RKL: Kosova në pesë-vjetorin e shpalljes së pavarësisë ende në udhëkryq të rrezikshëm

Po bëhen pesë vjet qyshkur Kosova shpalli pavarësinë. Më 17 shkurt të vitit 2008, qytetarët e Kosovës të entuziazmuar e të gëzuar pa masë përjetuan një ngjarje të madhe në historinë e tyre 100-vjeçare të përpjekjeve për liri, barazi dhe pavarësi. Ajo ditë ka shënuar një hap vendimtar historik drejt unifikimit të një pjese të kombit të ndarë në gjashtë shtete, drejt përforcimit qoftë edhe parcial të faktorit shqiptar në Ballkan.

Kaluan pesë vite të rënda me përpjekje të pareshtura për ta ruajtur dhe për ta begatuar pavarësinë, për ta fituar simpatinë e shteteve të botës, për t’i krijuar institucionet e pavarura dhe për të qenë pjesë e botës së qytetëruar.

 

Pesë vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 2008, kreu i vendit tonë shpalli Pavarësinë e Kosovës, e cila u pranua dhe u njoh nga shumë shtete të botës, në mesin e tyre edhe nga shtetet më të fuqishme dhe më me ndikim, si Amerika, Anglia, Gjermania, Franca, Italia etj. Deri tani shtetin e pavarur të Kosovës e kanë pranuar 98  shtete të botës, ndërkohë që në dy-tri vitet e fundit ky proces stagnoi për shkak të diplomacisë, agresive virulente dhe shumë me ndikim të Serbisë, Rusisë dhe bllokut të ortodoksisë së Lindjes.

 

Megjithatë, për këto pesë vjet pavarësi, Kosova ka krijuar një legjitimitet të brishtë ndërkombëtar, por ashtu si në të kaluarën ashtu edhe aktualisht vazhdon të jetë e shantazhuar nga Serbia dhe vendet e saj mike. Kosova po feston Ditën e Pavarësisë, ditën e realizimit vetëm të një pjese të aspiratave tona të ligjshme kombëtare, ditën kur Deklarata Kushtetuese mori formë zyrtare dhe jo improvizuese, sikur ishte deklarata e shpallur në fillim të viteve 90.

Kosova  sot gëzon një legjitimitet ndërkombëtar, i cili mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Ajo është pranuar në Bankën Botërore dhe në Fondin Ndërkombëtar Monetar si dhe në shumë asociacione e organizata të tjera ndërkombëtare, por është larg pranimit të OKB dhe larg pranimit nga shumica e shteteve të botës.

Sido qoftë, pavarësia e Kosovës nuk mund të kthehet prapa. Njohjet mund të stagnojnë edhe për një kohë, por ato një ditë do të ndodhin, pavarësisht shantazheve të Serbisë dhe të Kremlinit zyrtar.

 

Pesë-vjetori i pavarësisë doemos se shtron pyetjen, sa kemi bërë për Kosovën?

 

Përfaqësuesit e institucioneve kanë radhitur shumë suksese,  edhe pse, as ata nuk janë shprehur plotësisht të kënaqur me të arriturat.

Në Kosovë është rritur numri i të papunëve dhe është thelluar jashtëzakonisht shumë hendeku mes shumë të pasurve dhe shumë të varfërve.

20 për qind e banorëve të Kosovës jeton në varfëri ekstreme.

Gjatë këtyre pesë viteve, në kushte dhe rrethanave gjithnjë shantazhuese nga Serbia dhe përkrahësit e saj  megjithatë Kosova është zhvilluar në disa segmente.

Janë rritur përgjysmë pagat e punëtorëve të arsimit, të policisë dhe të shëndetësisë. Janë rritur edhe disa segmente të pensioneve, ndërkohë që në janë hapur edhe vende të reja pune. Është përmirësuar dukshëm infrastruktura rrugore, ndërsa është realizuar projekti i rrugës Kombëtare që lidh Kosovën me Shqipërinë. Janë stimuluar bujqit e Kosovës me donacione e shpërblime. Janë krijuar kushte më të favorshme për punimin e tokës dhe zhvillimin e kulturave bujqësore. 

