RKL: Merreni këtë vogëlush të mbytur nga qentë e dërgojani BE-së, Jahjagës, Mustafës, Veselit…

Në kulmin e dëshpërimit për një fëmijë të një malësoreje të ngrirë nga acari në një natë dimri, Migjeni në kohën e tij kishte ngrehur zërin e protestës kundër shoqërisë shqiptare të Ahmet Zogut, (i cili i vriste atdhetarët sikur qentë) shoqëri  e cila krejt me indiferencë shihte të vdekurit nga uria, nga acari, nga gjakmarrja dhe zezonat e tjera. Duke mos gjetur asnjë zyrtar meritor për vendin,  ai në fund porosit që shtatorja e vogëlushit të ngrirë nga acari t’ i dërgohet atij  që ka më së paku merita për vendin-Perëndisë klasike.

Lajmi se qentë endacakë në Fushë Kosovë kanë mbytur një vogëlush 7-vjeçar, i cili ishte duke mbledhur kanaqe te një deponi, do të ngel një lajm i paharrueshëm për vendin, edhe pse nuk është ky fëmija i parë që e kanë mbytur qentë. Disa vjet më parë qentë endacakë kishin mbytur një fëmijë pesëvjeçar  në një fshat të Drenicës. Një fshatar  tjetër, kishte shitur pasurinë dhe ishte larguar nga vendi meqë qeni i fqinjit i kishte kafshuar fëmijën trevjeçar dhe i Zoti i Qenit nuk e kishte përfillur. I kishte thënë thjesht,  ruani fëmijët nga qentë e mi. Është i tmerrshëm edhe një segment i së kaluarës së çoroditur,  kur burrat me mustaqe janë vrarë për qentë, madje nga brezi në brez… Asokohe nuk kishte shtet as ligji, diku nuk përfillej as Kanuni i Lekës…

Kafshimet e fëmijëve nga qentë në Kosovë janë shqetësim dhe frikë për çdo prind, sepse qentë endacakë i mbron Ligji i Bashkimit Evropian i mbron Kryetarja dhe kryeministri, i mbron policia e Kosovës. Fëmijët që nuk dinë të mbrohen nga qentë, nuk i mbron askush. Nuk ka ligj për ta. Ku mund ta dish se cili qen e ka kafshuar akëcilën viktimë, kur për më tepër në Kosovë ende nuk ka ligj që i dënon qentë me burg, sepse nuk kemi as burgje për qentë. Kemi burgje për njerëzit, për kriminelë, por burgjet më të forta e më tështueshme i kemi  për luftëtarët që na çliruan nga qentë e Serbisë. Ja cilat janë ligjet humane të Bashkimit evropian, parajsës  së imagjinuar të shqiptarëve.

 

Dy vjet më parë një gazetar kishte guxuar ta njoftonte opinionin se një qen nga lukunia e 12 qenve të Maurizio Salustros kishte kafshuar një fëmijë, në pushimoren e Gërmisë, por pas bisedës, prindi i fëmijës së kafshuar, kur kishte marrë vesh se qeni i kujt ia kishte kafshuar djalin, përnjëherë e kishte shuar rastin. Ky është shenji i mirësisë dhe i zemërgjerësisë shqiptare, që një pjesë e madhe e njerëzve tanë kanë për ndërkombëtarët, sidomos për inspektorët dhe policët e EULEX-it, përgjithësisht për të huajt, sepse ata na paskan çliruar, edhe pse nuk e kanë  derdhur asnjë pikë gjaku.

Nuk ka ditë në Kosovë, që nuk raportohen lajme për rrezikun që paraqesin qentë endacakë, sidomos për fëmijët, të cilët lëvizjet në natyrë  i kanë gjërat më të shtrenjta. Por, ligji është i prerë, qentë i mbron shteti. Nëse e vret një qen endacak dhe nëse të denoncon fqinji, ndiqesh penalisht.  Nëse e ke vrarë, me armë zjarri dënohesh për armëmbajtje pa leje,  nëse e ke mbytur me lloz kalon më lehtë.

Familjes së fëmijës 7 vjeçar nga Fushë Kosova i cili përjetoi tmerret më të pa përjetuara në moshën e tij të njomë 7-vjeçare, i shprehim ngushëllime të thella dhe së bashku me ta ndajnë dhembje te gjithë qytetarët e vendit, ndërsa Qeverisë që i mbron qentë me ligj, Kuvendit që ka miratuar një ligj të tillë nëse është miratuar, Shtetit që mbron jetën e qenve endacakë e jo të fëmijëve, u qoftë për jetë turpi e faqja e zezë, për jetë të jetëve.

Kontrolloni gjithashtu

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar kallëzimin penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Në raportin vjetor të organizatës “Freedom House” janë përmendur rastet e Shemsi Hazitit, Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt

Në raportin vjetor për vitin e kaluar 2023 të organizatës ndërkombëtare “Freedom House” është përmendur …