me dosje të tjera të inskenuara, vënia e këtyre dosjeve  në dispozicion të gjykatave të Beogradit, të Gjykatës së Hagës dhe gjykatave të tjera si dhe e dosjeve që i kishte sajuar LDK-ja pas mbarimit të luftës, është bërë dhe bëhet me qëllim për diskreditimin e luftës së UÇK-së. Tashmë dihet botërisht, madje me procesverbale të shkruara me dorë se  qysh më 5 korrik të vitit 1999, LDK-ja  ajo kishte tubuar krerët e sapo kthyer nga Kukësi e Stankoveci dhe në mbledhjen e parë, të mbajtur pas luftës, ku edhe  kishin propozuar themelimin e një komisioni ilegal, i cili do të merrej me hulumtimin në terren të krimeve, që sipas tyre kishte kryer jo vetëm Serbia por edhe UÇK-ja. 1).

Mbështetja në këto dosje, me qëllim për ta akuzuar, përbaltur, shantazhuar dhe për ta diskredituar PDK-në, mund të them me përgjegjësi se ka dhënë mjaft rezultate. Këtë fushatë e kanë fuqizuar, përkrahur dhe i kanë dhënë vende natë e ditë mediet që krejt hapur atakojnë luftën e UÇK-së dhe krerët e saj dhe krejt kjo propagandë ka të bëjë me diskreditimin e luftës së UÇK-së.   Këtu duhet kërkuar edhe një segment të humbjes drastike të PDK-së dhe ngritjes enorme të Vetëvendosjes. Propaganda e mbështetur financiarisht nga Beogradi, e shpërfaqur ditë për ditë në jugo-mediet e Kosovës e ka bërë të veten, por tërë kjo na çon drejt ambisit ku humbim të gjithë, jo vetëm PDK-ja e Vetëvendosja.

Nuk është aspak e ndershme politikisht, as kombëtarisht që  akuzat kundër kundërshtarit politik të ngjyrosen me dosjet e ngritura nga regjimi i Milosheviqit, apo akuzat e pretenduara për krimet e SHIK-ut, apo të asaj që quhet Klani Pronto. Këto akuza janë paushall të ngritura nga jug0- mediet dhe nuk janë bazë për ndjekje penale. Deri tani asnjë redaktor  i asnjë mediumi shqip apo serbisht shkrues e folës, asnjë politikan i Vetëvendosjes i LDK-së, apo i Listës Serbe nuk ka deponuar në Prokurori fakte konkrete të krimet e SHIK-ut, apo të Klanit Pronto apo të komandantëve aq shumë të pasuruar sa pasuri e të gjithë tok nuk mbërrin as sa gjysma e pasurisë së  deklaruar të një prokuroreje të Kosovës  me burrin e saj.

Por duhet pranuar se kjo propagandë e medieve dhe disa krerëve politikë e ka bërë të vetën, sepse dihet mirë se përsëritja në vazhdimësi e gënjeshtrës qoftë edhe e atij që e ka sajuar i pari fillon t’i duket e vërtetë. Mirëpo nuk thuhet kot se “gënjeshtra ecën shpejtë por nuk e bën gjatë”. Andaj përpjekja për të bërë gënjeshtrën të vërtetë është punë koti, ashtu sikur është punë edhe më e kotë të mundohesh ta  fundosësh kundërshtarin, duke e atakuar vetëm në gabimet e tij, pa qenë i gatshëm të shikosh dhe të zbulosh gabimet e tua.

Fjalori që treshja: Molliqaj, Konjufca, Krasniqi përdorin në Kuvend, mujsharia e tyre zevzeke, fyerjet e denigrimet, përpjekja për t’ i ndarë komandantët në të ndershëm dhe të korruptuar, dëmin më të madh ia sjellë vetë Vetëvendosjes, sepse brenda  kësaj partie po montohet një njëmendësia e rrezikshme autarkike, e cila rrezikon të dalë jashtë diskursit të përdorur gojarisht në Kuvend.

Kjo treshe po bën përpjekje që përmes propagandës së përditshme të krijojë një përshtypje se komandantët nga radha e LDK-së nuk janë të korruptuar, ndonjë komandant i Vetëvendosjes jo se jo, por vetëm ata që aktualisht përbëjnë koalicionin PDK-AAK-NISMA qenkan kriminelë dhe të korruptuar.

Qëllimet janë të tejdukshme, por nuk besojmë se kështu mendojnë shumica e krerëve dhe deputetëve të Vetëvendosjes, e cila duhet sa më parë të marrë një qëndrim unik dhe në akord me situatën politike, me qëllim të unifikimit të veprimeve që çojnë drejt zgjidhjeve institucionale, sipas radhës, sipas kushtetutës dhe sipas të gjitha mundësive që bëjnë të mundur një marrëveshje.

Krahu i mujsharëve të Vetëvendosjes duhet të frenohet, sepse një gjuhë e tillë kundër vlerave të luftës së UÇK-së, në prag të fillimit të punës së Gjykatës raciste e fashiste kundër UÇK-së, ata do të mbesin në anën e Beogradit, gjithsesi edhe të listës serbe, të një krahu brenda LDK-së, AKR-së  dhe të forcave regresive politike të Kosovës. Vetëvendosja e cila nuk e ka votuar Gjykatën Speciale, nuk duhet të lejojë që brenda vetes, të marrë rolin dominues  një segment i saj krejtësisht i papërgjegjshëm, deri në naivitet. Nuk duhet lejuar të marrë përmasa lufta e pandershme kundër UÇK-së, sepse ajo luftë dhe vlerat e saj historike  nuk ndahen me komandantët e njërës dhe të tjetrës parti.

Është koha që Vetëvendosja të vendos vetë, në të mirë të saj dhe të gjithëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari turk, Erdogan

Erdoğan: Duke vrarë mbi 14.000 fëmijë të pafajshëm në Gaza, Izraeli tashmë ka tejkaluar famëkeqin nazist, Adolf Hitler

Kryetari i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoğan, ka deklaruar se duke vrarë mbi 14.000 fëmijë të …