 

Kosova, po satanizohet  si shtet i korruptuar dhe si vend i krimit të organizuar, edhe pse realisht vendi ynë është më pak  e korruptuar sesa është i korruptuar çdo shtet kapitalist i rajonit, Evropës dhe botës.

BE-ja i ka dënuar kolektivisht shqiptarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në Kontinentin plak që nuk kanë të drejtë të lëvizin lirshëm dhe pa viza në shtetet e lira dhe demokratike të Evropës.

 

Përpjekjeve të Serbisë dhe shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës  për dëmtimin e imazhit të vendit tonë  dhe paraqitjes së saj si shtet mafioz, i kanë kontribuar në masë të madhe disa nga mediet më me ndikim në vend e më gjerë.

Miqtë e Kosovës i kanë çmuar të arriturat, por kanë kërkuar më shumë punë dhe angazhim nga institucionet në shumë lëmenj të ndjeshëm që nuk varen madje as nga vullneti i kreut të Kosovës, sikur është pozita  e serbëve në Kosovë, me të cilët ka manipuluar dhe po manipulon haptas regjimi i Beogradit. Dhe, bashkësia ndërkombëtare, në pamundësi për të ushtruar ndikim në politikën destruktive të Beogradit në këtë segment, ajo po kërkon të bëjnë të  pamundurën zyrtarët tanë, nga të cilët kërkohet t ia mundësojnë Serbisë anëtarësimin në BE, duke shkelur mbi pavarësinë e saj.

 

Pesë vjet të rritës së pavarësisë janë vetëm pesë  vjet dhe pak kush ka pritur më shumë të arritura, sepse zgjidhja e çështjes e Kosovës është një ekuacion me shumë elemente të pazgjidhura, është një çështje komplekse, që ka të bëjë në radhë të parë me pozitën e palakmueshme të kombit shqiptar në Ballkan, me ndarjen e dhunshme në pesë pjesë  dhe me legjitimimin e heshtur  të kësaj dhune nga faktori vendimmarrës ndërkombëtar.

 

Kosova nuk mund të zhvillohet, as të përparojë, pa u integruar në pjesët e veta. Ajo nuk mund të bashkohet në BE pa u bashkuar paraprakisht me pjesët e veta në Kosovën Lindore, në Iliridë, me pjesën shqiptare të Malit të Zi dhe me Shqipërinë, që do të duhej të ishte Piemonti i Shqiptarisë në Ballkan dhe që mjerisht, jo vetëm që nuk është Piemont, por është një faktor, që duket sikur  ka defaktorizuar në tërësi zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan.

 

Pavarësisht nga kjo, Kosova ka obligimet e veta kombëtare, sidomos për viset shqiptare, që kanë mbetur nën okupimin e tri shteteve sllave të Ballkanit. Këto pjesë mund dhe duhet të integrohen natyrshëm me Kosovën, nëse duam të bëhemi faktor real dhe i natyrshëm në këtë pjesë të Ballkanit, ku kemi jetuar shumë kohë para ardhjes së fiseve sllave dhe pushtimit të tokave tona nga këto fise, që më vonë u zgjeruan në tërë territorin e Ballkanit e më tej.

