RKL

RKL: Me rritjen e buxhetit përfitojnë shumë, ata që kanë, ndërsa papunësia rritet e bashkë me të edhe krimi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas votimit të Buxhetit 2019, ka deklaruar se me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore. Me 2 miliardë e 370 milionë euro, ky është buxheti më i madh dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 për qind. Arsimi me rreth 300 milionë euro dhe shëndetësia me 234 milionë, janë sektorët që përfitojnë më së shumti. Institucionet e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes marrin mbështetje të shtuar financiare prej 6% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Më shumë siguri dhe më shumë mbrojtje, edhe për qytetarët por edhe për investimet. Investimet kapitale rriten për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018, duke mundësuar realizimin e shumë projekteve ekzistuese dhe të reja, si nxitje e madhe për zhvillim ekonomik dhe për sektorin privat. Janë akomoduar mjetet për rritjen e pensioneve bazike 20%, për ato kontribut-dhënëse 15%, si dhe pensionet mujore prej 230 euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës”, tha Haradinaj.  Ai asnjë fjalë nuk e ka folur për rritjen e varfërisë të papunësisë dhe krimit si pasojë e mungesës së punës.

Haradinaj lavdërohet se ka krijuar  Qeverinë më të kushtueshme që e ka pasur Kosova ndonjëherë, vendi më i varfër i Evropës, qeverinë më nepotiste, ku lëvrijnë si lavrat militantët e partive, gjysmë-intelektualët dhe gjysmanalfabetët. Po kështu lavdërohet edhe kryekuvendari Kadri Veseli i cili ka premtuar se do ta zvogëlojë pagën e tij në mënyrë që të mos e rëndojë shumë buxhetin e Kosovës. Ai po ashtu krenohet se  Punonjësit publikë në Kosovë, krahasohen edhe me vendet e BE-së, se ekonomia e Kosovës është e qëndrueshme dhe se kjo rritje solide e pagave nuk do ta dëmtojë stabilitetin makro-ekonomik e makro-financiar të Kosovës, tha se nëpërmjet përmirësimit të situatës tek sektori publik, është garantuar se nuk ka ulje pagash për asnjë punonjës publik. “Ka rritje nga 20 deri në 83 për qind. Për mjekët, ushtarakët, policët, arsimtarët, pensionistët, zjarrfikësit dhe të gjitha kategoritë e tjera kanë rritje të pagave, tha Veseli. As ky trimosh i luftës dhe i paqes në Kosovë, me asnjë fjalë nuk përmend papunësinë, varfërinë e skajshme të të varfërve dhe pasurimin rapid të të pasurve.

 

Ai lavdërohet se zyrtarëve u ka dyfishuar pagat, por nuk flet si jeton me një mëshirë sociale 110 euro në muaj familja me gjashtë anëtarë e  Zymer Krasniqit, i burgosur politik i viteve 80, asnjëherë i zënë me punë  në jetën e tij. Natyrisht ku e di Kadriu se kush është Zymer Krasniqi, të cilit kurrë nuk ia ka dëgjuar emrin edhe pse, Zymeri, ka mbajtur 7 vjet burg politik në vitet 80, sepse me shokët e tij ka ndaluar forcat rezerviste serbe të futen në Kosovë, në prill të vitit 1981,  madje ka qenë i dënuar edhe gjatë vuajtjes  së dënimit për afishim brenda lokaleve të burgut, në Slloveni,  të kërkesës, Kosova Republikë, bashkë me Abedin Balën e Korraticës, i mbytur mizorisht në burg, në vitin 1985.

Është krejt e natyrshme që Kadri Veseli e Ramush Haradniaj nuk  kanë dëgjuar as emrin e Isuf Dragaçinës, i burgosur politik i viteve 80, po ashtu i papunë prej vitit 1990 e deri tani.

Por e di mirë dhe besoj fort se Ramushi, Kadriu dhe Hashimi e dinë mirë kush është Hysen Gega, luftëtari më konsekuent i lirisë, i cili ka mbajtur 14-vjet burg, në kohën e regjimit kriminal serb, ka luftuar në vijat e para frontit të UÇK-së dhe kurrë deri sot nuk iu afrua asnjë punë në Kosovën e pavarur e sovrane, për të cilën ka dhënë shumë më tepër se këta tre.