 

Nëse, dikur Shqipëria ishte shteti amë, ku i kishin varur shpresat shqiptarët e viseve të robëruara, sot Kosova është shteti amë për pjesën e vetë të tri komunave shqiptare në lindje, të trojeve shqiptare të Iliridës si dhe pjesës së shqiptarëve në Mal të Zi, meqë ky shtet, i cili e ka pranuar pavarësinë e  Kosovës, po kërkon përfaqësim të njëjtë të malazezve sllavë me pakicat e tjera kombëtare në vendin tonë. Përderisa Podgorica shfaq interesim të tillë për bashkëkombësit e vetë, Prishtina zyrtare duhet të kërkojë edhe më shumë, meqë shqiptarët në Mal të Zi janë banorë autoktonë,  dhe jo kolonë sikur janë malazezët në Kosovë, të cilët kanë qenë të manipuluar nga të gjitha regjimet pushtuese serbe, derisa më në fund edhe u ndanë përfundimisht nga Serbia.

 

Kosova duhet jo vetëm të shfaq interesim, por duhet ta  ndërtojë një platformë të fuqishme unifikuese kombëtare në këtë drejtim. Kosova do të bëhet një faktor shumë me rëndësi për të mbajtur baraspeshat etnike në Ballkan, sepse katër milionë shqiptarë në Shqipëri dhe tre milionë në Kosovë dhe në Iliridë e më gjerë, vetvetiu përbëjnë një faktor, që nuk mund të injorohet më, as mund të zhbëhet, as mund të manipulohet sikur është manipuluar në të kaluarën nga fqinjët grabitqarë dhe nga Fuqitë e Mëdha.

 

Pavarësia e Kosovës do të arsyetohet dhe do të mbështetet vetëm nëse ecën drejt rrugës së integrimit të të gjithë shqiptarëve, të mbetur jashtë Shqipërisë, duke kërkuar unifikim dhe duke shfaqur interesim maksimal për perspektivën zhvillimore dhe mirëqenien e tyre.

 

 

A ka mundur të bëhet më shumë gjatë këtyre pesë viteve?

 

 

Realisht, në tri vitet e fundit pas shpalljes së pavarësisë, procesi drejt njohjeve të reja dhe zhvillimit ekonomik të vendit ka stagnuar. Ky stagnim është rezultat i pranimit të bisedimeve të Kosovës me Serbinë edhe pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e kishte legjitimuar pavarësinë e Kosovës. Qarqet pro serbe në Evropë dhe në botë, duke parë se Serbia mori një goditje të ashpër nga GJND-ja, nga e cila edhe kishte kërkuar të definonte qëndrimin e saj lidhur me pavarësinë e Kosovës, arritën ta bindin kreun politik dhe institucional të Kosovës, që sërish të zhvillonte bisedime me Beogradin, duke i paraqitur  bisedimet e ardhshme thjesht si bisedime teknike, për të cilat thuhej se  nuk kishin të bënin me statusin e saj. Pranimi i kreut politik të Kosovës për të biseduar pa kushtëzime  me Serbinë, pas shpalljes së pavarësisë dhe mbështetjes që Kosova mori nga GJND-ja, ishte gabimi më i madh, që është bërë ndonjëherë, pas mbarimit të luftës sonë çlirimtare, në  qershor  të vitit  1999.

 

Me rastin e rifillimit të bisedimeve me Serbinë kreu politik dhe institucional i Kosovës ishte zotuar se kurrë nuk do të pranonte bisedime politike lidhur me statusin e Kosovës. Qysh atëherë dihej se rifillimi i bisedimeve me Serbinë pa dyshim se do ta degradonte edhe me keq procesin edhe ashtu të stagnuar të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet e tjera të botës, e veçanërisht nga shtetet islame, të cilat po shihet qartë se më shumë janë nën ndikimin e Rusisë dhe të Serbisë, sesa armiqësisë që kanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimi i bisedimeve, edhe pse po thuhej se nuk kishte të bënte me çështja e statusit, ishte  vetëm një mashtrim, ose një hipokrizi më shumë, meqë të gjitha bisedimet e deritanishme janë zhvilluar me qëllim për ta devalvuar  statusin e Kosovës.

 

Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, është thënë sa e sa herë se bisedimet për statusin kanë përfunduar dhe bisedime të tilla nuk do të ketë kurrë më me Beogradin. Aktualisht thuhej se mund të ketë vetëm bisedime të aspektit teknik. Kështu është thënë edhe gjatë dy viteve të fundit të  bisedimeve me Serbinë.

 

Nëse Kosovën e kishin pranuar 45 shtete të botës deri në rifillimin e bisedimeve dhe nëse kreu politik dhe institucional i vendit i ka  besuar me sinqeritet kësaj pavarësie, atëherë nuk mund të anashkalohet pyetja se për çfarë problemesh u dashka të bisedohet me Beogradin? Duke komentuar mundësinë e rifillimit të bisedimeve, një zyrtar i atëhershëm i Qeverisë së Beogradit, tri vjet më parë  në një intervistë për BBC-në,  kishte  deklaruar se statusi i Kosovës është i përkohshëm, duke shtuar se aktualisht nuk mund të hapet për bisedime çështja e statusit, ndonëse paralajmëronte se në një periudhë të caktuar, ajo, sërish do të mbledhë në tryezë shqiptarët dhe serbët. Beogradi zyrtar kishte saktësuar se i takon kryeadministratorit të Kosovës, Lamberto Zanieri, që të gjejë momentin dhe modalitetet se si t’i përfshijë në bisedimet e përbashkëta edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duke precizuar se çfarëdo marrëveshje që eventualisht mund të arrijë UNMIK-u me përfaqësuesit serbë, ajo do të kalojë përmes konsultimeve ose në pajtim me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

 

Tre vjet më parë Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri, Hashim  Thaçi dhe kryekuvendari, Jakup  Krasniqi, ishin zotuar se kurrë më, në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë nuk do të bisedohej me Beogradin për statusin e Kosovës.

Ata ishin zotuar se kurrë më, në asnjë mënyrë nuk do të bisedonin për pjesën e veriut të Kosovës, të cilën e mbante të okupuar Serbia me ndihmën e një segmenti të policisë ndërkombëtare.

Ishin zotuar se nuk do të bisedohej as për kishat e manastiret serbe, sepse ato me pakon e Ahtisarit kanë siguruar jo vetëm autonominë, por pavarësinë e plotë nga Kosova.

Ishin zotuar se nuk do të  bisedohej as lidhur me procesin e decentralizimit, sepse edhe kjo punë është kryer në dobi të plotë të serbëve.

 

Pavarësisht këtyre zotimeve, dy vjet e më shumë pas rifillimit të bisedimeve, kreu politik dhe institucional i Kosovë ka bërë një varg lëshimesh në bisedimet e deritanishme me kreun e Serbisë.

Tashmë është krejtësisht e kuptueshme se pranimi i bisedimeve me Serbinë nënkuptonte që Kosova t’i bënte Serbisë koncesione të shumta, përndryshe bisedimet nuk do të kishin asnjë efekt edhe për faktin se Beogradi në bisedimet me Kosovën mbështetet në Kushtetutën e Serbisë, e cila Kosovën e konsideron si territor të vetin.

Në bisedimet e deritanishme, Beogradi zyrtar ka arritur të realizojë po thuajse të gjitha synimet, duke u nisur nga bisedimet që ishin kualifikuar si bisedime teknike për amzat, fletë kadastrat dhe energjinë e deri te bisedimet politike për definimin e statusit të veriut të Kosovës, bisedime këto të cilat aktualisht po zhvillohen në nivelet më të larta qeveritare mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje delegacioni i Serbisë, në bisedime me delegacionin e mefshtë, të frikshëm dhe të papërgatitur  të Kosovës, kishte arritur edhe deri te rikthimi i statusit të Kosovës në rezolutën 1244 të KS të OKB-së, ku Serbisë i lejohet të ketë sovranitet territorial mbi Kosovën. Kjo rezolutë parasheh një pavarësi minus, meqë sipas kësaj rezolute, Kosova nuk ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vetë as ulësen në OKB.