Nuk i bën fare përshtypje këtij zotëri, Kadriut,   që e çan gjoksin duke e rrahur dhe duke na treguar se ka marrë pjesë në të gjitha luftimet në Kosovë (!), mbase  na ka rënë ta shohim ndonjëherë, në luftime, por nuk flet asnjë fjalë për luftëtaren e lirisë, Elimije Plakiqi, e cila sapo filloi lufta në Drenicë, la postin dhe nga vendi ku kishte punuar mori vetëm nofkën e ‘drejtoreshës’ pastaj luftoi  me armë në dorë në të gjitha frontet e luftës. Tash e  njëzet vjet Elmija, e burgosur politike, veprimtare, luftëtare e lirisë, profesoreshë e gjuhës shqipe, nuk ka një vend pune.

E them me përgjegjësi kombëtare, intelektuale, njerëzore se Elmije Plakiqi ka marrë pjesë në luftime shumë me tepër se Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por këtë nuk e them për  Ramush Haradinajn. Po të ishte bërë vegël e përdorshme politike, Elmija, mund të ishte edhe deputete, pse jo edhe ministreshë.

Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, nuk e dinë ku jeton dhe a punon apo nuk punon fare veprimtarja, ndër më të dalluarat e çështjes kombëtare, luftëtarja e lirisë, poetja,  shkrimtarja, intelektualja, e burgosura politike, Shefqete Gosalci. Nuk kam të dhëna se e di apo nuk e di Ramush Haradinaj se ku ndodhet dhe a ka fare punë, luftëtarja e lirisë, Hyrije Veliu, me të cilën ishte krenuar  gjatë kohës së luftës.

Është e gjatë, për të mos thënë e pakufishme fleta e luftëtarëve dhe luftëtareve të lirisë, e të burgosurve politikë dhe e shumë liridashësve e liri-bërësve  të Kosovës, të cilët kurrë nuk janë zënë me asnjë punë, por kanë mbijetuar me ndihmat e familjarëve, miqve dhe të njohurve, jetojnë nga remitencat, me të cilat jeton pjesa e shqiptarëve të varfër e të papunë të  Kosovës, që nuk mbulohet me buxhetin e Ramushit, Kadriut e Hashimit.

Nuk ka hall Qeveria me skamnorët, sepse ata nuk paraqesin rrezik për Qeverinë, sepse ata nuk kanë një organizatë apo një OJQ,  si SBASHKU, që dridh Qeverinë duke ua ndërprerë dhunshëm shkollimin  400.000 mijë nxënësve e studentëve, për ta arritur qëllimin, dhe kur pyetet kreu i kësaj sindikate  se a do të kompenzohen 20 ditë e humbura,  përgjigjet tërë arrogancë, se ajo punë nuk i intereson fare.  Natyrisht ky zotëria ka kaluar Drinin…, bashkë me sejmenët e tij, të cilët për të zhvatur sa më shumë nga buxheti, ashtu si po e zhvatin krejt kush po mundet, janë në gjendja ta varrosin arsimin kombëtar, edhe ashtu  shumë “të  avancuar”, që ka zënë në vendin e dytë, në botë, por duke njehsuar  nga fundi.

Hashimi, Kadriu, Ramushi mund të krenohen, mund të rrahin gjoks se u kanë krijuar vende pune akrabave, të vetëve, militantëve nga të cilët ka edhe banditë të pacipë e të pafytyrë, krenohen se kanë zënë me punë bijtë e bijat e ish UDB-ashëve, në shenj respekti për baballarët e nënat e tyre dhe me qëllim që të tregohen të drejtë e parimorë para të huajve. Por ata nuk duhet të harrojnë se  këta emra që i përmenda sot dhe shumë të tjerë që do t’i përmend në vazhdim, një ditë do të jenë emra tmerri për ndërgjegjen e tyre, por edhe të familjeve e trashëgimtarëve të tyre.

Fjala turp, për  këtë rast nuk e mbulon dot tërësinë e kuptimit të  vet.

Kontrolloni gjithashtu

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pritet të qëndrojë në Kosovë nga data 10 deri më 12 tetor

Ende jo zyrtarisht bëhet e ditur se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pritet …