 

Vazhdimi i procesit të bisedimeve ka stagnuar njohjet ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Në dy vitet e fundit Kosovën e kanë njohur vetëm 20 shtete, të cilat përveç Pakistanit nuk heqin fare në kandar.  Në botë po krijohet bindja se përderisa Kosova ka pranuar të bisedojë me Serbinë, të paktën gjatë këtij procesi, njohja nuk ka kuptim. Realisht kështu edhe ka ndodhur. Si mund të pranohet pavarësia e një vendi, që  pranon të bisedojë me një shtet armik, i cili e ka mbajtur të pushtuar 80 vjet  dhe i cili ka sanksionuar edhe me kushtetutë mos njohjen e shtetësisë së saj?

 

Si mund të bisedohet pa kushte  me një shtet i cili ka ushtruar krime lufte, gjenocid dhe etnocid kundër tërë një populli?

Si mund të bisedohet me një shtet, që botërisht pretendon ta rikthejë sundimin kolonialist  dhe i cili nuk ka kërkuar as do të kërkojë falje për krimet, masakrat dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e veta etnike?

Si mund të bisedohet pa asnjë kushtëzim me një shtet i cili jo vetëm, që shpreh aspirata hegjemoniste e pushtuese, por edhe vepron në këtë drejtim, duke aneksuar 15 për qind të territorit të Kosovës, aneksim të cilin pretendon ta legjitimojë si pjesë të marrëveshjeve Kosovë-Serbi.

Si mund të bisedohet me një shtet militarist, i cili emëron  në krye të shtatmadhorisë kriminelin e luftës, gjeneralin e Milosheviqit, përgjegjës për krime kundër popullatës civile dhe dëbimin  masiv e të dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike?

Si mund të bisedohet me një shtet që qeveriset nga krerët profashistë çetnikë dhe partizanë të shpifur dhe i cili në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë ka kryer krimet më të shëmtuara dhe më çnjerëzore jo vetëm kundër shqiptarëve por edhe kundër kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë?

 

Bisedimet e Kosovës me Serbinë po bëhen me ndërmjetësimin e komisares për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Ketrin Ashton, e cila qysh në fillim ka deklaruar se gjatë procesit të bisedimeve, të dyja palët do të bëjnë kompromise të dhembshme. Kosova do të bëjë kompromis  në dëm të tërësisë territoriale, meqë veriu do të fitojë një autonomi substanciale, ndërsa Serbia në rastin më të pafavorshëm është e detyruar ta pranojë realitetin e krijuar në pjesën e mbetur të Kosovës, por pa e pranuar pavarësinë e saj.

Me një përfundim të tillë të marrëveshjeve, Serbia fiton veriun, ndërsa nga plani i Ahisarit tashmë ka fituar 9 komuna serbe si dhe  sovranitetin historik, fetar e kulturor mbi tërë territorin e Kosovës. 

 

Fataliteti i pranimit të planit të Ahtisarit dhe rikthimi i bisedimeve pas shpalljes së pavarësisë

 

Dihet botërisht se me pranimin unanim të planit të Ahtisarit, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë bërë kompromisin më të  dëmshëm të mundshëm për ardhmërinë e vendit, duke ia vulosur  Kosovës çdo perspektivë kombëtare integruese.  Të rikujtojmë me këtë rast se:

1. Plani i Ahtisarit ruan dhe restauron historinë dhe gjeografinë e Serbisë mesjetare, në Kosovë. Ruan paprekshmërinë dhe autonominë e plotë vetëm  të kulturës fetare ortodokse serbe, e cila ka të drejtë sovrane mbi pronën mesjetare brenda territorit të Kosovës, të drejta që nuk i ka Kisha katolike shqiptare as Bashkësia fetare islame, e cila përbën 95 për qind të numrit të përgjithshëm të besimtarëve të Kosovës.

2. Plani i Aftisarit ruan dhe legjitimon padrejtësisht të gjitha toponimet, hidronimet,  antroponimet serbe të mesjetës serbo-bizantine në tërë territorin e Kosovës. Çdo fshat dhe lokalitet i Kosovës duhet të shënohet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe, ashtu sikur edhe në  të gjitha dokumentet civile juridike e shtetërore të vendit tonë.  Këtu, në mënyrë krejtësisht pretekcioniste kemi të bëjmë me barazimin gjuhësor të një pakice kombëtare,  që përfaqëson vetëm 5 për qind të popullatës së përgjithshme, ndërsa në institucione, në Kuvend, Qeveri e në administratë përfaqësohet me 25 për qind të të zënëve me punë, me dhjetë vende të rezervuara në Kuvend, me dy apo tri ministri të çdo koalicion qeveritar, me një apo dy poste zëvendës-kryeministrash, drejtorësh, prokurorësh, policës e qeveritarësh.

3. Plani i Ahtisarit diskriminon pakicat kombëtare boshnjake, turke dhe pakicat e imëta etnike të Kosovës, duke mos lejuar që ato të barazohen me pozitën e pakicës serbe. Në këtë segment Plani i Ahtisarit është vënë krejtësisht në mbrojtje të pakicës serbe, duke e majorizuar madje edhe raport me shumicën dërrmuese shqiptare.

4. Plani i Ahtisarit pretendon që shqiptarët e Kosovës të klonohen në kombin hibrid  “kosovar”, pa prejardhje të mirëfilltë historike e kombëtare, duke e konsideruar si entitet nga mbetjet e Perandorisë osmane dhe si entitet i një përzierje të shumëfishtë racore, ashtu sikur pretendon Akademia serbe e Shkencave.

5. Plani i Ahtisarit parasheh që Kosova të jetë shtet gjysmak, multietnik, i cili në asnjë mënyrë nuk guxon të bashkohet me Shqipërinë. Ky plan nuk e  sanksionin mundësinë e rikthimit të Kosovës nën Serbi.

6 . Plani i Ahtisarit nuk parasheh që Kosovë të ketë ushtri të veten as ulëse në OKB.

Pranimi i planit të Ahtisarit në tërësi dhe pa asnjë kushtëzim nga krerët e institucioneve tona dhe pranimi i marrëveshjes përfundimtare pas procesit të bisedimeve me Serbinë, e masakron në tërësi shtetësinë  dhe ardhmërinë e Kosovës.

Klasa aktuale politike e Kosovës me pranimin pa kusht të planit të Ahtisarit dhe pranimin e kompromisit në raport me  Serbinë, për hir të miqve ndërkombëtarë dhe për hir të Brukselit zyrtar e ka humbur kredibilitetin moral të qeverisjes, meqë ka shkelur vlerat e luftës sonë çlirimtare dhe aspiratën e bashkimit kombëtar, e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme e çdo kombi, kudo në botë.

 

Pesë vjet të pavarësisë së Kosovës, pavarësisht nga të arriturat që nuk janë të pakta, sidomos në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, në rritjen  e mirëqenies sociale të një kategorie të qytetarëve tanë, në anën tjetër shënojnë edhe pesë  vite të degradimit dhe stagnimit  gradual të pavarësisë dhe jo pasurim apo përparim të saj.

Kosova aktualisht po mbetet me ardhmëri të rrethuar nga Serbia hegjemoniste, nga shtetet e Evropës që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, ashtu dhe  nga Federata  ruse me aleatët  e vetë kudo në botë. Kjo bllokadë kërkon angazhim e mobilizim nga të gjithë shqiptarët, në mënyrë që presioneve të fuqishme t’ i kundërpërgjigjemi me homogjenizim të kërkesave për bashkim kombëtar, proces ky i cili faktorizon shqiptarët si popull në Ballkan dhe në Evropë.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …